TIRANE-Qeveria miratoi dje ndryshimet në pagat e punonjësve të policisë, efektet e të cilave do të shtrihen që nga 1 janari 2014. Sipas sqarimit që bëhet nga Ministria e Brendshme, pagat janë rritur si përqindje, ndërkohë që disa paga kanë ulje, sepse është aplikuar “norma e vështirësisë”, që do të thotë së një punonjës policie me gradën “Kryekomisar”, që punon në terren, ka koeficient të rritjes së pagës shumë më të lartë se një punonjës policie me të njëjtën gradë që punon në zyrë. Rritja më e madhe është bërë për nivelet më të ulëta, që në përgjithësi janë punonjësit e terrenit. Ndërkohë për të gjithë tabelën nuk është përllogaritur përqindja e përfitimin nga aplikimi i taksës progresive, që për pagat e ulëta është shumë më i lartë. (Për shembull, nëse gradës inspektor, i është rritur paga 21%, bashkë me aplikimin e taksës progresive, rritja reale e pagës shkon mbi 25%).
Në bazë të vendimit të qeverisë, “punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 9 000 (nëntë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e lartë”. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për Policinë e Shtetit, të parashikuara në buxhetin e vitit 2014. Në bazë të tabelës së pagave të reja, drejtori i Përgjithshëm i Policisë që deri më tani është paguar me 145,475 lekë të reja, do të paguhet me 153,250 lekë, duke përfituar një rritje prej 7.775 lekë. Zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë nga 130,500 lekë, do të marrë 137,750 lekë. Një punonjës me gradën Drejtues i parë, kategoria e tretë do të ketë ulje page me -1,800 dhe nga 118,950 lekë do të paguhet me 117,150 lekë. Më poshtë tabela vijon edhe me ulje pagash të tjera. Kështu, 2 punonjës me gradën kryekomisar kanë ulje me -11,850, 2 kryekomisarëve të tjerë do t’u ulet paga me -16,850. Në total janë rreth 551,325 lekë të reja, që shtohen në buxhetin e Ministrisë së Brendshme për shkak të rritjes së pagave.
Vendimet e qeverisë
Ndërkohë qeveria dje, miratoi edhe një tjetër vendim që ka të bëjë me delegimin e kompetencës për vendosjen e tarifave të biletave të transportit urban nga këshilli bashkiak. Sipas këtij projektligji, tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit bashkiak në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim. Projektligji përcakton se “fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas përballohen nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Qeveria miratoi gjithashtu, edhe një rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe vendimin për disa ndryshime në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, sipas së cilës Komisioni i Posaçëm i dhënies së licencave profesionale përbëhet nga pesë anëtarë.
drejtues
d.b/
Krijoni Kontakt