Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17

    Rama: Shqipëria nuk duhet të luajë rolin e vëllait të madh me Kosovën

    Rama: Shqipëria nuk duhet të luajë rolin e vëllait të madh me Kosovën

    Shqipëria duhet të vazhdojë ta ndihmojë Kosovës, por nuk duhet që të luajë rolin e vëllait më të madh për shtetin kosovar, thotë kryeministri shqiptar, Edi Rama në një intervistë për gazetën kosovare Zëri.

    Megjithëse në Kosovë, nga Shqipëria gjithmonë pritet ndihmë, aq më tepër që fjala është për një shtet shqiptar 101 vjeç, kundrejt një tjetri që i ka vetëm gjashtë vjet që ekziston.

    Për shefin e qeverisë shqiptare, Prishtina, sidomos në raport me Beogradin është një palë serioze dhe kredibile që t’i trajtojë vetë problemet, shkruan Zëri.

    MAPO

  2. #2
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: Rama: Shqipëria nuk duhet të luajë rolin e vëllait të madh me Kosovën

    hipokrizia e rradhes. ky kosovaret nuk do ti shohi me sy.medemek po ben demokratin e madh tani...

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rama: Shqipëria nuk duhet të luajë rolin e vëllait të madh me Kosovën

    Kryeministri i Shqipërisë, intervistë për gazetën kosovare “Zëri”

    “Refuzimi i vizave, drejt shkurtësi europiane në raport me Kosovën dhe moskuptim nga ana e Europës”

    Kryeministri flet për vizitën në Serbi dhe marrëdhëniet në rajon.

    “Vizita në Beograd, Kosova di t’i zgjidhë punët e veta”

    “Turqia partner strategjik, kemi bërë gjënë e duhur”


    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën kosovare “Zëri”, shprehet se radikalizmi i qëndrimeve kundër myslimanëve nuk i sjell asnjë rezultat pozitiv vetë Europës.
    Ai shpreh keqardhje për shtyrjen me tre vjet të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, ndërkohë që Serbia, si pjesë e tryezës së bisedimeve nën kujdesin e baroneshës Ashton, hap proceset e integrimit me BE-në. Kreu i qeverisë shqiptare flet dhe për vizitën që pret të zhvillojë në Beograd, duke theksuar se në axhendën e tij nuk do të jetë lobimi për Kosovën, pasi sipas tij, ka kaluar ajo kohë që për Kosovën flisnin të tretët. Tashmë Kosova sipas Ramës ka aftësi vetëvendosëse.

    Me çfarë problemesh e morët qeverisjen e vendit, çka trashëguat?

    Ne morëm një rezultat që ishte jashtë të gjitha parashikimeve, dhe parashikimet tona optimiste nuk shkonin deri te një shumicë kushtetuese e cilësuar, sikur na i dhanë zgjedhjet, dhe për mua ky ishte momenti i një kthjellimi shumë të madh lidhur me faktin që njerëzit në Shqipëri nuk votuan thjesht për të ndërruar qeverinë, por për të bërë ndryshime shumë të mëdha, për ndryshime rrënjësore që me sa duket është domosdoshmëri shumë e madhe. E kam thënë që në fillim dhe e ndiej më shumë gjithmonë se nëse fitoj unë do të kishte qenë e ngushtë me siguri dhe vetëdija për përgjegjësinë e zakonshme që njerëzit kanë vënë mbi shpatulla nuk do ishte kaq e lartë.
    Ndërkohë ajo votë ishte shprehja më kuptimplote e gjendjes që ne gjetëm këtu, në të gjitha aspektet. Gjetëm kriminalitet shumë të lartë, pasiguri të madhe, shumë padrejtësi në sistem, shërbime korruptive të dobëta…, por unë do ta veçoja borxhin e madh që ne gjetëm, një borxh që kaloi caqet e parashikimit tonë të mëparshëm, një borxh i mbuluar për shërbime të papaguara ndaj kompanive në të gjitha fushat, i cili kapërcente 700 milionë dollarë dhe bënte pengesën e parë shumë të madhe kryesore.
    Sigurisht, ky është një fakt që bëri që njerëzit të kërkonin ndryshimin e madh dhe që me të drejtë e kërkuan.

    Përmendët mbi 700 milionë dollarë. Mendoni se kjo u krijua me qëllim sepse pushteti i mëparshëm vetëm e kishte parasysh se do ta humbiste pushtetin, se ishte bërë mjaft, apo ishte për shkak të interesave, lidhjet politikë-biznes?

    Jo, kjo u bë për arsye të papërgjegjshmërisë nga qeverisja dhe të rendjes pas një rezultati elektoral që u kërkua përmes krijimit të idesë që në Shqipëri po ndodhin transformime të jashtëzakonshme në infrastrukturë, duke prerë shirita për rrugë të reja në gjithë vendet e duke lënë pastaj rrugët pa para.

    Arsyeja pse nisëm me këtë pyetje është ideja se Kosova, si një vend ende jo i konsoliduar, ka nevojë për një Shqipëri që mund ta ndihmojë. Duke marrë parasysh problemet që i keni trashëguar nga qeverisja e mëparshme, a ka mundësi Shqipëria që derisa merret me problemet e brendshme të saj, të ndihmojë edhe Kosovës, qoftë në aspektin diplomatik apo në forma të tjera?

    Mendoj që Shqipëria nuk ka asnjë arsye që t’i japë vetes të drejtën e rolit të më të madhit, më të zotit apo të më të rriturit, edhe pse Shqipëria ka një shtet 101 vjeç, kurse Kosova ka një shtet vetëm 6 vjeç. Unë mendoj se Shqipëria ka dhënë ndihmë gjithë këto vite, dhe gjithmonë është marrëdhënia mes Kosovës e Shqipërisë që bën dhe që duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kosova pa dyshim ka shumë probleme, por në periudhë kaq të shkurtër që mund të jetë shumë për jetën e njeriut, por në historinë e një shteti ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Dhe sot Kosova ka arritur që të jetë një shtet i respektuar, i respektuar edhe nga ato vende që akoma nuk e kanë njohur, e kjo është një gjë shumë e madhe. Ndërkohë që pa dyshim që Shqipëria, sa më e fortë dhe sa më e respektuar që të jetë, aq më shumë mund t’i ndihmojë Kosovës.

    Megjithatë, shqiptarët, nga një këndvështrim nga jashtë, ende shihen si shtete me skandale, qeverisja e kaluar këtu dhe tash në Kosovë, raportet ndërkombëtare secili vit tregojnë një prapambeturi politike, rritje korrupsioni, si vend pikë e zezë e zhvillimit të prostitucionit, drogës. Si mund të rregullohet ky imazh i shqiptarëve?

    Mendoj që problemet e korrupsionit janë reale, por janë probleme që në radhë të parë lidhen me shtetin si sistem mekanizmash, që qoftë në Shqipëri apo Kosovë, nuk është ende mirë i strukturuar dhe i gatshëm për të kryer pjesën më të madhe të funksionit të vet, jashtë subjektivizmit të individëve. Përgjigjja kyçe për t’u përballur me korrupsionin në këndvështrimin tim është modernizimi i vazhdueshëm i shtetit, institucioneve, gjithë mekanizmave që e bëjnë një gjerman të jetë i pakorruptueshëm dhe një shqiptar të jetë lehtësisht i korruptueshëm. Sepse unë nuk besoj se gjermanët janë në gjenet apo nga natyra nga çfarëdo qoftë tjetër më të pakorruptueshëm se shqiptarët. Besoj se njerëzit nuk mund ta korruptojnë dot një sistem, ndërsa një sistem mund të korruptojë njerëzit. Dhe sa më i mbrojtur të jetë sistemi nga korrupsioni, aq më shumë njerëzit e kanë të pamundur që të bien pre e korrupsionit.

    Pra nuk thoni që pak a shumë është edhe mentaliteti i një shoqërie…?

    Po të ishte çështje e mentalitetit, të ishte çështje historie, gjeografie, tradite, atëherë shqiptarët do të korruptoheshin edhe kur punojnë në institucionet ndërkombëtare, edhe në shtetet tjera. Ka mijëra shqiptarë që japin kontribut për shtetet e tjera në struktura publike apo private, dhe unë nuk di që të jenë dalluar, përkundrazi, i nënshtrohen një sistemi të caktuar dhe japin më të mirën e tyre. Pse shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kur janë në Gjermani nuk i shkelin rregullat e qarkullimit, pse i respektojmë semaforët, pse e vënë rripin e sigurimit të gjithë, pse parkojnë makinën aty ku duhet, pse i paguajnë rregullisht detyrimet e shtetit, ndërkohë që janë po ata njerëz, po ata persona që sapo kalojnë kufirin dhe futën në Shqipëri harrojnë të vënë rripin e sigurimit, nuk njohin semaforët, sillen keq me përfaqësuesit e shtetit e kështu me radhë…?
    Ish-diplomati amerikan, James Rubin, tha se krahu i luftës duhet të tërhiqet nga pushteti sa është i suksesshëm. Si e vlerësoni atë deklaratë ju?
    Jetojmë në një botë të lirë dhe secili ka të drejtë të bëjë deklaratat e veta, por mendoj që ne kemi një problem të përbashkët, që i japim shumë rëndësi deklaratave të huaja.

    Kosova dhe Shqipëria kanë qëllimin e përbashkët, integrimin në BE. Ju personalisht keni ardhur me flamurin e BE-së në duar. Mirëpo tash keni një përafrim me Turqinë dhe Erdoganin… Sa na dëmton të dyja vendeve nëse orientohemi e afrohemi me Turqinë, ndërkohë që synojmë Europën?

    Askush nuk ka thënë nga ne këtu, por s’kam dëgjuar ta thonë as njerëzit e Qeverisë së Kosovës, se ne duhet të afrohemi me Turqinë dhe të largohemi nga Europa. Përkundrazi, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që Turqia ka, dhe besoj se thjesht kemi bërë atë që do duhej të ishte bërë me kohë nga ana e Turqisë, duke konsideruar jo vetëm Italinë dhe Greqinë, por edhe Turqinë si partner strategjik për zhvillimin tonë dhe të rajonit. Pra, të gjitha të tjerat janë spekulime dhe nuk kanë asnjë bazë reale për t’u shqetësuar. Unë besoj se kemi bërë gjënë e duhur dhe ashtu siç nuk çuditet askush për përpjekjet tona për të forcuar marrëdhëniet me Italinë, apo për të çuar më tutje marrëdhëniet me Greqinë, nuk duhet të çuditet as për përpjekjet tona për t’i forcuar sa më shumë marrëdhëniet me Turqinë.

    A nuk është një shqetësim i arsyeshëm, duke marrë parasysh axhendën politike që ka Kryeministri turk, ai është përfaqësuesi më tipik i islamit politik?

    Partneritetet strategjike me një vend ne nuk i ndërtojmë mbi bazë preferencash politike, por ato ndërtohen mbi bazë marrëdhëniesh zhvillimore pa marrë parasysh se kush është në qeveri. Dhe unë e përsëris se pa asnjë dyshim kemi bërë gjënë e duhur në përfshirjen e Turqisë në rrethin e partnerëve tanë strategjikë.

    Derisa jemi tek interesat e përbashkëta ekonomike të të dyja shteteve, bilancet tregtare tregojnë se shumë biznese nga Shqipëria janë të pranishme te ne, sektori i bankave, kompani të sigurimeve, media… ndërkohë biznese të Kosovës nuk dimë ndonjë kompani të madhe, e cila ka pasur sukses në Shqipëri. Kur do të mundë të rregullohet ky bilanc tregtar mes nesh?

    Fatkeqësisht jam i informuar për një sërë kompanish të Kosovës, që ose janë refuzuar, ose janë penguar, ose janë sakatuar, nuk kanë mundur do të çajnë tregun shqiptar. E kam diskutuar këtë edhe me ministrin e Zhvillimit të Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që të krijojmë të gjitha hapësirat e nevojshme për t’ua bërë sa më të lehtë të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipëri nga Kosova.

    Qeverisja aktuale e Kosovës ka pasur raste kur u ka vendosur bllokadë produkteve të Shqipërisë. Ndërkohë që e njëjta ka ndodhur edhe me produkte të Kosovës, por jo nga Qeveria juaj. A mund të thoni arsyet, qëndrimin tuaj rreth kësaj? Mbase ngjarjet e tilla mund të quheshin të arsyeshme me vendet e tjera, por Kosovë – Shqipëri t’i bllokojnë njëra-tjetrës produktet, duket si një problem i krijuar artificialisht dhe për interesa të ngushta të një grupi të njerëzve.

    Nuk mendoj që është thjesht për interesa të ngushta. Pa dyshim që të paktën përsa i takon Shqipërisë ne mund ta themi se disa raste kanë qenë për interesa të ngushta, por besoj se është një çështje e strukturimit të një marrëdhënieje të qartë në fushën e tregtisë, dhe për këtë ne do të kemi një progres të konsiderueshëm në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.

    Thoni që nuk do ketë më bllokada të tillë, apo mund të ketë prapë derisa të ndërtohet ky bashkëpunim i ri për të cilin ju flisni?

    Perspektiva që ne i kemi caktuar vetes është bashkimi doganor. Por deri te bashkimi doganor duhet të hidhen disa hapa të tjerë, dhe për këta hapa ne po punojmë.

    Shumë shpejt do të bëni një vizitë në Beograd. Në axhendën tuaj do të zërë Kosova vend? Keni kërkesa për Kosovën?

    Kosova është një shtet i ri, një shtet më vete, është një shtet që di fare mirë t’i zgjidhë punët e veta dhe ajo se çfarë Serbia ka me Kosovën është çka i takon Serbisë dhe Kosovës ta trajtojnë me njëri-tjetrin. Ndërkohë që përsa i takon Shqipërisë, ajo thjesht dhe vetëm mbron me përpikëri dhe pa asnjë luhatje vijën e përcaktuar qartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk mund të ketë asnjë ndryshim në këtë qasje, sepse e përsëris se ka ikur koha kur Kosova ishte subjekt diskutimesh mes të tjerësh, në pamundësi për të qenë subjekt vetëvendosës. Kosova është krejtësisht e barabartë në raport me gjithë të tjerët dhe si e tillë edhe duhet trajtuar.
    E kam përshtypjen se nga përgjigjet tuaja Kosova nuk ka fare nevojë për përkrahje apo shtytje. Para pak javësh kemi intervistuar një nga ambasadorët në Kosovë, atë gjerman, i cili tha se duhet të jemi realist, pa njohjen e Serbisë dhe Rusisë janë disa gjëra të statusit të Kosovës që do të mundë të jenë pjesë e debateve dhe diskutimeve në të ardhmen.

    Mendoni se Kosova e ka arritur tërësisht nivelin e një shtetit të konsoliduar dhe që s’ka nevojë më për ndihmë?

    Jo, unë e kisha një kuptim tjetër… që askush nuk mundet dot ta anashkalojë Kosovën apo çështjet që duhet t’i zgjidhë Kosova e të kërkojë t’i zgjidhë përmes dikujt tjetër, qoftë edhe përmes Shqipërisë. Ndërkohë që Shqipëria, siç ju thashë, është tërësisht në një vijë me Kosovën dhe Tirana zyrtare kudo ku flitet për Kosovën shpreh të njëjtin qëndrim të unifikuar nga Prishtina zyrtare, në kuptimin që s’mund të përdoret Shqipëria për të folur për çështje që duhet të zgjidhen drejtpërdrejt mes Kosovës e Serbisë.

    Çfarë rezultuan prej bisedimeve, kemi Serbinë e cila mori datën dhe fillimin e negociatave për integrim në BE. Ndërkohë që Kosovës iu bë me dije që së paku edhe 3 vjet nuk do të ketë liberalizim të vizave?

    Është një pyetje shumë e drejtë dhe sigurisht që përgjigjja për këtë pyetje nuk mund të jetë fajësimi apo dyshimi për marrëveshjen e paqes mes Kosovës e Serbisë, por ka të bëjë me atë që unë do ta quaja drejt shkurtësi europiane, në raport me Kosovën dhe moskuptim nga ana e Europës i domosdoshmërisë për të liberalizuar vizat në Kosovë. Sepse sot jetojmë në një paradoks. Shqiptarët e Kosovës shkonin në Europë sa herë që të donin kur jetonin nën një regjim, dhe nuk lëvizin dot sot kur janë në shtetin e tyre. Kjo nuk i bën nder Europës.

    Shqipëria është një vend anëtar me të drejtë vote në NATO. Ndërkohë që Kosova është një vend mikpritës i një trupe që përbëhet nga vendet anëtare të NATO-s. A mund të ketë prani të ushtrisë shqiptare në Kosovë si vend anëtar i NATO-s?

    Besoj se çështjet e kësaj natyre janë kapërcyer, ashtu siç besoj se procesi i njohjes së Kosovës deri në Beograd është i pakthyeshëm, pavarësisht se mund të marrë shumë kohë. Por ndërkohë jam i bindur që, qoftë Shqipëria apo Kosova, problemet reale i kanë me vete, dhe duhet t’i zgjidhin vetë, nuk janë probleme që mund t’i zgjidhin të huajt. Janë probleme që lidhen me gjithë ato që përcjellin shqiptarët, që është papunësia, varfërinë, e probleme të tjera në shumë aspekte sociale e që lidhen me shërbime tjera, prandaj ne do të punojmë fort për të përmirësuar këtë. Ndërkohë që sa i përket atyre që ishin deri dje, ato problemet e mëdha, të lirisë, pavarësisë, afrimit të Kosovës si shtet, i kemi kapërcyer me sukses.

    Dy vitet e fundit ka nisur të ashpërsohet debati i çështjes së fesë. Kemi rritje të një ideologjie me të cilën nuk jemi ballafaquar më herët. Kemi rritje të njerëzve që bëjnë thirrje kundër vlerave perëndimore. Së fundmi patëm arrestimin e 6 të rinjve, me dyshimin se bënin përpjekje për sulme terroriste në Prishtinë. Ku e çon Kosovën gjithë kjo?

    Kjo që ju thoni është e vërtetë e hidhur dhe prandaj unë insistoj te fakti që ne edhe këtë simptomë shumë shqetësuese duhet të shohim të lidhur me problemet, që i përmenda më herët që janë te papunësia, varfëria, edukimi, integrimi dhe me radhë dhe të gjitha këto aspekte që e bëjnë një vend të zhvilluar europian, të mbrojtur nga ato lloj sëmundjesh që në kushte tjera mund të kthehen në epidemi vetëshkatërruese.

    Në Kosovë thonë se ky problem, përveç faktit që është i lidhur me ekonominë e dobët, ky radikalizëm, sidomos i fesë islame, është edhe i importuar, sepse ka shtete nëpër botë që shprehen të gatshëm që të financojnë grupet e caktuara që flasin kundër shtetit, Kushtetutës?

    Pa dyshim që kjo dihet botërisht se është një sfidë që ka lidhje me forca të së keqes, që janë forcat që bazohen te një qasje totalitare dhe që kërkojnë të asgjësojnë çdo gjë tjetër rreth e rrotull për të afirmuar vetveten. Nuk besoj se radikalizmi politik në cilindo vend të Europës kundër myslimanëve si komunitet mund të sjellë ndonjë rezultat në këtë aspekt. Arsyeja pse një liri kthehet në një shërbëtor të kësaj të keqeje duhet gjetur më thellë sesa thjesht te konfrontimi propagandistik apo te përgjegjësimi i këtij fenomeni me një unitet apo bashkësi fetare.

    Sa mund t’ia lëmë papunësisë dhe varfërisë? Edhe në Shqipëri ka pasur varfëri në raport me vendet e rajonit. A është duke u bërë ky një problem i shqiptarëve, e dimë sa ka arritur të depërtojnë në Maqedoni te shqiptarët. Ne kemi jetuar në kohën e regjimit në kushte të vështira, por pse u gjet pikërisht tani ambient për rritjen e kësaj ideologjie?

    Kushtet e regjimit kur i kemi jetuar kanë qenë në një botë tjetër, kur edhe bota jonë, por edhe bota rreth nesh, ishte ndryshe. Sot është tjetër botë. Sigurisht që as Shqipëria e as Kosova, as vendbanimet e shqiptarëve nuk janë vatra ku ka lindur ky problem, madje ne jemi shumë periferik në raport me këtë problem. Por problemi ekziston dhe duhet trajtuar tek rrënjët, e jo duke rënë pre e një trajtimi të thjeshtë.

    Për fund dua t’ju pyes për çështjen e sportit, duke pasur parasysh se në Kosovë kemi lexues dhe audiencë të sportit, të cilët gjithmonë kanë pasur edhe ankesa për mosbashkëpunim mes Kosovës-Shqipërisë. Çfarë bashkëpunimi mund të pritet në këtë fushë?

    Sigurisht që ne nuk mund të bëjmë hapa që bien në kundërshtim me rregullat e institucioneve ndërkombëtare të sportit, por për atë që mund të bëjmë ne jemi tashmë duke punuar intensivisht dhe besoj se në mbledhjen e ardhme do ta çojmë përpara edhe këtë çështje.

    Marrë nga gazeta kosovare “Zëri”

    Arbana Xharra & Artan M. Haraqija

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •