Argumenti i Shkakut të Parë
Ndoshta argumenti më i thjeshtë dhe më i lehtë për t’u kuptuar është ai i shkakut të parë. (Ai pohon se gjithçka ne shohim në këtë botë ka një shkak, duke ecur mbrapsht gjithmonë e më tej në zinxhirin e shkaqeve, duhet të arrijmë në Shkakun e Parë dhe këtij Shkaku të Parë i japim emrin e Zotit.) Mendoj se ky argument nuk ka shumë peshë në kohën tonë, sepse, në radhë të parë, shkaku nuk është plotësisht ashtu siç është paraqitur zakonisht. Filozofët dhe njerëzit e shkëncës janë marrë gjatë me shkakun dhe ai nuk ka atë vitalitet që ka pasur më parë; përveç kësaj, ju mund të shihni se argumenti që duhet të ketë një Shkak të Parë nuk mund të ketë asnjë vlerë. Mund t’ju them se kur isha i ri dhe i rrihja me mjaft seriozitet këto çështje në mendjen time, unë për një kohë të gjatë e kam pranuar argumentin e Shkakut të Parë, deri sa një ditë, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, lexova Autobiografinë e Xhon Stjuart Millit dhe atje gjeta këtë shprehje: “Im atë më mësoi se pyetja “Kush më ka bërë mua?” nuk mund të marrë përgjigje, sepse ajo menjëherë të çon te pyetja tjetër “Kush e bëri Zotin?” Kjo shprehje shumë e thjeshtë me tregoi, sikurse mendoj ende, mashtrimin e argumentit të Shkakut të Parë. Në qoftë se gjithçka duhet të ketë një shkak, atëherë Zoti duhet të ketë një shkak. Në qoftë se mund të ketë diçka pa shkak, atëherë të tillë mund të jenë njësoj edhe bota, edhe Zoti, kështu që ky argument nuk mund të ketë ndonjë vlerë. Ai ka të njëjtën natyrë si pikëpamja hindu se bota mbështetet mbi elefantin dhe elefanti mbështetet mbi një breshkë. Dhe kur pyetet “Po breshka?”, indiani thotë “A ndërrojmë temë?”. Në fakt, argumenti nuk është më i mirë se ky. Nuk ka arsye pse bota të mos ketë nisur ekzistencën pa shkak, as nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye që ajo të mos ketë ekzistuar gjithmonë. Nuk ka asnjë arsye të mendohet që bota të ketë një fillim. Ideja që gjërat duhet të kenë fillim me të vërtetë i detyrohet varfërisë së përfytyrimit tonë. Prandaj ndoshta nuk kam nevojë të të harxhoj më shumë kohë për argumentin e Shakut të Parë.
Përse nuk jam i krishterë dhe studime të tjera mbi fenë dhe tema të ngjashme
-Bertrand Russell
Krijoni Kontakt