Nishani dekoron 2 të mbijetuara nga Holokausti në Shqipëri
TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi zonjën Anna Kohen dhe zonjën Johanna Neumann, dy të mbijetuara nga Holokausti në Shqipëri dhe veprimtare të shquara në informimin e opinionit amerikan për sakrificat e popullit shqiptar për të shpëtuar hebrejtë dhe të luftës për tolerancë dhe harmoni mes njerëzve, pavarësisht racës, fesë dhe kulturës së tyre.
Presidenti u dorëzoi zonjave Kohen dhe Neumann “Titullin për Merita të Veçanta Civile” me motivacionin “Në njohje të veprimtarisë të vazhdueshme për të bërë të njohur kontributin e Popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe për promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit”, në një ceremoni të zhvilluar enkas në selinë e Komitetit Hebreo-Amerikan në Washington D.C., gjatë së cilës u shfaq edhe filmi dokumentar “Shpëtimi në Shqipëri”, me dëshmi të gjalla për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.
“Një popull, i cili ia doli të rezistojë për dhjetëra shekuj furtunave të historisë. Hebrenjtë kurrë nuk ndalën së luftuari për ëndrrën e tyre. Kjo ëndërr u bë realitet në mesin e shekullit të shkuar, kur fituan shtetin e tyre, Izraelin, falë sakrificave që, deri më sot, vetëm ata kanë mundur t`i bëjnë. Shqiptarët dhe hebrenjtë janë të lidhur tashmë me një miqësi të natyrshme dhe të sinqertë, e cila është e përjetshme, sepse ka kaluar testet e historisë. Njerëzit, kudo dhe kurdo, lindin me shpirt të lirë, me dëshirën, dhe shpresën për ta jetuar jetën e tyre sa më mirë. Popujt kudo dhe kurdo kanë dashur të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Në shpirtin dhe trashëgiminë e çdo populli mund të gjenden virtyte shumë të mira.”- deklaroi Nishani.
Sipas Presidentit, “Shtetet e Bashkuara, atdheu juaj dhe i shumë bashkëkombësve të mi, është modeli frymëzues për të gjithë, është ëndrra që gjithkush, pa dallim race, apo feje do ta donte të ishte realitet në mbarë botën. Mbi këto vlera dhe aspirata, ne mund të punojmë të gjithë së bashku për të ndërtuar një botë ku të mbizotërojë, mirëkuptimi, harmonia, paqja dhe toleranca.
Më herët, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim zotin Jason Isaacson, Drejtor për Qeverinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë në Komitetin Hebreo-Amerikan.
Gjatë takimit, i cili u përqendrua te marrëdhëniet hebreo-shqiptare, Presidenti u shpreh se periudha e Holokaustit është një moment historik që duhet vënë në pah duke na bërë të reflektojmë e të nxjerrim mësimet e nevojshme për të ndërmarrë hapat e duhura për ndërtimin e një bote bazuar në tolerancë, mirëkuptim dhe harmoni, duke veçuar rëndësinë e edukimit të brezit të ri, i cili duhet të mësojë të vërtetat e Holokaustit dhe të diktaturave të tjera, në mënyrë të mos përsëriten gabimet e mëparëshme.
Nga ana e tij, zoti Isaacson u shpreh se “jemi të angazhuar të bëjmë të njohur shërbimin që shqiptarët i kanë bërë njerëzimit duke shpëtuar hebrenjtë”.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt