Qeveria ndryshon rregullat, vizitë te psikologu për të marrë patentën
Janë në total 53 masa që do të ndërmerren në mënyrë të përshkallëzuar, nga më emergjentet te më pak problematiket, për të zgjidhur çështjen e sigurisë në rrugë.
Gazeta ka siguruar planin e plotë të këtyre masave, që u miratuan nga Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore, i prezantuar pak kohë më parë. Kjo paketë masash fillon me inspektimin e akseve më problematike në vend, ku ka edhe një frekuencë të lartë aksidentesh, e deri në ndërmarrjen e fushatave mediatike për ndërgjegjshmin e qytetarëve.
KONTROLLI MJEKËSOR
Të gjitha masat që parashikon paketa e miratuar tashmë dhe që do të zbatohet nga një sërë ministrish e institucionesh vartësie, përfshijnë ndërhyrje dhe korrigjime, por disa prej tyre janë më specifike. Kështu, një prej këtyre masave është ajo e kontrollit mjekësor që do të bëjnë ata që duan të marrin një leje drejtimi. Ky kontroll nuk do të jetë më thjesht një procedurë, por shumë i rëndësishëm dhe vlerësimi do të bëhet si përsa i përket pjesës fizike, edhe asaj mendore të të interesuarit. “Kryerja nga institucioni shëndetësor i njësive vendore publike apo private të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë i kontrollit mjekësor për kërkesat fizike dhe mendore për marrjen e leje-drejtimit të mjetit rrugor nëpërmjet testimit psikofizik me metoda të akredituara të BE-së”, thuhet në masën numër 35 të paketës. Një hap tjetër që do të mbikëqyret në mënyrë specifike është edhe pjesa e testimit të kandidatëve. “Kontrolli i procesit të testimit të kandidatëve për drejtues mjeti nëpërmjet sistemit online për vlerësimin e kandidatëve, regjistrimin dhe administrimin e gjithë procesit në autoshkolla”, thuhet në masën numër 25.
FURGONËT DHE RRUGËT
Paketa që synon rritjen e sigurisë rrugore parashikon edhe një masë që lidhet me transportin interurban (nga qyteti në qytet). Institucioneve do t’iu duhet të ndërhyjnë për të nxjerrë jashtë nga transporti furgonët që nuk përmbushin kriteret. “Rregullimi i transportit ndërqytetës duke eliminuar transportin me furgonët që nuk plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë rrugore, duke u bërë shkak për aksidente rrugore me pasoja të rënda”, thuhet në një nga masat e paketës. Përkundër këtyre masave, që një pjesë do të duan një kohë më të gjatë ndërhyrjeje, më emergjentja sipas paketës është ajo e ndërhyrjes në rrugët që paraqesin edhe riskun më të lartë. Si referencë në këtë vlerësim do të shërbejë edhe numri i aksidenteve të regjistruara në vitin 2013. Kjo përfshin edhe pjesën e rrugëve që nuk janë ende të përfunduara dhe që duhet të mbyllen me emergjencë. “Inspektimi i sigurisë rrugore në akset problematike ku ka ndodhur numri më i madh i aksidenteve, sipas raportit të aksidenteve rrugore të vitit 2013. Ndërhyrje e menjëhershme e komplementimit të akseve problematike me elemente të sigurisë rrugore”, thuhet në paketën e masave të Këshillit Ndërministror, e miratuar vetëm pak kohë më parë.
Disa nga masat e paketë për Sigurinë Rrugore
1. Inspektimi i sigurisë rrugore në akset problematike ku ka ndodhur numri më i madh i aksidenteve, sipas raportit të aksidenteve rrugore të vitit 2013.
2. Ndërhyrje e menjëhershme e komplementimit të akseve problematike me elemente të sigurisë rrugore.
3. Analiza e menjëhershme e tipologjisë së aksidenteve rrugore, në veçanti në infrastrukturën rrugore, duke synuar parandalimin dhe zvogëlimin e aksidenteve rrugore me pasojë vdekje për rastet e daljes nga rruga, goditjes me kokë dhe goditje mjet rrugor-këmbësor.
4. Rishikimi i kufijve të shpejtësisë në segmentet problematike të rrugës duke vendosur tavane, dhe rritja e zbatueshmërisë së ligjit.
5. Projekt për rrugën interurbane Tiranë-Shkodër- Hani i Hotit dhe në kryqëzimet rrugore të këtij segmenti.
6. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë matje të vazhdueshme të shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve dhe të konsiderojë mundësinë e shtrirjes së kufizimeve në mbarë rrjetin rrugor.
7. Ndërhyrje në përmirësimin e dhjetë pikave të zeza për të cilat ekzistojnë projektet sipas listës prioritare të njollave të zeza.
8. Projektimi dhe vlerësimi për ndërhyrje në 14 pika të zeza të tjera në akset kombëtare, sipas raportit të Sigurisë Rrugore 2013.
9. Eliminimi i kryqëzimeve në nivel në të gjitha projektet e reja përgjatë akseve kombëtare, si dhe hyrje-daljet e pambrojtura si pjesë e standardeve ndërkombëtare.
10. Kryerja nga institucioni shëndetësor i njësive vendore publike apo private të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë i kontrollit mjekësor për kërkesat fizike dhe mendore për marrjen e lejedrejtimit të mjetit rrugor nëpërmjet testimit psikofizik me metoda të akredituara të BE-së.
11. Rregullimi i transportit ndërqytetës, duke eliminuar transportin me furgonët që nuk plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë rrugore, duke u bërë shkak për aksidente rrugore me pasoja të rënda.
12. Kontrolli i qarkullimit të mjeteve me targa të huaja me regjim të përkohshëm.
13. Detyrimi në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimit të taksave të tyre pasi të jetë lidhur paraprakisht kontrata e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.
14. Liberalizimi i tregut të kontrollit teknik të mjeteve rrugore dhe certifikimi i serviseve sipas ligjit për autoriparim.
15. Teknologji dhe sistem online i procedurës së kontrollit teknik të mjeteve rrugore.
Panorama
Krijoni Kontakt