Buxheti i 2014: Ngrijnë pagat, rritje vetëm për pensionet

Nga mbledhjet e Qeverisë

Zbardhet relacioni i Qeverisë për buxhetin e ri. S’ka rritje pagash, indeksim 1-2 % për pensionet. Kthim i borxhit për biznesin.


Viti 2014 do të jetë një vit i vështirë për Shqipërinë. Gjasat që motor i rritjes eko-nomike të jenë shpenzimet publike këtë herë janë zero dhe objektivi i vetëm madhor duket se është kthimi i borxhit që qeveria ka premtuar ndaj biznesit.
Kur ende nuk ka dalë drafti final i buxhetit të vitit të ardhshëm dhe konsultimet, institucione të rëndësishme si FMN dhe Banka Botërore vazhdojnë intensivisht disa pika janë bërë të qarta. Gazeta ka siguruar një pjesë të materialit, që shoqëron draftin e buxhetit dhe ku jepen edhe piketat kyçe të tij.

Pagat dhe pensionet
Sektori publik nuk do të ketë rritje të pagave. Pothuajse çdo korrik të viteve të fundit qeveria e djathtë ka bërë një rritje pagash të diferencuar për sektorë të ndryshëm, por situata ekonomike duket se ka detyruar qeverinë e majtë të mos vazhdojë traditën. “Për vitin 2014 planifikohet një ngrirje e pagave të sektorit publik, e cila do të krijojë hapësirë shtesë për të finalizuar axhendën e projekteve aktuale të investimeve”, thuhet në materialin e buxhetit. Nga ana tjetër, mundësia për pensionet lihet e hapur. Me ligj qeveria është e detyruar që të bëjë vetëm indeksim të tyre sipas inflacionit dhe duket se ky do të jetë hapi që do të zbatohet këtë vit. Pra, një rritje pensionesh 1-2 për qind, kur në fakt përgjatë këtij viti ai është luhatur në normat 1-1.5 për qind.

INVESTIMET
Qeveria parashikon që të shlyejë borxhin e punëve të kryera në infrastrukturë si fillim dhe më pas ato në arsim dhe shëndetësi. Ndërkohë që, sikurse theksohet, edhe rimbursimi i TVSH-së do të bëhet gradualisht gjatë 2014 sipas mundësive në buxhet. Prokurimet për investime do të synojnë vetëm investimet e filluara, por të papërfunduara, në mënyrë që të mos humbasë eficienca e fondeve të shpenzuara. “Prioritet në politikën buxhetore të vitit 2014 do të jetë finalizimi i projekteve infrastrukturore të nisura tashmë dhe ende të papërfunduara. Kjo do të ndihmojë edhe në minimizimin e humbjeve të eficiencës së përdorimit të fondeve publike, por gjithashtu vlerësohet të jetë një mjet efektiv për të minimizuar efektet frenuese të kërkesës së dobët të brendshme në ekonomi”, thuhet në relacionin për diskutim të draft-buxhetit.

NERTILA MAHO

Panorama