Rileximi i teksteve të islamit në kontekstin e kohës - nevojë e domosdoshme


Xhabir Hamiti


Islami është fe hyjnore monoteiste, e cila që në lindje të saj është mbështetur mbi dy burime fundamentale të tij: Kur`anin dhe në thëniet e Muhamedit a.s. Këto dy shtylla kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe sot alfa dhe omega e islamit dhe mësimeve të tij.

Burimi i parë - Kur`ani - në mesin e myslimanëve asnjëherë nuk ka qenë temë diskutimi, qoftë për shenjtërinë, vërtetësinë apo saktësinë tij. Njashtu edhe thëniet dhe veprimet praktike të Muhamedit a.s., askush ndonjëherë nga besimtarët myslimanë nuk i ka vë në dyshim si të drejta dhe buruese nga Muhamedi a.s., të cilat duhet pasuar dhe praktikuar.

Mirëpo, për dallim nga burimi i parë - Kur`ani - gjeneratat e mëvonshme pas vdekjes së Muhamedit a.s., vdekjes së shokëve të tij dhe të shokëve të shokëve të tij, dijetarët myslimanë fillojnë të diskutojnë për hadithin, mirëpo jo për legjitimitetin e tij, se është apo nuk është burim i islamit, por për formën dhe rrugët transmetuese të tij deri tek gjeneratat e mëvonshme. Për tekstin kur`anor, besimtarët myslimanë asnjëherë nuk kanë pasur një diskutim siç kishin për porositë verbale dhe praktike të Muhamedit a.s.

Ndarja më e madhe për hadithin në mesin e dijetarëve myslimanë ishte bërë kryesisht nga ithtarët shi’it. Ata refuzonin të pranonin të gjitha hadithet të cilat nuk buronin nga transmetues, anëtarë të familjes së ngushtë të Muhamedit a.s, kurse ithtarët sunnit ishin kategorik se për shkallën dhe legjitimitetin e “hadithit” duhet marr parasysh saktësinë dhe shëndoshmërinë e zinxhirit transmetues të tij dhe jo kushtëzimin që transmetuesi të jetë vetëm nga familjarët e Muhamedit a.s.

Kjo ndarje fillet i ka që nga fundi shekullit VI-të dhe fillimi i shekullit VII-të, për të vazhduar e thelluar vazhdimisht me kalimin e kohës deri më sot.

Lindja e shkollave juridike fetare islame pas Muhamedit as.s, pastaj ndarjet e studiuesve myslimanë në mendime dhe fraksione të ndryshme, nuk burojnë nga Kur`ani e as nga gjeneza e hadithit, por nga mendimi, rezonimi, niveli i akceptimit si dhe qasjeve të ndryshme të prijësve dijetarë të myslimanëve gjatë shekujve, që ata i kanë pasur mbi tekstet dhe burimet islame.

Në mesin e gjithë dijetarëve myslimanë në botë eksitojnë çështje unanime dhe vija të kuqe të përbashkëta, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me parimet bazë të besimit dhe fesë, por jo edhe për çështje të tjera dytësore, për të cilat ka pasur dhe ka hapësirë të komentimit dhe shtjellimit të lirë.

Çdo mendim, opinion dhe analizë nga njerëzit studiues të islamit, nuk është dhe nuk konsiderohet mendim i shenjtë-sakral, prandaj si edhe i tillë nuk është bazë dhe mbështetje e përhershme e fesë islame, i cili patjetër duhet të ndiqet gjeneratë pas gjenerate, sepse mendimi i dijetarëve dhe i filozofëve të islamit, mund të jetë i qëlluar ose jo i qëlluar. Ai mund të jetë edhe i domosdoshëm për një kohë dhe vend të caktuar, por jo i plotfuqishëm dhe legjitim për të gjitha vendet dhe të gjitha kohërat. Shenjtëria e mendimeve të dijetarëve të hershëm, si dhe bindja se ata dhe mendimet e tyre janë të shenjta dhe të paprekshme, si dhe të pandryshueshme për gjeneratat e ardhshme, është qëndrim i gabuar, i cili e ka dëmtuar dhe po e dëmton botën islame në përgjithësi, si me dekadencë e ashtu edhe çrregullime të brendshme shoqërore, duke ngelë pengë e fet-vave të tejkaluara, të cilat sot janë afektive.

Një konsensus mes dijetarëve myslimanë, i dalë para 100 vjetëve për një çështje të caktuara fetare, i cili ka të bëjë me formën dhe mënyrën e rregullimit të jetës shoqërore, në rrethana specifike, nuk mund të jetë efektiv edhe për kohën e sodit ose të pas sodit, sepse natyra e jetës së njerëzve në Tokë është zhvilluese, qarkulluese dhe jo statike. Ngjarjet dhe risitë e reja në botë janë të panumërta, kurse teksti kur`anor nuk përfshin dhe nuk jep zgjedhje të detajuar dhe të drejtpërdrejtë për çdo ballafaqim tonë të ri në rrjedhat tona të reja shoqërore.

Pikërisht, edhe për këtë arsye, dijetarët myslimanë kanë paraparë institucionin e ixhtihadit (studimit të përhershëm dhe të analizës konstante të teksteve fetare), si dhe atë të krahasimit, analogjisë (kijasin), si formë aktive për të kërkuar zgjedhje reja në rrethana të reja të vendit dhe kohës së veprimit njerëzor. Është gjë e tepruar dhe injorancë e realitetit të kohës që të thuhet se librat e vjetra përmbajnë sot përgjigje për çdo pyetje të re!

Çdo kohë i ka problemet e veta si dhe kërkesat dhe nevojat e reja.
Toka sillet, yjet lëvizin në rrugët e tyre dhe akrepat e orës nuk ndalen. Prandaj, edhe ndryshimi i fet-vave sipas vendit dhe kohës, për çështje të cilat nuk kanë mbështetje të prerë nga teksti kur`anor dhe sunetor (tradita e Pejgamberit), është e drejtë legjitime si dhe praktikë e hershme që ato të shqyrtohen përmes institucionit të “ixhtihadit” dhe “kijasit”, i cili ndryshe sot shihet si nevojë e domosdoshme.

Ata të cilët në të kaluarën kanë mbyllur, ose që edhe sot pretendojnë të mbyllin derën e ixhtihadit dhe kijasit (studimit, krahasimit si dhe analogjisë së rrjedhave ndryshuese të kohës) me tekstin e shenjtë të librit të Zotit si dhe të opinioneve të ndryshme të dijetarëve klasik myslimanë, janë kundër koherencës së vet tekstit kur`anor, si dhe kundër natyrës së përshtatshmërisë së tij për të gjitha vendet dhe për të gjitha kohërat.[/I]

Nëse myslimanët në rregullimin e jetës së tyre shoqërore sot ballafaqohen me elemente dhe risi të reja, të cilat i sjellin njerëzit me kalimin e kohës, me rrethana rrënjësisht të ndryshme nga e kaluara, me sisteme të reja shoqërore dhe organizative, për të cilat nuk gjejmë praktikë të mëhershme të tyre, e as përgjigje në librat dhe mendimet klasike të dijetarëve myslimanë të mëhershëm, a do të thotë kjo se myslimanët nuk duhet të angazhojnë mendjen e tyre që t`i qasen studimit dhe të bëjnë analogji të reja për çështje të reja, rreth të cilave nuk ekziston shpjegim paraprak në mësimet në literaturën e hershme fetare islame?!

Në interpretimin e tekstit të Kura`nit, duhet të bëhet një dallim midis citateve normative dhe kontekstuale të tij.
Disa citate të librit të shenjtë janë absolute dhe nuk mund të bëhet kompromis për të dhënë interpretime alternative, por duhet të kuptohet se ajetet jo normative, janë lënë të tilla që të kuptohen në kontekstin dhe në proporcionalitetin mes tyre. Dijetarët tradicionalë nuk e vlerësojmë këtë dallim, prandaj të gjitha ajetet i marrin si normativ. Skllavëria, për shembull, duke qenë një porosi e përhapur e shekullit të VII-të Arabisë, është përmendur shpesh në Kur’an, mirëpo sot nuk mund të thuhet se ajo është normë islame e cila duhet praktikuar.

Në vitin 2005 njëri nga studiuesit bashkëkohorë të islamit në Evropë, Tariq Ramadan, kishte kërkuar nga të gjithë myslimanët e botës moratorium mbi dënimet trupore të njerëzve në emër të islamit, sidomos të gurëzimit të njerëzve deri në vdekje. Ai në këtë kontekst thotë se është e pamundshme që ne si myslimanë të qëndrojmë të heshtur ndaj padrejtësive të cilat i bëhen anëtarëve më të varfër dhe më të dobët të shoqërisë, në emër të religjionit, prandaj kishte apeluar tek dijetarët që të rilexojnë dhe ristudiojnë tekstet e tyre të mëhershme të fet-vave në kontekstin e kohës së sotme.

Edhe në Kosovë dhe më gjerë në rajon, vitet e fundit që po lëmë pas, në mungesë të një forumi ekspertësh kredibilë të mësimeve islame, për të nxjerrë dhe dhënë mendime fetare të studiuara dhe të ekuilibruara, përmes një institucionit të studimit dhe krahasimit të fet-vave (dekreteve fetare), rolin e tij dhe të vet komuniteteve fetare e kanë marr individ të caktuar, të cilët kanë lëshuar dhe po lëshojnë deklarata të pamatura dhe të çakorduara nga njëri tjetri, e të cilat kanë shkaktuar dhe po shkaktojnë huti dhe përçarje në radhët e vet besimtarëve mysliman, e pastaj edhe të qytetarëve në përgjithësi.

Në vend që për çështje fetare islame të flasin studiues të mësimeve islame, të autorizuar nga vet institucioni i BIK-së, rolin e saj e kanë marr njerëz të dytë dhe të tretë, të cilët shihet qartë se në agjendën e tyre nuk e kanë dertin e islamit dhe të myslimanëve, por krejtësisht diçka tjetër.

Kërkesat për nevojat besimtarëve myslimanë në vendin tonë dhe më gjerë, duhet të adresohen nga institucioni zyrtar përfaqësues i tyre si dhe nga njerëz kompetentë në fushën e studimeve islame, konform rrjedhave, rrethanave dhe ndryshimeve që vinë në rrjedhën organizative dhe shoqërore të vendit.

Rileximi i teksteve të hershme islame, sidomos të komentareve dhe opinionistëve të ndryshëm, në kontekstin e kohës së sotme është nevojë e domosdoshme. Me këtë assesi nuk nënkuptohet ndryshimi i argumenteve dhe fakteve, por mëtohet gjetja e formës dhe mënyrës më të mirë të praktikimit të udhëzimeve fetare në rrjedhën e ndryshimeve vendore dhe kohore.

Në muajt në vijim, në Stamboll, nën patronatin e institucionit “Hizmet”, është paralajmëruar të mbahet njëri nga kongreset më të mëdha ndërkombëtare, për të shqyrtuar nevojën e studimit dhe krahasimit të teksteve fetare, sidomos të fet-vave në kontekstin e kohës së sotme bashkëkohore.
http://www.telegrafi.com/?id=26&a=6529