Plumba autobusit të linjës Athinë-Tiranë, vritet pasagjeri
Autobusi i linjës Athinë-Tiranë, i sulmuar me armë gjatë tentativës së grabitjes
Laurent Tabaku hipi i fundit. Shpejtësia shpëton jetën e 15 të tjerëve.
Autorët qëlluan me armë për të grabitur udhëtarët.
Sulmohet me armë autobusi i linjës Athinë-Tiranë. Prita e ngritur në afërsi të fshatit Mogile, në rrugën nacionale Memaliaj-Mallakastër, la të vdekur një 24-vjeçar nga Peqini dhe një vajzë të re të plagosur.
“Nëse nuk do vazhdonte shoferi rrugën, do të vdisnim të gjithë”, thanë pasagjerët e mbijetuar nga sulmi, i cili dyshohet se u bë për qëllime grabitjeje. Autobusi me 16 pasagjerë u qëllua me dhjetëra plumba, 23 prej të cilëve u bllokuan nga policia për ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:30 të ditës së djeshme. Nga Athina ishte nisur autobusi me 14 pasagjerë, me destinacione të ndryshme, kryesisht në Fier, Lushnjë dhe Tiranë, ndërkohë që një 54-vjeçar hipi në Agrinjo dhe i fundit që iu bashkua grupit tjetër të pasagjerëve ishte vetë Laurent Tabaku, i cili hipi në Kakavijë.
Pasagjerët e autobusit të qëlluar me armë
Pasagjerët kanë ngelur të tmerruar nga ajo çfarë përjetuan vetëm për katër minuta në një errësirë skëterre dhe në panik të plotë nga mungesa e sigurisë. Ngjarja është shënuar në momentin kur autobusi me targë AA 578 GC, ndodhej në afërsi të kthesës së Vasjarit, rreth 4 km në veri të Memaliajt. Burimet zyrtare policore nuk kanë specifikuar ende numrin e saktë të personave që i kishin zënë pritë autobusit, por sipas dëshmitarëve, ata mundet të kenë qenë jo më shumë se katër veta. Këta të fundit kanë marrë pozicion në pjesën e majtë të rrugës, nga krahu i shoferit. Nën thirrjet “Ndal!”, “Ndal!” ata kanë tentuar që të bllokojnë lëvizjen e autobusit dhe madje kanë qëlluar në ajër për të trembur shoferin e mjetit. Por, kur kanë parë se autobusi ka rritur shpejtësinë, kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi mjet. Sipas skemës së ngritur nga grupi hetimor, keqbërësit kanë qëlluar me qitje jo shumë të largët, ndërsa në një moment të dytë, njëri prej tyre, duke qenë i pajisur me një pushkë shotgun, është afruar gati në një largësi 10 metra dhe ka qëlluar në drejtim të shoferit që të ndalonte. Mirëpo shoferi ka mposhtur panikun duke vijuar rrugën me shpejtësi, për t’iu shmangur grabitjes apo dhe vazhdimit të goditjeve me armë në drejtim të mjetit. Nga ekspertiza balistike e grupit hetimor vërehen më shumë se 23 predha arme zjarri, të një automatiku dhe një pushke shotgun. Pjesa më e madhe e tyre kanë prekur pjesën fundore të autobusit, atë anësore të majtë, si dhe xhamin e sediljeve të mesit. Një prej plumbave ka shkaktuar plagosjen e Laurent Tabakut, 24 vjeç nga Elbasani, i cili mori plagë të rënda në organet jetike. Xhamat e thyera dhe një plumb shkarazi plagosën në fytyrë dhe pasagjeren tjetër, Qibarie Dihani, 19 vjeçe, nga Fieri. Të tjerët, të cilët ishin të përgjumur nga rruga e gjatë dhe nata janë shtrirë në tokë për të shpëtuar. Për rreth 5 kilometra autobusi i linjës ndërkombëtare ka udhëtuar me shpejtësi, ndërsa kanë lajmëruar policinë e Tepelenës.
Makina të policisë i arritën, duke u kërkuar kthimin në Policinë e Gjirokastrës, për të denoncuar ngjarjen. Vetëm britmat e vajzës kanë bërë që udhëtarët të mësonin se ajo ishte plagosur, ndërsa pasagjeri tjetër, pa ndjenja, është zbuluar i gjakosur vetëm kur makina ka ndaluar. Ata janë nisur me mjete të tjera për në spitalin e Fierit, ku iu nënshtruan menjëherë ndërhyrjeve kirurgjikale, por 24-vjeçari nuk arriti të mbijetonte. Deri në orën 06:00 të mëngjesit, 14 pasagjerët bashkë me shoferët e autobusit janë marrë në pyetje në Gjirokastër dhe vetëm atëherë janë lënë të vazhdojnë udhëtimin drejt Tiranës. Një udhëtim i përgjakshëm që u ka kujtuar skenat e grabitjeve në vitet 1997-1999. Forca të shumta të policisë lokale kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke kontrolluar në të gjithë fshatrat përreth. Në aksionin e krehjes së zonës, janë angazhuar dhjetëra forca policore të Gjirokastrës, e më pas janë bashkuar dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, duke kërkuar në të gjitha drejtimet dhe në komunat Qendër, Luftinjë, Krahës, Kurvelesh, Memaliaj dhe Lopës. Në komisarit janë shoqëruar 10 persona, por askush prej tyre nuk është ndaluar si autor i tentativës së grabitjes me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur.
“Me fat që jemi gjallë”
“Jemi me fat që jemi gjallë. Zoti na e ka shkruar të vdesim ndonjë ditë tjetër. Atë që përjetuam sot, unë nuk di se kujt t’ia tregoj më parë. Meriton një falënderim pa kufi shoferi që u tregua trim dhe i vendosur për të na shpëtuar nga grabitja e garantuar, si dhe nga vdekja kur vazhdoi rrugën pa u ndalur. Më vjen keq për djalin e gjorë që u plagos sepse ishte mbuluar me gjak. Uroj që të shpëtojë se nuk ua kishte borxh atyre maskarenjve që sulmuan një autobusë me emigrantë”, tha dje Qamilja, një prej pasagjerëve të autobusit të sulmuar.
“U ndjemë si në ‘97″
Samiu, pasagjer nga Lezha, thotë se e ka përjetuar për herë të dytë këtë fat të keq, pasi ka qenë “viktimë” e një grabitjeje të ngjashme në Laç në vitin 1997. “Sapo kaluam qytetin e Memaliajt buzë rrugës ishte një kanal. U detyruam të ulnim shpejtësinë, kur dëgjuam krismat. Pamë një person disa metra larg autobusit. Na u duk sikur ishte çoban, por errësira e plotë nuk na lejonte të shikonim më qartë. Atëherë plumbat filluan prapë. Vetëm kur ndaluam pasi na kishin goditur, kuptuam që dy pasagjerë ishin të plagosur pasi vajza ulërinte nga tmerri, ndërsa djali nuk lëvizte fare”.
Precedenti
Ngjarja e djeshme është e dyta që ndodh brenda një harku kohor prej 12 muajsh, në aksin rrugor Tepelenë-Mallakastër. Në janar të vitit që shkoi, një autobus i linjës Sarandë-Tiranë u qëllua me armë zjarri dhe u grabit nga dy vëllezër të fshatit Mamaj. Ata arritën të ndalonin autobusin dhe të grabisnin një shumë prej 300 mijë lekësh nga pasagjerët e tij. Nga plumbat e qëlluar u dëmtuan xhamat e autobusit, duke lënduar lehtë një prej pasagjerëve të tij. Brenda pak orësh u arrit të zbuloheshin dhe arrestoheshin dy autorët e ngjarjes, vëllezër të fshatit pranë vendit ku u grabit autobusi.
Shpërblimi
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të personave që japin informacion për të dyshuarit si autorë të ngjarjes një shumë prej 10 mijë eurosh. Kundrejt çdolloj të dhëne që çon në gjurmët e grabitësve të armatosur në mes të rrugës nacionale, ofrohet kjo shumë parash, e cila do t’i jepet informatorit, duke ruajtur anonimatin e atij që lajmëron në numrin 0694102732. Kjo deklaratë erdhi pak kohë para se të ndërronte jetë në spital 24-vjeçari Laurent Tabaku, i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë, ndërsa kthehej për në banesën e tij. Në vend janë nisur forca të shumta policie, por ende nuk ka persona të ndaluar për ngjarjen e rëndë.
TEPELENE
PIRO NASE
Panorama
Krijoni Kontakt