VLORE- 12 efektivë të policisë së burgjeve janë plagosur mbrëmjen e sotme në Vlorë, pasi tre makinat me të cilat udhëtonin janë përplasur njëra pas tjetrës në aksin rrugor Vlorë-Novoselë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në afërsi të Novoselës, ndërsa mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes së rëndë. Si pasojë e përplasjes së mjeteve të policisë, kanë mbetur të plagosur 12 efektivë të policisë së burgjeve, të cilët janë dërguar menjëherë në spital.
Drejtori i spitalit të Vlorës, Remzi Haxhiu bëri të ditur për “News24” se 10 efektivë janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë.
Momentalisht nuk bëhen të ditur emrat e efektivëve të plagosur, ndërsa dy personat më të dëmtuar janë dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë mësohet se efektivët e policisë së burgjeve po udhëtonin për një kontroll të befasishëm në paraburgimin e qytetit bregdetar.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt