Influenca e parasë në praktikën dhe të menduarit ekonomik

Milton Friedman

(Disa nga formulimet teorike të Mitchell-it)friedman

a) Influenca e “money” në praktikën ekonomike dhe në të menduarit

Për Mitchell, “paraja” përbënte një simbol me efekte që preknin një shkallë më të gjerë të problemeve, krahasuar me trajtimin që ai i bën në temën përkatëse. Ky trajtim përfshin të gjithë kompleksitetin e institucioneve të parasë dhe jo vetëm arranxhimet e teknikave monetare e ato të funksionimit bankar. Përdorimi nga ai i këtij koncepti të parasë, reflekton një nga hipotezat qendrore të përfshira në punimet e tij të asaj që përdorimi i parasë ishte karakteristika dominante që e dallonte sistemin modern të përdorur nga strukturat ekonomike krahasuar me ato të mëparshmet. “Ekonomizimi i parasë, – shkruante ai, – është në fakt një nga institucionet më të fuqishme të të gjithë kulturës sonë. Nën dritën e një të vërtete, ajo stampon simbolin e saj në natyrën njerëzore tekanjoze, duke na bërë ne të veprojmë në një mënyrë standarde ndaj stimuluesit standard që ofron ajo, duke afektuar direkt idetë tona rreth asaj që konsiderohet si e mira, si e bukura dhe si e vërteta.”

Kjo hipotezë përsëritet vazhdimisht në shkrimet e Mitchell. Kjo përbënte tematikën kryesore edhe në artikullin e tij të vitit 1910, “The Rationality of Activity”, duke qenë baza e interpretimeve të tij lidhur me zhvillimet në fushën e teorisë ekonomike, në artikullin e vitit 1916 “The Role of Money in Economic Theory”. Po ashtu, kjo kishte shërbyer si pjesë e rëndësishme e interpretimeve të tij rreth shkrimeve klasike edhe për veprën e tij “Lecture Notes”. E gjitha kjo paraqitet e formuluar në mënyrë komplete në shkrimin e tij të fundit “The Role of Money in Economic History”, e cila përbën një esse shumë të bukur që përmbledh mendimet e gjithëkohshme në atë “se si format monetare kanë infiltruar në raportet e njeriut nga një gjeneratë në tjetrën, si dhe efektet e saj në shprehitë praktike dhe ato të të menduarit të qenies njerëzore”.

“The use of Money, – argumenton Mitchell, – i jep shoqërisë makinerinë teknike të shkëmbimit, mundësinë për të këmbyer lirinë personale me rregullimin bashkëpunues në një shkallë më të lartë…i cili është themeli i sistemit kompleks të çmimeve ndaj të cilit individi duhet të përshtatë qasjen e tij për të jetuar”. Por në hapësirat e mëdha të lirisë së tij, kjo përshtatje kërkon që individi të:

-Bëhet më kalkulues, më shumë i mbështetur në vetvete dhe më shumë parashikues…Individët që zotërojnë aftësi superiore për të bërë para renditen në krye në rrugën e jetës…Këta liderë të rinj kanë gjetur shumë mënyra për të shfrytëzuar të tjerët duke përfituar nga këto avantazhe. Por, duke folur gjerësisht, ata njerëz që përpiqen të bëjnë para më shumë, kthehen në shërbyes të konsumatorëve, që nënkupton të gjithë shoqërinë… Në këtë kuptim, ekonomizimi i parasë fillon të diktojë gradualisht objektivin për të prodhuar të mirat materiale dhe shërbimet në kahun e atyre që realizojnë produktin më të mirë dhe më eficient, që plotëson nevojat e klientëve që duan të blejnë. Kështu, këta individë vazhdojnë të udhëheqin duke e ruajtur dhe mbajtur këtë eficiencë të tyre.

Më poshtë Mitchell vazhdon: Kështu me radhë, kjo përshpejton metodën e këmbimit

në prodhimin dhe shpërndarjen e të mirave materiale si dhe karakterin e produktit, e bërë kjo në një mënyrë të ekspozuar tashmë ndaj shoqërisë duke “qenë e shoqëruar me një grup risqesh që vijnë nga kërkesat teknike të sistemit monetar”, ku unë mendoj, shkruan Mitchell: “Ekonomia e parasë është përgjegjëse gjithashtu për ciklet e biznesit”.

Duke qenë se paraja ngjiz “sjelljen objektive të njeriut, ajo bëhet pjesë e jetës subjektive, duke i dhënë atij një metodë dhe një instrument për detyrën e vështirë për të aksesuar produkte sasiore të ndryshme me rëndësi relative duke afektuar interesat e tij në kuptimin që i jep atij një vlerësim objektiv”. Në këtë mënyrë, mendjet e njerëzve bëhen të obsesuara nga iluzioni i parave. Një faktor objektiv që vepron në të kundërt është ai që “Prodhimi në ekonominë e parasë është i orientuar drejt atyre mallrave që premtojnë një përfitim për prodhuesit, jo drejt produkteve që do të sjellin më shumë benefice për konsumatorin, pavarësisht mënyrës së interpretimit të këtij fenomeni”. Ekonomizimi i parasë nxit pabarazinë në rishpërndarjen e të ardhurave, ndërkohë që kjo pabarazi është e njohur, askush nuk kundërshton faktin që paguhet më mirë për atë që plotëson më së miri nevojat e njerëzve. Një argument kundër, i hollë ky, është ai që: Ne jemi të prirur të tregojmë shumë më tepër vëmendje relativisht rreth pak faktorëve që influencojnë të ardhurat tona në para, që të kemi mundësi të ndjekim lehtësish grupin e faktorëve që influencojnë në shpenzimet e parave tona. Ky fakt, përveç efekteve të tjerave, na bën perceptues të mjeteve mbrojtëse që premtojnë rritje të të ardhurave, megjithë humbjet që u shtohen atyre në procesin e konsumimit.

Mitchell argumenton gjithashtu se përdorimi i parasë është kyçi i të kuptuarit qoftë atë të zhvillimit të teorisë ortodokse ekonomike, po ashtu dhe shkallën e përdorimit të saj. “Duke bërë të mundur racionalizimin e jetës ekonomike të saj, përdorimi i parasë, parashtron bazën për një teori racionale të kësaj jete ekonomike. Paraja nuk mund të jetë kurrsesi rrënja e së keqes, por ajo është rrënja e shkencës ekonomike.

Është ky zakon i ngjizur tashmë në mendjen tonë për përdorimin e parasë, i cili na jep kënaqësinë apo hidhërimin nga kalkulimet e besueshme në llogaritë tona të përditshme. Pra, përdorimi i parasë parashtron bazat psikologjike për atë filozofi të sjelljes njerëzore të cilin Bentham dhe Mill, Marshall dhe Clark kanë paraqitur…

Teoria e shkencave ekonomike, e shkruar mbi bazën e një këndvështrimi privat, shndërrohet në një logjikë me bazë paranë, e cila fillon të ekzagjerojë rëndësinë e vetme të këtij institucioni si faktor zëvendësues, duke neglizhuar faktorë të tjerë.

Kjo logjikë bazë që konsideron paranë si të tillë, në çdo moment të situatave ekonomike, paraqet një ushtrim të qartë të teoremave që vazhdojnë të ndriçojnë drejtimet dhe orientimet e zhvillimeve logjike të tyre.

Gjeneralizimi i ideve racionale ekonomike, nuk duhet marrë gabimisht si i pasaktë. Ato duhen konsideruar si të aplikueshme në një status komandues qendror por jo në nivele të ndryshme të renditjes së bizneseve. Këto nuk mund të shpjegojnë aktivitete të lidhura me konsumin, duke bërë që ekonomisti të tradhtojë anën racionale duke neglizhuar problemin dhe qëllimin e madh që lidhet me atë se si rriten në vetvete idetë racionale ekonomike.

Një person i cili e ka të qartë se ai po studion një institucion ekonomik, duhet të mbajë punën e tij si një perspektive historike edhe nëse ai e kufizon veten për të analizuar formën që institucioni e ka aplikuar në atë stad të veçantë të evolucionit të tij. Duke vepruar kështu, ai hap hapësira për të nxitur eksplorim të mëtejshëm…por duke qenë njëkohësisht i etur për të përfituar nga çdo dritëhedhje mbi këtë problem dhe në çdo aspekt të të mësuarit rreth tij.

Nuk është e thënë që gjithkush që njeh këto vlera, të jetë dakord me çdo detaj të këtij skicimi. Mitchell n’a ofron këtu një hipotezë të thjeshtë frutdhënëse se si të mund të integrohet një gamë e gjerë fenomenesh që duken të pa lidhura ndërmjet tyre. Në artikullin e tij të famshëm “The Backward Art of Spending Money”, të publikuar në vitin 1912, Mitchell ilustron hipotezat e tij të përgjithshme duke elaboruar qëndrimin e tij ndaj procesit dhe kuptimit të konsumit. Në artikullin e tij “Prapambetja e artit të shpenzimit të parasë”, sipas argumentit të tij, shpjegohen të dyja aspektet, si ai i dështimit dhe ai i suksesit në ekonomizimin e parasë dhe në zgjerimin e këtij koncepti edhe në aspektin e ekonomisë familjare. Duke e konsideruar familjen si njësinë bazë për shpenzimin e parasë, kjo do të ngushtonte limitet e standardizimit të funksioneve të parasë, siç është ai në sferën e punës dhe në aspektin e përdorimit të makinës së kursimit të vlerës së punës në raportin me vlerën e produktit të konsumit. Ky qëllim do të bënte të mundur që ekonomizimi i parasë të revolucionarizonte prodhimin. Ishte pasojë e kësaj që: akoma gratë shtëpiake kanë të njëjtat probleme në aspekte të njëjta me ato që kishin gjyshet e tyre në kolonizimet e para në Amerikë. Por ndërkohë që ekonomizimi i parasë kishte dështuar krejtësisht në aspektin e alternimit të këtij funksioni, ai kishte shënuar suksese në formëzimin e vlerës së konsumit, e cila paraqitet si: Rrënuese e menaxhimit ekonomik…Ekonomizimi i parasë formon tek ne zakonin e një shpenzimi ekstravagant për një qëllim krejt të panjohur, si për ne dhe për fqinjin pa patur asnjë qëndrim me sens të arsyeshëm…Amvisa shtëpiake…përpiqet të blejë jo vetëm sende ushqimore të mira dhe estetike të nevojshme, por edhe të shpenzojë për gjëra që i japin kënaqësi për t’u dukur.

Këto kosto të grupit të dytë, nuk janë përfshirë asnjëherë në koston reale. Mitchell e kompleton shpjegimin e tij rreth prapambetjes në artin e shpenzimit të parasë duke u shtuar tre faktorë të tjerë efekteve divergjente në zhvillimin e ekonomizimit të parasë:

(1). Prapambetja e psikologjisë së funksionimit psikologjik, si shkencë me rëndësi fondamentale për artin e shpenzimeve të parasë, duke e krahasuar atë me shkencat e fizikës dhe të kimisë, si shkencat më të rëndësishme të industrisë. (2) Mungesa e një emëruesi të përbashkët siç është ai i dollarit për vlerën e kostos dhe të fitimit. (3) Pamundësia për të përcaktuar këtë pafundësi. Një aspekt aplikativ i rëndësishëm i hipotezave të Mitchell lidhur me rolin e parasë edhe si diçka që shërben si test për vlerën e saj, përmblidhet në diskutimin e tij rreth Cikleve të Biznesit. Në tre faqe të kushtuara kësaj teme, në veprën “Business Circles” të vitit 1913, jepet në mënyrë të koncentruar e gjithë esenca e mendimit të tij për këtë çështje. Një nga gjeneralizimet empirike të tij është: Ciklet e Biznesit pasqyrohen shumë më vonë se krizat ekonomike apo ato financiare. Në Angli, për shembull, ato nuk kishin filluar deri nga fundi i shekullit 19… në atë shkallë që i përket Revolucionit Industrial dhe ndryshimet shoqëruese në sferat e organizimit të tregtisë dhe transportit të përhapura në vende të tjera, në të cilat filluan të shfaqen më vonë fenomene të cikleve të biznesit, të cilat ishin tashmë të familjarizuara në Angli.

Hipoteza e tij shpjegon këtë gjeneralizim, i cili përmblidhet në atë që: Ciklet e Biznesit…shfaqen në atë stad të historisë së zhvillimit ekonomik kur procesi i prodhimit dhe i shpërndarjes së të mirave materiale është i organizuar kryesisht në formën e sipërmarrjeve të biznesit të orientuara me funksion drejt fitimit.

Ky subjekt do të merrte trajtim të plotë në volumin e tij të vitit 1927. Gjeneralizimi empirik shfaqet i përsëritur, por tashmë i testuar me të dhëna më të shumta dhe më të saktësuara, por përsëri i pa ndryshuar esencialisht. Në paragrafin e mëposhtëm, jepet një pjesë ku hipoteza e tij që shpjegon këto përgjithësime, paraqitet më e plotë dhe më shumë e lidhur me hipoteza më të gjëra rreth këtij subjekti.

Komunitetet e grupuara fillojnë gradualisht të bëhen objekt i alternimeve të rritjes së mirëqenies apo kalimit në depresion ekonomik, në atë masë dhe në atë raport që njerëzit fillojnë të bazohen në bërjen e parave dhe shpenzimin e tyre, në një shkallë më të gjerë të aktiviteteve të tyre. Gjë e cila të shpie drejt një forme të lartë të zhvillimit dhe me aspekte të ndryshme të ekonomizimit të parasë, brenda të cilit realizohet cikli i biznesit…Ku ndoshta kombinime të tilla shprehjesh si Ekonomi me Përfitim apo Biznes Ekonomik, janë më të arsyeshme të përdoren dhe që nuk të shpien në drejtim të gabuar…Gjëra të cilat duhet të konsiderohen në procesin e cikleve të biznesit në formën praktike të bërjes së parasë dhe shpenzimit të saj nga individët e një shoqërie si një e tërë dhe jo vetëm nga anëtarët e limituar të klasës së biznesmenëve dhe të të pasurve të tjerë.

*Përktheu: Luan Kola

MAPO