Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Maria Callas kishte gjithçka, i humbi për një burrë të shëmtuar

    Giovanna Lumazzi, shoqja e ngushtë e divës, në Tiranë: Maria Callas kishte gjithçka, i humbi për një burrë të shëmtuar
    9 tweet
    Kuriozitete, Une Gruaja e Hënë, 2 Dhjetor, 2013 | 14:57 pm

    Giovanna Lumazzi, mbrëmë në Tiranë për jurinë e Festivalit “Marie Kraja”
    Si ngrihet dhe bie një yll. Giovanna Lumazzi, një nga emrat e njohur në botën muzikore në Itali, e ndodhur në Tiranë, si pjesë e jurisë së festivalit operistik “Marije Kraja”, tregon rastin e Maria Callasit, divës së skenës operistike. Si një shoqe e ngushtë e këngëtares, ajo kaloi shumë kohë pranë saj, duke e parë të rritej si artiste, të shndërrohej nga një femër jotërheqëse dhe të shëndoshë në një yll, që mbeti në histori. Si ishte Maria në jetën e përditshme dhe rënia pas njohjes me Aristotel Onassis, që sipas saj, e çoi drejt rrënimit…

    Giovanna Lumazzi ishte për Maria Callas një ndër të paktat mikesha të besuara që i rrinte gjithnjë pranë. Kanë shkruar për marrëdhënien e tyre mediat më të njohura të Italisë, si “La Repubblica” e “Vanityfair”. Sot vjen në një intervistë për gazetën “Panorama” që mundëm ta marrim gjatë qëndrimit të saj dyditor në Tiranë si anëtare jurie e festivalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”. Giovanna Lumazzi është ndër njerëzit më të njohur në qarqet e muzikës në Itali. Sot është zëvendëspresidente e shoqatës lirike dhe koncertore “Aslico” dhe e Teatrit 190-vjeçar të Comos. Ndër organizatoret e festivaleve operistike në bashkëpunime të vazhdueshme me akademinë La Scala,
    [1957-Ifigenia-Scala-con-Lomazzi]

    Giovanna Lumazzi dhe Maria Callas në 1957, në “La Scala”, përpara shfaqjes “Ifigenia”
    Giovanna është ndër të paktat që ka mundur të hedhë dritë mbi jetën e zymtë të Maria Callas, pas njohjes me Aristotel Onassis. Shndërrimit që pësoi pas kësaj dashurie “të çmendur” që e çoi në vdekje.



    Kur dhe si e keni njohur këngëtaren e famshme Maria Callas?
    Maria Callas-in e kam njohur në restorantin “Biff Scala” pas debutimit të saj të Xhokondës, në 1953-shin. Duke qenë milaneze, kisha vetëm dy mundësi, ose të bëja panetone ose të rrija përqark teatrit, dhe ashtu u rrita, pranë “Biff” dhe “La Scala”. Ai ishte një restorant pranë teatrit, atyre kohërave pika e takimit për të gjithë këngëtarët, ndërsa për Callas-in ishte e zakonshme të shkonte në të, pasi përfundonte pjesët, bashkë me të shoqin. Në atë kohë, Maria ishte vetëm një këngëtare e madhe, me konsideratë të mjaftueshme, por nuk ishte ende një divë. Ishte e shëndoshë, jo elegante. Ende nuk e kishte njohur Biki-n që do ta transformonte nga një këngëtare të ngathët lirike në një grua të mrekullueshme, plot sharmë, veshur me fustane ëndrrash. Në këtë situatë e kam njohur. Pikërisht në këtë rast më pati dhënë një foto të sajën, të cilën e ruaj ende me xhelozi.
    Ç’marrëdhënie kishit me të?

    Maria Callas
    Kaluan disa muaj pasi e takova sërish, ishte tashmë një tjetër grua. E dobësuar, e bukur dhe elegante në kuptimin e përgjithshëm të fjalës; “kura Biki” kishte funksionuar! Pas këtij takimi të dytë nisëm të frekuentoheshim dhe të shkoja përherë në çdo shfaqje të sajën. U bëmë mikesha.
    Dilnim bashkë pasditeve, shëtisnim, dhe kur vinte ora e provave e shoqëroja në “Scala”. Aty niste tjetërsimi i saj i befasishëm. Në skenë shndërrohej në një divë! Më thoshte shpesh që isha kthyer për të në një motër të vogël. Kjo, përveç faktit që më bënte të ndihesha mirë, tregonte gjithashtu edhe nevojën që kanë njerëz të përmasave të saj për t’u rrethuar nga njerëz që i donin vërtet. Kam shëtitur botën më pas me të, kam prej saj dhuratat më të çmuara që më bënte përherë. Kemi qenë bashkë në debutimet në “Metropolitan” në New York, në Paris, në Londër. Të gjitha shfaqet e viteve ’54-’59 kanë qenë të shkëlqyera.
    A e ndryshoi atë gjithë ky shkëlqim?
    Pas këtij shkëlqimi jeta e saj pësoi një kthesë. Njohu dhe u dashurua marrëzisht me Onassis. Ose, më shumë se dashuri ishte një marrosje që e bëri të harronte këngën dhe të humbiste në fare pak kohë ato që kishte arritur me sakrifica të mëdha dhe impenjim të vazhdueshëm. Për të qëndruar me të, ajo u bë e padisiplinuar, shkonte për të fjetur në agim, studionte gjithnjë e më pak. Kërkonte një mënyrë, një justifikim për veten dhe për botën për të jetuar kështu gjithë jetën. Kur i thoshin që ai të do vetëm pse je Callasi, nuk dëgjonte kënd. “Nuk e dini si mund të të ndryshojë jeta pasi takon atë burrë”, thoshte. Vazhdoi kështu duke pranuar poshtërime të njëpasnjëshme, lodhje, udhëtime e pasion që i pagoi me karrierën. E la Milanon më pas dhe u transferua në Paris, duke mbajtur shpresat dhe duke u iluzionuar pas kësaj dashurie që rezultoi zhgënjim i madh.
    Përtej roleve e karrierës së jashtëzakonshme, ç’njeri ishte në të përditshmen? Pra, ajo pjesa njerëzore që vetëm mund të imagjinohet në rastin e njerëzve të këtyre përmasave… Si ishte në të vërtetë?
    Vdiq nga dhimbja në moshën 53-vjeçare prej një jetë tragjike, e dëshpëruar. Në jetën e përditshme ishte një grua e thjeshtë, kujdesej për shtëpinë e saj të bukur me kopsht të madh. Kujdesej për menynë e ushqimit, shkonim nëpër antikuarë për të zgjedhur mobilie veneciane të viteve ’700, shëtisnim nëpër dyqane, pastronim bashkë gjërat e argjendta që kishte në shtëpi. Por bënte edhe gjëra banale, siç ndodh me të gjithë ne. Sapo kalonte derën e teatrit transformohej në Callas-in që të gjithë donim. Ngrihej nga gjumi vonë, rreth orës 11:00, pothuajse si të gjitha këngëtaret. Hante shumë pak, fileto peshku të pjekur e perime. Pinte kafe vazhdimisht. Ndiqte me përpikëri regjimin ushqimor që e bëri të humbiste 50 kg. Kishte një fytyrë të bukur, sy të mëdhenj që i lyente shumë dhe duar të mrekullueshme që i lëvizte në mënyrë magjike, kur ngjitej në skenë. I vetmi problem i saji ishin kaviliet e fryra që i kishte ndoshta prej mbipeshës që kishte pasur, për këtë bënte masazhe të shpeshta. Më parë, nuk kishte qenë fare e bukur, përkundrazi, aspak tërheqëse. As zëri nuk i pëlqehej. Por me vendosmëri të madhe arriti atë që u bë më vonë. Ishte e pasur, e dashur nga të gjithë dhe e famshme.
    Nuk i mungonte gjë…
    Pati gjithçka dhe humbi gjithçka për një burrë të shëmtuar, të vogël, me qime si një majmun dhe që nuk kishte asnjë lloj sensibiliteti për artin e saj. Bashkë ata nuk mund të flisnin, për shembull, për muzikë, sepse ai as që ia kishte idenë. E megjithatë ajo e deshi çmendurisht…
    Si punonte? Duke iu referuar vetë asaj, që thoshte: “Një opera fillon në imagjinatën time…”
    I binte pianos shumë mirë. Arrinte të futej në rol menjëherë, e përvetësonte pjesën sakaq, që më shikim të parë. Më ka ndodhur sa herë të isha prezente teksa merrte për herë të parë pjesën në letër dhe reagonte menjëherë në mimikë, teksa i hidhte një sy të shpejtë. Si duket, ndodhte pikërisht kjo që thoni, vënia në punë e imagjinatës. Pastaj, çdo gjë, deri në detaje, perfeksionohej kur nisnin provat në skenë.
    Kur ka shkruar për të, gazetari italian Alfonso Signorini, jep fakte për tragjizmin e dashurive të saj dhe vdekjes… Ç’të përbashkëta ka pasur këngëtarja, nga kjo pikëpamje, me personazhet që interpretonte? Ç’mund të na zbuloni rreth këtyre fakteve që duket se ngelen përherë misterioze, por që keni qenë pikërisht ju që jeni pyetur rreth tyre edhe nga mediat italiane…
    Për librin e Signorini-t që më pyesni nuk e kam lexuar dhe nuk di të them shumë rreth tij. Di vetëm që në dhomëzën e saj ishte mjaft e qetë derisa zëri e tradhtoi. Në kohët e fundit pastaj, çdo interpretim u kthye për të në një kalvar torturash. Edhe për mua ishte e vështirë, unë isha shumë e re dhe e papërvojë dhe t’i qëndroje pranë në këtë situatë nuk ishte fare e lehtë. Kujtoj një herë në Dallas në 1959, pas një paraqitjeje ca problematike në skenë në rolin e Luçias, kur u kthye në hotel, pati një krizë të rëndë, u dekurajua. Aty u bë thuajse e vetëdijshme që karriera e saj po shkonte përfund.
    Ç’ndodhi me të, si e humbi zërin?
    Mund të ketë qenë pasojë e një lëshimi që i bëri vetes. Ajo nuk e pranoi asnjëherë humbjen e dashurisë së saj që preferoi vejushën e Kenedit në vend të saj. Preferonte ta lëndonte veten duke treguar vazhdimisht se si ishte njohur me Ari-n (e thërriste Ari ose Aristo, Aristotele Onassis-in) në një natë magjike në Venecia, si e kishte dashur menjëherë, fare pa drojë, edhe pse ishin të dy të martuar. “Bota do më kuptojë si artiste”, thoshte e obsesionuar pas mendimit, më shumë se pas personit. Pas martesës së tij të papritur me Xheki Kenedin, erdhi vërtet fundi. Por ç’mund të bëja unë?! Mundja vetëm t’i qëndroja pranë, në heshtje për të respektuar dhimbjen e saj. Por në fund, të gjithë e dimë që Maria Callas ngelet e papërsëritshme, me mënyrën e saj të të bërit art ajo ndriçoi rininë time, duke më dhënë emocione që më kanë shënjuar jetën.

    Callas dhe Onassis, dashuria që solli vdekjen

    Maria Callas dhe Aristoteli Onassis
    Hera e parë që u panë Maria Callas dhe Onassis ishte në 1959-n kur ajo dhe burri i saj, Battista Meneghini, u ftuan në jahtin luksoz në Venecia. Bashkë me ta ishin të ftuar emra të tjerë, si Churchill, Princi i Monakos etj. Pikërisht aty, në jaht, lindi dashuria-mallkim. Në fund të po atij viti, Maria Callas, tashmë e “rrëmbyer” nga Onassis, kërkoi divorcin nga i shoqi dhe u përfshi në dashurinë që do t’i merrte jetën. Menjëherë më pas nisën polemikat vetëm pse të dy kishin qenë të martuar në kohën që u njohën, por edhe sepse kishin diferencë të madhe në moshë, ajo ishte 36 vjeçe, ai 53. Historia e tyre zgjati vetëm 10 vjet, por shënjoi përfundimisht jetën e sopranos; më mirë të thuhet, rënien e saj. Ajo vetë, në intervistat që dha atë kohë, e përcaktoi si një dashuri të shëmtuar e të dhunshme; ishte një histori e thellë dashurie (nga ato që kurrsesi nuk gjenden më) e mbushur me xhelozi të skajshme, sherre, tradhti. Megjithatë, nga kjo dashuri lindi një djalë, Omero, që fatkeqësisht vdiq pak orë pas lindjes, duke i lënë Callas-it një dyshim të madh nëse fëmija mund të ndryshonte disi marrëdhënien e tyre. Pasunari grek e mbajti Callas-in larg skenës, dhe më e keqja, i premtoi një martesë që nuk e bëri kurrë. Në tetor të ’68 Maria u tradhtua zyrtarisht nga Onassis. Ai e braktisi për t’u martuar me Jacqueline Kennedy, vejusha e John Kennedy-t, presidentit të SHBA-ve. Kështu, Onassis u kthye në koleksionistin e grave të famshme. Pas kësaj, gradualisht, për këngëtaren e jashtëzakonshme që donin të gjithë, erdhi vdekja.

    “Shndërrimi i Callas, nga një bibë në mjellmë”

    Maria Callas, përpara se të humbiste 50 kilogramë dhe të arrinte siluetën si në foton më poshtë, frymëzuar nga posteri i Audry Hepburn, që mbante të varur në dhomë
    Biki ishte rrobaqepësja e paarritshme e Milanos së viteve ’50. Në sallonin e saj bëheshin bashkë emrat më të njohur të artit të kohës. Krijuese e modeleve të thjeshta e të sofistikuara që u bë frymëzimi dhe esenca e modës që vijoi më pas të bënte Milanon atë që është sot. Klientet e saj ishin gratë e aristokracisë industriale dhe financiare të Milanos. Nuk ishte e zakonshme të bëheshe klientja e saj. Por, me të hyrë, kishe këndin tënd jo vetëm të vëmendjes, por edhe të “shfryrjes” së problemeve.
    Ndërsa Maria Callas ishte thuajse një vajzë pa atdhe, e lindur në Greqi, e ardhur në Milano, e shëndoshë… Të mos ishte për zërin, nuk do të kishte mbërritur kurrë te Biki. Ishte pikërisht pas takimit me të që u kuptua se ishte krejt e privuar nga çdo strukturë psikologjike lidhur me shijen, veshjen, sjelljen dhe kujdesin që duhet të tregonte ndaj trupi apo pamjes në përgjithësi.
    Takimi i parë me të ishte befasues; Biki ristrukturoi figurën e Callas-it. I tha tekstualisht: “Nuk mund të bëj asgjë për ty. Nëse do, kthehu tek unë kur të jesh 30 kg më pak”.
    E fyer, e prekur në krenari, Callas reagoi si luaneshë. Me vendosmëri, u mbyll në dhomën e saj dhe vari në mur një fotografi të Audrey Hepburn. Pas kësaj nisi një dietë drastike.
    Disa muaj më vonë, shkoi sërish te salloni i Bikit me 30 kg më pak. Rrobaqepësja e famshme shtangu. “U dashurua” me atë vajzë provinciale që kishte treguar karakter prej mbretëreshe. Që nga ajo kohë, Biki i ofroi gjithë përkushtimin e saj. Lindi kështu stili Callas, miti i elegancës minimaliste të saj.
    Hyjnorja e frymëzoi Bikin për teknika të reja; u bë muza e saj, modeli, misioni i saj.
    Biki ndërtoi për të imazhin e perëndeshës së shekullit XX, duke përdorur coha mashkullore dhe prerje shumë femërore, kostume rigoroze, jo lidhëseve, po dizajnit, arkitekturës së veshjes. Biki nisi ta thërrasë “Maria ime” dhe nisi të përgatisë për të tabela ku kombinonte veshjet, aksesorët, stolitë.
    Callasi u vesh gjithnjë prej saj. Transformimi ishte i jashtëzakonshëm, i denjë për një përrallë, biba u bë mjellmë, origjina e panjohur u kthye në joshje aristokratike. Fotografitë e saj ishin në kopertinat e çdo reviste, çdo gazete; jeta e saj u kthye në atë të një ylli; nga Venecia në Milano, nga Parisi në Montekarlo; imazhi i saj ishte gjithnjë i varur diku për të bërtitur gjithnjë të njëjtën gjë: klas, stil, karakter.
    Ja sepse ende dhe sot figura e saj vazhdon të jetë rekomanduese në të gjitha fushat. Një figurë referimi. Por sot, kur flasin për të, njerëzit që i kanë qëndruar pranë, mësohet se pasionet e saj ishin pikërisht ato prej të cilave duhet të hiqte dorë: ushqimi, tavolinat e mbushura me ushqime të shijshme. Dashuria e madhe e Callas-it ishte soba, një kënaqësi që e mbante të fshehur në privatësinë e saj, brenda mureve të apartamentit ku gatuante për veten, për shërbyesit dhe për ato pak mikesha si Giovanna që e vizitonin. Ajo mbante shënim nëpër restorante pjatat që i pëlqenin, si gocat e detit alla veneciane, makaronat taliolini me proshutë, rizoto me karkaleca. Në kuzhinën e saj ruheshin me qindra libra gatimi që nga klasikët e deri te manualet popullore të të gjithëve.

    ANI JAUPAJ
    http://www.panorama.com.al/2013/12/0...e-te-shemtuar/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Xhuxhumaku për postimin:

    Rodelinda (23-01-2014)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •