Luftuan ashper per te hequr plehrat.....per te sjelle armet kimike!!!
Armët kimike siriane mund të shkatërrohen në Shqipëri
Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë mundësinë për të shkatërruar armët kimike siriane në territorin shqiptar. Lajmi i publikuar në “National Journal” e rëndit Shqipërinë mes 8 vendeve të mundshme për shkatërrimin e arsenalin kimik sirian. Gjithashtu, po negociohet edhe me vendet e tjera si: Norvegjia, Belgjika, Rusi, SHBA, Kina, Franca dhe Britania e Madhe.
Por Ministria e Jashtme e Norvegjisë e ka kundërshtuar idenë e shkatërrimit të armëve kimike në territorin e saj, me pretendimin se nuk kanë eksperiencë dhe kushtet teknike për të bërë të mundur një gjë të tillë.
Sipas Iniciativës për Kërcënimet Bërthamore, Uashingtoni ka kërkuar që aleatët e tij të Evropës perëndimore të marrin në konsideratë shkatërrimin e armëve kimike në vendet e tyre përkatëse. Duke u bazuar në vendimet e ndërmarra me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë javëve të kaluara, Paul Walker, drejtor i sigurisë mjedisore dhe qëndrueshmërisë në organizatën “Green Cross International” u shpreh se Shqipëria, Belgjika dhe Franca, por duke theksuar këtu Shqipërinë dhe Belgjikën, janë opsionet më të mundshme për ta realizuar shkatërrimin e armëve kimeve të Sirisë. Shqipëria thuhet se është më e interesuar të pranojë disa ose të gjithë arsenalin e armëve kimike të Sirisë.
“Shqipëria në vitin 2007 ishte vendi i parë në botë që shkatërroi të gjithë arsenalin e saj të armëve kimike në mënyrë të verifikueshme gjatë një periudhe 6 mujore, duke përdorur furrë djegie gjermane por duke i ardhur në ndihmë edhe teknika zvicerane”,- është shprehur Walker.
“Shqipërinë ma kanë përshkruar entuziaste lidhur me këtë çështje” tha Charles Duefles, i cili ka shërbyer në vitet 1990’ si zëvendës kryetarë i Komisionit Special të Kombeve të Bashkuara.
“Ka gjasa që Shqipëria të fitojë shumë para nga shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë dhe një sipërmarrje e tillë do t’i bëjë ata qytetarë të mirë ndërkombëtarë”-u shpreh Richard Butler, i cili më parë ka shërbyer si drejtor ekzekutiv i komisionit special të Kombeve të Bashkuara për çarmatimin e Irakut.
Megjithatë Shqipëria duke ndërmarrë një përgjegjësi të tillë do të përballet edhe me sfida të mëdha si sigurimi dhe logjistika. Gjithashtu, disa ekspertë janë shprehur se Shqipëria njihet si një vend shumë i korruptuar në sektorin publik dhe shton mundësinë se disa armë kimike nga arsenali i Sirisë mund t’i çojë në treg të zi ose tek ekstremistët.
Ambasada Shqiptare në Uashington nuk e ka komentuar këtë çështje. Sipas Walker, Shqipëria mund të jetë një opsion i mundshëm por ekspertiza e dobët e teknikës dhe sigurimit mund të paraqesë probleme duke shtuar se këtë çështje mund ta realizojë ashtu siç duhet një vend i zhvilluar mirë. Mbetet ende e paqartë nëse ligjet e mjedisit të Shqipërisë mund të jenë më tolerante se ato të kombeve të Evropës Perëndimore. Megjithatë, çdo shenjë paralajmëruese që procesi i shkatërrimit mund të sjellë tym helmues apo kontaminim të ujërave nëntokësorë përbën jo vetëm problem serioz për shëndetin publik, por gjithashtu edhe një përgjegjësi politike për Uashingtonin dhe aleatët e saj, pasi janë ata që po mbikëqyrin këtë përpjekje”-u shpreh Walker.
Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, arsenali i armëve kimike të presidentit Assad duhet të transferohet jashtë Sirisë brenda janarit 2014 dhe të shkatërrohen përpara qershorit të po këtij viti. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për më shumë se 1 mijë ton armë kimike.
Momentalisht nuk ka ende një reagim zyrtar nga qeveria shqiptare për lajmet e përhapura në mediat e huaja. Ndërkohë ambientalistët shqiptarë i kanë bërë thirrje qeverisë që të refuzojë kërkesën e OKB-së për transferimin e një pjesë të arsenalit të armëve kimike të Sirisë për t’u shkatërruar në Shqipëri.
Aleanca Kundër Importit të Plehrave, është shprehur se transferimi i armëve kimike të regjimit të Bashar Al Assad është kundër ligjeve dhe interesave të vendit.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt