Kanadezja Alice Munro, fituesja e Nobelit në Letërsi

10 Tetor 2013 | : Kulturë,Libri | Autor: Gazeta Shqip

alice-munroKanadezja Alice Munro shpallet fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë 2013. Lajmi është dhënë nga Akademia Suedisë, e cila në motivacion ka saktësuar “Mjeshtrja e tregimit të shkurtër kontemporan”. Munro, 82 –vjeçare ishte një nga kandidatët favoritë për marrjen e çmimit prestigjioze. Pas saj, ndër emrat më të favorizuar për këtë çmim është dhe shkrimtari japonez Haruki Murakami, shkrimtarja ruse Svetlana Aleksijevitj dhe shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates.

Munro, e cila ka nisur të shkruajë që në adoleshencë, publikoi tregimet e para të saj “The Dimensions of a Shadoë”, në vitin 1950. Ajo ka studiuar për anglisht në Universitetin e Ontarios Perëndimore. “Dance of the Happy Shades”, publikuar në vitin 1968, ishte koleksioni i parë që i dha asaj çmimin më të lartë në letërsi në Kanada. Kur ajo mori çmimin “Man Booker International” në vitin 2009, puna e saj u konsiderua si “praktikisht perfekte”.

Vetëm dy javë më parë Munro mori çmimin “International Festival of Authors”, çmim që shoqërohet me shumën 10 mijë dollarë. Libri i fundit i saj është “Dear Life”. Munro është fituesja e 13-të femër e këtij çmimi që prej dhënies së tij në vitin 1901. Për lexuesin shqiptar, Munro është e njohur me librin “Virgjëresha shqiptare”. ”Një ashpërsi e re, një ndjesi pështjellimi e kaosi në jetën qytetare, një përkohësi në marrëdhëniet burrë-grua, veçanërisht në martesë. Personazhet janë shpesh nën frikën e anktheve. Parakalimi i herëpashershëm i personave të gjymtuar që shfaqet në shumë nga këto tregime, duket si metaforë e gjymtimit mendor që ka infektuar kohën tonë”, shkruhet në kopertinën e librit.



10 tetor 2013 (gazeta-Shqip.com)

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/1...it-ne-letersi/