Lamtumirë Halil Qendro, poeti i heshtur i Labërisë dhe Progonatit të lavdishëm!

Albert ZHOLI

E kam njohur në vitin 2000. Sapo isha kthyer nga Greqia. U takuam në kafen, ku takohen lebërit, aty në kafenenë pas ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. Kur më takoi më shtrëngoi fort dorën dhe më vështroi në sy sikur donte të më përpinte mendimin. I sertë, i ashpër, por tepër korrekt dhe zemërgjerë. Kush nuk e njihte nga afër mendonte se ishte nursëz dhe kapadai. Brenda sertësisë së tij, ai kishte mbledhur përbrenda një botë shpirtërore aq të madhe sa as ai vetë s’e dinte se e zotëronte. Ishte krenar, por dhe sedërli. Atdheun e donte mbi gjithçka. Nuk ishte patriot lodërtar dhe anakronik, por intelektual me botë që vlerësonte dashurinë atdhetare me përmasat e një njeriu të drejtë. Kur u ula dhe bisedova ndjeva peshën e fajit përse kam qenë larg pa dashur këtyre njerëzve me kaq shumë ndjenjë patriotike, por dhe poetëve që me fjalë zemre gdhendnin shpirtrat njerëzor. Mos u largo nga ne të vjetërit, mos u largo nga Progonati, mos u largo nga Labëria dhe pse ke qenë larg saj. Ishin fjalë shpirti, fjalë zemre, fjalë poeti, fjalë që peshojnë flori. Nuk kishte aspak dhembshuri në thënien e këtyre fjalëve, por seriozitet. Ndaj ai dukej paksa si “nopran” se, të vërtetën ta thoshte në sy. Edhe fjalët i kishte poetike, edhe buzëqeshjen të tillë, edhe kritikën edhe lavdërimin, ky ishte poeti Hali Qendro. Sa herë e takoja, kurrë s’e thoshte fjalën e mirë në sy, por kurdoherë të ngrinte në piedestal larg tavolinës, ku ai bisedonte. Kjo është fuqia e fjalës së poetit, kjo është magjia e fjalës së poetit, “Atë që do kritikoje në sy, por lëvdoje për së largu”.



Vendlindja e tij Progonati

Progonati është një fshat me emër magjik që perceptohet trimërimshëm në memorien e çdo shqiptari për mbresat e të kaluarës dhe për emrin e mirë të bijve të kësaj krahine. Progonati për qytetin e Tepelenës, për atë rrethinë Labërie të mbushur me traditë dhe kulturë, përbën një kryeqytet të mendimit, trimërisë, bujarisë dhe intelektualëve të njohur, që sot janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe me valixhen e traditës së vendlindjes themi krenarisht se kanë pushtuar botën. Progonati shtrihet në një rrafshnaltë 900m mbi nivelin e detit. Është rrethuar nga një kurorë malesh si valltarët në dasmë dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, shtëpitë janë pranë njëra tjetrës të rrethuara nga pemë (arrë e gështenja e qershi-kryesisht). Në dimër bie dëborë që u rrinë kurorave të maleve si qeleshe, ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë të shëndetshëm kanë qenë dhe mbeten dy pasuri të pandryshueshme dhe të pazëvendësueshme për vendasit. Sipas shumë historianëve, Progonati është vendbanim shumë i hershëm me toponime interesante para kristiane e kristiane të hershme. Fshati interesant është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qenë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj..

Në Progonat te Rrapi(!)
Labëria progresin dhe historinë e ka lidhur me rrapin në sheshin e fshatit. Kanë qenë këto pemë shekullore që kanë qenë mikpritësit e parë të të huajve, ku janë zhvilluar ngjarjet nga më historiket, takimet, betimet, luftërat, vrasjet. Në rrapin në Mashkullorë Çeçua bëri histori, në rrapin e Janinës u varën Bilbilenjtë 13-të. Në rrapet e Vlorës Selami nisi luftërat e pashoqe. Edhe në Progonat ka një rrap madhështor, me ato krahët që shtrihen në ajër sikur përqafojnë mysafirët dhe mbrojnë fshatin nga rrufetë e armiqtë. Rrapi dhe Progonati janë një trup. Ata duket se kanë lindur në një ditë. Ata duket se janë një duet magjik që janë binjakëzuar përjetësisht që nuk mund ta kuptojnë jetën pa njëri tjetrin si vëllezërit siamezë.

“Bilbilenjtë, 13 vanë në litarë vetë”…

E kush më shumë se progonatas të rritur në ato male mund ta ngrinte vdekjen me atë akt në pavdekës?! Kush mund të dredhë i qetë cigare para vdekjes?! Kush mund të qeshë me vdekjen si në dasmë?! Vetëm Bilbil Shakua me shokë. Janina e ruan nga gojëdhënat si të gjallë këtë moment. Te rrapi i Janinës ata shkuan në litarë në atë mënyrë që nuk ka moment kur flitet për trimërinë anekënd Shqipërisë, Greqisë apo Turqisë të mos përmendet ky fakt unik që është përjetësuar në vargjet nga më brilantet të poetit popull. Në Janinë thonë se në atë rrap çdo vit në ditën e varjes bien rrufe. Kjo nuk është gojëdhënë shqiptare por greke. Bien rrufe në kujtim të trimave që jetën e tyre ja falën përparimit, lirisë, sepse si rrufe ishte lufta e tyre, shkreptimë, që kërkonte ndriçim në atë errësirë osmane.
Bilbilenjtë në këngë…

Ismail Lesko Progonati

Rilindësi i shquar Ismail Lesko Progonati, me veprën e tij të zjarrtë patriotike në shërbim të kombit, ka hyrë në këngë dhe të zgjedhurit që hyjnë në panteonin e këngës së popullit, brezat ua përcjellin historinë në testamentin e pavdekësisë. "Ismail Lesko Progonati,/ç'i pret palla e shkel ati", i këndon populli me krenari dhe e qan po me aq dhimbje rënien e tij: "Janina te rrapi i falë/e zeza Janinë/flaka moj Janinë/vjen muzika duke qarë/bien një zabit të vrarë/Ismail Lesko Progonanë/E zeza Janinë/Flaka moj Janinë/Dhe të ëmës kur i thanë/Lidhi duart dhe vu vajnë/mos ma thoni këtë fjalë/se Ismailë e kam të gjallë"... Te rrapi i falë i Janinës, atje ku gjyshërit e Ismail Leskos, Birbilenjtë e famshëm kishin shkruar historinë, atje e filloi dhe e mbaroi veprimtarinë e tij patriotike dhe pinjolli i tyre i denjë, Ismail Lesko Progonati. Ai lindi dhe u rrit në truallin epik të Kurveleshit, çatia e Labërisë që në kohëra e ka gdhendur profilin e tij epik në duele të mëdha me hordhi pushtonjëse, që nga pre-historia e gjer në kohët moderne, me figura të shquara të penës e të pushkës, të mendjes e të zemrës, të tillë si Belul Toto e Çelo Picari, me Gjon Lekën, Hodo Aliun e Çobo Golemin, me Ismet Toton e Bilal Golemin etj., që s’janë vetëm të Kurveleshit e të Labërisë, por frymë e shpirtit të të gjithë kombit.

Fshati i poetëve dhe intelektualëve të shquar
Askush më shumë se ky fshat nuk ka nxjerrë nga gjiri i vetë shkrimtarë, poetë, shkencëtarë, ushtarakë, gazetarë, studiues, biznesmenë, mësues, me tituj nga më të ndryshmit. Ata janë shumë dhe do të duhet një faqe gazete për t’i shkruar, por mund të them se për nga numri, ata mund të krahasohen me intelektualët e tre qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Dhe kjo sepse ajri dhe dashuria e madhe për dijen kanë krijuar breza të tërë njerëzish përfaqësuesish të këtij fshati. Përpos intelektualëve sa më lart në periudha të ndryshme historike mund të përmendim Enver Gugën, Pëllumb Xhufin, Hito Çakon, Cobo Skënderin, Halil Qendron, Ibrahim Ganin, Agim Shehun, Martin Cukallën, Izet Çullin, etj…



Lamtumirë poeti ëndërrimtar!

Ti ishte poeti i yjeve, i qiellit të kaltër, i dashurisë njerëzore, i detit dhe tokës së pastër. Ishe poet i dijes dhe përparimit ndaj nuk u bëre kurrë palë as në regjimet, as në sistemet për interesa vetjake. Ëndrra jote ishte Shqipëria e përparuar, e zhvilluar, pjesë e Europës së bashkuar. Ishe një lab 24 karatësh, që krenarinë s’e këmbeje me floririn. I sertë, por i dhembshur, i ftohtë, por me gjoksin zjarr, i zgjua, por i thjeshtë, poet i madh, por shumë modest, atdhetar, por real...Halili iku në përjetësi. Iku duke lënë pas mijëra vargje pa qëndisur në letër. Iku, por është tek ne me fjalën, vargjet, patriotizmin. Iku duke qenë më afër, pasi e tillë ishte vepra e tij, vepër e bukur e qëndisur me fjalë zemre. Ti ike por ne të kujtojmë. Të kujtojmë me fjalën e mençur me vargun e ndjenjës shqiptare që pak poet e zotërojnë. Ti ike, por të kemi më afër, se e tillë është pena jote. Penë labi, që e din më mirë se kushdo se çdo të thotë atdhe. Lamtumirë Halil Qendro, bir i Progonatit të ashpër dhe i Labërisë heroike. Vetë mbiemri yt është një thirrje qëndrese në emër të përparimit të Shqipërisë. Ti ike duke qenë në çdo hap mes nesh. Poeti Halil, mos më qorto n.q.s të kam lënë diçka mangët...




LAMTUMIRE HALIL QENDRO, MIKU I SHTRENJTE I LIBRIT DHE I LABERISE

Është ndarë nga jeta më 23 shtator 2013, pas një sëmundjeje të rëndë Halil Qendro, autor i shumë botimeve në poezi dhe prozë, publicist i njohur, veprimtar i shquar shoqëror, për shumë vite kryetari i Shoqatës Kombëtare Atdhetare - Kulturore "Labëria". Homazhet u organizuan dje në mjediset e Teatrit Kombëtar në orën 13:00 – 14:00 dhe prej aty u përcoll në banesën e fundit.

Lamtumirë, Halil Qendro, miku i shtrenjtë i librit dhe bir i denjë i Labërisë!
Halil Qendro - Poet, autor librash. Lindi në Progonat, më 1936. Mbaroi të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. U diplomua pranë Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Ka punuar gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për qëndrimet e tij kritike ndaj skemës së Realizmit Socialist u internua për 22 vjet, duke iu hequr edhe e drejta e botimit. Ka botuar në poezi e prozë. Botime në poezi: “Dashuri e shqetësuar”, “Këngët e Progonatit”, “Loti i diellit”, “Hemorragji”, “Endacaku i shpresës”, “Jam tepër i lodhur”, “Ezopi në gjyq”;
Botimet në prozë: “Si në balada” (tregime e novela), “Rrëfimet e pasmesnatës” (tregime e novela), “Pasqyrë pas shpine” (roman), “Dimra të Shqipërisë në dy kohë” (roman).
Veprimtar shoqëror, kryetar i parë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” zgjedhur nga Kuvendi i Parë i saj, në qershor 1998.



Fatmir Toçi-deputet


RA DHE NJË RRAP PROGONATI, U KËPUT NJË SHKËMB KURVELESHI



Ej, po ç’po bëhet kështu...Po na ikin një nga një burrat e Labërisë, poetët e gojëtarët e shquar të viseve labe.
U këput dhe një rrap apo shkëmb Progonati, që bënte hije dhe kur hijen ja zinin...që këndonte e ligjëronte dhe kur grykën donin t’ja prisnin.
Na miqësoi puna e përbashkët në shoqatën “Labëria” kur e patëm në krye, por më parë na kishte miqësuar vargu i këngëve të tij botuar në disa vëllime.
Për mua një humbje e madhe e letrave shqipe, e Progonatit me “ vulë” , por edhe e Kurveleshit e Labërisë të tërë...
Lamtumirë i dashur Poet, i shtrenjti njeri, i palodhuri veprimtar i Labërisë, i miri Halil Qendro!
Të ndriftë kujtimi si pena e vargu yt i përflakur !

Sejmen Gjokoli