INTERVISTA/ Flet, pianistja, këngëtarja, shkrimtarja dhe së fundi aktore Denisa Gokovi: Femra shqiptare, mohimi dhe absurditeti që ndodh me shkeljen e të drejtave të saj

Derisa Gokovi, shqiptarja protagoniste në një film indian

Albert ZHOLI

Gjithçka për rrugën e bukur të këngës dhe pianos filloi nëpërmjet një organizimi e dëshire familjare, mbi çështjen pasionante për muzikën, dhe gjithnjë triumfonte ideja për të trashëguar atë pasion në mënyrë profesionale. Ishte menduar, dhe si pasojë, lindi e njëjta arsye dhe u arrit si konkluzion, që ajo t’i përkushtohej dhe t’ju angazhohej studimeve për piano që në moshën 6 vjeçare, ku gjithmonë ka përfituar atë që duhet nëpërmjet përkujdesjes së pedagoges, Dorina Saraçi. së fundmi ajo është zgjedhur të jetë protagoniste edhe në një film indian, i cili përveç transmetimit në Bollywood do të shkojë edhe drejt të famshmit Hollywood. Në këtë intervistë Denisa na tregon me detaje projektet dhe talentet e saj.


-Denisa përshëndetje. Kemi dëgjuar se jeni përzgjedhur si protagoniste në një film indian. Si u arrit ky bashkëpunim dhe cilat janë impresionet e tua?
Rastësisht jemi njohur me drejtorin-producentin e filmit tek promovimi i një libri dhe ai menjëherë shprehu interesin e tij dhe i sigurt në bekgraundin tim si artiste më besoi rolin kryesor në filmin e tij! Unë do të luaj me yjet e Bollywood dhe njëkohësisht artistë shumë të vlerësuar të Hollywood! Përkrahja është maksimale, mediat ndërkombëtare kanë shprehur interes të mjaftueshëm për të ngritur lart subjektin e këtij filmi! Unë do të luaj nën emrin e personazhit Sonya dhe do jem memece mbi këtë rol, do flas me anë të ndjeshmërisë dhe kapacitetit të gjesteve për të depërtuar emocionalisht! Akoma më e vështirë dhe rritet përgjegjësia! Mua më kanë besuar rolin kryesor tek filmi ndërkombëtar “PHIR MULAQAT HO NA HO” në gjuhën Indiane! Gjithashtu ky film do të transmetohet dhe në Hollywood, SHBA, përpos faktit se publikohet në Bollywood-Tollywood, Indi! Pra do të lëshohet në tre gjuhë!
Xhirimet fillojnë së shpejti, në fund të shtatorit, dhe zgjasin deri në dhjetor! Në fillim të vitit 2014 lëshohet filmi për shitje, ku shpresoj që dhe Shqipëria të tregojë interes të dukshëm dhe të transmetojnë filmin në televizionet shqiptare ose dhe në kinema!
-Kur keni filluar të këndoni për herë të parë?

Mund të them se në moshën 17 vjeçare, lindi dëshira për të njohur një tjetër karakteristikë artistike tek vetja, dhe nëpërmjet dëshirës për të qenë e kompletuar, vendosa ta ndjek dhe këtë pjesë, pra të kënduarit, si motiv kryesor për një praktikë tepër pozitive dhe të nevojshme për një artist.


- Cili është libri juaj i parë dhe pse ju bashkëngjitët pjesës së shkrimtarëve filozofike?

Ambicia dhe iniciativa ime personale, më nxitën që të edukohem profesionalisht mbi një formë dhe përmbajtje të mjaftueshme lidhur me krijimtarinë time. E gjithë kjo ndryshoi një koncept, për të qenë e kompletuar mbi punën time, ku vendosa të mos reagoj në mënyrë të zakonshme dhe ky lloj reagimi njohu çmimin që sillte në të njëjtën kohë, një ndjesi të çuditshme lidhur me filozofinë. Veten e studioja si një moment prove duke menduar për njerëzimin në tërësi mbi kushtin e askujt dhe për motivin e të gjithëve. Natyrisht, po vazhdoj të punoj mbi librin tim të parë, që siç u theksova më lart ka karakter filozofik, në këtë zhanër potent dhe ideal ku preferoja gjithnjë që ky rast konkret të finalizohej përmes vëmendjes dhe kapacitetit të duhur. Pa thënë asgjë, dua të tregoj gjithçka, kjo është motoja e punës time. Premtoj në një të ardhme të afërt që do të jetë pjesë e bibliotekës tuaj “Libri im”, i quajtur në mënyrë të tillë për të njëjtin qëllim dhe mister, sepse asgjë aty nuk është e imja, por do jetë e juaja.

- Po kënga juaj e parë cila është dhe kush e ka bërë tekstin dhe muzikën?

Kënga ime e parë, titullohet “S'vuaj për emër”, ku gjithashtu muzika dhe teksti janë të realizuara nga unë. Gjithë kjo punë, lidhet me prioritetin kryesor për të ngritur lart Production Denny.

-Cilat janë çmimet tuaja në piano dhe ku i keni marrë?
Duke rikujtuar rastet më të bukura dhe të rëndësishme në jetën time artistike deri më tani veçoj çmimet që më janë dhuruar si simbol i sakrificës time dhe pikërisht kënaqësia ka qenë më e thjeshtë për t'u përjetuar. Kryesisht konkurse të tilla pianistike si: Këngët e Tokës, Pjetër Gaci, janë zhvilluar në ritme tepër konkurruese dhe proces të vështirë profesional. Jam e lumtur që nëpërmjet renditjes së përcaktuar nga ''kokat'', jam sistemuar mirë dhe kam arritur në çmimet e dyta.

-Keni disa profesione, cili profesion ju mbush më shumë dhe a do zgjidhni mes tyre atë ku kini më shumë rezultate?
Sigurisht, këtë lloj përgjegjësie, nuk e kam kushtëzuar për të përzgjedhur me qëllimin për t'u kualifikuar domosdoshmërish aty ku s'duhet. Strategjia më e lehtë për t'u kuptuar është fakti që, ndihem e plotësuar ndërsa pikësynimi im kërkohet në mënyrë të tillë për të realizuar gjithçka që duhet dhe dua, por jo për veten time, por në funksion të të tjerëve.


-Cilat janë autorët që lexoni më shumë?

E pëlqej të bukurën, por transparenca ime idealiste nuk rrëmben asnjë faktor të dëmshëm të tipit për të lexuar si zakonisht dhe pse ritmi i procesit jetik është me shumë se kaq dhe kur nuk bindesh të pëlqen udhëheqja si pasojë vjen kundërshtimi nëpërmjet dëshirës për të lexuar në disa raste ku nuk mund të përcaktoj dot një emër përveçse kur nuk dua të varem është i njëjti, Frojdi.


-Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionet tuaja?Ndihem keq dhe vazhdoj të bëhem si e tillë kur takoj njerëz hipokritë dhe të pafuqishëm që praktikojnë mbetjet e tyre për shkak të tragjedisë bashkëkohore moderne të injorancës dhe psikopatisë në rreng mashtrimi. Ka plot të tillë dhe në profesionin të cilin e zotërojmë dhe paçka rasteve mjaftojnë kategoritë që e kalojnë dështimin dhe goxha ndryshim do thoja me ato që dëshirojnë të fitojnë besimin.


-A jeni e detyruar të mbani dietë dhe cila është dieta juaj?

Nuk jam fare e detyruar të mbaj dietë, sepse dhe të isha e tillë, do preferoja kundërshtimin dhe pse nuk i përkas asaj lloj problematike. Arsyeja e vetme qëndron sepse është absolutisht e panevojshme për mua personalisht.


-A ka moshë ky profesion, arti?

Arti në tërësinë e tij nuk njeh moshë, sepse një inteligjencë e tillë e kërkon rëprizen kohore për të bërë gjithçka më të mundur dhe rikthimi i kujtesës mbi veten sjell suksesin e dyfishtë dhe akoma më shumë kuriozitetin tek te tjerët.

-Cilat këngëtare me famë botërore janë idhull për ju?

Asnjë këngëtare me famë nuk kam idhull, sepse siç e theksova më lart, qëllimi im është individualiteti, vetvetja. Në të dëgjuar kuptohet që e pëlqej të bukurën më të bukur se sa është dhe e mbështet në dobësitë dhe përparësitë e saj dhe kjo për mendimin tim është, ART.

-Një përkufizim për dashurinë?

Dashuria duhet të jesh ti për të qenë dhe unë.

-Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?
-Ah, problemet pikante që nënkuptojnë një zgjedhje dëshire morale dhe ndjesie. Femra në të vërtetë, është një imazh, pretekst, për të mëshiruar të vërtetën. Rezultati i dhimbshëm në Shqipëri vazhdon të jetë i ''sinqerte'' në problematikat e tij. Egoizmi, xhelozia, vetëvlerësimi, fundosin përgjegjësinë femërore. Rëndësia që mbart ajo qëndron në nivel të dobët ku sa vjen dhe nuk krijon dot bindjen për ndryshim në raste ku përcillet falsiteti ose shenjëstrimi i gabuar i veprimtarisë. Kjo nuk është femra shqiptare, por është injoranca e theksuar që ka njollosur emrin e saj, shpirtin për të cilin ajo në ç’do përpjekje nuk dështon aq sa mundet, por dhe menaxhimi i saj le për të dëshiruar në ambiciet e shfrenuara. Me keqardhje diskutohen për t'u gjykuar nga ky nivel jetësor që do vinte në dyshim prezencën femërore. Ashtu siç dua të përmend pikën më kritike që nuk parandalohem dot nga ky detaj kaq i rëndësishëm ku sot e kësaj dite femra vazhdon të shikohet si një objekt shfrytëzimi dhe jo vetëm në shoqërinë shqiptare. Ky negativitet ngjall neveri dhe prej këtij anashkalimi ndodhin katastrofa njerëzore.

-A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Femra Shqiptare ka dy arsye: Strategjia e gabuar e saj për të rifituar pozicionin e humbur që lidhet me pavendosmërinë dhe xhelozinë e tepruar, por e gjithë kjo nuk vjen nga i njëjti shkak. Pika e dytë është mohimi dhe absurditeti që ndodh me shkeljen e të drejtave të saj. Ja pse femra nuk ndihet e vlerësuar akoma në shoqërinë shqiptare.

-A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Shoqëria shqiptare, vuan nga shumë faktorë të mos organizimit dhe pasivitetit që kërkon turpin përpara veprimit. Qëndrojnë format shprehëse te maskilizmit, por kjo nuk do të thotë që është absolute dhe aq më pak shaka e identitetit femëror. Keqkuptimi ka sjellë konflikt pa qenë arsyeja e fortë e pranohen rolet siç janë dhe për t’i besuar mbi interesat e secilit. Prova më kalimtare do sjell dështimin në shoqërinë shqiptare për aq kohë sa nuk ruhet ekuilibri dhe e gjithë kjo energji është vetëm për të kundërshtuar forcën mashkullore pa kuptuar se nuk rrëzohet asgjë për të ndërtuar moralin femëror. Unë do thoja, besimi i ndërmjetëm është ndërgjegjja e fituar nëpërmjet dijes dhe kreativitetit ku pozicionon arsyet mbi detajet kryesore dhe secili arrin të njohë pavarësinë e tij dhe të drejtave gjithashtu në raport

-Moto nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Dashuria për njerëzimin!

-Një ditë pune e zakonshme?

Punë për t'u lidhur pas vetes. Nuk do e duroja dot faktin në funksion të zakonshmes as nga nevoja, por xhentilesa të bën të ndihesh më e dobishme për veten dhe e rëndësishme tek të tjerët.


-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Normalisht që vlerësoj sinqeritetin dhe inteligjencën, ndërkohë kritikoj imoralitetin dhe injorancën me njëri- tjetrin.

-Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Unë ndihem më mirë kur më thërrasin në emër, sepse kjo nënkupton gjithçka që unë jam.

-Cilat janë planet tuaja në sirtar në lidhje me idetë profesionale?

Planet afatgjata janë të ndërlidhura për të ngritur pasionin dhe profesionin tim në aspektin më pozitiv të mundshëm duke njohur pozitat e individualitetit tim dhe gjithashtu duke i dhënë rëndësi marrëdhënies me publikun. Ju faleminderit për intervistën tuaj. Përcjell mirënjohjen dhe respektin për të gjithë.

Si u njoha me regjisorin Indian që do të më çojë në Bollywood
Rastësisht jemi njohur me drejtorin-producentin e filmit tek promovimi i një libri dhe ai menjëherë shprehu interesin e tij dhe i sigurt në bekgraundin tim si artiste më besoi rolin kryesor në filmin e tij! Unë do të luaj me yjet e Bollywood dhe njëkohësisht artistë shumë të vlerësuar të Hollywood! Përkrahja është maksimale, mediat ndërkombëtare kanë shprehur interes të mjaftueshëm për të ngritur lart subjektin e këtij filmi! Unë do të luaj nën emrin e personazhit Sonya dhe do jem memece mbi këtë rol, do flas me anë të ndjeshmërisë dhe kapacitetit të gjesteve për të depërtuar emocionalisht! Akoma më e vështirë dhe rritet përgjegjësia! Mua më kanë besuar rolin kryesor tek filmi ndërkombëtar “PHIR MULAQAT HO NA HO” në gjuhën Indiane! Gjithashtu ky film do të transmetohet dhe në Hollywood, SHBA, përpos faktit se publikohet në Bollywood-Tollywood, Indi! Pra do të lëshohet në tre gjuhë!