Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1

    Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Te dehurit dhe gjysme te dehurit e PS
    E Premte, 07 Tetor 2005
    Nga Fatos Lubonja

    Eshte mese e qarte, se ndeshja ne mbledhjen e fundit te Komitetit Drejtues te Partise Socialiste, midis atyre qe tundin parrullen "nje anetar, nje vote", dhe atyre qe kerkojne "lejimin e fraksioneve", si dhe debatet ne vazhdim, nuk kane te beje fare me thelbin e rimekembjes se Partise Socialiste, por thjesht me ndeshjen midis dy kampeve kundershtare ne lufte per kryesine e partise, ate te Edi Rames dhe ate anti Edi Rama. Besoj se ky, "anti Edi Rama", do te ishte identiteti kryesor i kampit tjeter, sepse sado qe nen hijen e mostransparences, thuajse te gjithe qe ndjekin politiken, e dine se thirrja e Meidanit ne mejdanin e PS, erdhi pas tentativave te Nanos per te mbeshtetur Majkon dhe Malajn, me friken se, nese PS e merr Rama, e ka marre perfundimisht lumi.

    Nese do te perdorja nje shprehje figurative per te karakterizuar keto dy grupime,- te cilet pata rastin t'i ndesh edhe ne nje debat televiziv midis kater udheheqesish te PS, ku mora pjese per te bere analiza dhe komente,- do te thoja se ne njerin grupim, ate qe ka zgjedhur tashme per kryetar Edi Ramen, bejne pjese ata, te cileve ende nuk u ka dale dehja nga pushteti, kurse ne krahun tjeter, qe deri tani kerkon te veje kryetar Meidanin, jane gjysme te dehurit ose gjysme te zhdehurit. Te paret me qendrime shume me agresive ndaj pushtetit te ri, thone se shume kollaj mund ta rimarrin pushtetin me Edi Ramen, i cili, per me teper, ka arsye te jete ende i dehur, sepse eshte ende ne pushtet. Ata te lene pershtypjen, se humbja ishte si ato ndeshjet e boksi, kur superkampioni humb, por eshte i sigurt se do ta fitoje revanshin pas disa muajsh. Grupimi i Rames duket qarte se eshte ne sulm, jo vetem ndaj PD-se, por edhe brenda partise; kurse grupimi tjeter duket qarte se eshte ne mbrojtje edhe brenda partise. Gjysme te dehurit, kryesisht njerezit e Nanos, jane ne kete gjendje, jo pse nuk kane pire shume (vecanerisht kryetari), por sepse e ndjejne se po u rreshket nga duart pushteti mbi organizaten e tyre, pra edhe vete pushteti i tyre dhe te mirat qe u sillte.

    Pyetja qe shtrohet nga qytetaret dhe qe nuk merr pergjigje prej ketij grupimi eshte: Perse i tremben keta kaq shume marrjes se partise se tyre nga Edi Rama? Perse ata te bejne thirrje per shpetimin e partise nga nje individ dhe nje grupim rreth tij, qe ata vete e kane lancuar si modelin e tyre te sukseshem te qeverisjes?

    Shpjegimin e ketij paradoksi ne nuk e mesojme dot nga analiza dhe debatet e hapura ne Partine Socialiste, as nga fraksioni Meidani, prej tyre rrjedh ndonje informacion e insinuate e turbullt, aty- ketu neper shtyp apo edhe neper kafenerat ku behen takimet. Nje te tille psh. e dha Petro Koci, kur tha se partia sociliste nuk mund te behej peng e "industrise se lejeve te ndertimit". Edhe Majko permendi "truste" prapa Edi Rames. Kush kerkon te germoje disi ne kete histori dhe ne keto frikera te Petros, meson nga gojet e liga te kafeneve, se kalimi ne anen e Rames, i Gramoz Rucit dhe Marko Bellos, dy njerez te Nanos, lidhet me nja dy leje ndertimi pallatesh te dhena mu tek Parku Kombetar (tek Liqeni) - packa se sipas projekteve te kryebashkiakut, kandidat per kryetar te PS, atje do te zgjeroheshim me gjelberim dhe jo te ngushtoheshim me beton. Mirepo, po te germosh edhe pak me thelle, do te zbulosh se vijen e verdhe te parkut duhet ta kete zhvendosur me siguri vete Nano, disa muaj me pare, para zgjedhjeve, kur Gramozi dhe Markoja ia kishin nevojen, sepse Parku eshte kompetence e kryeministrit.

    Mirepo keto gjera, nuk dalin kurre te qeruara. Ne jemi te detyruar te qorrollepsemi prapa dyerve te PS, ashtu si prapa atyre llamarinave qe rrethojne trojet e ndertimit, qe po na shqyejne dite per dite gjelberimin, pa e marre vesh deri ne fund, se si ka mundesi te prishet nje park e te shembet nje shtepi e vjeter karakteristike ne menyre kaq te paturpshme. Kjo eshte ceshtja. Partia socialiste nuk rrezikon te behet pre e industrise se lejeve te ndertmit, (dhe e shume industrive te tjera qe jane mbeshtetur ne ekonomine informale)- sikurse thote Petroja. Ajo eshte me kohe peng e tyre.

    Ne fakt, ndeshja ne Partine Socialiste eshte ndeshja midis nje grupi agresiv dhe nje grupi me te lodhur, por qe kane aplikuar te njejten filozofi dhe model qeverisjeje: ate te kapjes se shtetit nga mafja, ku ajo e ndertimit eshte me e fuqishmja, sepse ka nen pronesi edhe median. Kuptohet, ne mes te ketyre dy grupeve qendrojne ata qe presin te shohin se kush do te fitoje, per te mbeshtetur pastaj kryetarin e ri, ashtu sic kane bere perhere, duke marre llokmen e mbetur. Jane pastaj ata njevoteshit, qe kur te marrim perseri pushtetin, do to marrin therrimet e mbetura.

    Kjo eshte e tera. Pyetja qe shtrohet eshte: Po Meidani cdo ne kete mes, sepse me siguri ai nuk ka ndermend ne kete moshe te merret me leje ndertimi?

    Sipas meje ka nje llogjike edhe thirrja e Meidanit. Meidanin kerkon ta perdore grupimin anti Rama, sepse ka imazhin e njeriut te paster te pakorruptuar. Ne kete kontekst, ka gjase te kerkoje ta perdore edhe Nano, ne menyre qe neser te kete mundesi te kthehet perseri ne krye te PS, kurse po e mori Rama, mund te kthehet vetem ne ndonje dhome boshe. Nuk perjashtohet gjithashtu, qe grupi i gjysme te zhdehurve, duke qene, pikerisht, jo plotesisht, por gjysme te dehur, e sheh rrezikun e anijes ne duart e te dehurve, prandaj kerkon nje njeri jo te dehur ne krye te PS. E keta, luajne edhe karten e nje propagande ende ekzistuese, se PS-ja eshte parti njerezish te ndershem idealiste, qe nuk mund te lejojne te degradoje ne klientelizmin me te paskrupullt, sikurse do te ndodhe me zhvillimin e modelit Rama nga niveli lokal ne nivel kombetar, ku trojet e ndertimit, ne rast te marrjes se pushtetit, do te jene vetem njeri nga mjetet e shumta te korruptimit te anetareve te partise, e kthimit te ndergjegjeve te tyre, thjesht ne mall qe blihet e shitet.

    Mirepo, nga sa duken bathet, megjithe deshiren e mire te ndonje pakice, te mendosh se nje njeri i paster mund te zgjidhet per t'u bere kapua i nje bande, eshte po aq absurde, sa te mendosh se ne krye te nje kopeje uqerish, mund te vihet nje qengj.

    Ne keto kushte, fitorja e Edi Rames duket rezultati me llogjik i zhvillimeve ne PS. Tenxherja e Paritise Socialiste do te kete kapakun qe i shkon.

    Ne kete histori te dehurish ose gjysme te dehurish deri tani, nga sa shoh, nuk eshte futur ne llogari vetem nje faktor: hanxhiu i hanit, ku ata kane pire e jane dehur deri tani, duke vjedhur e duke u shitur per te ndershem, ka ndryshuar, madje eshte bash armiku i tyre me i eger, Sali Berisha.

  2. #2

    Për: Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Ruçi kryetar i Grupit të PS pa rivalë, emrat e kandidatëve për drejtuesit në Kuvend

    Emri:  gramoz-ruci-300x214.jpg

Shikime: 179

Madhësia:  19.6 KB

    Argument, Flash e Premte, 6 Shtator, 2013 | 09:09 am

    Mblidhet sot Kryesia e PS dhe Grupi i deputetëve për ndarjen e detyrave parlamentare të maxhorancës së re.

    Arta Dade e Vangjel Dule, kandidatë për nënkryetarë të Kuvendit.

    Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thirrur sot mble-dhjen e Kryesisë socialiste dhe mble-dhjen e parë të Gru-pit Parlamentar.
    Qëllimi i këtyre dy mble-dhjeve është zgjedhja e kryetarit të Grupit Parlamentar, Kryesisë së grupit, por edhe miratimin e kryetarëve të komisioneve parlamentare që vetë Rama do të propozojë. Mësohet se Gramoz Ruçi do të jetë sërish propozim i Edi Ramës për kryetar të Grupit Parlamentar socialist dhe se ai do të marrë konsensusin e kryesisë dhe grupit. Nuk dihet nëse do të ketë propozime për emra të tjerë gjatë mbledhjes së Grupit, por mësohet se Kryesia socialiste e ka pranuar me konsensus emrin e Ruçit për të drejtuar sërish Grupin Parlamentar. Mbledhja e Kryesisë socialiste pritet të përcaktojë dhe dy emrat që do të zënë postin e nënkryetarit të Kuvendit. Mësohet se një post i është lënë njërit prej aleatëve të PS që mori dhe një mandat deputeti, PBDNJ-së. Vangjel Dule do t’i propozohet Kryesisë së PS dhe Grupit Parlamentar për nënkryetar i Kuvendit, edhe si pjesë e marrëveshjes parazgjedhore të PS me aleatët. Ndërsa posti tjetër i nënkryetarit të Kuvendit pritet t’i jepet Arta Dades, deputetes me përvojë të Partisë Socialiste dhe të Kuvendit të Shqipërisë.
    Gjithashtu mbledhja e Grupit Parlamentar do të zgjedhë dhe Kryesinë e tij, nënkryetarët dhe sekretarin. Mësohet se do të respektohet rregulli që ata deputetë që do të jenë kryetarë të komisioneve parlamentare, nuk do të kenë poste drejtuese në Grupin Parlamentar. Nuk dihet se cilat do të jenë kandidaturat që do të propozojë Edi Rama për kryesinë e Grupit Parlamentar.
    Komisionet
    Deputetët socialistë pritet gjatë mbledhjes së sotme të diskutojnë dhe të përcaktojnë dhe emrat e drejtuesve të komisioneve të përhershme parlamentare. Mësohet se komisionet kryesore parlamentare t’i drejtojnë deputetë të PS-së. Komisioni i Ligjeve, i Jashtëm, i Sigurisë dhe ai i Sigurisë të drejtohen nga Partia Socialiste. Burime pranë PS pohojnë se LSI do të ketë një komision, atë të Veprimtarisë Prodhuese, ndërsa Partisë Demokratike do t’i lihet të drejtojë tri komisione parlamentare, Komisionin e Edukimit dhe Medias, Komisionin e Integrimit dhe Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kryesia socialiste pritet të propozojë Fatmir Xhafën ose Vasilika Hysin për të drejtuar Komisionin e Ligjeve, Anastas Angjelin ose Erjon Braçen për Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Pandeli Majkon për Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Valentina Leskajn për Komisionin e Jashtëm parlamentar. Mbledhja e sotme do të jetë e para ku Grupi Parlamentar do të vihet në provën e vërtetë, ku pritet të dalin edhe rezervat që mund të kenë deputetët, kryesisht ata që janë cilësuar senatorë të PS me disa mandate parlamentare dhe qeverisëse, pas bërjes publike të emrave të ministrave të rinj të kabinetit Rama.

    Emrat e kandidateve
    Partia Socialiste
    Komisioni i Ligjeve, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi
    Komisioni i Jashtëm, Valentina Leskaj
    Komisioni i Sigurisë, Pandeli Majko
    Komisioni i Ekonomisë, Anastas Angjeli, Erjon Braçe

    http://www.panorama.com.al/2013/09/06/ruci-kryetar-i-grupit-te-ps-pa-rivale-emrat-e-kandidateve-per-drejtuesit-ne-kuvend/

  3. #3

    Për: Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Gramoz Ruçit nuk ka kush t’i shkruajë

    Opinion e Martë, 28 Maj, 2013 | 12:21 pm

    ROLAND QAFOKU

    Në këto 23 vite të politikës shqiptare ka një personazh konstant, me autoritet dhe që ka krijuar një staturë të papërsëritshme jo vetëm në partinë e vet, edhe pse nuk është kreu i partisë. Ky është 61-vjeçari Gramoz Ruçi. Vërtet Partia Socialiste është e para parti e madhe që ka ndërruar kryetarin, por Ruçi, si një nga themeluesit e saj, ka ditur që jo thjesht të vegjetojë dhe të ngrohë kolltukun në atë parti, por të krijojë një figurë që të ketë ndikim të padiskutueshëm në çdo vendimmarrje në gjithë historinë e kësaj partie. Nëse bëjmë një llogari, Fatos Nano e drejtoi Partinë Socialiste për 13 vjet, realisht 9 vjet, sepse 4 prej tyre ka qenë në burg. Ndërsa Edi Rama ka 8 vjet që e drejton PS. Ndërkohë, për të treguar se sa kohë ka Ruçi në krye të PS, duhet e mbledhësh kohën që ka drejtuar kryetari Fatos Nano, plus kohën që ka drejtuar kryetari Edi Rama së bashku. Akoma më tej, ndërsa thamë se historia e PS është me 13 vjet kryetar Nanon dhe 8 vjet Ramën, për Gramoz Ruçin ajo është një histori lineare e shtrirë në kohë që nga dita e themelimit e deri më sot, në të njëjtin post, në të njëjtin pozicion, në të njëjtën rëndësi dhe autoritet. I dyti i përhershëm, Gramoz Ruçi, ka prishur çdo rregull në PS, por edhe te kundërshtarët legjendarë të kësaj force, PD, duke vendosur kështu një rekord që prej 23 vitesh qëndron statik në të njëjtin pozicion. Nuk ka në PD një analog si Ruçi. As Jozefina Topalli, as i rikthyeri Eduard Selami nuk arritën dhe arrijnë dot të kenë atë ndikim, atë pushtet politik brenda partisë së tyre, sado të jenë të dytët në radhë në parti e sado të jenë rritur politikisht apo të kenë mbështetës. Mirëpo duket se pikërisht në këtë moment roli i Ruçit ka nisur të mos jetë më ai që ka qenë, të zvogëlohet, të arrijë deri në atë pikë sa dikush të pyesë: Ku është Ruçi, përse nuk flet? Dhe duket se këtu nis thelbi i asaj që duam të nxjerrim sot si konkluzion. Është i padiskutueshëm roli i Ruçit në epokën “Rama”, por njëkohësisht, nëse vihet re me kujdes së fundmi ka nisur edhe një zbehje e rolit të tij, si të ishte një vrasje politike e ngadaltë që Edi Rama e ka bërë me shumë mjeshtëri, çuditërisht një cilësi që realisht Rama nuk e ka shumë të spikatur. Përse ka ardhur kjo? T’i marrim me radhë: Gramoz Ruçi nuk foli kur PS humbi zgjedhjet në vitin 2005. Nuk tha kush ishte fajtori dhe përgjegjësi dhe nëse vetë a kishte përgjegjësi. Gramoz Ruçi nuk foli kur gjithçka dhe çdo gjë për humbjen e PS në zgjedhjet e vitit 2005 iu atashua Fatos Nanos. Natyrisht, kryetari i partisë merr çdo përgjegjësi në një disfatë, por a duhet të ishte kjo përgjegjësi ekskluzive vetëm e Nanos, kur pjesë e vendimmarrjes dhe asaj të rëndësishme ishte edhe Gramoz Ruçi? Kulmi i këtyre ishte kur pyetjeve të gazetarëve për Fatos Nanon, Edi Rama u përgjigjej me një pyetje: “Kush është ky Fatos Nano?”. Gramoz Ruçi nuk foli as kur Rama u kërkoi të falur socialistëve për ato që ishin bërë dikur. Të falur mund të kërkonte Fatos Nano dhe vetë Gramoz Ruçi, por jo Edi Rama. Në gjithë 8-vjeçarin që PS qeverisi vendin, Rama është përpjekur ta fshijë nga memoria. Por a duhet të hidhet poshtë ajo vështirësi që pati PS në ato vite, kur në ’97-n e mori vendin të djegur dhe qëllimi kryesor nuk ishte të rriste cilësinë e jetesës, por të ndërtonte komisariate, të siguronte rendin e qetësinë, dhe gjithçka ishte si të ringrinte një shtet që nuk ekzistonte, si në kohën e Ismail Qemalit? Por edhe sot e kësaj dite Edi Rama kurrë me gojën e vet nuk ka thënë një fjalë të mirë vlerësuese për ata ministra, qeveritarë qendrorë dhe lokalë që punuan deri me jetë që Shqipëria të bëhej, një shprehje e dhimbshme që ne e përdornim shpesh në atë kohë. A nuk duhet të fliste Gramoz Ruçi? Besojmë po, por ai nuk foli. Gramoz Ruçi nuk foli as kur në Kongresin zgjedhor të 2005-s u bë ajo që u bë me Presidentin Meidani, një figurë që edhe sot nuk ka marrë nga PS atë që meriton. Herë i larguar dhe i harruar nga PS dhe kur u duhet befas e shohim në tribuna duke dhënë këshilla të tipit: Hajde largojmë Berishën, pastaj flasim se ç’do bëjmë! Gramoz Ruçi nuk foli as kur tri zonja socialiste po aq në shpirt sa Ruçi, si Majlinda Keta, Saemira Pino dhe Edlira Haxhimeri u larguan nga detyrat që mbanin në PS vetëm e vetëm se kundërshtuan kryetarin. Gramoz Ruçi nuk foli kur pesë deputetë të PS iniciuan dhe krijuan “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe”. Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Arben Malaj u quajtën tradhtarë pse dhe vetëm pse kërkuan të zbatohej statuti i partisë: Kryetari largohet kur humbet. Por Gramoz Ruçi nuk foli dhe Rama u rizgjodh ashtu si u rizgjodh kryetar për herë të dytë. Të gjithë e dimë se ai u rizgjodh edhe me bekimin e Gramoz Ruçit. Ruçi nuk reagoi, nuk foli, nuk kritikoi askënd, domethënë kryetarin Rama, kur u përjashtua Kastriot Islami. Nuk bëhej fjalë për një njeri dokudo në parti, por një bashkëthemelues të PS, kontribues dhe më shumë se kaq, një bashkëvuajtës nga “Era” e parë e Berishës. Ndërsa Islami në aneksin e stadiumit “Dinamo” thërriste se do t’u tërheqim si kafka zvarrë, nuk e kishte këtë shpërthim për dikë tjetër, por për atë që po vuanin njerëzit e PS dhe bashkë me ta edhe Gramoz Ruçi. Por Ruçi nuk foli. Ruçi nuk foli as kur Andis Harasani u largua “për një punë” nga PS. Të gjithë e dimë, dhe këtë e di edhe bufi, që Harasani iku se e kuptoi se nuk do ishte në listë dhe me aksiomën “më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund”, iku. Ruçi nuk foli as kur Ermelinda Meksit PS i gjeti një punë në Bankën e Shqipërisë. A ishte më e vlefshme në Bordin e Bankës zonja Meksi se sa në strukturat e PS? Dhe erdhëm te hartimi i listave për kandidatë. Nuk janë në të as Ethem Ruka e as Marko Bello. As Ilir Gjoni e as Alfred Dalipi, deri te emri më simbolik i PS, Arben Malaj. Përsëri Gramoz Ruçi nuk foli e nuk po flet. Çudia është se i vetmi bashkëluftëtar i orëve të para dhe afërsisht bashkëmoshatar me atë në PS, Gramoz Ruçi ka vetëm një: ai është Namik Dokle. Nëse përmendim një film të Hollivudit, këta nuk janë një, por “dy të fundit të Mohikanëve” në PS. Ndoshta një ditë, kur edhe këta të mos jenë në PS, do ta kujtojnë me vete këtë histori. Është një histori reale e PS që nis me kryetarin e saj Fatos Nano e vijon me kryetarin aktual Edi Rama. Por që ka një të dytë të përhershëm: quhet Gramoz Ruçi. Por që aktualisht, çuditërisht me të gjitha këto që ndodhën, nuk ka kush t’i shkruajë……

    http://www.panorama.com.al/2013/05/28/gramoz-rucit-nuk-ka-kush-ti-shkruaje/

  4. #4

    Për: Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Ruçi drejton Asamblenë e re

    Gramoz Ruçi rimori dje kreun e Asamblesë Kombëtare, ish-Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, forum të cilin ai e drejtoi derisa në krye të PS-së erdhi Edi Rama në vitin 2005. Ruçi ka marrë 138 vota nga 141 anëtarë të Asamblesë që votuan. Kryetari Edi Rama e cilësoi Ruçin si një figurë të vjetër që jep shembullin më të mirë se si bëhen politika të reja. Ruçi ishte propozim i vetë kreut të PS-së, ndërkohë që ai i kishte kërkuar Ramës që nëse do të kishte kandidaturë alternative, mjafton që ai të vetëpropozohej ose të propozohej në sallë pa qenë nevoja të mblidheshin firma. Po kështu, Ruçi kërkoi që të kishte votim të fshehtë.

    Darina Tanushi, Gazeta Shqiptare

    http://www.albeu.com/shqiperi/edi-ra...os-nanon/2051/

  5. #5

    Për: Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Shqipëri: Socialistët në amulli, pas rrëzimit të paketës së ndryshimeve dhe dorëheqjes së Gramoz Ruçit

    09 tetor 2005 /TN

    Zëri i Amerikës (08.10.2005) Ilirian Agolli

    Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi të shtunën në mbrëmje dorëheqjen nga posti i dytë më i rëndësishëm i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, në reagim të menjëhershëm ndaj rrëzimit me votim nga Kongresi të paketës së ndryshimeve statutore të propozuar nga Edi Rama, në qendër të të cilave qëndronte parimi “Një anëtar – një votë”.

    Dorëheqja e zotit Ruçi merr një rëndësi të veçantë në këto çaste sepse ai kryente përkohësisht funksionet e drejtuesit kryesor të partisë pas dorëheqjes në gusht të ish-kryetarit Fatos Nano. Ai deklaroi në fjalën e tij të shkurtër pak çaste pas njoftimit të komisionit kongresual të votimit për ndryshimet statutore, se “me këtë votim delegatët nuk kishin nxjerrë asnjë fitues, por vetëm kishin zgjatur më tej agoninë e Partisë Socialiste”.

    Ai theksoi se kongresi i jashtëzakonshëm, si forumi më i lartë drejtues i partisë, aktualisht i mbledhur, duhet të zgjedhë në seancën e nesërme një kryetar dhe një sekretar të ri të përgjithshëm.

    Delegatët e kongresit të jashtëzakonshëm të PS rrëzuan me 242 vota pro, 196 pro dhe 9 abstenime ndryshimet në statut të propozuara nga kandidati për kryetar i PS, Edi Rama. Këto ndryshime synuan përfshirjen në statut të parimit “një anëtar, një votë” për t’i hapur rrugën praktikës së zgjedhjes së drejtuesve të rinj të partisë drejtpërsëdrejti nga votimet e anëtarëve.

    Diferenca e ngushtë e votave pro dhe kundër këtyre amendamenteve, tregoi, sipas analistëve politikë, mëdyshjen e delegatëve të kongresit nëse duhet të mbështetnin qëndrimet e ish-kryetarit Fatos Nano, apo ato të zotit Edi Rama.

    Delegatët e këtij kongresi janë po ato delegatë që disa vjet më parë në kongresin e mëparshëm rizgjodhën Fatos Nanon, për të disatën herë kryetar të PS. Për shumë komentatorë të shtypit, grupi i përkrahësve të kryebashkiakut Edi Rama nga pikëpanmja mediatike dukej më i fortë dhe për shumë ditë u krijua përshtypja se ai tashmë kishte siguruar një mbështetje të gjerë për të ndryshuar statutin e partisë si dhe për të kandiduar për postin e kryetarit.

    Por kundërshtarët e Edi Ramës brenda PS vërtet nuk kanë qenë aktivë me shpalosjen e pikëpamjeve të tyre në publik, dhe nga ana tjetër, e kishin lënë ta bënin zgjidhjen e tyre në kutinë e votimit.

    Votimi i fshehtë vazhdoi për afro 3 orë, dhe procedura e votimit ishte transparente me praninë e shumë telekamerave dhe vëzhgimit të ethshëm të të gjithë delegatëve të pranishëm. Tani e tutje kongresi i Partisë Socialiste do të duhet ta zgjedhë kryetarin e ri sipas procedurave të njohura të mëparshme, pra nga votat e vetë delegatëve të kongresit.

    Rrëzimi i të mbiquajturës “paketa Rama” mund të vërë në dyshim këmbënguljen e tij për të vazhduar rrugën e kandidimit për kryetar të PS, dhe nga ana tjetër mund t’i hapë rrugën e kandidimit për këtë post edhe emrave të tjerë në PS.

  6. #6

    Për: Çfarë i bashkon dyshen Edi Rama-Gramoz Ruçi?

    Bastet e Ruçit dhe Metës

    Nga EDUARD ZALOSHNJA

    Postuar më: 18 Prill, 2013 tek Analiza

    Kur u kërkoi socialistëve që ta zgjidhnin në krye të tyre, Edi Rama bëri dy premtime të mëdha. Së pari, premtoi se do t’i jepte fund përçarjes së të majtës, që e kishte çuar në opozitë, dhe së dyti, premtoi se do ta risillte atë në pushtet pas 4 vjetësh – përndryshe, do të jepte dorëheqjen. Por socialistët e Kongresit të PS-së të shtatorit 2005 nuk ia dhanë votën platformës së Ramës. Ish-rebeli antikomunist dhe antikonformist mori më pak se gjysmën e votave të “kongresmenëve” socialistë.

    Dhe në atë moment, në lojë u fut Gramoz Ruçi, njeriu që në të gjitha betejat e brendëshme të PS-së, kishte treguar deri atëherë se kishte qenë faktori përcaktues për ta anuar balancën e pushtetit brenda partisë në favor të konkurenit që ai kishte përkrahur. Gjatë mbrëmjes dhe natës pas dështimit në Kongres të platformës Rama, Ruçi loboi fort për Ramën dhe arriti t’ua kthejë mendjen një pjese të mirë të “kongresmenëve” socialistë.

    Dhe për këtë, Ruçi pagoi një çmim të madh politik: E konsideroi si një dështim personal rënien e platformës Rama, të cilën e kishte prezantuar në kongres në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së së mbetur pa kryetar. Dhe ai dha dorëheqjen nga posti i vet, ndërkohë që Rama u zgjodh kryetar, me garancinë e dhënë nga Ruçi se ky bast i guximshëm i tij do të inkasohej pas 4 vjetësh.


    http://gazetadita.al/bastet-e-rucit-dhe-metes/

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •