Kërkohet zemra e Sulejmanit të Madhërishëm

3 Shtator 2013 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip

Këtë muaj, një skuadër ekspertësh hungarezë do të publikojnë një raport mbi vendndodhjen e mundshme të zemrës së një prej sulltanëve më të famshëm të Perandorisë Osmane. Por pse është bërë kaq e rëndësishme zgjidhja e kësaj gjëegjëze historike?

Arkeologjia

Nick Thorpe, BBC

Sulejmani i Madherishem (1)

Sulejmani i Madherishem (2)

Sulejmani i Madherishem (3)

Sulejmani i Madherishem (4)


Shtetari francez, kardinali Richelieu, e përshkroi atë si “beteja që shpëtoi qytetërimin” – regjimi i kështjellës hungareze të Sziget, 447 vjet më parë.

Turqit myslimanë, më në fund, e pushtuan qytetin në shtator 1566, por përballuan humbje të mëdha, përfshirë edhe vdekjen e udhëheqësit të tyre, Sulltanit Sulejmani i Madhërishëm. Humbjet qenë aq të mëdha sa ata nuk e kërcënuan më Vjenën për 120 vitet që vijuan.

Tashmë kërkuesit po gërmojnë në dhé dhe nëpër arkiva për zemrën e sulltanit të mirë.

“Kur hungarezët ecin nëpër oborret e kështjellës në Szigetvar, ata imagjinojnë se po ecin përmes një kështjelle hungareze. Por natyrisht, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Norbert Pap, profesor i gjeografisë në Universitetin e Pecs, ndërsa ne vërdallisemi nëpër rrënojat mrekullisht të restauruara prej tulle.

Ai buzëqesh. “Kjo në fakt është një kështjellë turke. Ajo hungareze u shkatërrua gjatë rrethimit të vitit 1566”. Njësoj si kodrat e njëpasnjëshme të rajonit Zselic, secila pjesë e historisë fsheh tjetrën sa i përket rrethimit dhe ngjarjeve të pasuan. Secila zëvendëson një variant tjetër të ngjarjeve.

Në sipërfaqe, legjenda është e lehtë të ndiqet. Sulejmani i Madhërishëm mbërriti këtu me gati 100 mijë forca osmane në gusht 1566.

Kështjella ishte në rrugën e tij drejt Vjenës, qytet që ai kishte besim se do ta pushtonte dhe kështu do t’i hapte rrugën vetes për copa të mëdha të Europës Perëndimore.

Ajri u trondit nga goditja e daulleve të mëdha të luftës – të cilat prodhoheshin në atë kohë, – si edhe sot, – në qytetin e bukur të Edirnesë. Unë një herë bleva një të tillë për djalin tim.

Por Miklos Zrinyi, komandanti i kështjellës dhe garnizoni i tij prej vetëm 2,300 burrash luftuan me aq trimëri saqë turqit u detyruan të ndalonin.

Zrinyi vdiq në sulmin final nga djegia e kështjellës. Sulejmani vdiq në tendën e tij – disa burime thonë nga surpriza e fitores së tij si e Pirros. Në fund të fundit, ai ishte 72 vjeç dhe pati luftuar hungarezët për mbi 40 vjet.

Trupi i tij u dërgua në Kostandinopojë, por zemra e tij u varros këtu, në një varr, i cili më vonë u bë një Kishë Katolike, dedikuar Virgjëreshës Mari, ose kështu lexohet në shënimin mbi Kishën Turbeki në lindje të qytetit.

Por kjo është vetëm një përrallë, thotë profesor Pap. Pllaka me shënimin u vendos aty më 1916 nga një prift vendës, për arsye politike. Në atë kohë, Hungaria – apo Perandoria e Austro-Hungarisë – ishte një aleat i Turqisë Otomane, dy perandori të lashta që po rrëzoheshin nga shkatërrimet, balta dhe gjakderdhja e Luftës së Parë Botërore dhe ato kishin nevojë për simbole të miqësive të lashta.

Tashmë profesor Pap ka marrë detyrën për gjetjen e vendit të vërtetë të varrosjes së zemrës së Sulejmanit, gjithashtu për arsye politike. Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Turqisë po përjetojnë rigjallërim të madh.

Dy kryeministrat po shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Numri i turistëve turq që vizitojnë Hungarinë u rrit me 45 për qind vitin e fundit.

Por ka vetëm 500 shtretër për turistët në këtë qytet të përgjumur, ku dhjetëra mijë vetë dikur fjetën nëpër çadra, duke dëgjuar gjinkallat natën dhe duke u përgatitur për betejë.

Në lojë është ndërtimi i një apo dy hoteleve me pesë yje, si dhe restaurimi i mëtejshëm i kështjellës e një numri monumentesh të epokës osmane. Por çdo gjë varet nga gjetja e vendit të prehjes së zemrës së Sulltanit të Madhërishëm.

Ka shumë harta. Një e tillë, e bërë më 1689, shënon vendin e supozimit të varrosjes. Të tjera që gjenden në arkivin e luftës në Vjenë, u përgatitën për trupat e Habsburgëve që rimorën qytetin më 1680.

Ka më shumë informacion nëpër arkivat e Vatikanit, Venecias, Budapestit dhe Stambollit.

Profesori Pap dhe skuadra e tij e kërkuesve janë duke parë gjithandej. Rezultatet e kërkimit të tyre do të bëhen publike më 20 shtator.

Leja është dhënë për një gërmim arkeologjik – në një vend ku profesor Pap nuk ma tregon.

“Kjo nuk është thjesht për zemrën e Sulejmanit, por për rindërtimin e çdo shtrese të historisë dhe gjeografisë të 400 viteve të fundit – ne sakaq kemi zbuluar shumë gjëra”, thotë ai i bezdisur.

Hartat janë keqinformuese. Kur Habsburgët pushtuan kështjellën më 1689, trupat e parregullta serbe përzunë myslimanët që kishin mbetur. Katolikë gjermanë u vendosën këtu në shekullin e 18.

Edhe panorama ka ndryshuar, Një Epokë Akulli e vogël përkoi me pushtimin osman, shpjegon profesor Pap. Ajo që sot është një vijë uji e quajtur Almasi, në atë kohë ishte një lumë i rrëmbyer. Sziget do të thotë “ishull” në Hungarisht, një pjesë e ngritur në kënetat e krijuara nga përmbytjet e lumit.

Aty pranë në parkun e miqësisë hungarezo-turke, është edhe vendi ku ushtria e Sulejmanit ngriti kampin. Aty ka gjithashtu edhe një varr për Sulejmanin, me lule të freskëta të vendosura mbi të – “është thjeshtë simbolik”, thotë profesor Pap. Aty pranë gjendet edhe një varrezë e epokës së bronzit, të cilën gjenerata të tëra të banorëve vendës e quanin gabimisht, “varreza e turqve”.

Kryebashkiaku Janos Kolovics, me krenari thotë se rrënjët e tij familjare janë nga Bosnja e epokës turke. Ai hap laptopin e vet për të treguar krijimin e një artisti të një qendre të re vizitorësh, që duhet të ndërtohet me beton pranë xhamisë së qytetit.

Është një dizenjo hungareze dhe turqit nuk e pëlqejnë fare atë, thotë ai me trishtim.

Me profesorin Pap, unë bie në gjunjë te xhamia për të ekzaminuar shënimet e dervishëve mbi suva – imazhe kaligrafike të fytyrës së Zotit, të pakëndshme në sytë e islamit kryesor.

Diku poshtë këmbëve tona, nën tokën e thatë hungareze, zemra e Sulejmanit rreth më shpejt.



Kush ishte ai?

Sulltani Sulejman i Parë lindi më 1494, vdiq më 1566.

Njihet në Perëndim si I Madhërishmi, ndërsa osmanllinjtë e njohën si Ligjvënësi, për shkak të kodit të ligjeve që ai hartoi dhe që jetuan për qindra vjet.

Ai sundoi Perandorinë Osmane kur ajo ishte më e fuqishme ushtarakisht, më e pasur dhe me më shumë ndikim kulturor.

Kur ai vdiq, perandoria zgjatej nga Afrika e Veriut në kufijtë e Persisë, nga Arabia deri në Hungarinë e ditëve tona.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...e-madherishem/