A do të jetë Durrana si “Komuna e Parisit”?
Alfred-Lela
Një të vërtetë e ka në deklamimin e djeshëm, brenda tablosë së konferencës “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, të kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama. Po, Shqipëria ka një territor me konture të një gjendjeje të jashtëzakonshme urbane. Asimetria është bërtitëse; hapësira publike është ngushtuar; privatja është mbivendosur sa me privaten tjetër, e sa me publike; estetika ia ka lënë vendin kitsch-it; dhe kitsch-i është bërë modë.
Por, kjo e vërtetë e parë e Edi Ramës, nuk mohon një të vërtetë të dytë. Disa prej të ftuarve, arkitektë a çfarëdo, kanë paraqitur dje disa ide, të cilat vetë kryeministri i ardhshëm do t’i ketë menduar si bizare. Një bizare mbivendosur kitsch-it është një shëmtim edhe më i madh. Të tilla ishin, për shembull, propozimet që Piramida të jetë njëfarë rrëshqanthi kolosal dhe ish-vila e Enver Hoxhës të kthehej në njëfarë shtëpie vizitorësh për fellowships apo programe shkëmbimesh kulturore. Siç ndodh shpesh, që simbolika vjen e para apo e paraqet veprimin a aktin, edhe kësaj here ka çelur gonxhja e emrit të asaj që pritet të bëhet realitet, një hapësirë e përbashkuar e Durrësit e Tiranës, që është mbiquajtur Durrana. Njëfarë zemre e madhe ekonomike, industriale, turistike dhe urbane në qendër të Shqipërisë, një megaqytet ku jeton e punon më shumë se gjysma e popullsisë. Një simbolikë që kërkon të sendërtohet.
Ndërkohë që Durrana është diçka që pritet të ndodhë, Komuna e Parisit, një lagje në lindje të Tiranës është diccka që ka ndodhur. “Komuna” është, në njëfarë mënyre, akti i shndërruar në simbol, që i paraprin Durranës, ende në fazë simbolike. Edi Ramën mund ta gjykojmë për të parën, “Komunën e Parisit”, por nuk mund ta paragjykojmë për të dytën, Durranën. “Komuna”, para se të bëhej çka është sot, një grumbull pallatesh e ndërtesash të tjera që shtyjnë njëra-tjetrën si shqiptarët dikur në autobusët urbanë, ka qenë një zonë periferike e pabanuar, një lloj kordoni sigurie mes kryeqytetit dhe fshatit përbri. Edi Rama ka hyrë në historinë e politikës së tranzicionit si kryebashkiaku që pastroi Lanën dhe leu me ngjyrashumë grinë e skëterrshme të pallateve të Tiranës, por një vend në këtë doracak i duhet lënë edhe “kryeveprës” së tij: “Komunës së Parisit”. Është një lagje e ngritur nën orën e tij si kryetar bashkie dhe kryesisht gjatë qeverisjes 8-vjeçare të socialistëve. Për këtë, ndoshta i shkon për shtat emri revolucionar “Komuna e Parisit”, si edhe etiketimi informal Stalingrad, ku futet edhe ish-Blloku, për të shenjuar kështu një zonë që voton dërrmueshëm majtas. Në terma të tjerë, “Komuna” është një makth urban. Dhe kjo është e vërteta e tretë e Edi Ramës.
E vërteta e katërt është se, megjithë gjendjen e jashtëzakonshme të territorit, potpuria e masterplaneve dhe folklori i disa propozimeve krijojnë një tjetër gjendje të jashtëzakonshme, e cila lind sa herë spektakli i paraprin apo zëvendëson platformën. Sepse Shqipëria është duke e kërkuar momentin estetik, pikërisht se nuk e ka një të tillë. Shqipëria nuk e ka luksin e kërkesave, ta zëmë të Monakos, ku një ngrehinë në qendër mund të bëhet rrëshqanore publike apo vila e Mbretit të jetë një fellowship house.
Shumë më thjesht se kaq, kërkohet evidentim i ndërtimeve pa leje në bregdet e tjetërkund dhe shembje e tyre; një shqyrtim i ndërtimeve me leje në abuzim të kësaj të drejte, apo që ndërhyjnë në trashëgimi kulturore, ekologji etj., shembje dhe kompensim i pronarëve ose rialokim i tyre. Hapat e tjerë, me vend e me radhë. Pas kësaj spektakli dhe ekzigjencat. Përndryshe Durrana do të paragjykohet si një tjetër “Komunë Parisi”.
http://mapo.al/2013/08/27/a-do-te-je...una-e-parisit/
Krijoni Kontakt