-
Safet Sokoli, këngëtorja e heshtur e Zanafillës
2009,shtypi ditor
Më 15 Janar të vitit 1926 në një familje patriote shkodrane u lind sopranoja Safet Sokoli. Ndërsa ishte fare e vogël nisi të këndonte e kërcente para njerëzve dhe të afërmve të shtëpisë. Talentin për muzikë e shfaqi që në moshë të re. Thuhej se zërin e kish pushkë dhe shpesh përpiqej të nxirrte ndonjë akute të cilën as ajo vetë nuk ish koshiente sa lart ish ngjitur në këngëtim.
Ish ende pa mbushur 15 vjeç kur e aktivizuan për të marrë pjesë në një shfaqje që organizohej me rastin e mbarimit të vitit shkollor dhe vizitës që do të kryente në atë shkollë ministri i arsimit i asaj periudhe, shkëlqesia e tij z. Ernest Koliqi. Pas shfaqjes së saj të shkëlqyer, ministri e thirri dhe e pyeti nëse donte të vazhdonte studimet për artin vokal në Itali. Ishte 11 qershori i vitit 1941. Safeti e pranoi këtë ofertë dhe për disa kohë jetoi me këtë ëndërr të bukur, por për arsye objektive ajo nuk iu realizua kurrë. Kur mbaroi maturën bota digjej në luftë dhe ishte e pamundur të shkonte atje. Një rol vendimtar në formësimin e saj si këngëtare luajti i vëllai Ramadan Sokoli. Ai i fliste vazhdimisht për muzikën në përgjithësi dhe për kanton në veçanti duke e mësuar gjithnjë për kujdesin që duhej të tregonte ndaj kordave vokale për t’i ruajtur nga çdo dëmtim i mundshëm apo ndonjë përdorim pa kriter. I mësoi krijimet e tij të para në këngë, i mësoi akordet e para në kitarë dhe pak solfezh. Po të shfletosh shtypin e viteve 40-të gjindesh përballë jehonës që bënin ato shfaqje të organizuara bukur e me mjeshtëri, dhe ku zëri i saj melodioz spikaste. Ndonëse në moshë të re, Safeti u thirr në Tiranë për të marrë pjesë në themelimin e Korit të Shtetit ku qëndroi afro 3 vjet. E larguan në fundin e viteve ‘50-të për arsye të famëkeqes “luftë e klasave”. Nisi për familjen e saj dhe vetë atë një serial horror mundimesh fizike e psikologjike, me burgje e internime e mjaft të tjera, të cilat e shoqëruan gjatë tërë jetës deri në ditën që ajo vdiq. Ja prenë ëndrrat edhe pse ishte një bilbil i sapolindur, ngase ishte pinjolle e një prej familjeve më të njohura në Shkodër e simbas mentalitetit të diktaturës nuk duhej të kishte flatra për të fluturuar.
Për fat të mirë ekzistojnë pak inçizime të ruajtura nga Instituti i Folklorit dhe familja, të bëra në kohën kur punonte në bujqësi, në fushat e Oblikës, e detyruar nga regjimi komunist, sa për të mbajtur frymën. Zotëronte një zë qiellor, të butë, të kadifenjtë dhe teknikisht shumë të përpunuar (ndonëse qe amatore se nuk mundi të studiojë për kanto). Në harkun e viteve ‘54-‘55 një ekip studiuesish nga Gjermania me në krye prof. Shtujc, ndërsa kryenin një ekspeditë për folkun në mbarë Shqipërinë, kërkuan të inçizonin prej saj disa këngë, ninulla, elegji baritore dhe degëzime të tjera të muzikës popullore. Ajo në këtë periudhë pati probleme të rënda si ekonomiko- familjare ashtu edhe politike. Megjithatë pranoi t’i bënte këto regjistrime. Kur e regjistruan mbetën të mahnitur nga zëri dhe talenti i saj. Pasi mbaruan aktin shenjues të regjistrimit e pyetën se çfarë planesh artistike kishte për të ardhmen (ekipi akademik gjerman nuk e dinte që nuk ish një profesioniste dhe që jetonte duke punuar në bujqësi në vend që të bënte jetën e bukur të skenës). Po të dëgjosh inçizimet në Fonotekën e Institutit të Folklorit konstaton që zotëronte vokalin e një sopranoje të furishme lirike. Ndonëse autodidakte, zotëronte një teknikë të rrallë të përdorimit të aparatit vokal, që kushdo artist i shkolluar do ta kish lakmi një nivel të tillë. Kish një timbrikë të pastër e të ngrohtë vokale.
Edhe pse shpesh këndonte pa shoqërim ishte shumë e intonuar me një shprehësi fare të kulluar të zanoreve në rezonancë, një hapje e mbyllje fraze me shumë shije. Pra, kishte stofin dhe vetëdijen e një artisteje të rrallë me dhunti natyrale të paimagjinueshme, por me një intuitë të pashembullt artistike. Safet Sokoli u largua dhimbshëm nga kjo botë në Shkodër, shkurtin e vitit 1944.
Nusja e Muzës: Rrëfen Qani Dishnica, nipi i sopranos Safet Sokoli
Muzeu i shpirtit njerëzor ndryshe nga çdo muze ruan të gjalla këngët frymëndalëse të muzave të shuara pa ju dëgjuar nga publiku shqiptar.
Një jare në pllaka gramafoni dëgjohet në sfondin e një bisede me nipin e Safet Sokolit, motrës së prof. Ramadan Sokoli murosur nga dhuna e diktatit që e heshti zërin e saj unikal. Viti 1957 shënon një prej regjistrimeve më të kulmuara të këngëtimit të mbytur të saj. Heroinë e heshtur është për të artistja e panjohur e muzikës shqiptare. Si një kalorës i kaltër nipi shprehet se mam Safeti mbeti si nusjet e Krishtit me një ndryshim; nusja e Muzës. Ajo ka mërmëritur dekadash në këngë, por zërin më të lartë ia ka dëgjuar në rrëfimet e bisedave intime. Ky njeri i rrallë, që rrjedh nga familja më e shquar dhe e dëgjuar e Shkodrës, fisi i Hodo Pashë Sokolit, pashait që hoqi spaletat e Turqisë për të luftuar për pavarësinë e trojeve shqipe, është një ndër pinjollet më të rëndësishëm për nga pasuria e saj artistike. Ajo që në rini fliste rrjedhshëm italisht e anglisht, megjithë fanatizimin e shkollës, kishte pasion hipizmin duke rendur mbi kalë, e qytetëruar prej vatrës familjare ngiste makinën dhe dilte për gjah. Kënga e saj në italisht shoqërohej me të rënit e kitarës. Koha e solli që ajo të shndërrohej edhe në baba e nënë për të nipin pra e pazëvendësueshme në një lidhje familjare tejet speciale.
Kur filluan rrebeshet ndaj familjes Sokoli
Kur meshkujt e familjes ishin nëpër internime, tërë ajo shtëpi e madhe mbeti në hije. Vetëm një person e gjallëroi me natyrën tepër të ndjeshme. Ajo gjente forcë të lexonte edhe mbasi jeta iu transformua. Në kronikën e revistës “Fryma’ (dt.04.04.1944) shkruhet: “Në sallonin e kinoteatrit “Rozafa”, mbahet një koncert instrumental zanuer në dobi të të mjeruarve nga lufta. U paraqitën muzikime poezish të reja shqiptare bamë nga kompozitori ynë i ri, z.Ramadan Sokoli. Veçanërisht të duartrokitura qenë “Ç’u mbush mali” poezi e Lasgushit, e “Turtulleshë”, së cilës kompozitori i ri ka dijtë me i dhanë frymën e njëmendët të kangës sonë popullore. Artistja u thirr vazhdimisht në skenë e iu kërkuan shumë përsëritje”.
Ndërsa, në kronikën tjetër të revistës “Koha” (dt.19.04.1945) shkruhet: “Asht për t’u çmue Safet Sokoli me recitimin (këndimin-O.Xhatufa) e këngës “Turtulleshë” e cila u duartrokit frenetikisht. Safeti ka zë të ëmbël dhe modestia e sentimenti në këngë i japin shije këngës”.
Mbas 1944-ës, kur filluan rrebeshet ndaj familjes Sokoli, ajo i jepte fuqi vetes edhe me zërin e saj duke kënduar. Ka interpretuar shumë muzikë të mirë, por fare pak është ruajtur në fonoarkivin e fisit. Duke patur fatin e bardhë të qëndrojë pranë një gruaje me mjaft energji solare, të lindur e të pasuruar me dije, diti ta ushqejë të nipin me dashuri.
Imagjinoni një njeri aq i pasur në shpirt e cila jetonte vetëm me një qen në atë periudhë të vështirë persekucioni. Mbante një qen me të cilin dialogonte dhe kuptohej që edhe qeni me gjuhën e tij i përgjigjej. Ai arrinte gjer aty në komunikim me të zonjën sa qante kur dëgjonte muzikë dhe zërin e magjishëm të saj. Vërtet ekonomikisht vuante mjerimin e plotë, por shpirtin e kishte jashtëzakonisht të pasur.
Në shtëpinë e tezes Safet Sokoli
Qaniu, i nipi shkonte çdo ditë në verë tek shtëpia e saj dhe ishte i pandashëm me tezen. Punët e shtëpisë përdhese bëheshin me shumë dëshirë, sidomos lyerja me gëlqere e trungjeve të pemëve. Në kopshtin e saj Safeti kishte mbi 11 lloje fiqsh, e të gjitha llojet e frutave. Në darkë bëhej një lloj inspektimi, duke caktuar pema që do vilej. Fëmijët e lagjes i ndihmonte dhe komunikonte me gjithkënd, pra të gjithë e donin si njeri. Mblidheshin fiqtë me kosha të tërë për afro një orë e gjysëm. Kështu shtyhej e motivohej dita për ne fëmijët. Pjesa e frutave që mbetej thahej e bëhej zahire për dimër. Pjesa dërrmuese ia çonin dajës sim Hodos që ndodhej në burg si ushqim për të mbajtur frymën gjallë. Mbasi mbaronte kjo punë teze Safeti qëndronte për tu shlodhur në një shezlong në bahçe. Mbante kapele meksikane mbi krye dhe si sinjal takimi kishim fishkëllimën tonë. Muzikologu Osman Xhatufa, i cili është miku i familjes së Prof. Ramadan Sokoli, në studimet e tij shprehet tejet profesionalisht mbi vlerat e prurjeve në këngën shqipe të Safetit si rast i rrallë e përjashtim në llojin e vet. Ai shprehet se portreti krijues i kësaj zonje bart këto tipare. Ajo rrjedh nga një familje me tradita artdashëse dhe se nga gjiri i Sokolëve kanë dalë tërë ata personalitete si pashai i Shkodrës, prijësi legjendar i lëvizjes antiosmane Hodo Sokoli. Ramadani dhe Safeti si një këngëtare që nuk iu dha mundësia të ishte një soprano e perspektivës megjithë talentin e saj. Talenti dukej që në moshën e mitur si e apasionuar tej mase mbas muzikës dhe vallëzimit. Këndonte e kërcente përpara miqve të shtëpisë. Në një intervistë Ferit Bala ka shkruar për Safetin në një libër të tijin “në lulishten e këngës popullore shkodrane” tregohet me një stil të veçantë për talentin dhe rrugën e mundimshme që ajo ndoqi. Safeti pa mbushur 15 vjeç takohet me Ernest Koliqin, dhe shenjon ditën e shfaqjes si dita e shpresave jetëgjata. Duke qenë se e kish vëllain kompozitor, i cili i fliste për vokalitetin, solfezhin, arriti t’i mësojë akordet e kitarës duke u vënë në prova kompozimi e këndimi. Ata të dy e kishin kthyer shtëpinë në një laborator muzikor dhe i kryenin të tëra pregatitjet para se të korrnin suksesin e pritur në publik.
Safeti krenohej për të vëllanë Ramadanin
Gjithmonë Safeti diftonte me krenari për të vëllanë Ramadanin dhe krijimtarinë e tij. Ferit Bala shkruan se kur e pata pyetur për autorësinë e disa këngëve Safetin ajo i ish përgjigjur se dyshuesit le të rrinin të qetë pasi Ramadani i kish krijuar dhe falur popullit këngët si “Lulja me erë”, “Turtullesha” apo “Blegëro moj dele”. Për këngët e tij flasin shkrimet. Safetin e hoqën nga kori i shtetit për arsye të luftës së klasave. Po në këtë vit prof. Vehbi Bala i shkruante se donte ta njihte personalisht sopranoja rumune Smeralda Toskani në vitin 1966 në verë. Ajo erdhi në Shkodër por nuk e njohu dot se Safeti punonte në ara si kooperativiste. “Lufta e klasave, do të shprehej më vonë prof. Sokoli, arriti të prishë karakterin bujar dhe vetëdijen kombëtare duke gërruer themelin e bashkëjetesës paqësore e duke mbjellë përçarje e armiqësi sidomos në përndjekjet e shumë njerëzve të pafajshëm duke ua këputur flatrat shumë njerëzve të shenjuar me talent nga Zoti”. Edhe me Safetin ky fenomen ndodhi. Sipas dogmave të kohës ajo nuk duhej të kishte zë për të kënduar, e as kulturë për të ecur përpara, sepse u përjashtua nga shkolla në maturë. I vëllai Ramadani ruante në shtëpinë e tij zërin e regjistruar kur punonte fushave të Oblikës dhe disa regjistrime të pakta në Radio Tirana. Ninulla e shquante për muzikalitetin tepër të ëmbël dhe një interpretim shumë dinjitoz e shumë karakteristik e duke i veshur të kënduarit ngjyresat e asaj treve. Megjithëse autodidakte zotëronte një përdorim të aparatit vokal që çdo artist i shkolluar do t’ia kishte zili për një nivel interpretim të tillë. Paraqet vibratot e harmonishme e mjaft interesante në këngëtim me një muzikalitet të natyrshëm, me tërheqje e lëshime të papritura të përdorura me shumë shije e në momentet e përshtatshme të tyre duke prekur përsosmërinë. Artistët bashkohës janë shprehur me vlerësime speciale për personalitetin e Safetit, si p.sh. File Gjeloshi thoshte se të gjitha ato që thuheshin për kolegen e saj ishin vërtetuar sa herë që dëgjonte Radio Tiranën. Në përfytyrimin tim për Safetin kisha parasysh një këngëtare trupmadhe që t’i përgjigjej zërit të saj të fuqishëm, por u zhgënjeva se ajo kishte zë shumë të fortë, por trup të vogël e ishte shumë e re në moshë. “Pavarësisht se nuk jeton, Safeti la në gjallje këngën me ambëlsinë e zanit t’ vet duke hedhur spirancën e bukur të realizimit në amshim, atje ku tash flatron lirisht”, përfundon rrëfimin Qani Dishnica, nipi i sopranos së jashtëzakonshme Safet Sokoli.
Intervistoi: Valdete Antoni
Redaktoi: Andi Bica
-
-
Për: Safet Sokoli, këngëtorja e heshtur e Zanafillës
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt