2011-11-27 në orën 10:11.MD

1. Jeta



Niko Nastas Stillo (Stylos) ka lindur në gjysmën e dytë të shekullit njëzet. Nga e ëma Panajo Çibuqi (mbiemri i vajzërisë) rrjedh direkt nga fisi i Boçarëve, prej fisit të Marko Boçarit. Tradita e Boçarenjëve ruhet ende e gjallë në familjen e tij, ashtu siç ruhen të gjalla të përcjella brez pas brezi, këngët për suljotët. Ndërsa i jati, Anastasi, shqiptari i krishterë i Çamofshatërave mbi Prevezë, që kanë ruajtur shqipen të gjallë në shekuj në atë mjedis, ka përcjellë tek Nikua traditat shqiptare përallat e legjendat e lashta came, folklorin e pasur të trevës së Çamërisë, që vjen si burim i kulluar, i pastër, i ruajtur me xhelozi nga antikiteti iliro-pellazg. Nikua është vëlla i pesë vëllezërve (i madhi ka vdekur tani) dhe i dy motrave të martuara që jetojnë në Athinë.

Nikua është bir i fshatërave të Prevezës, prej nga ka dalë edhe humanisti shqiptar i Rilindjes Europiane, Mihal Artioti (Trivoli), i njohur si në Perëndim, si në Bizant ashtu edhe më në Lindje, në Rusi. Këta fshatra të jugut të thellë shqiptar me gjithë stuhitë e kohëve, ashtu sikurse fshatrat e zonës fqinjë të Fenerit (Frarit), e kanë ruajtur shqipen, dhe greqishtja me gjithë presionet e ndryshme nuk bëri kurrë aty fole. Pikërisht i rritur në këtë mjedis, i kalitur në kudhrën familjare dhe pastaj i ndodhur nën ndikimin e Spiro Muselimit, një intelektual popullor i trevës së Epirit, arkiv i gjallë për suljotët e mbarë trevën e Thesprotisë, u formua dijetari Niko Stillo.

Niko lindi në 18 prill të vitit 1946 në fshatin Ftinë (Aidhonja sot apo emri i vjetër sllav Verbicë) fqinjë me fshatin Kanal fare pranë Prevezës. Ftina në mal dhe Kanali në fushë janë si të thuash “binjakë siamezë“. Mbaroi gjimnazin në Prevezë dhe pastaj doli si emigrant në Perëndim. Veç me një dallim nga emigrantët e tjerë, Niko ishte një emigrant “arsimor”, dhe për këtë nuk zgjodhi Athinën por Italinë. Studioi vetë (duke punuar në ndërkohë) në universitetin e vjetër të Bolonjës për degën statistike ekonomike, për dy vjet e gjysëm.

Për të mos pasur punë me policinë me dokumentet si emigrant, lë studimet përgjysëm dhe shkon në Gjermani. Për tre vjet mbaron Akademinë Pedagogjike në qytetin e Eslingenit pranë Shtutgartit. Ndërkohë që bën jetën e studentit në Universitetin e Esenit, njëkohësisht bën punë të ndryshme për të vetëfinancuar këto studime të tij. Mbaron për katër vjet degën e Ekonomi-Bisnesit me rezultate të shkëlqyera dhe vendoset në qytetin Mylhaim pranë Duizburgut. Jashtë punës vazhdon me korrespondencë për dy vjet një shkollë të lartë për arkitekt i interiereve. Me punën e tij ai arriti të bëhet një mjeshtër i profesionit të vet, i njohur në Gjermani, sidomos për restorantet luksoze, një pjesë e të cilëve ishin në dorë të bashkëvendasve të tij nga Epiri.

Mbi 12 vjet arsimim të lartë, me katër fakultete dhe me një mori gjuhësh që i mësoi në shkollë dhe rrugëve të mërgimit, Niko Stillo në vite u bë një intelektual i kompletuar, ndërsa puna që bënte si arkitekt pas një jete plot sakrifica për t’u arsimuar e çliroi nga privacionet e shtërngimi ekonomik, e bëri të lirë.

Nikua është martuar me një bashkëshoqen e vet gjermane, Andrea, në vitet e studimeve në universitet, që është edhe ajo një punonjëse sociale, tepër humaniste. Nga martesa Nikua ka një djalë me emrin Filip, i cili vazhdon aktualisht shkollën e lartë me rezultate shumë të mira. Niko Stillo është një bashkëshort dhe një baba model, sa tradicional aq dhe modern, që “baltën” e fshatit të tij të lindjes, Ftinës shqiptare të Prevezës, ende e ruan në këpucët e veta…

Eshtë një dijetar dhe një poet, ashtu si dhe një gjurmues i apasionuar sa i historisë së lashtë shqiptare, aq edhe i gjuhësisë. Ai zotëron rreth dhjetë gjuhë dhe është helenisti shqiptar më i madh që kemi sot për sot.



2. Veprimtaria



Aktiviteti i Niko Stillos është shumëplanësh, polidimensional, tepër i gjerë. Një jetë e tërë që kakaluar prej kohësh gjysmëshekullin, e mbushur me veprimtari të dendur. Në krye do themi në aspektin profesional. Në lëvizjet nëpër Gjermani në shërbim të punës e zanatit të vet, ai u bë një artist i persosur i profesionit të vet, një mjeshtër në të, aq sa mjedisi ku punon e respekton në maksimum, po dhe e nderon edhe si njeri fjalëpakë e punëshumë.

Nikua është një njeri social, i lidhur ngushtë me jetën, me njerëzit e familjes, me ambjentin që e rrethon. Ai ka ndërtuar me ta marrëdhëniet më të mira, qofshin gjermanë, vendas apo emigrantë, qofshin shqiptarë, grekë, turqë, etj. Nikua nuk ka paragjykime të çfarëdolloji. Mbi të gjitha shikon njeriun, humanizmin e tij, apo thënë ndryshe njerëzillëkun e tij. Ka miq të mirë nga kombe të ndryshme. Ambienti gjerman ku jeton, i mundëson edhe një gjë të tillë. Vetë akti i martesës së tij flet mjaft për këtë. Ai ka ndërtuar lidhje të tilla me mjedisin familjar, apo atë ku banon, të punës, të shkollës, universitetit të qytetit ku banon, apo dhe në një plan më të gjërë, të cilat i bëjnë nder atij si njeri, si person human. Ai s’e ndjeu kurrë vehten të huaj. Katër dekadat e jetës në Gjermani e kanë bërë atë krejt “vendas”.

Kryesorja në njeriun Niko, ajo që përbën thelbin e tij, është puna. Ai s’di të pushojë. Shpesh në takimet me të kur vjen në Shqipëri, nga goja e tij dalin shprehjet: “Ju nuk punoni sa dhe si duhet”, apo “unë sa të shkoj në Gjermani do të punoj, s’kam kohë“. Nikon e ke para kompjuterit, duke punuar vazhdimisht, ndërkohë që ai është i lidhur me njerëzit ngushtë, bën shumë për ta, kur duhet sakrifikuar për ta, është me një fjalë njerëzor. Në raporte me të tjerët ai është tepër i komunikueshëm, dhe çka është më e rëndësishmja di të dëgjojë.

Niko studion, studion shumë. Jeta e tij me gjithë privacionet e pengesat që i kanë dalë, është e lidhur shumë me librin. Studimi është kthyer në një tipar të veçantë për të. Lexon libra që i blen dhe i vendos në bibliotekën e vet, por shumë përdor në shërbim të vet sistemin bibliotekar gjerman, që brenda një muaj i siguron çdo libër, i çdo lloji që të jetë, në bibliotekat gjermane apo në Austri e në Zvicër. Duke përdorur kartelen universitare që e “vazhdon” që nga koha kur ish student, ai tërheq librat që i nevojitën.

Tek ai bashkohen në një informacioni që merr nga librat ashtu dhe nëpërmjet kompiuterit, dhe kjo e ka bërë që në të të grumbullohet e përpunohet një “mal” diturie. Nikua në vite e dekada është bërë një bartës i dijes. Në këtë drejtim i japin dorë dhe gjuhët që zotëron. Pra tek ai bashkohen në një puna, njeriu, dija, dhe këto së bashku na japin njeriun e thjeshtë Niko Stillo. Ai është një studiues i përhershëm. Ndërkohë ka vite e vite, “vitra”, siç shprehet në dialektin çam, që ai dhe krijon, shkruan libra, studime, veprat e veta.

Studiuesit e sotëm, sidomos ata shqiptarë, po flasin gjithnjë e më shumë për “fenomenin” Niko Stillo, për “metodën Stillo” në fushën e kërkimeve gjuhësore, ashtu edhe atë të kërkimeve historike. Eshtë nga të rrallët e njerëzve të dijes që, pasi ka studiuar në fushën e shkencave ekzakte, natyrore, merret me pasion me degë të tilla të dijes si gjuhësia, filologjia dhe historia. Eshtë sidomos ajo që e intereson: lashtësia e popullit të vet dhe raportet e tij në shekuj, sidomos me fqinjët e vet, e në mënyrë të veçantë me atë grek.

Nikua ka lëvizur shumë si në Gjermani ashtu dhe jashtë saj. Në mënyrë të veçantë janë dy pjesë të kontinentit tonë, Europa Perëndimore dhe Ballkani. Ai ka vizituar, kudo ku ka shkuar, sidomos në Itali apo Hollandë, Greqi, pa folur për Gjermaninë, rrënojat arkeologjike, ka qëmtuar mbishkrimet e lashta të tyre, ka vizituar muzeumet e çdo lloji, ka shetitur duke parë vlerat monumentale të një Firence, Venediku, po dhe të Dodonës pranë Janinës, të Delfit në Peloponez, po dhe ato të lashtësisë në Turqi, në Stamboll e gjetkë. Eshtë një shtegëtar, një turist që shkon gjithandej. Kjo i ka dhënë dorë që të zgjerojë horizontin e vet, dijet e veta, dhe këshut të bëhet një njohës shumë i mirë i antikitetit greko-romak, atij shqiptar iliro-pellazg etj.

Njëkohësisht nuk i ka munguar pasioni të hulumtojë në folklorin e krahinës së vet Çamëri, duke filluar nga prindërit e vet dhe duke vazhduar me mjedisin përreth ku ai u rrit e u bë burrë.

Nikua shquhet për lidhjet tepër të ngushta me vendlindjen. Tre janë pikat ku ai shkon më shpesh, që e lidhin me familjen e farefisin e vet në shtetin grek. Preveza dhe fshati i lindjes Ftina, e Çamofshatrat shqiptare, së dyti është kryeqendra e Epirit Janina, ku ka njerëz të afërm, dhe së treti Athina ku prapë jetojnë njerëzit e vet. Sa herë shkon në Greqi, dhe kjo është e përvitshme, e mbase më shpesh, Nikua takohet me shokët, miqtë, rrethin e vet. Njeri pa qibër, ai ulet si me bashkëfshatarët e vet, ashtu dhe në tribuna shkencore flet me shkencëtarët si i tillë, sepse i tillë është bërë një jetë të tërë, në sajë të punës së vet të palodhur.

Nikon e intereson dhe e tërheq si me magnet bota shqiptare, dheu amë,Shqipëria, Kosova, Maqedonia, shqiptarët kudo që janë në trojet etnike apo në diasporë, ndaj ai nuk heq dorë na kontaktet me ta. Ka shumë miq në Kosovë, po dhe tek shqiptarët e Maqedonisë në Shkup, Tetovë e gjetiu, të cilët e duan dhe i do. Sidomos vlerëson brezin e ri të pedagogëve që po rritet në universitetet shqipfolëse të trevave shqiptare jashtë kufijve. Ato janë e ardhmja, thotë me thjeshtësi e mençuri, i kontakton, i respekton, i nderon dhe i inkurajon në punën e tyre. Ndërkohë mban lidhje me krijues e studiues në to.

Po aq e dashur për të është Shqipëria, ku ai, sidomos pas vitit 2000, i ka shpeshtuar vizitat e kontaktet e veta. Kudo Nikon e rrethon respekti dhe dashuria e njerëzve.

Por nuk mund të mos përmendësh dhe lidhjet e tij me botën greke. Qysh nga fëminija Nikua është biling. Tek ai kanë qenë të pandara shqipja dhe greqishtja. Ende e ruan nënshtetësinë greke. Ai shkon në Greqi vazhdimisht, është në kontakt me njerëzit e thjeshtë, intelektualët e njerëzit e botës shkencore e të dijes në Athinë, Janinë, Prevezë. Janë lidhje të formuara në dekada. Dhe veprat e veta Nikua i ka shkruar në greqisht, qofshin këto studime apo dhe vëllime në poezi. Ndofta mjedisi dhe greqishtja si gjuhë e kultivuar e kulturës, ia ka imponuar këtë.

Nikua është një njeri që rreth dy dekadat e para i kaloi në Çamëri, në Greqi, ndërsa dekadat e tjera të jetës së vet i ka kaluar në Europën Perëndimore, në Gjermani, pra ka një formim europian, një mentalitet europian dhe është bërë një dijetar i përmasave europiane. Ai “rrëmon” në lashtësinë iliro-pellazge, në lashtësinë çame, në atë greko-romake.

Njëkohësisht ai është një atdhetar i shquar, i lidhur me vendin e vet, me truallin e vet. Nikua i takon “shkollës së Janinës”, nga dolën vëllezërit Frashëri, Kristoforidhi, Vretua, Ismail Qemali, Abedin Dino e të tjerë njerëz të shquar të karvanit rilindas. Ai ecën në gjurmët e tyre, në hullinë e çelur prej tyre, krahas çamëve e arbërorëve të ndritur të së djeshmës, si një Anastas Kullurioti e Panajot Kupitori, ashtu dhe të së sotmes, si një Jorgo Maruga, Vangjel Lapi, Jorgo Miha, Aristidh Kola, të cilin e ka pasur shok e mik të ngushtë, Jorgo Jeru e shumë e shumë të tjerë.

Ai është bërë një rilindas i sotëm që ecën në gjurmët e të parëve të vet. Ai është një përfaqësues i shquar jo vetëm i botës intelektuale dhe akademike me standardet e veta shkencore, po dhe një përfaqësues i denjë i popullsisë shqiptare të krishterë të Çamërisë që jeton pandërprerë në trojet e veta etnike dhe ruan të paprekur identitetin e saj kombëtar.



3. Veprat



Nikua ka nxjerrë një seri veprash në greqisht dhe në shqip. Një nga veprat e tij të para është “Elemetët parahistorikë të stërlashtë arvanitë”, botuar në greqisht në Athinë në shtator 2003, e cila u përkthye në shqip nën titullin “Historia e shenjtë e arvanitasve” në Prishtinë 2004, me rreth 340 faqe.

Vepra tjetër “Fjalori i Marko Boçarit” doli në Tiranë 2007 dhe ka rreth 500 faqe. Me rëndësi është studimi hyrës që i paraprin, mbi 100 faqe, me titullin greqisht “Isagogji” dhe përbën gati 1/3 e librit me një informacion me vlerë jo thjesht për vepren, pra gjuhësor, po dhe jashtë saj për Çamërinë, historinë e saj, suljotët etj.

Libri i studiuesit dhe dijetarit Niko Stillo nga Preveza, “Fjalori i Marko Boçarit” është libri i tij i parë që botohet në Shqipëri nga shtëpia botuese “Arbëria”. Eshtë një libër me vlera shkencore e kombëtare për të djeshmen për të sotmen e, sidomos, për të ardhmen. Këto ditë u vunë në qarkullim edhe dy libra të tjerë të albanologut Niko Stillo. I pari është fjalori i Daniil Voskopojarit në katër gjuhë që përfshin përgjatë tij disa studime që ashtu sikurse te fjalori i Boçarit kapin një vëllim afërsisht prej 100 faqesh. Ky fjalor u nxor në dritë nga shtëpia botuese e Universitetit “Kristal” dhe u shtyp po në shtypshkronjën e këtij universiteti. Fjalori greqisht-shqip i Panajot Kupitorit përmban 20.000 fjalë të ishullit të Hidrës në territoret ishullore arvanitase. Nikua e ka sjellë në gjuhën e sotme, duke bërë dhe transkriptimin përkatës nga shqipja me alfabet grek në shqipe me gërma latine, si dhe duke përshtatur disa fonema për ta pasqyruar saktë të folurën e këtij ishulli arvanitas. Në vitin 2010 doli libri Etruskishte-Toskërishte”, vëllimi i parë me 319 faqe, në të cilin Nikua spjegon se gjuha etruske është e lidhur me shqipen pazgjidhshmërisht. Në vitin 2011 u botua libri “Duke mprehur thika” me poezi të poetit Niko Stillo me 144 faqe, që dëshmon për një dimension të ri të studjuesit dhe albanologut Niko Stillo. Ai në rininë e tij ka botuar dy vëllime me poezi në gjuhën greke, njërin prej të cilëve tani e kemi në shqip, ndërsa tjetri me titull “Dhjetë fjalë (Dheka leksis)” pret të shohë dritën e botimit në të ardhmën. Në poezinë e tij dominojnë tonet sa laike aq dhe sociale e artistike, me tema të marra nga jeta, nga realiteti i përditshëm, pa anashkaluar karakterin e tyre lirik, ku spikat njeriu i thjeshtë, i ndjeshëm por dhe i mençëm, dijetari dhe shkencëtari Niko Stillo.

Pritet të dalë së shpejti edhe një poemë e shkruar në greqishten katharevusa prej 217 faqesh në origjinal, shkruar nga Grigor Stavridhi (Perliçev) me titull “Eposi i Skenderbeut.” Nikua ka gati një studim voluminoz për teqetë e bektashinjëve në Greqi, që mendon ta botojë në të ardhmën e afërt në gjermanisht dhe greqisht në Gjermani, vendi ku jeton dhe punon, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik shkencor e botëror, si për lashtësinë e bektashinjve që jetojnë në Greqi, ashtu dhe për gjendjen e sotme të tyre dhe të objekteve të kultit të tyre. Ky libër është frut i kërkimeve shumëvjeçare brenda dhe jashtë Greqisë dhe konstatimit të situatës në terren. Një vepër e mirëfilltë shkencore është dhe “Leksikografia Toske nga Th. Kavalioti gjer te K. Kristoforidhi” që pret të shohë edhe ajo, në një të ardhme, dritën e botimit.



4. Fjalori katërgjuhësh i Daniil Voskopojarit



Nikua me tre fjalorët e shqipës, të Boçarit, të Kupitorit dhe të Dhanilit të Voskopojës të tre trevave tona të Jugut, hedh dritë mbi toskërishtën. Së pari, Mbi të folmen e Voskopojës, Oparit, Korçës dhe hinterlandit për pjesën shqipe dhe kjo për shekullin e XVIII. Së dyti, Mbi të folmen e Çamërisë të asaj kohe, fundi i shek. XVIII, fillimi i shek XIX, po edhe mbi greqishten popullore të Epirit, duke na sjellë fjalë, shprehje, fjali e fraza të asaj kohe që i bëjnë jehonë jetës e jetesës së çamëve e suliotëve, këtyre toskëve e shqiptarëve të një brumi të veçantë. Aty gjen gjurmë të gjuhës, folklorit, historisë e gjeografisë së këtyre trevave të lavdishme. Së treti, në fjalorin e Kupitorit me 20 000 fjalë që përfshin ai dhe punën plotësuese të shkëlqyer që ka bërë Nikua me të tre fjalorët për t’i përditësuar, pra për t’i kthyer në shqipen në germa latine e greqishten e sotme, si dhe për t’i pajisur me aparatin ndihmës teknik përkatës, hidhet dritë se kush ka qenë dhe është popullsia e ishujve të Egjeut, Hidrës, Species, Psaras, ishullit Paros, Kos (Hios), etj.etj. Hidra ka folur e flet shqip sot e gjithë ditën. Pra Nikua, duke e nxjerrë me njëmijë e një vështirësi nga arkivat e bibliotekat e Greqisë, Athinës etj., duke e sjellë në parametrat e fjalorëve shkencorë të sotëm normalë dhe duke i komentuar e pajisur me shënime, ka bërë një punë si rrallëkush, të jashtzakonshme, duke u hapur tre fronte të mëdhej pune, sidomos gjuhëtarëve. Nikua na ka sjellë jo vetëm tre vepra të tij, por njëkohësisht studjuesit, specialistët e gjuhës e më gjërë dhe kushdoqoftë kanë tre “miniera arit” siç shprehen shkodranët, për kërkime e reflektime të mëtejshme, për fjalorin e shqipes të dy shekujve, qindvjeçarit të tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë.

Që nga Gjermania, albanologu e atdhetari Niko Stillo na jep modelin e njeriut të përkushtuar shkencës së mirëfilltë e çështjes kombëtare. Qarqet shkencore dhe ato atdhetare duhet të dijnë ta vlerësojnë e ta vënë në vendin që i takon. Nuk është puna thjeshtë e një dekorimi nga Presidenca apo titulli akademik nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, por të subvencionohet për botimin e veprave që po nxjerr e që do të nxjerr në të ardhmen. Njerëz si njeriu-akademi, Niko Stylos, janë fabrika të mendjes që nxjerrin vetëm produkte të cilësisë më të lartë. Le të ndiqet shembulli i Akademisë të Shkencave të Edukimit me kryetar të saj, Prof. Musa Kraja, që e bëri anëtar të saj, dhe Universitetit “Kristal”, me president zotin Ahmet Muça, që i botoi njërin prej fjalorëve të tij. T’i hapen dyert në Shqipëri siç ia ka hapur Kosova e të ecet në gjurmë të tyre…Kjo do t’i nderojë të gjithë ata që do ta bëjnë këtë.

Pra, Nikos i bëhen tre fjalorë, një triadë. Me Marko Boçarin na ndriçon Çamërinë e Suljotët, dhe u vë përfundimisht kapelen e shqiptarit – suljotët çamë dhe shqiptarë. Me fjalorin katërgjuhësh të Daniil Voskopojarit, Tiranë 2011, Niko Stillo jep ndihmesën në rrafsh ballkanik, del si balkanolog për vllahishten, bullgarishten, greqishten e shqipen; si të thuash na jep Ballkanin në pëllëmbë të dorës, me një studim perlë. Në fillim për emrin e Voskopojës, me një argumentim, sa të natyrshëm aq bindës të emrit Moskopolis që, sipas tij, e ka origjinën nga shqipja nga fjala ka (dem). Në fjalorin e Kupitorit na jep tapinë e ishulli të Hidhrës dhe ishujve të tjerë arvanitë të Egjeut. Kontributi i Nikos është i jashtëzakonshëm. Duhet të mendohen Instituti i Gjuhësisë, i Historisë, Qendra Albanologjike dhe Akademia e Shkencave për të vlerësuar këtë ndihmesë shumë, shumë të vyer. Më vjen mirë që universiteti im “Kristal” ka dhënë një kontribut të veçantë për botimin e njërit prej këtyre fjalorëve; meritë e gjithë ekipit shtëpi botuese-shtypshkronjë, me në krye drejtuesit më të lartë të këtij universiteti. Ky ekip, punoi me përkushtim për ta nxjerrë në kohën më të shpejtë e me parametra cilësorë më të lartë.



Ç’përmban ky fjalor që sot kemi në duart tona?

Veç parathënjës së shkurtër, dinjitoze për një punim dinjitoz si ai i studjuesit Niko Stillo, të shkruar me kulturë të lartë dhe me kompetencë profesionale nga profesorët e nderuar Valter Memisha dhe Marenglen Verli, vjen një hyrje e autorit. Aty ai, midis të tjerash, jep prejardhjen e emrit të Voskopojës – Moskopolit, prej nga ishte dhe autori i fjalorit katërgjuhësh, Dhanil Voskopojari.

Pas dhënies së fotokopjuar të 36 faqeve të fjalorit në fjalë, vjen një studim për alfabetet epirote, i cili, bashkë me studimet e tjera lidhur me botimet e ribotimet e këtij fjalori, nga autorë të tjerë pasardhës, si anglezi Martin Leake, apo dhe dorëshkrime si fletoria e Papa Nastas Gegës, e vitit 1902, shkon në rreth 100 faqe. Pra, sikurse te fjalori i Marko Boçarit, afërsisht në të njëjtat permasa, kemi një studim të thukët për fjalorin në fjalë dhe alfabetet e shqipes me germa greke. Në një kuptim, ky studim te Fjalori i Dhanilit është vazhdim e në vazhdimësi i studimit mbi njëqint faqe (Isagogji) të Fjalorit të Boçarit. Nikua me këtë studim thellohet në alfabetet e shqipes me germa greke dhe trason një rrugë, që do parë jo vetëm në veri, alfabetet e shqipes me germa latine, por edhe në jug për alfabetet shqipe me gërma greke. Madje, këtu gjurmimet të çojnë në shkrimin e shqipës në shekujt e parë të erës sonë, në mos më heret. Pas Dhimiter Shuteriqit, Nikua është një pionier që po nxjerr në shesh traditën jugore të shqipes, e cila për mungesë të njohjes të gjuhës greke, neglizhimit të kësaj ane, apo dhe moskompetencës profesionale, është lënë në harresë…

Me të drejtë autorët e parathënies shkruajnë për punën e Niko Stillos: “Niko Stylo zbret me kujdes në thellësi të shekujve dhe të mijëvjeçarëve, jo përmes emotivitetit dhe dëshirës utopike, por me punë të shkallëshkallshme e të qëndrueshme, zbret atje ku ka pak dritë, por edhe atje ku errësira është e plotë, zbret atje ku mjegullnaja pret të largohet dhe ku kërkimet nuk kanë njohur qasje, janë lënë përgjysëm apo shpesh i janë larguar shqipes.

Me një përkushtim që duhet marrë si shembull…atë e gjen gjithmonë në kërkim të asaj që është e shqipes a që të shpie te shqipja. Ky personalitet shkencor ka hyrë dinjitetshëm në kulturën shqiptare me tri profile veprash: me vepra të mirëfillta shkencore, që lidhen me historinë e shqipes…me ribotimin e veprave leksikografike në shekuj (për shqipen LB) me krijimtari të mirëfilltë artistike në shqipe e në greqishte (poezi etj., LB)…”

Me plot të drejtë autorët e parathënies, me një gjuhë të kursyer, vënë në dukje kontributin e veçantë të Niko Stylos si “një botim i plotë“, “studim tërësor”, që spikat nga një akribi e vlerësueshme në të gjitha aspektet. “N. Stylos sjell ardhjen e veprës në një udhëtim mbi 250 vjeçar përmes botimeve, herë si vepër e plotë e herë në përbërje të punimeve të studjuesve a albanologëve të ndryshëm, që jo vetëm kanë njohur veprën, por edhe prurjet dhe vlerat e saj”.

Prof. Dr. Valter Memisha dhe Prof. Dr. Marenglen Verli, theksojnë se Fjalori Katërgjuhësh i D. Voskopojarit, “nuk është thjesht një qasje në shekullin e ri të një vepre që mungonte në bibliotekat tona të punës, por edhe një punim përfshirës i botimeve e ribotimeve të fjalorit në shek. e XIX-të“. Ardhja e veprës në përmasat në të cilat ajo shpërfaqet, nderon autorin, pasuron kulturën tonë kombëtare dhe lehtëson punën e studjuesve.

Jemi plotësisht dakord me konkluzionin e dy profesorëve të nderuar se “Vepra e përgatitur nga ky studjues, nuk është thjesht një ribotim, ajo është një enciklopedi, që nis që nga historia e shkon deri te gjurmimi i shkrimit të shqipes dhe i alfabeteve të saj, sidomos të shqipes toske”. Vetë albanologu e balkanologu Niko Stillo është një “enciklopedi e gjallë“, “një bibliotekë që ecën” dhe kjo manifestohet edhe në tërë veprat e tij. Bibliografia në fund të librit në tre gjuhë, në gjermanisht, në shqip e në greqisht, prej rreth 50 titujsh, është edhe ajo një tregues sinjifikativ për këtë. Niku ka tre apo katër tipare të pandara në punën e tij: së pari, durimi i tij i jashtëzakonshëm në kërkimet e veta, së dyti, një punëtor i palodhur, së treti, puna sistematike dhe, së katërti, akribia shkencore. Të gjitha këto gjenden të mishëruara në tërë veprat e Nikos, në gjithë punën e tij kërkimore-shkencore…

Nga shqyrtimi që i kemi bërë fjalorit të sapodalë, nga një vështrim i përgjithshëm, na rezulton se te ky fjalor dallojmë disa linja: së pari, nuk mund të mos e them me kënaqësi, Nikua është “miqësuar” me rilindasit tanë dhe në studimin në fjalë del dhe N. Veqilharxhi dhe H. Tahsini dhe S. Frashëri, si dhe Kullurioti me Kupitorin. Por gjithashtu del edhe një emër i ri, “zbulim” i Nikos, Angjelin Cacos, apo i mirënjohur edhe Anthim Çaços.Nga “gërmimet” e Nikos, del se rilindasit tanë i kanë njohur me themel alfabetet e lashta dhe kanë pasur dije të thella, solide edhe gjuhësore, kanë qenë kapacitete të dijes shkencore; së dyti, Nikua hedh dritë të re mbi Voskopojen dhe dijetarët e saj, përfshirë dhe Dhanil Voskopojarin, i anashkaluar apo i pastudiuar, qoftë nga shkenca gjuhësore shqiptare apo edhe ajo greke; së treti, ai është një nga njohësit më të mirë të alfabeteve të lashta greke dhe atyre shqiptare me alfabet grek dhe i sheh ata në vazhdimësinë e tyre, në lidhjen e tyre, në historikun e tyre. Puna e Nikos në këtë drejtim është si rrallëkush, sa e vështirë po aq e vlefshme. Ndihmesa e tij është e pazëvendësueshme. Kemi përpara një njohës të shkelqyer të greqishteve, nga e lashta deri tek e reja, një helenist të shquar si ai. Eshtë fat për shqipen që një personalitet si Niko Stillo merret me të, së katërti, veprat e Nikos kapin një gamë të gjërë kërkimesh nga dokumentët arkivale, në vepra të plota apo të pjesshme, në bibliotekat e ndryshme të botës, në botimet bashkëkohore, në libra apo në internet, në vende kulti apo në muze, në mbishkrime arkeologjike a në monedha të vjetra; së pesti, veprat e tij ndriçojnë segmente të caktuara të historisë dhe gjeografisë të Çamërisë apo Epirit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. P.sh. ndriçohen momente historike që kanë të bëjnë me Ali Pashë Tepelenën, të atin e Abedin Pashë Dinos, Ahmet Dino etj.

Ajo që mund të them për fjalorët (variantet e fjalorit të Dhanilit, LB) që përmbahen në veprën e Niko Stillos të sapodalë, është se ai ka punuar mbi ta, i ka sjellë nga greqishtja e kohës në greqishtën e sotme të re, dhe pjesën shqipe në shqipen e sotme me germa latine. I ka plotësuar e sistematizuar dhe, kur ka pasur në fjalë të caktuara pasaktësi përkthimi, i ka ndrequr. Puna e Nikos është për t’u admiruar. Më tre fjalorët që u ka dhënë në dorë, sidomos studiuesve, e veçanërisht specialistëve të gjuhësisë, Nikua u ka hapur një “front të gjërë pune” për kërkime të mëtejshme. Nikua i ka nxjerrë nga arkivat apo bibliotekat, ku i kish mbuluar pluhuri i harresës, me qëllim apo pa qëllim dhe sot i kanë gati me tërë aparatin shkencor përkatës e veç të shpien përpara kërkimet shkencore mbi to. Brezat e rinj të studiuesve do t’i jenë përjetë mirënjohës Niko Stillos për këto “dhurata” që po u bën atyre në fushë të studimeve të mirëfillta shkencore për shqipen.

Ai i përqas fjalorët, i krahason, i vlerëson dhe gjen aty lëndë të pasur në funksion të idesë së tij për shkrimin e kryehershëm të shqipes. Gërmat shtesë të alfabetit grek, që i gjen që nga kodikët e ndryshëm e deri tek fjalorët dhe po ashtu në veprat e vjetra, Nikua i lidh me “arvanitasen” e tij, me shqipen dhe na vë përpara “zbulime të mëdha e të vogla”, ku vetëm “mikroskopi” i këtij studiuesi të zellshëm të shqipes e greqishtes mund të hyjë dhe, në fund, sjell jo vetëm këndvështrime të reja, por arritje që zënë vend e meritojnë vlerësim e rivlerësim. Nikua të imponohet me dokumentin e qëmtuar me pasion e këmbëngulje, me analizën e ftillimin e imët, me argumentin e argumentimin…Niko hyn me kompetencë shkencore në lami të gjuhësisë, duke u mbështetur fort në studimet e shumta, në historinë moderne dhe të kryehershme të Ballkanit, në historinë e popujve të lashtë e të sotshëm të trevave të këtij gadishulli në rrjedhë të shekujve.


nga
Dr. Laurant Bica

Pedagog pranë Universitetit “Kristal”
shtypi i perditshem