Mark Zuckerberg ka vendosur të krijojë një partneritet global me disa kompani teknologjie me qëllim ofrimin e Internetit në gjithë botën me çmim ekonomik.
Shefi ekzekutiv i Facebook-ut ka njoftuar se kompanitë bashkëpunuese si Ericsson, Nokia dhe Samsung po punojnë për themelimin e Internet.org që do të mundësojë aksesin në Internet ndaj të gjithë atyre njerëzve që deri tani e kanë pasur të pamundur.
Ai është shprehur: “Gjithçka që Facebook ka bërë deri tani ka qenë për t’ju ofruar njerëzve mundësinë për të komunikuar me këdo në gjithë botën. Në vendet në zhvillim ekzistojnë ende barriera prandaj Facebook ka krijuar këtë partneritet global për te përballuar këto sfida”.
Një prej synimeve të tjera të partenritetit është edhe nxitja e përdorimit të internetit nëpërmjet pajisjeve mobile duke ofruar përsëri çmime më ekonomike. Grupi synon gjithashtu që të bëjë më eficent përdorimin e të dhënave, gjë që do të rezultojë nga reduktimi dramatik i të dhënave të nevojshme për ekzekutimin e aplikacioneve.
Me realizimin e këtij synimi do të jetë e mundur që Interneti të fuqizohet dhe të përshpejtohet. Plani final i grupit lidhet me mbështetjen e modeleve të reja të biznesit si dhe nxitja e operatorëve celularë, prodhuesve të pajisjeve të ndryshme elektronike dhe zhvilluesve për uljen e çmimeve.
Nëpërmjet kësaj iniciative Facebook do të ketë mundësi që të fitojë akoma më tepër përdorues në vendet në zhvillim pasi ka shumë shanse që këto popullsi sapo të kenë akses në Internet tërhiqen së tepërmi nga rrjetet sociale. (PCWorld Albanian)
Krijoni Kontakt