Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e abica
    Anëtarësuar
    28-08-2009
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    220
    Postimet në Bllog
    1

    " irealiteti real i mjeshtrit të bukurisë." nga valdete antoni


    Bisedë me piktorin Naxhi Bakalli
    në 65 vjetorin e tij.


    -Kam kohë që dëgjoj e jetoj legjenda per Naxhi Bakallin dhe kam fatin të gjej vehten të vogël shpesh,duke ndjekur vizatimet dhe pukturat e tij,që me ikin sa në mure piramidash të pazbulurara , sa në thellësi kështjellash të papara,sa në djepe fëmijësh drite,e në balle zanash .Pak herë e kam takuar atë vetë,por ka qenë mjaft për të kuptuar pse artistët e mëdhenj dhe të diturit fisnik thirren në emrin e tyre me një potencial të tillë ngjyrese,që është e papërsëritshme dhe unikale.Veprat e tij ,dëshmi e tejkohësisë së artit dhe selitjes së bukurisë në shpirt,per tre dhjetvjeçarë u penguan të ekspozohen në Shqipëri.Kjo është një therrmijëz kohe në kohjetën e veprave të Naxhi Bakallit.Ato gjetën udhën e njohjes dhe përftimit të vlerave falë frymimit nga njeriu i shenjuar për krijim .

    Prej dhjetë vjetësh kryeqytetari shqiptar ,banon e krijon në Itali (Ascoli,Pizeno)prandaj dhjetra vepra që s`durojnë na vijnë si imazhe nga përtej detit ;disa janë puthisur mire në galerinë “Torna Buoni”të Firences, kanë gjetur miqësi si duket ,e qetohen sëbashku me veprat e Pikasos ,Mondrianit e të tjerë gjigantë të artit të figurës.
    Që nga viti 1991, kur u çel e para ekspozitë vetjake e Bakallit,Galeria Kombëtare e Arteve , ende nuk po përmendet që t`i bëjë pritjen dinjitoze piktorit të veshur me privilegjin hyjnor për të qenë i gjithkohshëm,burrit të lindur për të mos rresht së kërkuari brenda shpirtit të vet thesarin e fshehur të bukurisë,begatonjësit të kopshtnajës së artit të races shqiptare.
    Në ditët e gushtit,përfshirë në ankthin e rimarrjes së vlerave reale të këtij kombi,thirrëm si duket me shumë dëshirë praninë e “magos” së bukurisëdhe mendimeve të fisme,sa u përmbysën strukturat e emisionit dhe ,zëri i njeriut, që pak ditë më parë kish shënuar 65 vjetët ,hyri përmes linjës telefonike , nga shtëpia e tij në Tiranë në studion e Radio Tiranës. Ardhja e Bakallit në vendlindje ende shënohet vetëm nga miqte,prandaj mendimet e tij ,germëzimet e fjalëve të tij i ndjeva për detyrë t`i shpërndaj në këtë përmbytje mediatike emrash politikanësh dhe jetëngrënësish të pangopur.
    Kërkoj falje që nuk jam në gjendje që nga biseda spontane me piktorin nuk sjell dot sinfoninë e tërë , marrjefrymët e përshëndetjes së sinqertë.

    Zoti Bakalli ,mirëseerdhët ,ndjej që prania juaj po merr përshëndetje të pazëshme nga mjaft njerëz ,ndoshta edhe të panjohur për ju.Ngjan sikur ju me ardhjen tuaj doni të na bindni për fuqinë e dëshirës që mbin nga mungesa.

    N.Bakalli :- Sikur vërtet përshëndetja të mos humbte atë bukuri kuptimi
    që ka ,do ta pranojsha me shumë kenaqësi këtë ,veçanërisht kur shqiptari përshëndet ‘’ Mirdita’’. Më duket se asnjë nga kombet nuk e përshëndet njeriun n`atë mënyrë që përshëndesim ne.Që t`ia urosh ditën e mirë kujtdo qoftë,duhet të kesh mirësinë e thjeshtë dhe të thellë kuptimore brenda personit tënd.

    Në këto “mirditat” që keni marrë këto pak ditë që jeni në Tiranë,a duket sikur është krijuar menjëherë lidhja e s`ka humbur gjë prej rrjedhe.

    N.Bakalli.:-Sigurisht , unë kam ndjesinë e tillë ,që vij këtu dhe,më duket sikur s`jam larguar asnjëherë.Kjo është kaq reale ,kaq e thjeshë dhe e pakushtëzume.Më ndodh pikërisht kështu: Unë sapo zbres këtu më duket sikur nuk kam qënë asnjëherë jashtë vendit tim.
    Gjej njerëz që më presin me zemër dhe shtëpia më duket gjithmonë e mbushur.E pranoj që nganjëherë njeriu e zëvendëson në mënyrë imagjinare situatën e boshësisë,dhe ajo që dikujt i duket bosh dhe e shëmtuar ,tjetrit mund t`i duket shume e bukur dhe plot.


    Dhe me sa kam kuptuar e dëgjuar “syri” juaj sheh vetëm bukur…..
    Duke ndjekur intervistën tuaj dhënë para dhjetë vjetësh ,në atë realizim dinjitoz të TVSH-së kushtuar ekspozimit për të parën here të veprave tuaja,falë iniciativës së miqve që përherë nuk ju kanë munguar,ju thoni diku mes te tjerave se : Nëse artisti e ka ngjyer penelin e tij në gjinin e nanës ,kjo do të thotë që ai e ka të mbarë krijimin…si duket kjo ka ndodhur me ju. Eshtë e shquar që në fëmijëri,sipas miqve tuaj magjia që i bëni letrës,telajos,drurit,gurit,penelit,tingullit duke zotëruar esencën e gjërave që është energjia e frymës…çfarë paska pas ky gjini i nanës…

    N.Bakalli:-- Unë do të mundohem ta ripërsëris këtë gjë,të ripohoj brenda limitit të kohës së kushtëzuar ,nga pozitat e një koncepsioni edhe më bashkëkohor ,mendimin që peneli ngjyhet në atë mterial kuptimplotë të gjithvlershëm,ku është pika e lidhjes e një fenomenologjie jashtëzakonisht domethënese,siç është pafundësia.Nëqoftëse tek gjini vijnë të gjithë elemetët kimik , që janë përcaktues e të domosdoshëm për të zhvillu dhe mbajt jetën gjallë ,domethanë takohemi me nji pike,me nji solucion që bart elemetë të fillimeve pa fund dhe të vazhdimeve të pafund.

    Sigurisht nuk kemi të bëjmë me një shkrirës të thjeshtë ,siç mund të konceptohet ndoshta në kuadrin e një mjedisi ,apo të një atrecature të një piktori , siç është paleta dhe vendi ku hedhim atë ,shkrirësin.Ka sigurisht një kuptim shumë më të gjerë dhe shumë më domethënës.Flitet se arti po humb kuptimet e veta,ose nuk egziston.Antiarti,minimalarti.konceptualarti,apo këto deputimet e fundit në performanc-art,po traumatizojnë krijuesin.E këtë tip traume unë e kam gjet tek mjaft njerëz në mjedisin tonë të cilët më duket de referencë kanë shkollat ,qofshin të vjetra apo moderne që për mendimin tim janë gabimet e tejzgjatura që prodhon koha.Po qe se do ti referoheshim pikërisht asaj instance dhe në këtë mes është elementi shumëkuptimor qe ka gjini i nanës,si pike ku takohen dy ekstremet, ajo biologjike dhe shpirtnore,në një linjë,që ka nisë dhe vazhdon pafundësisht ; atëher unë do të thojsha që edhe kuptimet e artit,do të jenë dhe mbesin moderne,vetëm nëqoftëse kanë trajtë unikale.Kjo trajtë unikale sigurisht lidhet me atë që transmeton në rrugë gjenetike njeriu dhe është elementi “gji i nanës” që mund ta sintetizonte figurativisht këtë trajtë të pavdewkshme.Mendoj që mrekullon me plotësimet e veta,kuptimet e vazhdimit te artit për t`iu kundërvu jo në trajtën politike,po në trajtën shumë reale gjenetike,atij korrenti që mendon ta quaj të ngecun ose të humbun udhën,kur vetë natyra konfirmon me elementë të tillë të cilët duhen deshifru ,marrë kuptim në vetë aktin krijues.
    Eshtë ky element i vazhdimësisë që sintetizohet pikërisht në ate figuracion që shpjeguam.Eshtë pikërisht Arti ,Arti i të gjitha kohërave i cili e ka kërku këtë specifikë dhe ajo specifikë e ka ba Artin që të quhet, të jetë dhe të mbesi modern.


    - Ju adhuroni,mrekulloheni e perkëdhelni gjithçka që është jetë.Më ngjan se jeni një idealist i pandreqshëm deri në pakuptimshmëri, një irealitet real në këtë botë ; si ia dilni kur gjindeni të prekur nga koncepte dhe veprime shkatërruese.

    N.Bakalli:- Unë përshëndes edhe atë që mundohet të ndërtojë imazhin e mire ,e pranoj edhe atë që mundohet të jetë shkatërrues.Të tillë në opinionet shqiptare ka shume. Nji gja më duket i duhet shqiptarit të kuptojë edhe në sferën e artit,ajo , se vlen të konfirmohet vazhdimësia .Në këtë linjë pafund,duhet të ngrihen ndërtesa të reja dhe jo të shemben sepse duke shemb ne keqmësohemi të quajmë risi gjithshka që mohon. A mundet që në moshën 50 vjeç të mohohet mosha 40 vjeç, kur ato janë vite që i ke kalu dhe i ke konfirmu me jetën tende dhe ti vetë.Nëqoftëse ky fenomen përcillet në jetën sociale dhe veçanërisht në planin e krijimit dhe mbrujtjes e vazhdimësisë së vlerave,çfarë kuptimi do të kishte sikur ne ,për të ngrejt kuptime të reja të artit dhe dukuni të reja te shkatërrojshim gjithshka që ishte ba nga të tjerët.ata e ban atë që ban,ne të bajmë atë që mund të bajmë,sigurisht në kuptimet sa më të mira.Nënkuptohet këto përcaktohen nga shumë faktorë; siç mund të mund të emërtohesh piktor po mund të mos jesh,dhe duke ia lënë të hapur për më tutje kohës se kujt i takon ta ngrejë më nalt vlerën le ta ngrejë ,por pa egoizëm e dhunë për mohim.

    Në zërin tuaj ndjej një ritëm dhe energji, gjë e cila nuk krijon aspak ngjyrë ndryshueshmërie nga zëri juaj në intervistën e dhënë 10 vjetë më parë. Më mbeti në kujtesë cilësimi i juaj se një vepër nuk e mbyll kurrë dialogun e vet .E keni fjalën për përhershmerinë e shpirtit kërkues,që ndryshon kahje por jo thelb.


    N.Bakalli:- Një vepër nuk mund ta mbylli dialogun, këtë e them me bindje të plotë. Nëse krijohet dialog,do të thotë të krijohet vazhdimësi. Kur krijohet nje kontradiksion brenda kuptimit të një vepre arti,do të thotë të jepet shkaku i interpretimeve e i motivimeve për vazhdimësinë. Kjo do të thotë që mos ta quajmë artin gjë që mbaron në katedrën e një iks esteti,profesori,apo dikujt tjetër që shpall idera,por si një dialog pa fund e si fillim pambarim.


    -Ju përmendin me adhurim për brishtësinë tuaj,dritën dhe tejdukshmërinë e kozmosit tuaj të brendshëm.Ndërkohë ju pranoni se jeni sjellë ashpër me veten.A bëhet fjalë për pendesë në këtë zgjedhje që bëtë,tani,kur ne ju kujtojmë se rapoti i juaj me tërë jetën në art është mijravjeçar,pra në një kuptim sot po ju urojmë 6500 vjetorin.


    N.Bakalli.-Jam sjellë ashpër me veten,ndofta në kuptimin konfirmues të gjërave dhe,shumë here edhe e kam vetvehten në kërkim të ideales time.
    Në planin social,shumkush thotë,po ai është pesoni që ty edhe të ka bha keq,ti përse nuk ia kthen…Nuk merrem me këtë objekt sepse do të shkatërrojmë njani tjetrin. Ai u nis për të më shkatërru fizikisht,fjala vjenUnë mbijetova shpirtërisht. Kjo është e rendësishme. Unë i lë rast refleksioni atij që të mund dhe ai të kryej veprën ;o të poshtër ose të mirfilltë. Ai që nuk merret me objektin social n`1` kuptimin e rëmdomtë të fjalës,duket sikur ka një objekt që është i fissshëm.Nëse koha na ka vendos në një pozicion të caktuar,të vazhdojmë sëbashku jetën ,të ushqejmë shpresën se,diçka më të mire se në një fushë tjetër mundemi me bë,por edhe këtë,nuk është e thanë ta absolutizojmë.Unë e mendoj kështu,dikush tjetër e sharton rrugës edhe me komponentët e tjerë,e mund të jetë një tip kompleks,mbase në fund të veprimtarisë së vet mund të jetë edhe kështu edhe ashtu…si të thuash edhe nji person i pare edhe i dytë apo i trete.
    Unë punoj duke e vënë vehten time në prove vazhdimisht .Jam në pozitën që kam qenë gjithmonë ; “ti bie në qafë vetvetes”. E di që çdo shpirt njeriu ka diçka të paarritshme po të hulumtosh gjithmonë do të gjejsh çudina.Shpirti i njeriut është baraz me dimensiopnet e pafund,me limitet e pafund,me kërkimet e pafund.Unë mendoj ,që duke i dhënë këto atribute
    ,elementi vfazhdimësi ,që është future dhe në vetë krijesën tone, që është e vdekshme,është e asgjësueshme por jo e tjetersueshme.Ky element është tek vepra e vet,në mesazh,në problematik
    në domethënie kuptimore ,që ai transmeton nëpërmjet saj.


    -A i jeni rikthyer veprave të para? I keni rimarrë në një kuptim tjetër,ose në një rrugëtim tjeter.


    N.Bakalli:-Unë rrugëtoj gjithmonë në atë kurs kërkimor që kam patur edhe në veprat e dikurshme,që jep të sotshmet me shpresë që do të jape të nesërmet.Një fill sigurisht i bashkon,por nuk ndodh që të jem sot , siç isha dje,siç isha dje ,jam po Unë,i sotshëm dhe,Jam po Unë,i nesërm.Unë kështu e ndjej brenda vetes.
    Kompozicioni improvizativ i kësaj bisede është veti e personave që dialogojnë pa kushte e raporte,është një mjet që duhet ta kenë bashkëbiseduesit,të cilët kanë,e krijojnë dhe gjejnë brenda vetes hapësirën për harmoni.

    -Ju falenderoj, duke mbetur gjithmonë me dëshirën që të rrugëtojmë në një hapësirë që nuk i dihen përmasat,ku do të jenë ekspozuar të gjitha veprat tuaja .Mbetem me ankthin se kur do ta njohë bota shqiptare veprën e piktorit të madh të vet.

    N.Bakalli-Në këtë mjedis,ku harresa nuk po mundet të përzihet,ju falenderoj që keni gjith`at mirësi të më kushtoni kohë dhe,të kujtoheni për ditën e lindjes time.
    Mirënjohje për dashurinë,me dashuri pa fund për të gjithë.



    Intervistoi: Valdete Antoni,vitet 2002-3 -marre nga shtypi i perditshem.
    Ndryshuar për herë të fundit nga abica : 19-08-2013 më 09:42

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •