[...]E vërteta është që të gjitha slloganet e Edi Ramës dhe gjithë qëndrimi i tij dëshmojnë për një tentativë për të likujduar Partinë Demokratike. Për fat të keq është Vlora që përdoret si gjithnjë në këtë skenar. Por, ajo që vërej me interes është se nëse ballafaqon slloganet politike të dy partive, e sidomos nëse këtyre slloganeve u bashkëlidh fjalorin politik të dy liderëve kupton dicka dhe nga ballafaqimi i këtyre forcave politike. Slloganet e PS-së, në dukje janë sllogane gjithëpërfshirëse, ato duket se synojnë të gjithë, madje edhe reagimi i Edi Ramës ndaj mbështetëse të PD-së, pas humbjes së kësaj të fundit në zgjedhje duket se e dëshmojnë këtë. Ai u dërgoi mijëra mbështetësve të PD-së, një urim paszgjedhor, duke u thënë: “Mos u mërzit, ke fituar edhe ti!”. Po ashtu, slloganet e PS-së, “Përtej të majtës dhe të djathtës”, apo sllogani më i fundit “Rilindje” duket sikur janë përbashkues.
Ndërkohë,e djathta i ka mëshuar përherë fort trashëgimisë së të majtës shqipare. Sali Berisha ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj pinjollëve të regjimit të kaluar, që duket se masivisht i janë bashkuar të majtës. Ai përherë i është referuar bijve të Bllokut, këlyshëve të kuq, etj. Pra, nëse krahason fjalorin politik dhe sidomos platformën e shpallur të të dy partive politike, PS-ja duket si një parti e reformuar, ajo synon gjithëpërfshirjen, kalimin matanë ndasive politike, përcarjen e enklavave partiake dhe rizgjimin e ndjenjës së bashkësisë tek të gjithë shqiptarët. Ajo duket se kërkon rimëkëmbjen dhe rilindjen e Shqipërisë, shpall fundin e rrënimit të saj, etj.
Ajo që mund të shihet përtej këtyre sloganeve, është megjithatë, që ajo cka kërkon PS-ja është në fakt një ballafaqim final me PD-në, që do të conte mundësisht në likujdimin e kësaj të fundit. Këtë platformë të pashpallur publikisht, ose të mbuluar nën petkun e frazave të bukura e ka marrë përsipër Edi Rama. Duke pretenduar mosrrënimin e Shqipërisë, ai kërkon rrënimin e një force politike. Sepse, cfarë është në të vërtetë Rilindja e Edi Ramës? Rilindja është likujdimi i një barre dhe mospagimi i kësteve të një hipoteke të caktuar.
Rilindja e marrë përsipër prej Edi Ramës dhe PS-së është shkundja e barrës së trashëgimisë së PS-së (një trashëgimi fatale duhet thënë) dhe vendosja e një hipoteke të re, pa asnjë detyrim të prapambetur. Pra, nëse do të ishte e drejtë të thoshim se e ardhmja e këtij vendi është hipotekuar në ekzistencën e këtyre dy forcave politike, të proklamosh “Rilindje” do të thotë, që të hipotekosh të ardhmen vetëm tek njëra prej tyre. E madje, dhe këtë hipotekë ta nisësh nga zero.
Kështu, ajo që kërkon Edi Rama është të likujdojë Partinë Demokratike. Një qëllim fare i pasinqertë. PD-ja, megjithë fjalorin e saj të ashpër, kurrë nuk ka kërkuar likujdimin e Partisë Socialiste. Ajo ka pranuar një logjikë të qenësishme: PS-ja, sado parti e detyruar ndaj shqiptarëve, (për shkak të trashëgimisë së saj) përsëri gjen një përkrahje të konsiderueshme ndër shqiptarë. Pra, synimi i PD-së, edhe pse fjalori i liderit të saj mund të tingëllojë i ashpër, ka qenë një luftë politike e ndershme. Ajo i ka mëshuar përherë fort interesave të papaguara të PS-së ndaj shqiptarëve, por, përmes kësaj, i ka qëndruar besnike unitetit të vendit, sepse ka pranuar një logjikë dualiste të partisanship-it të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, PS-ja ka përdorur dhe po përdor gjithë manovrat e “Rilindjes”. Në fakt, një Rilindje, si kjo e konceptuar prej Edi Ramës, duhet të vijë prej provincës. Atje është bërthama e partisanship-it të saj. Vetëm në një provincë (Vlora për fat të keq, vazhdon të keqpërdoret në këtë drejtim) rrënjoset ideja e “Rilindjes”. Vetëm atje mund të marrësh atë impetus të nevojshëm për t’i mëshuar idesë së likujdimit tjetrit. Pra, në këtë drejtim, veprimet e Edi Ramës janë në koherencë të plotë. Ajo cka duhet kuptuar është se nuk është e majta dhe aq më pak Edi Rama promotori i “Rilindjes” shqiptare. Arsyen madhore për ta bërë këtë gjë e kanë fundosur interesat e papaguara.
Krijoni Kontakt