E vërteta për tenderin 20 milionë euro të dixhitalizimit

AGRON ARANITASI

Zhurma mediatike lidhur me tenderin e dixhitalizimit të teknologjisë së transmetimeve tokësore të RTSH-së nuk është aspak e rastësishme. Kundërshtarët e këtij procesi, qofshin biznesmenë të interesuar për fitime të majme, qofshin politikanë me interesa të kuptueshme, qofshin edhe media private që ndihen të rrezikuara, nuk po lënë gjë pa bërë me qëllim ndalimin e tij.
Lidhur me këtë çështje dëshiroj të sqaroj sa më poshtë.

1. A e vodhi qeveria tenderin e RTSH-së…
Jo. As qeveria, as Ministria e Teknologjisë dhe Inovacionit, as ministri Pollo nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ishte vendimi i drejtuesve më të lartë të RTSH-së që tenderi të zhvillohej nga strukturat shtetërore. Menduam se nuk kishim aftësinë dhe kapacitetet për të ndërmarrë zhvillimin e një tenderi të këtij niveli. A e kishim gabim? Kjo lë vend për të diskutuar. Por askush nuk na e mori me përdhunë zhvillimin e këtij tenderi.

2. Kush përfiton nga ky projekt i RTSH-së…

Vetëm dhe vetëm taksapaguesi shqiptar. Pra, ky tender i shërben vetëm interesit publik.
Me dy licencat e saj, të dhëna unanimisht nga Parlamenti Shqiptar që para 6 vjetëve dhe të përsëritura edhe me ligjin e ri për mediat dixhitale, RTSH do të mbulojë me një rrjet të dyfishtë gati të gjithë territorin e Shqipërisë, duke mbuluar më shumë se 97% të popullsisë së saj. Asnjë televizion tjetër nuk do ta ketë këtë mundësi, të paktën për dhjetëvjeçarin e tanishëm.
RTSH do të transmetojë një numër të madh programesh, që, përveç programeve të saj, do të përfshijnë edhe programet e televizioneve private të vendit tonë, si edhe një numër programesh të televizioneve më të njohura europiane, duke përfshirë ato italiane, franceze e më shumë se kaq, si edhe kanalet prestigjioze BBC, Euronews dhe CNN.
Të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, pa përjashtim, kudo që banojnë, do ta kenë këtë shërbim duke paguar vetëm taksën për aparatin marrës.
Shqiptarët duhet të dinë se RTSH ka siguruar të drejtat ekskluzive për transmetimin e kampionateve europiane dhe botërore të futbollit, edhe për shumë vite me radhë, të paktën edhe për këtë dhjetëvjeçar.
Shqiptarët duhet të dinë se ekrani i RTSH do t’u ofrojë edhe shumë aktivitete të tjera sportive ndërkombëtare, siç janë kampionatet e volejbollit, të basketbollit, të peshëngritjes, të notit, të atletikës së lehtë, si edhe transmetimin e olimpiadave dimërore dhe verore. Kjo është bërë tashmë një gjë e zakonshme në ekranin e RTSH-së, por do ketë si risi se, që këtej e tutje, këto transmetime do të bëhen vetëm nga ekrani i RTSH-së.
Kuptohet se RTSH, me infrastrukturën e tij, që do ndërtohet brenda dy viteve të ardhshme, do të kthehet në një aktor të rëndësishëm të tregut mediatik elektronik shqiptar, i fuqishëm për nga teknologjia, i larmishëm për nga programet, i fuqishëm edhe për nga ana ekonomike.
Çka shpreha më sipër, hedh dritë mbi pakënaqësitë e atyre, të cilëve u preken interesat, prandaj çdokush e kupton pse luftohet aq shumë ndaj tenderit të RTSH-së.
Zoti Dalipi e konsideron këtë projekt absurd dhe deklaron se ai nuk do ketë interes publik, por siç shihet, përfitimi publik do jetë shumë i madh.

3. Si u përgatit tenderi i RTSH-së…
Ai u mbështet në strategjinë për kalimin nga transmetimet analoge në ato tërësisht dixhitale, për të cilën u punua për më shumë se tre vjet.
Edhe kjo strategji është sulmuar jo pak, duke arritur deri aty sa të thuhet e të shkruhet se ajo nuk ka nivelin e duhur dhe se për hartimin e saj nuk janë pyetur grupet e interesit.
Asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Të flitet për këtë, kërkon shumë kohë, prandaj nuk po zgjatem më tej.
Strategjia është miratuar nga qeveria në maj të vitit të kaluar. Dokumenti i miratuar nga qeveria nuk diskutohet, por vetëm zbatohet.
Për të përgatitur dokumentet e tenderit zoti Pollo ftoi një specialist të një kompanie neo-zelandeze, zotin Shaun McBride. Përzgjedhja e tij ishte e çuditshme sepse ai, siç del nga CV e tij, e botuar zyrtarisht nga ai vetë, nuk e njeh fare fushën e transmetimeve televizive.
Zoti McBride erdhi në Shqipëri në shkurtin e kaluar, pasi kishte vetëm 4 muaj që kishte filluar punë te kompania “Kordia”. Profesioni i tij ishte ndërtimi i rrjeteve të internetit në kampuse universitare dhe komplekse tregtare. Vetë kompania “Kordia” ka ndërtuar një rrjet DVB-T në Zelandën e Re dhe çuditërisht e ka bërë me pajisje të kompanisë gjermane “Rohde&Schwarz”. Sot, pas kërkesës së zotit Pollo, kërkon që tenderi t’i jepet kompanisë “Ericsson”.
Materialet e punuara nga zoti McBride, duke përfshirë edhe parametrat e pajisjeve, që ishin objekt i tenderit, iu ofruan kompanive, të cilat kishin shprehur dëshirën për të qenë ofertuese për projektin e RTSH-së.
Numri i kompanive, të cilat shprehën dëshirën për të qenë pjesë e tenderit të RTSH-së, ishte rreth njëzet, gjë që flet se nuk kishte asnjë kufizim apo shkelje të barazisë ndaj kompanive, siç është shprehur ndonjë politikan.

4. Cila ishte kompania fituese e tenderit të RTSH-së…

Me vendim unanim të të gjithë anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, fituese, me diferencë të madhe pikësh me dy kompanitë e tjera, u shpall kompania gjermane “Rohde&Schwarz”.
Për vendimin e komisionit ekziston një material i gjerë dhe i hollësishëm, që iu dorëzua autoritetit kontraktor më datën 24 maj të këtij viti.
Edhe sot, të gjithë anëtarët e komisionit i qëndrojnë këtij dokumenti. Botimi i shpalljes së fituesit, i bërë nga autoriteti kontraktor më datën 17 qershor, është jo i ligjshëm. Askush nuk ka të drejtë të anashkalojë vlerësimin e komisionit të zgjedhur në bazë të ligjit. Dhe këtë komision e ka ngritur vetë zoti Pollo. Është rast i parë, besoj, në vendin tonë që komisioni i vlerësimit të ofertave nuk është i të njëjtit mendim me autoritetin kontraktor, pra me zotin Pollo.
Nuk mund të bëhet rivlerësim ofertash nga persona që kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumenteve të tenderit, siç është rasti i zotit McBride. Këtë e ndalon rreptësisht ligji mbi prokurimet në Republikën e Shqipërisë.
Nuk duhet harruar, siç bën zoti Pollo, se zoti McBride nuk erdhi në muajin qershor, për të bërë vlerësimin e ofertave, por erdhi në muajin shkurt, për të përgatitur dokumentet bazë të tenderit. Në qershor ai u thirr për të vlerësuar punën e tij, që për fatin e keq nuk nxori fituese kompaninë “Ericsson”. Çfarë ere mban kjo, po ia le ta gjykojë lexuesi i këtyre rreshtave.
Vlerësimet e zotit McBride janë jo vetëm joprofesionale, por edhe tendencioze, duke pasur si qëllim vetëm përmbysjen e një rezultati që nuk mund të përmbyset. Çdo veprim i tij ka si qëllim që të nxjerrë fituese kompaninë “Ericsson AB”, e cila është shumë larg në të gjithë drejtimet nga kompania “Rohde&Schwarz”.
Ky tender, pa dyshim, do të kontrollohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe jam i bindur se punonjësit e tij do e vërejnë lehtësisht manipulimet që zoti Pollo dhe stafi i tij i afërt kërkojnë të bëjnë. Siç e ka njoftuar gazeta “Panorama” në numrin e saj të datës 4 qershor, shoqëruar lajmin edhe me dokumentin e firmosur nga të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, fituese me 8,5 pikë më shumë se vendi i dytë është shpallur kompania gjermane “Rohde&Schwarz”.

5. A ishte kompania gjermane më e mirë se të tjerat…
Pa asnjë dyshim, po.
Propozimi i saj është më i miri, bile nuk ka të krahasuar me propozimin e kompanisë, të cilën zoti Pollo kërkon ta nxjerrë të parën.
Kompania gjermane u është përgjigjur me saktësi të gjitha kërkesave të dokumenteve të tenderit, duke ofruar pajisjet më të mira të tregut të sotëm botëror. Transmetuesit dhe përsëritësit televizivë dixhitalë, së bashku me pajisjet mbështetëse të tyre, të ofruar prej kompanisë “Rohde&Schwarz”, janë të teknologjisë së fundit, me përparësi të mëdha ndaj të njëjtave pajisje të ofruara nga kompanitë e tjera, në mënyrë të veçantë ndaj transmetuesve të ofruar nga kompania “Ericsson AB”. Ato janë jo vetëm më cilësore, por edhe më të sigurta në funksionim. Përveç të tjerave, transmetuesit e kompanisë “Rohde&Schwarz” kanë një konsum energjie shumë më të vogël se pajisjet e ofruara nga konkurrenti i saj, që nuk po lë gur pa lëvizur për të fituar diçka që nuk mund të fitohet.
Kompania “Rohde&Schwarz” ka fituar pikët maksimale në të gjitha kërkesat e parashtruara nga dokumentet e tenderit, përveç një rasti, kur mori një pikë më pak se njëra nga kompanitë rivale me të, kompania “Ericsson AB”.
Oferta e kompanisë gjermane përfshin të gjitha pajisjet dhe shërbimet e kërkuara, ndërsa oferta e kompanisë suedeze lë për të dëshiruar në këtë drejtim. Për më tepër, një numër jo i vogël pajisjesh të ofruara nga kompania suedeze, janë jashtë çdo lloj standardi dhe me çmime shumë të larta, gjë që të shtyn të mendosh se fitimet që kjo kompani do të realizojë, nëse fiton, janë në shuma marramendëse.
Kompania gjermane “Rohde&Schwarz” dallohet edhe në propozimin financiar: është e vetmja që ka propozuar një kredi (kredi e mbështetur nga “Deutsche Bank”), që mund të përdoret menjëherë. Kompania gjermane është e vetmja që ka paraqitur edhe sigurimin e kësaj kredie, të cilin e ka bërë pranë kompanisë me emër të sigurimeve në Europë, “Euler-Hermes”. Kompanitë e tjera nuk e kanë bërë këtë, megjithëse kjo ishte kërkuar.
Është kjo arsyeja që kompania gjermane “Rohde&Schwarz” e fillon projektin që të nesërmen e firmosjes së kontratës dhe e mbaron atë tre muaj para afatit të vendosur nga BE.

6. A ka qenë e favorizuar kompania gjermane…
Pa asnjë dyshim, jo.
Vetë shpallja e fituesit, më 17 qershor, që është i ndryshëm nga fituesi i përzgjedhur nga komisioni i vlerësimit të ofertave, duhet ta kishte bindur zotin Dalipi se askush, aq më tepër autoriteti kontraktor, nuk e ka përkrahur këtë kompani.
Para më shumë se dy muajsh, në një prononcim për këtë tender, zoti Taulant Balla bëri një deklaratë, e cila u botua në gazetën “Shqip” të datës 26 prill, ku ai thotë: “…Një kompani gjermane, e interesuar për këtë tender, është vënë nën presion dhe i është thënë se nëse ajo dëshiron ta fitojë tenderin, duhet të jetë partnere me ministrin… Kompania gjermane, një nga më të mëdhatë në botë, e cila ka marrë garanci për financim nga Deutsche Bank, po vuan presionin korruptiv…”.
Qartë, shkurt dhe saktë.
Kompania gjermane nuk ishte e favorizuar, por, gjithnjë sipas zotit Balla, ishte vënë nën presion.
Sot, çuditërisht, deklarohet se nuk është kompania që i nënshtrohet presionit të ministrit, por qenkësh ministri që e përzgjedh atë në kurriz të kompanive të tjera.
Me shpalljen e dy fituesve, që ka bërë Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë, duket qartë se përkrahja e kësaj kompanie nga ana e ministrit nuk qëndron. Për më tepër, veprimet e fundit të zotit Pollo dhe të stafit te tij, në të cilat shpallet fituese kompania “EricssonAB” dhe vendoset që kontrata të firmoset urgjent me këtë kompani, nuk flasin për favorizimin e kompanisë gjermane, por për favorizimin korruptiv të kompanisë suedeze.
Duke qenë njëri prej pjesëtarëve të Sekretariatit Teknik që mori pjesë në ndërtimin e strategjisë të kalimit nga transmetimet analoge në ato tërësisht dixhitale, duke qenë një nga drejtuesit e projektit të dixhitalizimit të teknologjisë së prodhimit dhe transmetimit të programeve të RTSH-së dhe, duke qenë një nga anëtarët e komisionit të tenderit të shumëpërfolur, dëshiroj të shpreh mendimin se propozimi i kompanisë gjermane “Rohde&Schwarz” është i vetmi që plotëson parametrat teknike të pajisjeve dhe shërbimeve të parashtruara në RFP.
Zoti Pollo nuk është i bindur për vlerësimin e komisionit, megjithëse është ai që e ka ngritur zyrtarisht këtë komision.
Zoti Pollo dëshiron të pranojë vlerësimet e bëra nga kompania “Kordia” dhe punonjësi i saj, zoti McBride, megjithëse kjo është në kundërshtim me ligjet e vendit tonë.
Atëherë duhet një arbitër i besueshëm dhe profesional. Le t’i drejtohemi EBU, Bashkimi Europian i Transmetuesve Televizivë, që e drejton këtë proces në të gjithë Europën dhe ka specialist të aftë në këtë drejtim.

7. A qëndrojnë deklaratat mbi mangësitë e këtij tenderi…
Në këtë botë asgjë nuk është perfekte. Edhe procesi i dixhitalizimit të transmetimeve tokësore të RTSH-së, duke përfshirë dhe tenderin që e shoqëron, mund të ishin bërë më mirë.
Zoti Dalipi deklaron se ky projekt është pa tavan, pra me fjalë të tjera, pa fond limit. Kjo nuk qëndron. Fondi limit i përgatitur nga stafi teknik i RTSH-së ishte 20 milionë euro, pa TVSH. Fondi limit i KKRT ndryshonte nga ai i RTSH-së, sepse KKRT ndërtonte një projekt më të gjerë, që RTSH nuk e sheh të mundshëm për momentin dhe situatën e saj financiare.
Çmimi i projektit, ku përfshihen të tëra pajisjet dhe shërbimet e nevojshme, është 21,5 milionë euro. Shkon në rreth 23 milionë, sepse, me ndërtimin e projektit me kredi, duhet të llogaritet dhe sigurimi i kredisë, i cili është rreth dy milionë euro. Zoti Dalipi mund të bindet për këtë duke parë dokumentet e tenderit.
Fondi limit prej 21,5 milionë eurosh, nuk është vetëm për blerje pajisjesh në kuti, ai përfshin të gjitha elementet e një projekti “me çelësa në dorë”, pra edhe studimin përfundimtar të projektit, edhe instalimin e pajisjeve të ofruara, edhe punimet civile që shoqërojnë këtë projekt, edhe përgatitjen e personelit, e kështu me radhë.
Sa u përket çmimeve të blerjes, le të kujtojmë se 4 transmetues të prodhimit “Rohde&Schwarz” përdoren prej vitesh nga kompania “Digitalb”. Le të shihen çmimet me të cilat janë blerë ato pajisje dhe le të bëhen krahasimet me çmimet e ofruara sot. Nuk ka asnjë dyshim se çmimet e ofruara për RTSH-në janë më të lira. Dhe po flasim vetëm për çmimin e transmetuesit si pajisje në kuti…
Zoti Dalipi thotë se RTSH nuk e përballon dot kredinë dhe interesat e saj të larta. Ai arrin deri atje sa të përfytyrojë një të ardhme të zymtë për vetë institucionin e RTSH-së… Mendoj se shqetësimet e tij janë pa bazë.
Kredia e RTSH-se është e përballueshme, pa asnjë shqetësim, nga ana e këtij institucioni, ndërsa interesat e kësaj kredie, të rendit rreth 2% në vit, nuk krijojnë asnjë vështirësi për shlyerjen e saj.

8. Çfarë duhet bërë…
Duhet të nisim sa më parë zbatimin e projektit të RTSH-së. Nuk ka kohë për të pritur, aq më tepër që afati kufi i realizimit të këtij projekti është pas më pak se dy vjetëve. Pas kësaj, Shqipëria do të ndodhet në një “black-out” të plotë përsa u përket transmetimeve televizive në territorin e saj.
Nuk duhet të harrojmë se të gjitha vendet e BE e kanë mbyllur këtë proces dhe se vendet e tjera po ecin me shpejtësi për ta përmbyllur atë brenda afatit. Duhet të kemi të qartë se nuk ka shtyrje të këtij afati, gjë që është përdorur jo pak si pretekst për frenimin e këtij procesi.
Procesi i dixhitalizimit të teknologjisë së transmetimeve televizive është një nga 12 kërkesat e shtruara nga BE para qeverisë shqiptare në rrugën e saj për integrimin europian të vendit dhe me këtë kërkesë. Qeveria e re do të përballet në tetorin e ardhshëm.
Prandaj duhet të pushohen përpjekjet dhe deklaratat, të cilat, gjithsesi, janë të kota, kundër projektit të RTSH-së. T’i jepet RTSH-së përkrahja e duhur për të ecur përpara në rrugën e ndërtimit të një shërbimi televiziv publik, i cili të plotësojë detyrimet e tij ndaj taksapaguesve shqiptarë. Le ta bëjmë këtë për t’u ndier krenarë për RTSH-në e viteve të ardhshme.

* Autori është anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave të tenderit të RTSH. Drejtor Teknik i RTSH.
* Titujt e shkrimit janë të redaksisë. Titulli i autorit është “Për ata që e duan RTSH-në…”