Sander Prosi Artsit i Popullit
Lindi ne Shkoder, ne janar te vitit 1920. Pasi mbaroi shkollen fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranes. Merr pjese ne dramen "Vilhelm Teli". Shkon per studime ne Austri per dentist, te cilat nuk i mbaroi. Me 1947 merr pjese ne konkursin prane Teatrit Popullor dhe e fiton ate. Mbi 100 role te ndryshme te interpretuara me mjaft mjeshteri ne Teatrin Kombetar dhe ne kinematografi. Ky eshte thjesht ne shifra artisti yne i mrekullueshem Sander Prosi, por pas shifrave...
Kujtojme figurat e paperseritshme "Fytyra e dyte" rolin e Vuksanit, Horatin tek "Hamleti", Otellon tek "Otello", dhe Mileri tek "Intrig e dashuri" ku figurat nuk kapen ne menyre te pergjithshme, statike por ne zhvillim e siper si rezultat i kontradiktave qe zhvillohen ne nje veper dramatike. Artisti nepermjet monologut te brendshem zberthente gjithe shqetesimet, preokupacionet e mendimet e personazhit. Nje artiste me nje profil krijues teper fin, teper te vecante. Tek Sander Prosi vihet re individualiteti qe e karakterizon, jo vetem ne ate cka ai ben, por edhe ne unitet mendimi dhe ndjenja. Si aktor i zgjuar deperton ne thellesi te roleve deri ne skutat me te erreta te tyre duke zberthyer deri ne detaj psikologjine e personazhit. Ka luajtur role nga me te ndryshmet dhe asnjehere nuk ka qene i njejte. Njeh mjaft bukur boten emocionale te personazhit. Rolet e interpretuara prej tij jane sa jetesore dhe te natyrshme, ku ne gamen e interpretimeve spikat thjeshtesia. Sander Prosi mban mend qe nena e tij, Anastasia, kur mblidhej me shoqe e kendonte, ndersa gjyshi ishte instrumentist i mire popullor.
Artisti i Popullit Sander Prosi ne vitet 1962-1975 e deri sa vdiq dha mesim si pedagog ne degen dramatike ne Akademine e Arteve.
Ne rolin e Otellos
Artisti zhvilloi nje pune teper te madhe ne rolin e Otellos, pune kjo qe zgjati kater vjet deri ne pergatitjen e mbrapme te rolit. Punonte me vetveten per te arritur ndjesite komplekse te figures. Vemendje i kushtoi punes me plastiken, zerin duke synuar thelbin analitik e logjiko-emocionale te tij. Otello i Sander Prosit u shfaq si njeri i paster me gjeresine dhe thellesine vitale te njeriut qe beson deri ne naivitet dhe kur zhgenjehet rebelohet ne menyr` tragjike. Otellon shume teatro e tajtojne si tragjedi te xhelozise por Sander Prosi nga perberja e konstrukti psikik nga tiparet morale, personazhi i rezultoi ndryshe. Besa dhe nderi jane nder vecantite e ketij fisniku qe e kane udhehequr tere jeten e vet, besen e nderon dhe e cmon kurse pabesine e denon. Artisti dashurine per Dezdemonen e interpreton si dashuri te kulluar te natyrshme te paster qe buron nga shpirti bujar. Otello i Prosit eshte shprehje e nje natyre te ndjeshme.
Ne rolin e gjeneralit tek "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"
artisti gjithnje studionte personazhin nga vinte, kujt i perkiste e c'motive e shtynin. Vezhgonte imtesite e botes se brendshme te personazhit. Me nje pune titanike njesohej me figuren. Gjenerali eshte i sjellshem, delikat, i dashur ne dukje por ne brendesi te tij eshte nje vullkan qe rreh te gjeje rastin per te shperthyer.
Publiku pa me sy nje gjeneral qe erdhi per te prishur nje dasme te bukur shqiptare, por forca vitale e vendit e shtang e pastaj e zvogelon. Artisti si mjeshter i skenes perdor ngjitjet e zbritjet ne menyre virtuoze. Ai luan ne teater dhe se imiton jeten por e ngre ate ne nivelin e te pamundures ku shkelqen estetika e larte. Ne monologjet e dramave te interpretuara prej tij nderthuret bukur tragjikja, komikja, aktori kalon nga nje situate tek tjetra duke ruajtur ndjenjen e mases. Ai ben si i cmendur, por thelle brenda tij eshte vetedija e artistit per te kuptuar thelbin e rolit, mesazhin e publikut. Artisti i Popullit regjisori Piro Mani eshte shprehur "Sandi sikur ka lindur per te luajtur Horatin tek "Hamleti". Sandri eshte nder figurat me te realizuara". Vete aktori Sander Prosi eshte shprehur: "Talenti zhvillohet nga ndjenja e dashurise per punen". Arti i Sander Prosit spikati qysh nder figurat e interpretuara nga vitet 1953 ku interpreton Von Shubes, Vata, kamarieri Mitka, vazhdon me Zabelinin, shkelqen tek Prefekti ku artisti shpalos nje game te gjere situatash komike me mjeshteri te pazakonte. Ne rolin e Isa Boletinit u shqua si interpret i atdhetarit te flakte, luftetarit te madh te lirise me te cilin u identifikua ky talent brilant.
Arti kinematografik i Sander Prosit
Aktori ka interpretuar me talent te rralle figurat e mesuesit, doktor Boroves, inxhinjer Sharres, Jaho Labit, etj. Figura e Dhaskal Todrit e interpretuar nga Prosi ka mbetur ne kujtesen e publikut shqiptar. Me mjeshteri te rralle artistike interpretoi figuren e Ismail Qemalit. Ai dha nje Ismail Qemal te urte, te mencur, njeriun qe rrezaton autoritet, besim e respekt plot ndjenja njerezore ne cdo hap e veprim. Arti i vertete eshte i veshtire dhe kerkon pune, talent dhe dije. Figura e Ismail Qemalit ne te cilen gjallon force, gjalleri mendore e fizike sjellje te mira takti e vetepermbajtjeje diplomati gjeti realizimin me te arrire nga ky artist i madh. Po miqte, shoket, koleget ne kete 84-vjetor te lindjes se Artistit te Popullit Sander Prosi flasin sikur ta kene prane e sikur bisedojne me te. Sander Prosi ishte i sakte, i vertete, i mencur e i matur, shqiptar deri ne palce ne jete dhe ne art. Veprimtaria e tij skenike para nesh mbetet e gjalle.
Fati nuk mund të kishte qenë i pabesë me Sandër Prosin. Edhe pse me një diplomë stomatologu në xhep, ai nuk mund ta tradhtone pasionin që kishte për skenën. I sapokthyer nga studimet në Austri, kishte dëgjuar për një konkurs që Teatri Kombëtar organizonte për aktorë dhe ai nuk u mendua gjatë. Qysh kur ishte adoleshent, i kishte ngelur si gozhdë një merak. Kishte tentuar të luante në dramën e Shilerit “Vilhelm Tel”, por pas disa provave të lodhshme gjithçka ishte anuluar nga fashistët. Brenda pak kohësh u kthye në aktor, pedagog, një kult i teatrit dhe i kinemasë shqiptare. Pati mësues dhe kolegë të njohur, si: Naim Frashëri, Andon Pano, Marie Logoreci e shumë të tjerë, një plejadë aktorësh të vjetër që vendosën themelet e aktrimit në vend.
Sandër Prosi lindi janarin e 1920 në qytetin ku u këndua për vite të tëra “Luleborë”. Qysh kur ishte ende në gjimnaz provoi të vishte petkun e njërit prej personazheve të dramës "Vilhelm Tel", e cila nuk mundi të shfaqej. Pasionin për teatrin e kishte që i vogël kur shkonte në kinema. Aty jepeshin shfaqje nga grupi amator i drejtuar nga Mihal Popi dhe ai përpiqej sadopak që të përshtatej me personazhet që kishin filluar t’i ceknin ëndrrën e tij të madhe, atë të aktorit. Por me sa duket planet që kishte për të familja ishin ndryshe. Niset për studime në Austri në degën stomatologji, të cilat i la përgjysmë. Pasi kishte lënë kujtimet e ëmbla të Austrisë, merr pjesë në konkursin e Teatrit Popullor, ku edhe iu besua roli i parë. Roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë "Prefekti" të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Popullariteti i tij si aktor lidhet me karakterin e thellë popullor të artit të tij. Vetitë fizike, trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një aktori të madh që i vjen rrallë skenës shqiptare. Krijimet e Sandër Prosit në film shënojnë kulme në mjeshtërinë e aktorit. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film. Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik". Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm që u bë artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t'i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë "Artist i Popullit". U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit "Pranverë e hidhur" më 24 mars 1985.
Portreti i harruar
Në një nga vilat e vjetra në zonën e Bllokut, në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto tani pakkush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri te hotel “Vollga” asnjëri nuk e ndjeu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.
Trofe
Sandër Prosi, edhe pse është konsideruar shpesh si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, sërish nuk ka marrë aq sa duhet nga shteti. Gjatë karrierës së tij aktoriale ai është nderuar me disa çmime, kupa, medalje, si dhe me çmime të Republikës. Në ‘75 u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë për rolin e Jaho Labit në filmin "Në fillim të verës". Sot numëron në mbi 100 role të interpretuara me mjeshtëri në teatër dhe kinematografi, por asnjëra prej tyre nuk mund të përsërisë realizimin e figurës së Ismail Qemalit, e cila u nderua me Medaljen e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë. E kush e ka harruar Dhaskal Todrin, i cili është ngjizur aq mjeshtërisht nga Sandri, edhe ky po kaq i vlerësuar nga publiku? Kolegët dhe të afërmit tregojnë se ai krijonte një lidhje të çuditshme me personazhin, duke përftuar në këtë mënyrë ndjesi të tilla që shkriheshin direkt me rolin. Sandër Prosi njihte mirë letërsinë, që shërbente për të zbërthyer mjeshtërisht personazhet, para se ai të vishte petkun e tyre.
Sekreti i lotëve tek “Udha e shkronjave”
Dhaskalin plak askush nuk mund ta shlyejë lehtë nga kujtesa. Stafi që ka punuar gjatë për realizimin e këtij filmi gërxheve të Himarës tregon se u është dashur shumë mund për të realizuar këtë film, që mbart një emocion të madh. Mes zagushisë së tejskajshme ato ditë edhe aktorit të madh nuk mund t’i mbusheshin sytë më lot (ashtu siç e kërkonte skenari) në momentin kur ai kthehej i mallëngjyer në vendlindjen e tij të dashur. Pas disa dublave të njëpasnjëshëm regjisori Pali Kuke kishte vendosur t’i ndërpriste xhirimet. Stafi realizues u shtri të pushonte nën hije. Zhurma e autobusit të linjës as që i kishte bërë përshtypje stafit, aq më shumë të ktheheshin në sheshxhirim. Boria kishte prishur qetësinë, ndërkohë që në atë të përpjetë u dëgjua frenimi i përtuar i autobusit Vlorë-Himarë. Mes tymit dhe afshit përvëlues zbret nga autobusi një burrë dhe i jep Sandër Prosit një qese me qershi. “E ke nga të gjithë ne", - i tha ai. Kaq u desh që aktori të thërriste: "Fillojmë xhirimin". Emocioni kishte marrë udhë dhe ai nuk donte ta humbiste këtë moment.
Galeria e roleve
Për më se tri dekada Sandër Prosi krijoi mbi 80 role në teatër dhe kinematografi, të shkëputura këto nga 75 vepra të autorëve të huaj dhe vendas. Klasi i tij aktorial bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit. Ata ishin aq të ndryshëm dhe për këtë qëllim u bënë mjaft popullorë dhe të pëlqyer nga publiku. Trupi i drejtë, pamja fisnike, një nur i pakrahasuar skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, zëri i veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës, që u gdhend natyrshëm te publiku. Ai luajti në mjaft filma, të cilët padiskutim u cilësuan të suksesshëm. Nëse bëjmë një shëtitje të shkujdesur në galerinë e roleve të tij, do të veçojmë filmat: "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Mëngjese lufte", "Yjet e netëve të gjata", "Në fillim të verës", "Fijet që priten", "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni", "Udha e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit", si dhe shumë të tjerë, po kaq të njohur nga shikuesit dhe gjithashtu të pëlqyer.
Disa nga filmat ku ka luajtur
"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit"
Krijoni Kontakt