-Një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit bëri thirrje publike, kundër kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me diktatorët, Enver Hoxha dhe Hitlerin dhe i kërkoi ndihmë kryeministrit ende në detyrë, Sali Berisha që t’i drejtonte në rrëzimin e Edi Ramës. Fjala është për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, që i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Sali Berisha për të rrëzuar fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Edi Rama. Në një status në profilin e vet në Facebook, hedhur të dielën në mbrëmje rreth orës 20.00, përmes celularit, Breçani i bëri thirrje publike Berishës që t’i prijë në rrëzimin e kryeministrit të ardhshëm, duke e cilësuar atë Enver të dytë dhe Hitler. “Përshendetje liderit historik të shqiptarëve Doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën, ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studentë të ’91-it shembëm diktaturën enveriste. Do gjejmë forcë dhe optimizëm, do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”-shkroi Brecani në profilin e vet në Facebook.
Pas këtij mesazhi erdhën edhe disa mbështetje online. Dikush iu përgjigj se ai është kandidati i duhur për kryetarin e PD-së, duke uruar që ta shohin në atë post një ditë dhe se PD është e Tropojës. Një tjetër i shkroi se: “E meriton vërtet vendin e Doktorit...”, një tjetër i shkroi se: “Besnikëria, përkushtimi dhe fisnikëria me të cilën ti i shërbeve kryeministrit, liderit të kombit, ka bërë që të gëzosh respekt dhe vlerësim nga të gjithë ata që të njohin dhe të kanë dëgjuar vetëm emrin”, se: “Patjetër që do jemi të bashkuar dhe s’do lejojmë që disa besëprerë bukëshkelur të shkelin mbi idealet dhe atë që Lideri ynë arriti të lartësojë”, “Do ta rrëzojmë birin e k... ës Edvin Ramën se askush nuk na ndal”. Por ka edhe disa komentues që nuk janë dakort me PD-në dhe figurat që e përfaqësojnë sot atë. Njëri prej tyre shkruan se: “Problemi i PD-së është se ka shumë komunistë, spiunj, sigurimsa, ish-anëtarë të Partisë së Punës..... duhet brezi i ri...”, apo se: “PD me deputet Kastriot Islamin, Genc Pollon, Rusmajlin, Agim Shehun, oficerin e kufirit që vriste njerëz në kufi, e vër Saliun që ishte anëtar partie e i përkëdhelur i Bllokut, s’më duket shumë parti e djathtë, pa përmendur terroristin Arben Imami që vriste oficerë të republikës në 1997...”.
Breçani
Erzen Breçani është një emër i njohur i njohur për publikun dhe gjithkund i shfaqur ka ka patur dhunë ndaj qytetarëve. Në 21 janar 2011 ai ishte shef i komisariatit numër 2 të Tiranës dhe në krye të dhunës së paprecedentë që ushtroi policia ndaj qytetarëve të pafajshëm që ndodheshin në shesh pasi kishte mbaruar protesta ose ishin kalimntarë, disa orë pasi katër qytetarë ishin vrarë nga garda përballë kryeministrisë. Katër muaj më vonë po ky shef policie ushtroi dhunë edhe ndaj deputetëve të PS-së që protestonin para KQZ-së, pas vendimit për rinumërimin e votave për bashkinë e Tiranës, pas të cilave rezultati u përmbys në favor të kandidatit të PD-së, Lulzim Basha. Në tetor 2012, me vendim nga Drejtoria e Policisë së Tiranës u hoqën policët që ruanin vendin ku zhvillohej greva e urisë e ish-të përndjekurve politikë te “Komuna e Parisit”, për tu zëvendësuar me policët e komisariatit numër 2 në krye të të cilëve ishte Breçani. Pas kësaj policia zgjeroi rrethimin në zonën ku po zhvillohej greva e urisë, u ndaloi komunikimin me jashtë grevistëve dhe pengoi furnizimin me ujë dhe me lëngje frutash, përfshirë pakot me sheqer, që ishin jetike për grevistët. Në 8 prill 2013 një kameraman i “Top Channel” u dhunua pse po filmonte dhunën policore ndaj tifozëve të ndeshjes Tirana-Skënderbeu, që hidhnin parulla kundër kryeministrit Berisha. Ai deklaroi se u pengua tqë të bëjë detyrën dhe më pas u shoqërua në komisariatin numër 1, ku, sipas deklaratës së bërë, u godit nga zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Pas protestës së televizionit dhe gazetarëve, Drejtoria e Policisë tha se e kishte pezulluar nga detyra Breçanin, por në 16 prill ai ishte në krye të policëve që dhunuan qytetarët dhe banorët e një pallati ku ku ishin nxjerrë me dhunë 13 familje. Së fundi Erzen Brecani u shfaq në 24 qershor 2013, po në cilësinë e zv.drejtorit të Policisë, në mbrojtje të një tentative për të ndërruar kutitë e votimit në Qendrën e numërimit të votave në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë në KZAZ-në numër 33, ku 6 punonjës të ÇEZ-it me makinë hynë fshehurazi brenda në oborrin e KZAZ-së nr.33 dhe komisionarët e PS-së i kanë kyçur ata brenda dhe kanë njoftuar policinë. Deputeti Abazi tha se policia i ka lejuar të hyjnë në KZAZ pa autorizim dhe se punonjësit e ÇEZ-it u larguan nga prapa shkollës dhe policia nuk ka veproi. Akuzave të deputetëve të PS-së, breçani u ishte përgjigjur: “Unë jam gjeneral i policisë së shtetit, as i Saliut, as i kurrkujt!”, ndërsa deputeti Fatmir Xhafa e akuzoi Breçanin: “Ti je aksident në polici. Për fat mbaroi koha jote. E ke përdorur policinë e shtetit. Ti je ordiner”. Drejtuesit e opozitës aktuale, Rama dhe Meta, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve kanë bërë thirrje që Policia e Shtetit të distancohet nga aktet e dhunës dhe mbështetjen e qeverisë, siç u duk ditën e votimeve, kur një simpatizant i LSI-së u vra në Laç, ndërsa policia nuk ishte pranishme.
SHEKULLI
Krijoni Kontakt