A ekziston Kalaja e Korçës?


4qershor Rruga ku u zbulua kalaja e Korces

KORÇË- Disa njerëz kishin qenë duke punuar diku aty ku shtrihej oborri i shtëpisë së Sugarëve, një prej familjeve të vjetra të Korçës. Ata po punonin për hapjen e themeleve sepse pikërisht aty do të ngrihej një ndërtesë, kur krejt papritur zbuluan se poshtë dheut që po hiqnin shtrihej një mur i stërmadh me përmasa të habitshme. Muret shkonin deri në 2 metra gjerësi. Askush prej tyre nuk mund ta merrte dot me mend se sa të lartë kishin qenë dikur ato mure. Gurët ishin të gjithë të zinj e të rrumbullakët, i kishin vendosur në mur ashtu siç kishin qenë, pa u bërë ndonjë latim. Që të gjeje fundin e gurëve, ndoshta do të duhej të punoje për ditë të tëra me radhë.

(Disa ditë më vonë do të merrej vesh se lartësia e mureve të mbetur nga rrënimi, shkonte deri në 2.5 metra). Befasia ishte e madhe. Mos vallë poshtë këmbëve të tyre, që prej shekujsh kishte qëndruar i fshehur një qytet i nëndheshëm dhe askush nuk e dinte? Për momentin askush nuk mund të jepte një përgjigje të saktë. Ishte viti 1923. Deri atë ditë ndërtesa që tërhiqte vëmendjen e çdo banori të asaj zone, kishte qenë shtëpia e Sugarëve, jo vetëm sepse ajo ishte një shtëpi e bukur e me oborr të madh të mbushur me lule, por edhe sepse kjo ndërtesë kishte patur një histori të paharrueshme.



SHTËPIA E SUGARËVE



Sipas studiuesit Niko Kotherja, “ndërtesa e Sugarëve u ngrit në bulevardin kryesor të asaj kohe rreth viteve 1880-1885. Kur ushtria franceze hyri në Korçë e shndërroi atë shtëpi në seli të veprimtarisë së saj politike dhe ushtarake. Shtëpia e Sugarëve u kishte pëlqyer shumë.

Ajo ishte një ndërtesë me ballkon ku mund të vendosej flamuri dhe të shihej që në çastin e parë nga kushdo që hynte në qytet. Francezët vendosën flamurin e tyre. Kur Korça u shpall krahinë autonome, më 10 dhjetor 1916, në shtëpinë e Sugarëve u vendosën anëtarët e Këshillit të Qeverisë Shqiptare, por pas pushkatimit të Themistokli Gërmenjit, në shkurt të vitit 1918, shtëpinë e rimorën sërish francezët. Flamuri frances u valvit në ballkonin e asaj shtëpie deri më 1920, kur ata u larguan nga qyteti. Pas kësaj, Korça iu bashkua Qeverisë së Tiranës. Në maj të këtij viti, në ballkonin e kësaj shtëpie u valvit përsëri flamuri shqiptar. Shtëpia e Sugarëve vazhdoi të ishte ende në shërbim të administratës shqiptare. Aty u vendosën zyrat e gjendjes civile të

Korçës dhe aktet e tjera, deri në akomodimin e ndërtesës së Bashkisë së qytetit, e cila ndodhej disa metra më poshtë”. Tashmë në afërsi të shtëpisë së Sugarëve po zbuloheshin fragmente muresh të çuditshëm. Ashtu siç ndodh gjithnjë në raste të tilla, brenda pak minutash shumë banorë

të qytetit të Korçës u gjendën aty. Secili jepte mendimin e vet. Pak a shumë të gjithë binin në një mendje se muret duhet të ishin konturet e një kalaje tepër të hershme. Dikush tha se kjo kala mund të ishte ndërtuar nga Muzakajt.



MUZAKAJT



Ah, Muzakajt! Sigurisht që ata mund ta kenë ndërtuar një kala të tillë pikërisht këtu mu në mes të Korçës, shpresonin banorët që ishin mbledhur aty. Rrënojat e mureve u gjetën përgjatë bulevardit që sot mban emrin “Shën Gjergji”, te vendi ku aktualisht ngrihet qendra kulturore “Vangjush Mio”. Lajmi ishte drithërues. Lavdia e qytetit të Korçës tashmë do të ishte edhe më e madhe. Historia e saj nuk do të zinte fill që para 5 shekujve siç ishte thënë deri më tani, por shumë më herët se sa kaq. E pra, qyteti paskësh qenë aty nën këmbët e njerëzve dhe askush nuk e paskësh ditur. Tashmë qyteti do të fliste, do të flisnin gurët e tij të zinj dhe të rrumbullakët, ai do të fliste me zërin e magjishëm të tij, do të tregonte gjithçka që dinte… Ndoshta do të gjendej edhe ndonjë shenjë e Muzakajve. Nuk ishte e mundur që emri i Korçës të ishte shkruar për herë të parë vetëm në regjistrat osmanë të vitit 1431-1432 dhe asnjëherë tjetër më herët se kaq, madje turqit ne regjistrin e tyre, nuk e kishin shkruar Korçë emrin e qytetit, por Gjorixhë! Shumë prej njerëzve që ishin mbledhur pranë mureve të kalasë kishin dëshirën të rrëmbenin kazmën dhe të fillonin të gërmonin deri sa të zbrisnin në shtresat e fundit të qytetit të nëndheshëm, aty ku banesat kishin patur oborret dhe vazot me lule. Ata do të zbrisnin përmes çative të gremisura duke lënë pas botën e sipërme për t’u takuar me të vdekurit, ashtu siç ndodh gjithnjë nëpër legjendat e ringjalljes. Askush prej të pranishmëve nuk donte ta besonte se historia e Korçës fillonte 5 shekuj më parë, jo historia e saj duhej të ishte shumë më e hershme se kaq.



GJENEALOGJIA E MUZAKAJVE



Banorët e Korçës dinin gjithashtu se përveç regjistrave osmanë të viteve 1431-1432 emri i Korçës ekzistonte i regjistruar edhe në një dokument tjetër që e përmendte Korçën si qytet që nga shek. XIII. Ajo çka thuhej në atë dokument ishte shkruar nga vetë dora e njërit prej pinjollëve të Muzakajve. Kishte qenë viti 1510 kur Gjon Muzakaj ishte ulur dhe kishte lënë të shkruar për bijtë e vet historinë dhe gjenealogjinë e derës së Muzakajve. Gjoni kishte renditur në letër të gjitha zotërimet e Andrea Muzakës, që i kishte pasur që nga vitet 1280-1281. Në këtë kohë Andrea kishte fituar titullin sebastokrator dhe ishte bërë zot i një krahine që shtrihej në të gjithë Shqipërinë Qendrore e deri në lumin e Vjosës në jug me kryeqendër Beratin, ku ndërmjet të tjerave përfshinte edhe Myzeqenë, Tomoricën, Oparin, Devollin dhe Kosturin… Gjoni kishte përmendur edhe qytetin e Korçës, të cilin e kishte cilësuar si qytet. U desh që Gjoni ta shkruante

gjenealogjinë e familjes së tij, sepse pikërisht në këtë kohë (1510) po përgatitej kundër Turqisë një nga ndëshkimet më të mëdha që do të sillte shkatërrimin përfundimtar të saj. Princat shqiptarë që ishin larguar nga atdheu, patën shpresën e madhe se tashmë po afronte dita e rikthimit në

principatat tyre. Madje ishte kjo arsyeja pse princi Gjon Muzaka u ul dhe shkroi gjenealogjinë e familjes së tij dhe porositi bijtë e vet se si duhej t’i ndanin pronat mes tyre. Fatkeqësisht, kryqëzata kundër Turqisë nuk ndodhi, por gjenealogjia e familjes Muzaka mbeti e shkruar.

Ajo u gjet nga albanologu gjerman Karl Hopfi më 1863 në Bibliotekën Brankaciane të Napolit, i cili e botoi atë të plotë në vitin 1873. Megjithatë, thuhej gjithashtu se gjenealogjia e Muzakajve kishte qenë e botuar shumë kohë më parë nga ajo e botimit të Hopfi-t, madje që nga viti 1606. Tashmë nëse edhe muret e kalasë do të tregonin qoftë edhe diçka më shumë, atëherë pikëpyetjet që rrinin pezull mbi zanafillën e qytetit të Korçës do të binin një nga e nga një ashtu siç këputen pikat e shiut nga strehët e shtëpive…



MURET E KALASË



Punimet për hapjen e themeleve vazhdonin dhe fragmente muresh vijonin të dilnin në sipërfaqe. Ndoshta mund të gjendeshin edhe sende të vjetra, të rralla, ku i dihej, poshtë mureve që po zbuloheshin, mund të gjendej edhe ndonjë thesar i fshehur. Njerëzit dinin shumë pak se çfarë mund të kishte ndodhur në vitet 1280-81 kur Andrea Muzakës iu dha titulli sebastokrator. Banorët e Korçës kujtonin jo pa krenari se Muzakajt ishin me origjinë nga Lavdari i Korçës. Entuziazmi ishte i madh, por si në çdo vend të botës edhe në Korçë pati njerëz që menduan se e gjithë kjo zhurmë për disa mure të gjetura poshtë truallit të qytetit, nuk ishte gjë tjetër veçse një marrëzi, ashtu sikurse pati të tjerë që prisnin të dëgjonin se çfarë do të thuhej nga historianët dhe arkeologët. Muret e kalasë ishin gjetur në anën e djathtë të lumit. Lumi i Moravës e ndante Korçën në dy pjesë: në krahun e majtë të tij jetonin myslimanët, ndërsa në të djathtë ortodoksët. Tashmë që zbulimi i mureve të kalasë kishte ndodhur, nga shumë banorë të Korçës kjo gjetje po konsiderohej prej tyre si zbulimi më i madh i gjithë shekujve të fundit.



PRITJE…

Megjithatë ata vazhdonin të qëndronin në pritje, nëse do të vërtetohej që kalaja ishte e ndërtuar nga Muzakajt ose jo. Mbi të gjitha, e rëndësishme do të ishte që kjo kala të ishte ndërtuar së paku para pushtimit osman. Shpresohej shumë të ndodhte kështu. Tashmë adhuruesit e kalasë ishin bërë të shumtë. Flisnin për kalanë, për gurët e zinj dhe të rrumbullakët, për gjerësinë dhe lartësinë e mureve, për vjetërsinë e saj, flisnin edhe për gjenealogjinë e familjes Muzakaj dhe prisnin që

gjithçka të vërtetohej… Jo se nuk i besonin gjenealogjisë së shkruar nga Gjon Muzakaj, ai ishte një dokument mjaft i vyer, por në pjesë të veçanta të tij kishte diçka që nuk shkonte… Gjon Muzaka i kishte renditur në gjenealogjinë e tij të gjitha pronat që kishte pasur kjo familje që nga vitet 1280-81, por këtë gjë e kishte bërë në vitin 1510, ose 200 e ca vjet më pas, kur emri i Korçës tashmë kishte gati 80 vjet që kishte dalë në skenë dhe sigurisht që Gjoni mund të ishte ndikuar nga ky fakt. Gjon Muzakaj e kishte përmendur emrin e Korçës, sepse edhe fusha e Korçës kishte qenë pronë e familjes së tyre, por në atë kohë kjo fushë njihej si Devoll. Dyshime mbi këtë dokument, mbi disa nga të dhënat që jepen aty, kanë shfaqur edhe historianët e huaj. Gjermani

Franc Babinger disa nga këto informacione i konsideronte “të diskutueshme”, kurse historiani Ducellier “si konfuze”. Megjithatë, dokumenti në tërësinë e vet kishte vlerën e një diamante, por kishte edhe diçka tjetër që sillte dyshime kur fliste për ekzistencën e Korçës si qytet, sepse, si ishte e mundur që duke filluar që nga viti 1280 e deri në kohën e regjistrimit të parë osman të vitit 1431-32, Korça nuk ishte përmendur qoftë edhe një herë të vetme as nga historianët e

vjetër, as në shënimet e udhëtarëve, as nga pushtuesit, dhe as nga dikush tjetër?! Për të gjitha këto arsye, ekzistenca e Korçës si qytet që nga shek XIII dukej tejet e pabesueshme. Ndaj kishte mbërritur momenti që vetëm kalaja mund të thoshte fjalën e saj dhe gjithë spekulimeve t’u jepeshin fund njëherë e mirë. Pas kësaj, historia e Korçës do të fillonte të shkruhej ndryshe.



KALAJA E KORÇËS E BANUAR ME 26 SHTËPI



Ditët kalonin dhe pjesë të tjera muresh të kalasë po dilnin mbi sipërfaqen e tokës. Në të vërtetë askush nuk po punonte për zbulimin e kalasë, gjithçka që po dilte në dritë ishte rrjedhojë e hapjes së themeleve për ndërtesën që do të ndërtohej nga bashkia e qytetit. Ndoshta një ditë do të ishte shteti ai që do të bënte zbulimin e plotë të kalasë në gjithë shtrirjen e saj, madje thuhej se disa specialistë të kësaj fushe, historianë dhe arkeologë, do të vinin së shpejti në Korçë për të parë muret që ishin zbuluar gjatë atyre ditëve. (Edhe sot e kësaj dite nuk dihet në mbërritën ata). Megjithatë tashmë gjithçka ishte e qartë: muret i përkisnin një kalaje të hershme. Nuk mbetej asnjë vend për dyshim. Kalaja e Korçës ishte përmendur edhe në regjistrimin e parë osman të vitit 1431-32 ose siç njihet ndryshe, në “Regjistrin e Korçës dhe Përmetit”. Në këtë regjistër, qyteti i Korçës, por që turqit çuditërisht e quanin “Gjorixha”, rezultonte si një kështjellë e banuar me 26 shtëpi. Regjistrimi i këtij viti bënte të ditur gjithashtu se pranë me Gjorixhën gjendeshin edhe dy fshatra të tjerë: Mborja e cila ishte nën zotërimin e Subashit të Gjorixhës (Korçës) dhe Peskëpia që rezultonte si timar i Kadiut të Gjorixhës (Korçës). Gjithashtu kalaja e Korçës përmendej sërish edhe në regjistrimin osman të vitit 1568-69, ku tashmë numri i familjeve ishte shtuar edhe me 7 familje të tjera. Gjithsej numëronte 33 kryefamiljarë. Në ato ditë kur flitej vetëm për zbulimin e mureve të kalasë, nuk munguan as të moshuarit të tregonin gjithçka që kishin dëgjuar nga të parët e tyre dhe ato që mbanin mend. Sipas të moshuarve, vendi ku u zbuluan muret e kalasë, nga prindërit e tyre ishte quajtur “Lagjja e kalasë”, ndërsa rruga që kalonte aty njihej si “Rruga e kalasë”, vendi përballë me kalanë njihej si “Sheshi i kalasë” dhe nese do t’i referoheshim studiuesit Pirro Thomo, “vendndodhja e kalasë mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brenda territorit të kufizuar nga lumi (sot shëtitorja “Fan Noli”), rruga “6 Dëshmorët”, shëtitorja e “Shën Gjergjit” dhe nga rruga që të çon në pazar”. Pra, çdo ditë që kalonte dukej sikur gjithçka po bëhej edhe me qartë…. por ekzistonte edhe një dyshim që askush nuk dëshironte ta thoshte me zë të lartë: a ishte vërtet kjo kala, ajo për të cilën flisnin regjistrat osmanë të vitit 1431-1432 apo bëhej fjalë për ndonjë kështjellë tjetër?



“RRËMBIMI” I PAZARIT



Shumë njerëz përpiqeshin të sillnin fakte dhe gojëdhëna. Të moshuarit dhe ata që kishin studiuar në vende të ndryshme të botës, sollën edhe një fakt tjetër, që për çudi deri atë ditë nuk ishte përmendur kaq shpesh. Fakti ishte mjaft interesant, veç se ata nuk i mbanin mend të gjitha detajet… Ngjarja pak a shumë ishte kjo: diku pranë kalasë, ku banonin 26 familje, kishte ekzistuar edhe një pazar, për të cilin thuhej se ishte i bukur, plot gjallëri e me një klientelë të qëndrueshme. Në territorin e pazarit gjendej edhe një hamam, gjë që e bënte pazarin edhe më të frekuentueshëm nga njerëzit. Fatkeqësisht pazari nuk e pati jetën të gjatë. Një ditë prej ditësh Iljaz bej Mirahori, themeluesi i qytetit të Korçës, i ndjekur nga trimat e tij, kishte hyrë në treg dhe u kishte kërkuar tregtarëve që ta braktisnin këtë pazar dhe të vinin në fshatin e tij ku po ndërtohej një treg edhe më i madh, edhe më i bukur se kaq, ku dhe fitimet do të ishin edhe më të mëdha, por tregtarët në vend që t’i bindeshin urdhrit të Mirahorit, i kishin dërguar letër sulltan Bajazitit II, të cilit i kërkonin ndihmë… Sulltani u kishte dhënë të drejtë tregtarëve, por Mirahori mundi ta zgjidhte çështjen në favor të vet, sepse ai ishte dhëndër në familjen e sulltanit. Pas kësaj, ditë më pas, i ndjekur sërish nga njerëzit e tij, Mirahori hyri përsëri në treg, por kësaj radhe për t’u dhënë tregtarëve dhe zanatçinjve urdhrin e prerë që të largoheshin nga pazari që atë çast. Tregtarët dhe zanatçinjtë përsëri kishin hezituar, por kjo gjë i kishte nervozuar edhe më tepër trimat e Mirahorit. Pa pyetur askënd, ata filluan të prishin ambientet e pazarit dhe veç kësaj prishën edhe hamamin që ndodhej aty. Këtë Pazar, Mirahori, mundi ta transferonte në fshatin e tij aty pranë. Nuk dihet nëse tregtarët e pazarit të kalasë shkuan në tregun që ishte ngritur nga Iljaz bej Mirahori, nëse iu bashkuan tregut të Mborjes që nuk ishte shumë larg nga aty, apo gjetën fatin e tyre diku tjetër, por e vërteta është se ata e braktisën tregun te kalaja, sepse ai vend i mbetur pa pazar, tashmë nuk vlente për asgjë. Gjithsesi, për këtë histori që zinte fill 400 vjet më parë, ende nuk e kishin në dorë dokumentin që të shihnin të gjitha detajet e tij. Dikush prej të pranishmëve premtoi se do të sillte letër- ankesën e tregtarëve që i kishin drejtuar sulltan Bajazitit II për ndihmë …



LAJMI I KEQ

Të nesërmen në gjithë qytetin u përhap një lajmi i keq. Punëtorët e bashkisë i kishin ndërprerë punimet. Sipas tyre, hapja e themeleve kishte përfunduar dhe tashmë do të niste puna për ngritjen e ndërtesës. Kjo do të thoshte se nuk do të kishte më zbulim të mureve të kalasë së vjetër. Bashkia nuk kishte lekë për gërmime arkeologjike. Specialistët që do të dërgoheshin nga shteti ende nuk kishin mbërritur. Kalaja do të mbetej sërish e groposur thellë, poshtë banesave dhe rrugëve ku kalonin njerëzit. Kalaja që mbante të fshehur gjithë misterin e këtij qyteti nuk do të fliste më. Trishtimi ishte i madh. Nuk do të flitej më as për hamamin dhe as për pazarin që ishin prishur nga Iljaz bej Mirahori dhe ishin transferuar në fshatin e tij. Për banorët e Korçës, prishja e pazarit dhe e hamamit ishte njësoj sikur t’i grabisje qytetit gjënë më të shtrenjtë që ai kishte pasur. Mjaftonte vetëm kjo ngjarje për të kuptuar se pjesa më të djathtë të lumit, kishte qenë qytet tepër i hershëm, kishte pasur kala, hamam dhe mbi të gjitha një pazar të bukur.

Nëse pazari nuk do të ishte transferuar në anën tjetër të lumit, më të majtë të tij, atëherë ai do të vijonte të ishte në këtë anë të qytetit, më të djathtë të tij. Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për të vazhduar me zbulimin e mureve të kalasë, nuk u mbetej gjë tjetër veçse të kujtonin gjithçka që ishte thënë dhe thuhej për lavdinë që kishte fituar Korça vetëm në saj të pazarit, që Iljaz bej Mirahori e kishte grabitur me pa të drejtë.



EDHE VOSKOPOJARËT MËSONIN NGA KORÇA

Të mbledhur pranë mureve të rrënuara të kalasë banorë të qytetit kujtonin vitet plot madhështi të pazarit. Gjithçka që thuhej prej tyre ishte e vërtetë. Madje, sipas studiuesit Pirro Thomo, “Korça, Urbanistika dhe arkitektura”, botuar në Tiranë më 2012, “nga një dokument i viteve 1647-1648 mësojmë se tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës veneto-turke (1644-1669), kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sajadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë), prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga venediku. Ndërkaq, Thomo, sjell edhe një fakt tjetër mjaft interesant: “Nga dokumentet e vitit 1762 mësojmë se banorët e Voskopojës kanë shkuar te mjeshtrit e kazasë së Korçës, kanë punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë dhe të farkëtarisë, pra, shpjegon Thomo, “duket qartë se në atë kohë zejet në këtë qytet ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore, vinin këtu dhe mësonin zanat”. Në vjim të librit të tij, Thomo shkruan se “në mesin e shek. XIX fuqia e Korçës ishte ndjerë edhe jashtë krahinës së saj, sa që konsulli i Austrisë në Janinë, albanologu Han, vërente: ‘Tani në kohët e fundit po bahet Korça, që është në lulëzim e sipër, nji konkurent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut…. Pozita e saj, ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, asht shumë e përshtatshme për tregtinë, dhe tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”. Po kështu, shkruan Thomo, sipas Karmicit, Korça “…është depoja natyrale e Selanikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht edhe e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale dhe natyrale të Evropës e të kolonive, siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj., në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”. “…çdo javë, të shtunave, bëhet një treg i madh ku vinë për të blerë nga krahina e kosturit, Naselishtit, Oprait, Skraparit, Gora, Mokra, Prespa, Devolli e Përmeti, shkruan Thmi Mitko”, përfundon kështu studiuesi Pirro Thomo. Të gjitha këto tregojnë qartë se Korça gjatë kësaj periudhe po shënonte lulëzimin e saj.



GJENDET LETRA QË I DËRGOHEJ SULLTANIT

Megjithatë banorë të qytetit të Korçës ende nuk po gjenin dot qoftë edhe një fakt më shumë që të vërtetonte se muret e zbuluara në oborrin e shtëpisë së Sugarëve, i përkisnin kalasë që përshkruhej në regjistrin osman të vitit 1431-1432. Gjithsesi, shpresat ishin të mëdha. Ashtu siç ishte premtuar, ditë më pas, dikush solli një kopje të letrës që banorët e kalasë i kishin dërguar sulltan Bajazitit II. Kjo letër është publikuar edhe nga Pirro Thomo te libri i tij, “Korça, urbanistika dhe

arkitektura”. Ankesa, shpjegon Thomo, nis me historinë e pazarit: “Qyshse që pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë. Mirëpo Koxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin, mori kazanin, dhe pazarin e shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij. Duke qenë pranë kalasë, brenda në qytet dhe pranë xhamisë së sulltan Mehmetit, tregu qe gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme. Mirëpo tani që tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u

shpërndanë, në xhami nuk kish kush të falej më dhe të ardhurat nga taksa e pazarit u pakësua. Trimat e djalit të Mirahorit, Sefer beut, u bënin njerëzve në pazar zullume të mëdha. Për shkak të këtyre zullumeve, rençberët (zanatçinjtë) u larguan nga tregu. Banorët e kalasë dhe të qytetit në dimër nuk mund të shkonin në treg”. “Më poshtë, sqaron Thomo, dokumenti na bën të ditur se banorët e kalasë kishin arritur të nxirrnin një urdhër nga sulltan Bajaziti, që pazari të rikthehej në vendin e parë, por ky urdhër nuk u zbatua. Nuk dimë se çfarë fati pati edhe kjo kërkesë e dytë, për të cilën bën fjalë dokumenti…”.



KONFUZION

Me përmbajtjen e kësaj letre tashmë ishin njohur të gjithë banorët e qytetit të Korçës. Gjithkush dinte se pazari kishte qenë pranë kalasë dhe brenda qytetit. Dinin gjithashtu që kalaja kishte qenë e banuar nga 26 familje. Veçanërisht për adhuruesit e kalasë tashmë nuk kishte asnjë dyshim se muret që ishin zbuluar pranë shtëpisë së Sugarëve bënin fjalë pikërisht për atë kala ku Mirahori u kishte rrëmbyer tregtarëve pazarin. Megjithatë letra sillte edhe një detaj tjetër që rrëzonte çdo pretendim të ngritur mbi muret e kalasë. Në letër shkruhej se kalaja ndodhej pranë xhamisë së sulltan Mehmetit. Ç’të kishte qenë vallë kjo xhami? – pyesnin veten banorë të qytetit të Korçës. Në anën e djathtë të lumit, nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë xhami të ndërtuar. Nëse do të kishte

ekzistuar vërtet ndonjë xhami, atëherë do të ishin gjendur edhe rrënojat e saj. Mos vallë traktet e mureve që ishin gjetur aty flisnin për një kala tjetër dhe jo për atë që kishte patur pazar, hamam, dhe xhaminë e sulltan Mehmetit? Ku të kishte qenë vallë kjo kala për të cilët ankoheshin tregtarët se djali i Mirahorit po u rrëmbente pazarin? Pyetjet që ngriheshin njëra pas tjetrës kërkonin përgjigje.



FAKTE

Gjithçka do të sqarohej vite më pas, kur në lojë për përcaktimin e kalasë do të hynin edhe arkeologët. Përfundimi do të ishte krejt ndryshe nga sa pritej. Në qytetin e Korçës nuk kishte pasur kala të banuar nga 26 familje. Muret që ishin gjetur, sigurisht që flisnin për një fortifikim tjetër. Për sqarimin e kësaj çështjeje, studiuesi Sejdin Ramo i është referuar arkeologut Petrika Lera. Sipas këtij të fundit, “muri i zbuluar (1923-2000), nuk ka të bëjë fare me qytetin në një kohë kur ai nuk ishte shtrirë brenda këtij territori…”. Pra, Lera pohon se në regjistrimin osman të vitit 1431-1432, Korça, ose më saktë pjesë më të djathtë të lumit, nuk ishte shtrirë ende deri aty ku u gjetën fragmentet e mureve, ose siç njihet sot kjo zone, bulevard “Shën Gjergji”.

Argumenti i mësipërm përforcohet edhe nga një fakt tjetër i sjellë nga studiuesi Nuçi Naçi në librin e tij “ Korça dhe fshatrat përreth” botuar në Sofje, ku ndër të tjera shkruan: “Udha e “Shën Gjergjit”, e cila tani shpejt u ndërtua (d.m.th. në vitin 1900, sepse Naçi e botoi librin e tij në vitin 1901), ngjet me një bulevard dhe është mbjellë më të dyja anët me shelgje”. Gjithashtu, në një dokument të shekullit të XVIII, shkruhet: “Rufeti i tabakëve shtroi me gurë rrugën që nga Kisha e Shën Gjergjit deri brenda në qytet… (Vini re, si shkruhet: …deri brenda në qytet… qe do te thotë se kjo rruge, deri atëherë, nuk i përkiste qytetit, i cili shtrihej në të majtë të lumit).



KALAJA E KORÇËS SË SOTME NUK ISHTE E BANUAR

Veç sa më sipër, studiuesi Sejdin Ramo pohon se arkeologu Petrika Lera, në një intervistë të tij thotë, se “sipas vrojtuesve amatorë, ky mur i zbuluar më 1923, gjatë hapjes së themelive të shtëpisë së Sugarëve), ishte ndërtuar me gurë të zinj të dimensioneve mesatare të lidhura me llaç gëlqereje. Gurët e murit nuk ishin të thyer, por të rrumbullakët, çka tregon se për ndërtimin e tij janë shfrytëzuar gurët e lumit të Korçës që kalonte aty pranë. Muri kishte këto përmasa: i gjerë 1.80-2 m, i gjatë 4 m dhe zgjatej nga perëndimi në lindje… Në kopshtin e shtëpisë së Sugarëve ndërtuesit zbuluan përsëri (edhe në vitin 2000), në kufi të anës së brendshme të trotuarit, një trakt muri rreth 9 metra të gjatë dhe 2.5 metra të lartë, të ndërtuar nga gurë të zinj të rrumbullakët dhe që zgjatej në drejtimin lindje perëndim”. “Gjatë punimeve ndërtuese të kryera brenda territorit ku mendojmë se ka qenë e shtrirë kalaja, nuk janë konstatuar gjurmë godinash që mund të mendojmë për ekzistencën e një kalaje qytet”. Veç sa më sipër, sipas të gjithë studiuesve, kalatë ndërtoheshin në maja kodrash, ku të ishin të mbrojtura nga agresorët, ndërsa kalaja e Korçës e gjetur në kopshtin e Sugarëve, ishte e ndërtuar në fushë dhe ruante traditën fortifikuese feudale shqiptare. Megjithatë, asnjë dokument nuk flet për një kala të banuar me 26 shtëpi në brendësi të qytetit të sotëm të Korçës.



KALAJA U NDËRTUA NGA MIRAHORI, THEMELUESI I QYTETIT

Duke filluar nga viti 1923 e deri në vitin 2000, gërmime të zona e shtëpisë së Sugarëve pati herë pas herë. Muret e kalasë për të cilën u fol më sipër u gjenden edhe aty ku u ndërtua shtëpia e kulturës “Vangjush Mio” edhe te hotel “Krimea”, por si në të gjitha rastet askush nuk u kushtoi rëndësi mureve që dilnin mbi sipërfaqe. Sipër tyre hidhej gjithnjë beton. Dikush i quante të parëndësishëm, pasi bëhej fjalë për një fortifikim turk që nuk sillte ndonjë gjë të veçantë për historinë e qytetit. Në të vërtetë, as turqit nuk do të ndërmerrnin një hap të tillë, që të ndërtonin një kala në mes të fushës, vetëm nëse do të kishin qenë të çmendur…

E vërteta është krejt ndryshe. Kjo kala u ndërtua nga themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, madje edhe arkeologet pranojnë faktin se kalaja është ndërtuar pas pushtimit turk. Veç kësaj, kronikat e kohës na tregojnë se të gjitha ndërtesat e administratës së qytetit u vendosën pikërisht aty ku u gjet kalaja, madje në këtë zonë u vendos gjykata, xhandarmëria, financa, postëtelegrafi, pallati i prefekturës, pallati i bashkisë etj, të cilat shtriheshin deri aty ku sot gjendet teatri “Çajupi”. Fortifikimi duhet të ketë zënë fill bashkë me ndërtimin e qytetit të Korçës që nga viti 1484-1486 e në vijim. Ngritja e një fortese të tillë ishte më se e nevojshme. Për ndërtimin e qytetit u thirrën me qindra njerëz, zanatçinj, ustallarë, transportues materialesh, karrocierë, mjeshtër të gurit dhe të hekurit, hamallë, rojtarë, ushqyes të kuajve etj. Kalaja do të ishte në mbështetje të ngritjes së qytetit dhe të sigurisë së banorëve. Pikërisht në këtë vend u vendosën 26 familjet që jetonin te kalaja që kishte pranë xhaminë e sulltan Mehmetit dhe që u detyruan të largohen nga Mirahori. Ata që u vendosën pranë kalasë së ndërtuar prej tij, i dhanë lagjes emrin “Varosh”, ndërsa të tjerët që u vendosëm më larg saj, e quajtën mëhallën e tyre “Katavarosh”, ashtu sikurse emërtohen kudo ku ka kala këto dy lagje, ku varoshët jetojnë brenda kalave dhe katavaroshët jashtë tyre. Banorët e ardhur, mesa duket, ruajtën po ato emra lagjesh që kishin patur edhe të kalaja e banuar. Tashmë gjithkush e ka një pyetje: Po kalaja e banuar nga 26 familje ku ndodhet? Përgjigjja mbetet e thjeshtë, ajo fshihet aty te kodrat e qytetit të Korçës… ku herë pas herë gjendet trakte muresh të vjetra

Vepror Hasani

http://www.standard.al/a-ekziston-kalaja-e-korces/