- Një shtet që ngre kriminelë dhe vrasës në piedestalet e heronjve nuk është asgjë tjetër përveçse një shtet i poshtër. Liderët e saj, si presidenti Ivanov ashtu edhe kryeministri Gruevski të cilët në çdo shtet normal duhet të përfaqësojnë të gjithë qytetarët e vendit, rreshtohen në anën e krimit; në anën e atyre që vranë e masakruan fëmijë, gra e pleq - në këtë rast, shqiptarë të Lubotenit në vitin 2001; qytetarë të këtij vendi të quajtur Maqedoni. U rreshtuan kështu vetëm e vetëm se vrasësi i quajtur Tarçullovski paska vrarë shqiptarë e jo qytetarë të këtij shteti.
- Të paktën, a keni 2 gramë mend, ti Ivanov e ti Gruevski?... Çfarë mendoni se jeni duke bërë? Me cilën të drejtë vendosët të shpenzoni të mirat e këtij shteti, qindra mijëra euro për të sjellë dhe pritur në festë kthimin e një krimineli dhe vrasësi në vend. Harroni se, pikërisht edhe me paratë e familjarëve që humbën të dashurit e tyre në Luboten, ju paguat shpenzimet e kthimit në Maqedoni të këtij gjakpirësi, Traçullovski …
- Është i madh mllefi i shqiptarëve në Maqedoni por edhe një pjesë të bashkëqytetarëve maqedonas, për këtë veprim të ulët tuajin, ti Gruevski e ti Ivanov. Kërkoni që shqiptarët të jenë qytetarë luajalë ndaj këtij shteti i cili po aq sa është i juaji është edhe i atyre! Kështu mendoni të bashkëjetohet në këtë shtet të poshtër ku vrasësit e bashkëqytetarëve tuaj shqiptarë i shpallni heronj e i pritni të gjitha nderimet shtetërore?
Do të citoj kolegun Sashe Ivanovski (“Politiko”) i cili në një reagim të tij, duke ndjekur çmendurinë e Gruevskit shkruante: “VMRO DPMNE-ja sot i hapi varrin Maqedonisë, tani është çështje kohe kur do ta varrosë! TURP dhe tmerr që kreu shtetëror bashkë me hordhitë nacionaliste, i organizoi festë dhe pritje një vrasësi civilësh të përkatësisë etnike shqiptare... kishte feste fishekzjarrësh, kishte festë o njerëz…” -shkruante Sashe Ivanovski. “A e pyetni vetën se si e shohin këtë gjë, mbi gjysmë milioni shqiptarë, qytetarë të këtij vendi? Cila ka qenë ndjenja sot, të jesh shqiptar apo mos dhëntë Zoti, të jesh nip, vëlla, bashkëshort apo bashkëshorte e ndonjë nga të vrarëve të Lubotenit? A keni të paktën një gram sensi njerëzor dhe politik, o ju Talibanë të cilët padrejtësisht po udhëhiqni këtë shtet. Johan Tarçullovski është njeriu që vrau civilë shqiptarë… ata që festojnë kthimin e tij dhe në të njëjtën kohë kërkojnë që të përgjigjet edhe një pjesë e UÇK-së për krime ndaj civilëve, në fakt janë fashistë të llojit më të prishur, pasi për ta, vrasja e maqedonasve është e palejueshme, ndërsa vrasja e shqiptarëve është aktivitet i madhërishëm sipas devizës “vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë” … Të LUMTË PËR GUXIMIN i nderuari Shashe Ivanovski.
Ju partner të Gruevskit në pushtet, JU që përfaqësoni shqiptarët në ekzekutiv, nuk mund të amnistoheni nga një veprim i tillë TURPI të Gruevskit dhe Ivanovit.
Këtu nuk do të kisha dashur të them as më tepër e as më pak, nga ajo që shkruante një koleg i imi, një bashkëqytetar i imi, një lubotenas.
Të LUMTË edhe TY koleg Zeqirja Ibrahimi që dje shkrove po atë që mendoi thuajse çdo shqiptar.
“Nëse para 12 vitesh na vrau Johani, sot drejtësinë tonë të fituar nga Haga po e vrisni edhe ju, përfaqësues të shqiptarëve në pushtet, po e vrasin ministrat tuaj, po e vret partneri juaj Gruevski por edhe të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë, pra edhe ata të PDSH-së e të tjerët që kurrë nuk thanë asnjë fjalë për Lubotenin” – shkruante mes të tjerash Zeqirjai.
Nesër, Ju politikanë shqiptarë mos u habitni kur, i njëjti Gruevsk që ngriti në piedestalet e heroit, vrasësin dhe kriminelin Tarçullovski, ta emërojë atë edhe për ministër.
Zeqirjain do ta citoj edhe në fund të këtij vështrimi timin;
“Duke kujtuar me lavdi emrat e të vrarëve dhe të masakruarve të Lubotenit, dhe duke u lutur që shpirti i tyre të prehet në bukuritë e asaj bote siç meritojnë dëshmorët, dëshiroj t’u kërkoj falje që sot, pas 12 vitesh, ne po e nderojmë si hero vrasësin e tyre. Na falni, o dëshmorë, na falni!”.
MUHAMED ZEQIRI, kryeredaktor i TV ALSAT M
Krijoni Kontakt