Emri:  emrat.jpg

Shikime: 658

Madhësia:  113.4 KB


“Emri im, qyteti i tyre” titullohet ekspozita e artistit kosovar Alban Muja, një cikël fotografish me 7 personazhe djem dhe vajza emri im qyteti i tyre nga Kosova që kanë emra qytetesh shqiptare. Muja trajton fenomenin përmes fotove në ekspozitën që hapet sot në Galerinë ‘Miza’ në Tiranë

7 personazhe në 7 fotografi, djem dhe vajza nga Kosova me emra të pazakontë. Ai quhet Berat, tjetri në krah, Shkodran. Ajo quhet Saranda dhe dy të tjerat pas saj, Gjirokastra e Vlora. Emra që jo rrallëherë na kanë tingëlluar të pazakontë ne shqiptarëve të Shqipërisë, por që janë tashmë të zakonshëm për shqiptarët e Kosovës. Artisti nga Kosova, Alban Muja ka kërkuar në çdo qytet të Kosovës pikërisht këto emra të pazakontë për ne. Një projekt që ai e nisi që më 2004-ën. Fillimisht kërkoi për emrat e fëmijëve të dikurshëm të cilëve prindërit u vinin emra qytetesh shqiptare, por zbuloi rrugës dhe fëmijët e sotëm me emra artistësh të show biz-it e liderësh të politikës botërore…ndërkohë që kjo i përket një tjetër projekti artistik. Kësaj radhe në Tiranë, në Galerinë ‘Miza’, ai sjell të parën ekspozitë- pjesë e projektit të tij kërkimor për emrat e pazakontë që ai ka hasur në Kosovë. “My name, their city” (Emri im, qyteti i tyre) titullohet ekspozita që vjen me një cikël fotografish me 7 personazhe, ku secili mban emrin e një qyteti shqiptar; Milot, Berat, Shkodran, Butrint, Saranda, Gjirokastra e Vlora. Është historia e emrave të dhjetëra fëmijëve kosovarë të viteve ’80-’90, që Muja i rrëfen përmes fotove. Secili personazh identifikohet lehtësisht me emrin e qytetit, fotografinë e të cilit mban në dorë. “Fenomeni i emërtimit të fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, në Kosovë lindi si pasojë e ndikimit të politikave të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Emërtimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë lindi si pasojë e pamundësisë së shqiptarëve të Kosovës që të udhëtonin drejt çka ata ndjenin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët, çka edhe ushqente ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë. Për shembull, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ka ndodhur që* motrat dhe vëllezërit të ndahen, duke ngecur në dy anët e kufirit në kohën e ‘mbylljes’ menjëherë pas kësaj lufte. Nuk kishin mundësi të takoheshin deri në periudhën e rënies së komunizmit në fillim të viteve ‘90. Gjatë kësaj periudhe moskomunikimi ishte bërë zakon që fëmijët të quheshin Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora, një gjë e pazakonshme për banorët e këtyre vendeve”, – shpjegon idenë e kësaj ekspozitë artisti Alban Muja. Ai i ka takuar të gjithë, i ka pyetur për origjinën e emrit. Miloti, p.sh, shumë vonë e kishte mësuar se emri i tij vinte nga një qytet i Shqipërisë. “Ky ka qenë një komunikim në distancë në një kohë kur Shqipëria ishte mit për Kosovën. Komunikimi mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë i pamundshëm në komunizëm dhe i vetmi komunikim që ishte ndërtuar në trurin e prindërve ka qenë njëfarë besimi mitologjik mbi Shqipërinë si një vend super. Por kur e kemi vizituar Shqipërinë gjatë luftës e kemi parë se nuk ishte ashtu”,- shpjegon Muja. Ai gjatë kërkimeve të tij ka gjetur edhe një djalë me emrin Elbasan, edhe pse nuk e ka përfshirë në këtë ekspozitë ashtu si dhe djem e vajza me emra lumenjsh apo krahinash të ndryshme të Shqipërisë, siç është p.sh, emri tashmë i zakonshëm Kelmend etj. “Ende dhe sot në Kosovë vihen emra që lidhen me ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit. P.sh, shumë djem të lindur pas viteve ’99 kanë marrë emrin Toni, si një falenderim nga ana e prindërve për kontributin e Toni Blerit gjatë luftës në Kosovë”, – thotë Muja. Prandaj kjo ekspozitë është vazhdimësi e një pune disavjeçare të artistit Alban Muja, që ka marrë përsipër të shpjegojë jo vetëm etimologjinë e emrave dhe emërtimeve të rrugëve në Kosovë, por të rrëfejë historinë që fshihet pas tyre.

Projekte të tjera të Alban Mujës

Emri im është Palestina

Gjatë kërkimeve të tij ai ka gjetur në Kosovë dhe vajza me emrin Palestina apo djem me emrin Tibet. Këto janë pjesë e një videoje artistike, ku Muja përmes vajzës me emrin Palestina rrëfen historinë e emrit të pazakontë. “Qysh se kam qenë fëmijë, të gjithë kur u thosha se e kam emrin Palestina habiteshin. I kam pyetur prindërit pse më kanë vënë këtë emër”, – thotë në video vajza me emrin Palestina dhe pastaj nis e rrëfen origjinën e emrit të saj. Siç dhe tregon, në video është historia e një vajze palestineze që guxoi të dashuronte një izraelit. Një dashuri në luftë që sipas Palestinës ishte transmetuar në gjithë televizionet e botës. E nëna e saj shtatzënë, e prekur shumë nga ajo histori, vendos që fëmija i saj nëse lindte vajzë do t’ia vinte emrin Palestina. Të gjithë ishin kundra nënës, por ajo e quajti vajzën Palestina. “Mua më pëlqen tani ky emër sepse është shumë interesant dhe ka një histori nga pas”, – e mbyll videon e saj Palestina.

Emri im është Tibet

“Unë isha djali i parë në familje dhe ishte lumturi e madhe. Baba vendosi që t’ia vinte djalit emrin Tibet sepse ishte shumë i lidhur me historinë e Tibetit, një vend që kërkon pavarësi ashtu si dhe Kosova. Emri Tibet ndërlidhet me Kosovën, sepse dhe Tibeti është një vend i vuajtur e që kërkon pavarësi ashtu si dhe ne. Kur njerëzit më pyesin nga e more këtë emër, u tregoj historinë time”, – thotë Tibeti, sot një djalë 20-vjeçar. Histori të tilla të pazakonta Alban Muja ka gjetur jo vetëm në familjet kosovare, por edhe në emërtimet e rrugëve që ai i shesh si tregues të tranzicionit social-politik në Kosovë./Mapo