Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Ndërron jetë ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati

    Ndërron jetë ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati

    TIRANE - Ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, pas një sëmundjeje të pashërueshme. Kastrati, do të mbahet mend nga të gjithë për historinë e sportit shqiptar që ai zhvilloi ndër vite. Emri i Ali Kastratit është zgjedhur midis 12 sportistëve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai ka zhvilluar mbi 20 takime ndërkombëtare dhe rreth 300 ndeshje si boksier.

    Në të gjithë karrierën e tij ai ka mundur të rrëmbejë 65 medalje si dhe titujt “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri i Artë Naim Frashëri”, “Urdhri i Skënderbeut”, etj.

    Emri:  64790.jpg

Shikime: 3167

Madhësia:  24.6 KB

    Pasaporta e ikonës së ringut
    Emri: Ali
    Mbiemri: Kastrati
    Datëlindja: 22.12.1922
    Vendlindja: Dibër
    Sporti: Boks, Mundje, Peshëngritje
    Trofetë: 65 medalje të kampiot kombëtar, 15 herë kampion kombëtar në boks, 16 herë në mundje dhe 15 herë në peshëngritje si trajner. Fitues i të gjitha Kupave të Republikës në mundje (1951-1966), në boks (1951-1963) dhe në peshëngritje (1949-1966), si trajner me Partizanin. Fitues i 3 medaljeve të arta si trajner në Spartakiadën e parë Kombëtare me Partizanin në të 3 sportet. Mban 65 medalje të kampionit kombëtar. Ka zhvilluar 20 takime ndërkombëtare dhe rreth 300 ndeshje si boksier. Eshtë zgjedhur midis 12 sportistëve më të mëdhenj shqiptarë për të gjitha kohët (1998).
    Titujt: “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri i Artë Naim Frashëri”, “Urdhri i Skënderbeut”, “Nderi i Sportit Shqiptar”

    (er.nu/BalkanWeb)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-03-2013 më 15:37
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Ndërron jetë ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati

    I paharruar kjofte Mjeshtri Kastrati!
    Un vec e kam degjuar se nuk e kam pare kurre..

    Kush jan ta 12 Legjendat?

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Ndërron jetë ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati

    I jepet lamtumira Ali Kastratit/ Flasin: Ismet Bellova, Isa Tare, Ilir Lame, Ahmet Golemi dhe Rrahman Perllaku


    “Baba Aliu”, njeriu që formoi sportistët e sporteve të rënda


    Albert ZHOLI

    Dje ju dha lamtumira e fundit sportistit, trajnerit, masazherit, fizioterapistit dhe njeriut të rrallë, Ali Kastrati. Arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e TOB prej orës 11:00 deri në orën 13:00 ku dhe u nis për në banesën e fundit. Në homazhet që u zhvilluan në TOB u vu re një pjesëmarrje e jashtëzakonshme, pasi ashtu ishte dhe ai, njeri i jashtëzakonshëm, sportist dhe masazher i pazëvendësueshëm. Ishin me dhjetëra kurora me lule që rrethuan arkivolin, ku binte në sy kurorat e panumërta nga klube sportive, nga shoqata sportive por dhe nga sportistë të veçantë. “Baba Aliu” siç i thërrasin dhe sot të gjithë sportistët iku mes dhimbjes së thellë që la pas tek familjarët, miqtë, sportistët dhe shumë të njohurve të tij në të katër anët e vendit.

    Ahmet Golemi
    Njohja ime me Profesor Ali Kastratin ka qenë rastësi. Dhe rastësia është një kategori filozofike që quhet mbreti i botës. Jam njohur në Shtëpinë e Pionierit në mos gaboj ka qenë shtator i vitit 1950, ku unë u regjistrova në klasën e boksit. Ai ishte njeriu që më veshi për herë të parë dorezat e boksit. Ai më preku me dorë në mënyrë të shenjtëruar dhe pastaj më bekoi për rrugën që po merrja në këtë sport të rëndë dhe të bukur. Pra më bekoi për një rrugë të gjatë, interesante që u bë jeta ime e dytë. Ai më ka dhënë shumë në jetë, por dhe unë nëpërmjet cilësive, vetive që ndoshta i kisha të trashëguara, për një sport delikat justifikova gjithçka. Ali Kastrati ishte dhe mbetet figurë historike, ai si qenie njerëzore ka mbajtur një peshë të madhe fizike morale dhe psikologjike. Ai mbetet protagonisti i rrallë shqiptar në tre sporte të rënda siç ishin në boks, në mundje dhe në ngritje peshe. Ka qenë vetë sportist dhe pastaj trajner. Boksi e tërhoqi më shumë dhe ai përgatiste me dhjetëra boksierë. Unë figurën e tij si boksier dhe trajner të boksit do ta përkufizoj me dy fjalë “Ikona e dorezave të boksit”. Unë ndihem krenar që kam pas nderin ta kem pas trajner në kohën kur ai ishte trajner i “Partizanit” dhe nën drejtimin e tij dola dy herë kampion. Pastaj ai ishte dhe trajner i ekipit kombëtar të boksit. Ne u shpallëm në anketën e gazetës Sporti në 15 figurat historike të ringut shqiptar me Todi Jankun, Ali Kastratin, unë etj...Por më shumë më ka lidhur jeta jashtë sportit, sepse ai ishte një njeri shumë i respektueshëm, i dashur, i afrueshëm, por ai si masazhator dhe fizioterapist ngelet njeriu që ka ndihmuar mijëra e mijëra njerëz. Ka ndihmuar dhe balerinët e baletit apo kërcimtarë. Ishte i gjendur kudo që kërkohej si fizioterapist edhe kur e kërkonin në lagje apo në shoqëri. Neve krenoheshim sepse ai ishte dhe mbetet si një qenie olimpike. Ai ishte nj familjar i mrekullueshëm dhe sot më duket sikur ai na ka mbledhur se si të diskutojmë për sportin e boksit.


    Ismet Bellova
    Unë jam rritur me Ali Kastratin, që të vegjël rrinim në mëhallën e dibranëve të famshëm këtu në Tiranë. Kemi qenë me shtëpi afër dhe afër dhe hynim e dilnim me njëri-tjetrin. Ai si më i madh më mbante gjithmonë pranë. Ai ishte njeri i thjeshtë, i dashur, i sinqertë, shpirtmadh. Ndërsa meritat e tij në sportet e rënda është i pazëvendësueshëm. Gjoksi i tij si sportist ishte mbushur me medalje sa asnjë tjetër. Fitoret tij në boks, mundje, ngritje peshe janë të jashtëzakonshme. Ai për mua mbetet babai i sporteve të rënda. Jo vetëm si sportist, por edhe si trajner. Njeri me merita të jashtëzakonshme që i ka shokët e rrallë në botën e sportit. Por për mua meritat më të mëdha ai i ka në vlerat njerëzore, sepse duke qenë një fizioterapist i klasit të parë në Shqipëri, me shpirtin e tij, me duart e tij të arta ka shëruar mijëra njerëz jo vetëm në botën e sportit, por edhe njerëz të thjeshtë të paralizuar, njerëz me probleme. Mbetet një njeri human i një lloji të veçantë. Me ikjen e Aliut ne humbëm shumë, sepse ai mbetet i patjetërsueshëm, si boksier, mundës, peshëngritës, si trajner, fizioterapist. Komuniteti i sportit humbi njeriun më të devotshëm.


    Ilir Lame (ish- futbollist i Kombëtares)
    Baba Aliu siç i thoshim ne për shpirtin e tij bujar dhe për moshën, mbetet njeri i rrallë. Nuk ka sportist në Shqipëri që si sportist të mos ketë kaluar në dorën e tij. Për çdo problem masazhi jo vetëm ne të klubit “Partizani”, por edhe të gjithë sportistët e tjerë shkonin tek ai. Ai ishte një sportist i paarrirë ndërsa si fizioterapist mbetet më uniku. Kaq të kompletuar unë s’kam parë njeri në jetë. Mbaj mend që pata një këputje ligamenti. Ishte mes javë dhe po bënim nj ndeshje miqësore me shkollën e Bashkuar. Në mes të ndeshjes pata këtë këputje. Me vrap erdhi “Baba Aliu”. Duart e tij ishin magji. Ishte vitit 1981. këmba ime u bë dhe më mirë si më parë. Se si i lëvizte duart, se si manovronte, më dukej vetja se isha në duart e një shenjtori.

    Isa Tare (sportist)
    Vdekja e Ali Kastratit është një humbje e madhe për sportin shqiptar. Me Ali Kastratin jam njohur që në vitin 1958 kur kam filluar stërvitjen me shkollën ushtarake “Skënderbej”. Baba Aliu erdhi dhe na bënte përzgjedhjen për boks. Ne kishim dëgjuar shumë për të dhe të qenit e tij në këtë përzgjedhje na emocionoi. Ai ishte që më futi në gjak boksin. Mënyra se si na foli na mahniti. Pastaj erdhën ditët e stërvitjes ku ai na mësonte, na ndihmonte, i papërtuar, gjithmonë i qeshur, korrekt, njeri me vlera të veçanta. Ai mbetet babai i të gjithë sporteve të rënda. Ai e ktheu klubin “Partizani” në një klub model në tre sportet e rënda, në mundje, në boks dhe në peshëngritje. Pastaj si fizioterapist dhe masazher ai mbetet i rangut botëror. S’ka sportist që se ka ndjerë dorën e tij, fjalën e tij të ëmbël. Ai mbetet një njeri i paarritshëm, njeri me vlera të padiskutueshme. Fjala e tij të e ngrohtë të jepte vrull. Unë mbaj që në një kampionat në Shkodër, nuk më futën në ndeshje pasi isha i vogël në moshë, por kisha trup të madh. Sa keq më erdhi. Por fjala e Ali Kastratit më ngrohu. Mbaj mend se në atë kampionat na vdiq në ring një Skënderbegas. Shkodra i bëri një varrim madhështor. Lidhjet e mia me të pas kësaj dite ishin shumë të ngushta. Ai më ka ndihmuar në çdo hap të sukseseve të mia.

    Rrahman Përllaku (ish-zëvendësministër i Mbrojtjes)

    Aliun e kam pasur 11 vjet në vartësi kur kam qenë zëvendësministër i Mbrojtjes. Unë e njihja që në fillimet e tij si sportist dhe kam ngelur i befasuar nga përgatitja e tij. Pastaj e njoha dhe si njeri. Duke qenë se ai ishte i ekipit të “Partizanit” sigurisht, ai ka qenë nën vëmendjen time, por edhe të udhëheqësve të Ministrisë. Aliu ka qenë sportist në tre disiplina, por për ne ishte dhe një njeri i pakrahasueshëm. Sa e sa herë ai na ka ndihmuar për fizioterapi apo masazhe. Duart e tij ishin flori. Kur na vritej një sportist ne shqetësoheshim të gjithë. Por kishim një prapavijë të sigurt. Menjëherë ndërhynte Ali Kastrati dhe nëse ai sportist në kushte normale do të donte 10 ditë të rehabilitohej, Aliu e sillte në formë për tre ditë. I bënte sportistët të mos e ndjenin dhimbjen. Në kujtesën time ai ekziston si njeri i shenjtë që mund të quhej dhe baba i sportistëve, por dhe nëna nga ana humane, për t’i bërë njerëzit të mos vuajnë. Unë e kam ruajtur që atëherë shoqërinë me të pasi ishim dhe vërsnik, dy vjet më i madh jam unë. Edhe kur isha në burg, edhe pas burgimit shoqëria ime me të ishte po ajo e fortë dhe me shumë respekt. Unë e kam vlerësuar atë si njeriun sportist të zotë dhe human të rrallë. Ai ishte me disa dimensione. Ai ishte i gjithanshëm dhe sportist, trajner, fizioterapist, masazher. Shiko sa njerëz kanë ardhur sot këtu. Kanë ardhur sepse kishin respekt për të. Kaq njerëz vijnë rrallë, as për udhëheqës, pasi i tillë mbetet ai si baba për sportin dhe si nënë për humanizmin.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Ndërron jetë ikona e boksit shqiptar, Ali Kastrati

    Gjenerali i nderuar Rrahman Perllaku .. vet po i kalon te 90 e ca vjetet.
    Eshte i forte fizikisht e i fresket menderisht..
    I uroj Shendet Gjeneralit "Labo-Lumjan".. Rrahman Perllakut..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •