EUROPOL dhe Qendra për Monitorimin Europian për Drogën analizojnë rrjetet e trafikut të drogës, ku dominojnë shqiptarët. Vendi ynë downloadkonsiderohet një ndër vend-burimet e rëndësishme për hashashin
Grupet shqiptare dhe ato turke luajnë një rol kyç në trafikun e heroinës drejt vendeve të BE-së. Ky është konkluzioni i një raporti të Qendrës së Monitorimit Europian për Drogën dhe Europolit mbi tregun e lëndëve narkotike. Raporti i prezantuar dje nga komisionerja europiane për çështjet e brendshme, Secillia Malmstrom, analizon trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit në territorin europian. Sa i përket përfshirjes së krimit të organizuar në trafikun e heroinës, në raport thuhet se ngarkesat me këtë lloj droge në BE nuk kontrollohen nga një organizatë e vetme, por nga bashkëpunimi mes grupeve të ndryshme kriminale, ku një rol kyç luajnë grupet shqiptare dhe ato turke. Megjithatë, bandat europiane të narko-trafikut luajnë gjithashtu rol në këtë biznes ilegal prej miliona eurosh. Në raport përmendet lidhja që ekziston edhe mes grupeve kriminale shqiptare e atyre lituaneze që shpërndajnë heroinë në Europën Verilindore. Sipas raportit, grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë partnerë tepër të rëndësishëm të organizatave turke, sa i përket tregtisë së heroinës. “Organizatat shqiptare me bazë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë e përdorin rajonin për magazinimin dhe ripaketimin e ngarkesave me heroinë. Këto grupe duket se kontrollojnë një pjesë të mirë të tregtisë së heroinës në shumë vende europiane me aktivitete kriminale në të gjitha vendet e BE-së”,-thuhet në raport. Raporti e rendit Shqipërinë mes vendeve ku dyshohet se ka laboratorë të përpunimit të heroinës, ku bën pjesë edhe Moldavia.
Prodhuesit e hashashit
Raporti i përbashkët i Europolit dhe Qendrës së Monitorimit për Drogën identifikon edhe 5 rajonet dominante për prodhimin e hashashit që furnizon tregun e BE-së. Edhe në këtë rast, Shqipëria renditet e para, e pasuar nga Serbia, Bullgaria dhe Kosova. “Europol ka vënë në dukje edhe më parë se Shqipëria rezulton si një prodhues dhe eksportues i rëndësishëm i kanabisit që kalon përmes Greqisë”,-thuhet në raport, ku shtohet se hashashi shqiptar shkon edhe në Itali, Slloveni, Hungari. Grupet e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht ato shqiptare, luajnë një rol tepër të rëndësishëm në furnizimin e kanabisit në tregun e BE-së. “Kanabisi i rritur në Shqipëri dhe në Kosovë trafikohet kryesisht në Greqi përmes tokës dhe në Itali përmes rrugëve detare”-thuhet në raport. Analiza vë në dukje se Afganistani është shndërruar në një prodhues të rëndësishëm të kanabisit, dhe grupet shqiptare e turke po përfitojnë shumë në tregtinë afgane të kanabisit, për shkak të përfshirjes së tyre të gjatë në trafikun e heroinës po nga Afganistani. Sa i përket mjeteve të preferuara për rrjetet kriminale, studimi tregon se në vitet e fundit interneti është shndërruar tashmë në mjetin e preferuar të krimit të organizuar, pasi ofron një shkallë të lartë konfidencialiteti. Interesant është fakti se grupet kriminale përdorin gjithnjë e më shumë avantazhet teknologjike e madje edhe platforma si Skype./Mapo
Krijoni Kontakt