Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Letërkëmbimi i Fan Nolit me Enver Hoxhën

    Citim Postuar më parë nga projekti21_dk Lexo Postimin
    Zbulohet letërkëmbimi i Fan Nolit me Enver Hoxhën


    Publikuar: 31.01.2013 - 20:49

    Tiranë, 31 janar - “Në jetën e tij Fan Noli ka shkruar me mijëra letra, kartëpostale, telegrame etj. Sipas sekretares Mary Jones, “Peshkop Noli ishte një letërshkrues i ndërgjegjshëm. Ai harxhonte kohë dhe energji për letra…”. Kështu citon në veprën “Letërkëmbimi i Fan Nolit” studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi. Njohësi më i mirë i një prej figurave më komplekse të historisë dhe letrave shqipe, Fan S. Nolit, Jorgaqi na sjell një tjetër vepër që hedh dritë mbi këtë personalitet. Është një punë shumëvjeçare qëmtuese, që e çoi në mbledhjen e një “dosje” të pasur me letërkëmbimin e Nolit. Në këtë vepër, botuar nga shtëpia botuese “Erik”, janë paraqitur 544 letra që Noli ua ka dërguar dhe ka marrë nga personalitet e njohura të kohës së tij apo edhe të afërmve. Mes tyre gjejmë një koleksion të pasur letërkëmbimesh me Thanas Tashkon, Jani Vruhon, Lef Nosin, Asdrenin, Hil Mosin, por edhe Mbretit Ahmet Zog etj. “Pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjerë të Nolit janë të dhëna që na ofron biblioteka “Fan Noli”, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ku gjendet edhe fondi i korrespondencës, me 3 mijë letra dërguar Nolit në vitet 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij. Sipas një dëshmie tjetër, rezulton se fondi i letrave të ardhura arrin në 12 mijë letra”, na informon Jorgaqi. Për mbledhjen e këtyre letrave, ai thotë se janë shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, në radhë të parë të brendshmet, kryesisht fondet e Arkivit Qendror të Shtetit, por edhe ish-arkivi i PPSH, arkivi i Institutit të Historisë, ai i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga muzeumet e vendit etj. Sipas Jorgaqit, pjesa më e madhe e letrave janë kopjuar nga tekstet origjinale, të tjera nga tekstet e botuara, ndërsa disa syresh janë shqipëruar nga anglishtja, frëngjishtja apo gjuha greke. Për t’i qëndruar sa më besnik origjinalit, letrat janë sjellë me drejtshkrimin e kohës kur u shkruan, me ndryshime fare të vogla, transmeton Panorama

    Letrat

    Mes 544 letrave të sjella në “Letërkëmbimin e Nolit”, janë edhe rreth 30 syresh që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por edhe krerëve të tjerë komunistë. Siç na bën me dije qëmtonjësi i letrave të Fan Nolit, letërkëmbimi i tij shtrihet në një periudhë kohore afro 60-vjeçare (1906-1965), të cilat jo vetëm hedhin dritë mbi figurën e tij, por edhe mbi momentet historike që po kalonte vendi, në kohën kur ato u shkruan. “Në qoftë se letrat, po të shpreheshim figurativisht, kthehen në pasqyrë të atij që i shkruan, atëherë dhe letërkëmbimi i Nolit është pasqyrë e personalitetit të tij. Një pasqyrë besnike, ku ai zbulon veten në rrafsh diakronik dhe sinkronik, ashtu siç ka qenë në të vërtetë, pa u fshehur dhe pa u zbuluar. Nga këto letra, edhe pse të shpërndara nëpër vite dhe të ndërkallura në tri epoka, s’është e vështirë të hiqet një rezultante e qartë. Rezultantja e natyrës dhe e karakterit të tij, e temperamentit dhe vetive psikologjike, po akoma më shumë ajo e njeriut të mendimit e të veprimit, e fenomenit që ai përfaqëson në botën shqiptare”, thotë Jorgaqi. Dhe në të vërtetë, mes këtyre letërkëmbimesh gjen Nolin antizogist, por edhe Nolin që i shkruan Mbretit Zog për një lidhje pensioni apo ndihmë për të vazhduar studimet për muzikë; gjen hedhje-pritjet me Konicën, por edhe plotësuesin e amanetit të këtij të fundit. Gjejmë një Noli që përkrah Frontin Demokratik në vitin 1945 në Shqipëri, që i mbështet në zgjedhje, madje dhe në politikat e vëllazërisë me Jugosllavinë. Nga letërkëmbimi që ka me Enver Hoxhën, shohim një atdhetar që interesohet për çështjen shqiptare, anëtarësimin e Shqipërisë në OKB, njohjen e shtetit shqiptar. Shohim që Noli ia lejon vetes t’i japë këshilla Enver Hoxhës, sa u përket rrugëve që duhet të ndjekë në punë të diplomacisë, ç’njerëz duhet të dërgojë si ndërmjetës (rasti këtu i letër-ankesës për Tuk Jakovën, të cilin Noli e quan një “barbar” dhe “kërcu të pagdhendur”).

    **********

    Kryeministrit Enver Hoxha

    Tiranë, Shqipëri./1945/

    Shqiptarët e Shteteve të Bashkuara dhe unë bashkë me ta kemi ndjekur me emocion të thellë luftën tuaj heroike dhe jemi të gëzuar aq sa nuk shprehet me fjalë për sukseset tuaja të shkëlqyera. Ne e ndiejmë veten krenarë për ju, sepse ju jeni i vetmi udhëheqës ushtarak në këtë luftë, i cili ia doli ta çlirojë vendin nga pushtimi i huaj me forcat e veta, pa ndihmën e ndonjë ushtrie çlirimtare mike; ju jeni gjithashtu një nga të paktat qeveri që mund të qëndrojë me këmbët e veta, e pambështetur nga ushtri mike të pushtimit. Për më tepër, ne e miratojmë me gjithë zemër politikën tuaj të bashkëpunimit të ngushtë me Jugosllavinë dhe me udhëheqësin e saj të madh, Mareshallin Tito, nën udhëheqjen frymëzuese të të cilit ne shpresojmë të kemi një Federatë të gjithë popujve të Ballkanit, duke vendosur kështu një paqe të qëndrueshme në gadishullin tonë të shqetësuar.

    Ju lutem t’u transmetoni përshëndetjet e mia të përzemërta gjithë kolegëve tuaj që kanë marrë pjesë në kryqëzatën tuaj aq të vështirë e aq me zotësi dhe gjithë popullit shqiptar që qëndroi i patundur e me besnikëri përkrah jush.

    Perëndia ju bekoftë të gjithëve.

    Peshkopi F.S. Noli

    **********

    Letër e Enver Hoxhës

    25 shtator 1945

    I nderuar zoti Noli,

    Mesazhi i përzemërt që më dërguat, më preku shumë dhe ju faleminderit. Për mua, për shokët e mi të luftës dhe për gjithë popullin shqiptar, fjalët Tuaja shprehin ndjenjat e larta patriotike dhe pasqyrojnë shpirtin demokrat të vëllezërve tanë të dashur të Amerikës dhe tuajat, që keni qenë shpirti dhe mburrja e tyre. Në vuajtjet e popullit tonë, në zjarrin e rreptë për çlirim. Ku hodhëm pa rezerva gjithë forcat tona për kauzën e shenjtë të atdheut dhe të njerëzimit, ne mbanim të pashuar në zemër kujtimin dhe dashurinë për ju, o vëllezërit tanë të Amerikës, që në çdo moment keni luftuar për atdheun tonë të shenjtë dhe të përbashkët.

    Populli ynë heroik që dha prova të shkëlqyera në këtë luftë, me besim të madh në forcat e veta, i është përveshur punës për të ndërtuar një të ardhme të lulëzuar. Dhe në përpjekjet tona për t’ia arritur këtij qëllimi do të jemi të gëzuar që Ju, si një luftëtar i palodhur për pavarësinë dhe demokracinë shqiptare, të jeni në gjirin e ngrohtë të popullit tuaj, për t’i dhënë ndihmën tuaj të çmueshme dhe për të kurorëzuar përpjekjet e vlefshme në atdheun ku triumfuan idealet e popullit.

    Mua ma do zemra që në zgjedhjet e afërme për Asamblenë Kushtetuese, emri Juaj të figurojë tok me tanët dhe populli shqiptar, lirisht dhe demokratikisht të sanksionojë përpjekjet dhe veprat tona të përbashkëta. Ashtu si kemi qenë kurdoherë të bashkuar me zemër në luftën tonë, ashtu të jemi dhe tani e përgjithmonë për të mirën e popullit tonë të dashur dhe për mbrojtjen e paqes së njerëzimit.

    Gjeneral-Kolonel

    Enver Hoxha

    **********

    Letër Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës

    Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj të nxetë dhe bujar, si dhe letrën e mikut tim të mirë dhe kolegut tuaj Sejfulla Malëshova.

    Kam dëshirë të madhe të jem aty me juve, po sot për sot nuk munt, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera… Mundet të ju bëj një vizitë pas Pashkëve, kështu do të takoj përsëri me miqtë e mij të vjetër. Kam shumë arsye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri. Ju siguroj se ju kini përkrahjen time të plotë dhe munt të përdorni emrin tim në fushatën elektorale që populli të votojë për Frontin. Bashkë me këtë, ju lutem të drejtoheni tek unë për çdo gjë që munt të bëj për këtë çështje. Si juve, ashtu dhe kolegëve tuaj ju uroj suksese, sikundër e meritoni, në zgjedhjen për Asamblenë Kushtetonjëse.

    Perëndia qoftë me juve.

    Peshkop Fan Noli

    **********

    Letër Kryepeshkopit Kristofor

    25.X.1945

    Tash që konditat më lejojnë, po ju dërgoj përshëndetjet e zjarrta juve dhe shokëve tuaj anëtarë të Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe mbarë Klerit.

    Ju falënderoj shumë për ndihmën tuaj të vlefshme që i kini dhënë Qeverisë Demokratike të Gjeneral Enver Hoxhës. Jemi të bindur që do t’i qëndroni besnikë atij dhe Frontit Demokratik dhe do të ndihmoni që të përforcohet Qeverija, e cila është me popullin dhe punon për popullin.

    Peshkop Fan Noli

    **********

    Mesazh Enver Hoxhës

    /27 mars 1946/

    Sipas “New York Times”, datë 25 mars, Shqipërisë iu mohua pranimi në UNRRA me 23 vota kundër 6. Disa shtete votuan kundër pse Shqipëria nuk është anëtare e UNO-s. Delegati grek u ngrit kundër pranimit të Shqipërisë, dyke thënë se Shqipëria është akoma në luftë me Greqinë dhe disa delegatë thanë se nuk mund të pranohet një vënt që është akoma në luftë me një nga anëtarët e Kombeve të bashkuara.

    Ndihmës-Sekretar i Shtetit Bill Clayton, tha se Amerika është kundër pranimit të Shqipërisë vetëm pse Amerika nuk e ka njohur Shqipërinë nga shkaku se Shqipëria nuk siguron që ka nërment të respektojë traktatet me Amerikën. Ne kemi frikë që kërkesa shqiptare për pranimin në UNO do të ketë po këtë fat veçse po të merret vendim që të fitohet përkrahja e Amerikës dyke i dhënë asaj sadisfaksion të plotë në çështjen e trakteve.

    Peshkop Fan Noli

    **********

    Letra tjetër e Enver Hoxhës për Nolin

    Prill 1946

    Hidhërohemi tepër kur shohim se shtypi amerikan dhe personalitete të larta amerikane mbajnë një qëndrim jo të drejtë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë, e cila luftoi me trimëri të rrallë për kauzën e përbashkët. Çështja e të ashtuquajturit Vorio-Epir, e ngritur nga ana e fashistëve grekë, që mbrohet dhe përkrahet nga ana e këtyre personaliteteve, patjetër nuk forcon miqësinë e popullit shqiptar me Shtetet e Bashkuara. Mbrojtja e një teze kaq të marrë nga ana e tyre sjell me vete edhe përgjegjësi ndërkombëtare, pse të mbrosh hajdutët fashistë, që kërkojnë të rrëmbejnë tokën e tjetrit, do të thotë të bëhesh pjesëtar në këtë kusari. Të gjithë duhet të jenë të bindur se me të gërthitura dhe me “vendime” rreth tryezave të gjelbra nuk copëtohet kollaj Shqipëria. Po të cenohen kufijtë e Shqipërisë, ju sigurojmë se ne do t’i mbrojmë deri në njeriun e fundit dhe agresorët fashistë nuk do t’ja arrijnë qëllimit. Kujt ja ka qejfi, mund ta diskutojë “çështjen e Shqipërisë së Jugut”, por duhet të mendojë se në mes të “vendimit” që mund të marrin fashistët grekë e miqtë e tyre dhe zbatimit të këtij “vendimi” ndodhet një kufi në Shqipërinë e Jugut që do të jetë zor të kapërcehet. Ne nuk vëmë në diskutim atdheun tonë, por këtë e mbrojmë kundër çdo agresori. Për këtë, populli shqiptar është i gjithi në këmbë, ashtu siç jeni të gjithë ju vëllezërit tanë të dashur në Amerikë. Populli ynë do të rrojë i lirë në vendin e tij dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë. Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se dhe ju mendoni si ne, se populli ynë luftoi jo për t’u futur në një robëri tjetër, por për të rrojtur i lirë, për të rrojtur i nderuar, ashtu sikundër ai nderon të tjerët. Ai kërkon t’i respektohen të drejtat e tij, ashtu sikundër respekton të drejtat e tjetrit. Ne jemi të bindur se për mëmëdheun dhe për të mbrojtur të drejtat e tij do të ngrihen edhe vëllezërit tanë në Amerikë, ashtu si kanë bërë kurdoherë. Ne do të fitojmë mbi ata fashistë të rinj që do të kërkojnë të dëmtojnë vendin tonë, pse jemi në të drejtë. Në kohërat më të errëta të luftës, populli shqiptar nuk u tremb dhe ca më pak tani, pse ai ka besim në forcat e veta dhe në të gjithë demokratët e vërtetë të botës.

    Gjeneral Kolonel

    Enver-Hoxha

    **********

    Gjeneral Enver Hoxhës

    Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë

    30 shtator 1946

    Zoti kryeministër

    Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në “Diellin”, 18 shtator të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa aktakuza dhe insinuata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, dyke goditur delegatin tuaj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.

    Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht, në çdo dialekt që i flisja ay nuk më merrte vesh nga shkaku se është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur as ndonjë çpërblim, as ndonjë memuriet po ay më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay nuk i përfillte fare.

    Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më dolli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, e çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, por kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket se Kolloneli nuk i shijonte aspak.

    Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i përgjithshëm, z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anë të profesorit Laugier, një zyrtar të lartë të UNO-së, i cili është ndihmës-sekretar për Punët Shoqërore dhe Ekonomike. Po Kolloneli e shihte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja nonjë grackë. Mezi pranoi dhe bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky priti mirë delegatët dhe ua rregulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i sekretariatit ia kthente Trygve Lie-së anglisht, meqënëse ky nuk dinte as frëngjisht, as shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë, Kollonli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e një triumfi imagjinar. Un isha në prakun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim kur më mori si përkthenjës në pjesën me delegatin amerikan. Për çudi nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me dy dragomanë edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Li-së e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si senete, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Uashington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit dhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.

    Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa net. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, por dhe në retorikën e kulluar. Kur erdhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetruar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti i paqes me Italinë prej këshillës së ministrave të Jashtëm në Paris. Koloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.

    Në fund të gushtit Kolloneli shkoi në Uashington dhe kur u kthye, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm që nuk ishte ndrequr, por ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu, dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.

    Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në “Diellin”, më 25 shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që “Vatra” ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigjë nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë e di fare mirë Kolloneli, po nuk e përmendi në lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i “Vatrës” është akoma i hapur, dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere Kolloneli i hapi luftë “Vatrës” edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtonjë të dy anët jo të përkrahë njërën anë dhe t’i dekllaronjë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli. Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëket e Kollonelit nuk do ta ndryshonj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni nj njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën anglisht, meqënëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushmë si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.

    Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formule pa rëndësi praktike. Pasi të lidhni marrëdhënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një fushatë serioze.

    Një fjalë për të mbaruar. Koloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegati i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftë se nuk jeni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do logjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr fund në praktikë. Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.

    Mbetem,

    Me të fala vëllazërore

    Juaji me besë

    Peshkop F.S.Noli

    30 shtator 1946
    . .
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  2. #2
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043

    Për: Letërkëmbimi i Fan Nolit me Enver Hoxhën

    Nuk ishte budalle Fan Noli te kthehej ne Shqiperi.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •