Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    16-04-2012
    Postime
    1,286

    Berisha marrëveshje të fshehtë me Samaras

    Berisha marrëveshje të fshehtë me Samaras

    “Kur shkarkova gjyqtarët e Gërdecit, Kryeministri më kërcënoi me vdekje. Kam dosje të aferave korruptive dhe vënien në shërbim të agjenturave të huaja të Berishës”


    Plarent Shehu

    -Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, gjatë një interviste dhënë për gazetën ‘Shekulli’, ka deklaruar se ka dosje dhe fakte tronditëse të cilat komprometojnë kryeministrin Berisha për afera korruptive me përfshije në biznese të ndryshme dhe me vënien në shërbim të agjenturave të huaja antishqiptare. Sipas Spahiut, faktet dhe dokumentet do të jenë tronditëse edhe për vet Kryeministrin, i cili pas publikimit të tyre nuk do ta përballojë dot fushatën elektorale.

    Ju kanë krahasuar me neonazistët e ‘Agimit të Artë’, sa qëndron ky krahasim?

    AK-ja, nuk ka asnjë komponent ku të konvergojë apo të ketë ngjashmëri me ‘Agimin e Artë’, sepse nga dita që është themeluar deri më sot nuk ka kryer asnjë aksion apo veprim të dhunshëm, pra dhuna përjashtohet në filozofinë e Aleancës. Ndërsa ‘Agimi i Artë,’ e ka ngritur elektoratin mbi dhunën, mbi vandalizmat dhe ka një doktrinë e cila i ka funksionuar në një shoqëri në rrethanat e krizës politike siç është Greqia. AK-ja ka një qasje tërësisht të ndryshme, ka një trend shumë modern, një patriotizëm jashtëzakonisht bashkëkohor. Kritikët u munduan fillimisht të na fajësojnë si folklorikë, por mbështetja e brezit të ri tregoi që Aleanca është më moderne se gjithë partitë politike në Shqipëri, mesatarja e moshës së AK-së është 27. 5 vjeç, gjë që tregon se trendi i rinisë shqiptare është drejt filozofisë së AK-së, pra është lëvizje mbarë kombëtare.

    Kohë më parë keni anuluar një takim tuajin në Greqi. Përse nuk shkuat, sepse ju kërcënoi ‘Agimi i Artë’, apo sepse shteti grek ju ka shpallur të padëshirueshëm?

    Kjo ndodhi dy javë pasi u zhvilluan ngjarjet në Këlcyrë dhe Bularat. Ku ne pritëm me protesta deputetët e ‘Agimit të Artë’ dhe kërkuam që Kisha Ortodokse që kryesohet nga Anasatas Janollatos, të mos pranonte në ambientet e tyre deputetë të ‘Agimit të Artë’, ku të artikulonin pavarësinë e Vorioepirit. Ne jemi juristë dhe kërkojmë që të respektohet Kushtetua, ne jemi një shtet laik dhe feja është e ndarë nga shteti. Dy javë më pas, ne do të udhëtonim për në Athinë, për të kryer një manifestim madhështor në qendër të Athinës. Fatkeqësisht organizatorët dhe mbështetësit tanë në Athinë, u kërcënuan me jetë në shtëpitë e tyre, pasi ata janë emigrantë në kryeqytetin grek. Duke parë këto kushte ne nuk mund të merrnim një aventurë ku njerëzit dhe mbështetësit tanë që jetojnë në Greqi të rrezikonin jetën dhe familjet e tyre. Nuk ishte një anulim për shkak të kërcënimit që i bëhej kryetarit të AK-së, i cili nuk lejohet që të hyjë në Greqi, por ishte arsye për të treguar maturi, besnikëri ndaj familjeve të mbështetësve tanë që jetojnë në Greqi.

    Panariti dhe ministri i Jashtëm grek Avramopullos, kanë rënë dakord që AK-ja dhe ‘Agimi i Artë’ të mos udhëtojnë, në Greqi ju dhe Shqipëri ata, a jeni në dijeni të këtij lajmi?

    Jemi në dijeni, është marrëveshje që është publike. Ministri Jashtëm grek e ka bërë publike, për të izoluar AK-në dhe për të izoluar edhe ‘Agimin e Artë’, tashmë dihet, ka një marrëveshje dhe një pazar politik mes kryeministrit Samaras dhe shtetasit Berisha dhe kjo marrëveshje e të dyve kundër AK-së, ka lindur në Itali në Romë. Kur ne zbuluam një takim të fshehtë në një vilë në periferi të kryeqytetit italian, ku për 1 javë rresht u mohua nga zyra e Këshillit të Ministrave, por ne për ta bërë publike dhe aktivistët tanë në Romë e pritën me vezë, për tu treguar se tradhtia kombëtare ndëshkohet me burgim të përjetshëm. Që atë ditë pati një marrëveshje mes Berishës dhe Samaras e cila u ratifikua nga Ministrat e Jashtëm.

    Deklaratat tuaja kanë bërë të acarohen marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, madje edhe emigrantët shqiptare janë penalizuar? Mos vallë jeni bërë ju shkas për keqtrajtimin e emigrantëve kohët e fundit nga Greqia?

    Ne kemi kërkuar aplikimin e parimit të reciprocitetit. Ne jemi ata që kemi kërkuar që ashtu si Greqia hapi konsullatën në Gjirokastër dhe në Korçë, edhe ne të kemi në Prevezë. Qeveria shqiptare duhet të tregojë që ashtu siç këta guxojnë të kthejnë 15 fëmijë në kufi, qeveria shqiptare duhet të kthejë biznesmenët grek që janë në Shqipëri. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa barazia në marrëdhëniet diplomatike. Nëse grekët nuk marrin guximin të heqin ligjin e luftës, nëse grekët kërkojnë varrezat e luftëtarëve në Shqipëri, atëherë edhe ne kemi të drejtë të kemi varrezat e të parëve dhe luftëtarëve në trevat etnike shqiptare në veri të Greqisë. Absolutisht, ne nuk kërkojmë asgjë më shumë dhe mendojmë se qëndrimet dhe deklaratat tona kanë qenë racionale dhe garantojnë një mbrojtje të plotë me dinjitet të 1 milion shqiptarëve në Greqi, përfshirë ata që janë emigrantë apo ata të cilët janë shqiptarë etnikë dhe jetojnë në trojet e veta etnike në qytete që sot mbahen padrejtësisht nga Greqia.

    Sa ndikuat ju, AK-ja, në rezultatin e regjistrimit për të qenë real ai ose jo real?

    ‘Aleanca Kuq e Zi’ nuk kishte asnjë qëndrim zyrtar kundër pakicës etnike greke. Qëndrimi ynë zyrtar ishte kundër shqiptarëve që mashtronin që ishin grekë. Regjistrimi popullsisë u kundërshtua për dy arsye: Së pari, sepse qeveria greke kërkonte një standard që nuk e aplikonte vet. Pra, standardi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin vit nuk aplikohej edhe nga Greqia, sepse Censusi në Greqi nuk bëhej me pyetjen: “Çfarë feje ke dhe çfarë etnie i përket?”. Grekët njohin 100 % grek dhe 100% ortodoks, nuk pyesin as për fenë dhe as për etninë e dikujt tjetër dhe ne kërkonim që Shqipëria të mbante të njëjtin standard, nuk kishin pse kërkonin ata që Shqipëria të përdorte një standard tjetër të cilin ata vet nuk e aplikonin. E dyta, fakti të cilin personalisht zbulova në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku mijëra vendime gjyqësore rezultonin që ne kishim shqiptarë që gënjenin, që ishin grekë, hidhte dyshime që Censusi nuk duhet të bëhej mbi baza etnike, sepse qëllimi thelbësore i standardeve të Bashkimit Evropian për të kryer regjistrimin e popullsisë, është thjesht saktësia dhe korrektësia në numërimin e popullsisë.

    Kush e financon Aleancën Kuqezi? Kush iu financon ju, zoti Spahiu?

    ‘Aleanca Kuq e Zi’, aktualisht rezulton një nga strukturat më të organizuara në Shqipëri. Strukturat e saj arrijnë aktualisht 250 mijë në gjithë trevat shqiptare dhe diasporë dhe mbi 180 mijë në Shqipëri. Në përgjithësi, qenia anëtar në AK nuk pranohet pa kontribut. Pra, marrja e teserës ‘Kuqezi’, është gjithmonë nëpërmjet kontributit që ata paguajnë dhe çdo anëtar që përfshihet në struktura ka detyrimin për të kontribuar për ‘Aleancën Kuqezi’.

    Kohët e fundit po denonconi shpesh gjyqësorin dhe organin e akuzës, mos nuk është e moralshme që ju një ish drejtues i KLD-së të flisni për këto organizma?

    Dihet tashmë që unë kam më shumë se një vit që jam larguar. Që nga dita që jam larguar, po pres që të tregojnë hapat progresiv që kanë hedhur ata që kanë qenë shumë kritik, dhe gjithmonë hapat progresiv apo regresiv tregohen me fakte. Nga dita që jam larguar dhe deri më sot KLD-ja apo qeveria Berisha nuk ka larguar asnjë gjyqtar nga puna, atëherë pyetja shtrohet ku është problemi i kapjes së sistemit të drejtësisë? Është një dhe vetëm një, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është tërësisht nën kontrollin politik. Ju thashë që unë me të marrë detyrën kam marrë një goditje politike, për shkak të dosjes Gërdeci dhe goditja politike që unë mora nuk ishte një goditje vetëm kundër meje, por ishte një goditje nga i gjithë sistemi. Kur Kryeministri i një vendi kërkonte shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, dhe shkarkimi u bë unanim, kjo nuk ishte vetëm për Kreshnik Spahiun. Pas kësaj, asnjë gjyqtar nuk do të guxonte të dënonte njerëz për çështjen Gërdeci, e më pas për 21 janarin, apo çdo çështje tjetër politike. Sepse kur kryeministri dhe qeveria, merrnin guximin për të goditur numrin dy të KLD-të ata nuk e kishin më asgjë për të poshtëruar dhe shkelur me këmbë çdo gjyqtar.

    Ka gjyqësori shqiptar elita dhe njerëz të aftë e të ndershëm, që mund të luftojnë korrupsionin?

    Unë jam nga ata që jam shumë skeptik për të besuar nëse Shqipëria ka elita apo jo. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me gjyqësorin, sepse një nga problemet thelbësore të sistemit që ne po kalojmë, është investimi i dobët në krijimin e elitave të reja. Në Shqipëri shikon deputetë që janë aksionerë apo bashkëpronarë me kontrabandistë, të ndryshëm në Shqipëri, shikon ministra që janë aksionerë dhe ortakë e aksionerë me shoferët e tyre. Shikon gjyqtarë dhe prokurorë që hanë dhe pinë dreka e darka me të pandehurit dhe gangsterët. Në Shqipëri nuk ka shtresa dhe duke mos pasur nuk ka as elita.

    Perse, Berisha, ju akuzon dhe ju ka shpallur ‘luftë’ ju dhe ish presidentit Topi? Ka frikë se mos i merrni vota apo është çështje inati personal, pasi ikët nga gjiri i tij?

    Dihet qartë, që shtetasi Berisha kur nuk ndjehet i rrezikuar injoron çdo kënd dhe nuk merret me të. Së dyti, ai nuk ta fal faktin që një zyrtar i lartë i shtetit të kundërshtojë aq gjatë dhe aq ashpër politikat e tij. Mendoj që në funksionin që unë kryeja mund të jem rasti i vetëm në 23 vite, nga fillimi deri në fund që kam qenë në kontradikta dhe e kam kundërshtuar hapur në mënyrë masive madje dhe në mënyrë të grupuar. Ai nuk mund ta pranojë edhe për një arsye të thjeshtë, sepse ai nuk mund të pranojë të thyhet miti i tij, sepse kjo i shthurte radhët e hekurta që ai mban te institucionet, ai kishte frikë nga krijimi i një precedenti që mund të sillte rebelimin e shumë drejtuesish institucionesh, efekti domino. Për këtë arsye goditja ka qenë e ashpër, nga ana tjetër në fillim ka qenë skepticizmi, tani ka filluar frika. Duke lexuar sondazhet e fundit, ai ka filluar të heshtë sepse është koshient që përplasja nuk solli dobësimin e AK-së, por solli forcimin tonë dhe në këtë rast ka bërë një hap prapa, pasi është frikësuar nga përqindja e lartë që ne kemi.

    Tani nuk merret më me ju, por me kauzën tuaj, çështjen kombëtare. Në 28 nëntor ai nxori kauzën e bashkimit kombëtar...

    Ky është suksesi më i madh i ‘Aleancës Kuq e Zi’. Për 22 vjet gjithë politika shqiptare ka shkuar pas axhendës së Sali Berishës, ai hidhte një gur në lumë dhe i tërhiqte të gjithë ta nxirrnin. Për herë të parë del një forcë politike e cila për vitin 2012, bëri që nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta e Shpëtim Idrizi të vinin pas axhendës së Aleancës. Dhe, në radhë të parë, kjo është meritë e padiskutueshme që të tjerët të vijën pas nesh. E dyta, Berisha këtë e bëri pasi iu dogjën gjithë kartat, pasi nuk konsiderohet më anti-komunist, ai nuk konsiderohet më njeriu që mbështet nga ish-pronarët, apo shtresa e djathtë, ai nuk konsiderohet më si njeriu që mbështet disidentët politikë, sepse ata i ka kundërshtarët më të fortë sot, ai nuk konsiderohet si njeriu po integron Shqipërinë, sepse BE-ja e refuzoi tre herë Statusin e vendit kandidat dhe e vetmja kartë që i kishte mbetur ishte t’i rikthehej nacionalizimit. Dhe, e treta, kishte një vit që priti që faktori ndërkombëtar të dilte kundër Aleancës duke shpresuar se ata do të akuzonin për nacionalizëm AK-në, duroi e duroi dhe në fund humbi toruan e tij, u fut si elefanti te qelqurinat e kristalit për të thyer gjithçka dhe për të detyruar ndërkombëtarët që të reagojnë kundër nacionalizimit.

    Përse keni krijuar degë në Kosovë dhe Maqedoni, mos vallë do të hyni në politikë dhe në këto dy shtete?

    Sfida e Aleancës do të jetë 23 qershori dhe zgjedhjet në Tiranë. Ne kemi ngritur struktura në Tiranë dhe në Prishtinë dhe synojmë që filozofia dhe doktrina jonë të zbatohet dhe të përfshihet edhe në dy kuvendet e tjera. Mënyra, metodologjia sistemi si do të mundemi të depërtojmë, ne i kemi pezulluar, sepse duam që gjithë fuqitë tona të përqendrohen te 23 qershori. Më pas, ne do të shikojmë mundësitë për prezencën e Aleancës në kuvendet e tjera shqiptare. Ne mendojmë që klasa politike në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë vuan nga të njëjtat sëmundje, nga bajraktarizmi, nga nepotizmi, nga mungesa e elitave politike. Ka një lloj mediokriteti në forcat politike të të tre parlamenteve. Po të shikojmë, kemi një lloj ndikimi të një pjesë të politikanëve që synojnë të imponohen përjetë, siç është Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Gjinushi, Hashim Thaçi, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti. Shqiptarët në gjithë trevat e kanë humbur sensin e demokracisë dhe të parimit bazë të ndryshimit. Mendojmë që ne kemi forcën dhe energjinë për të injektuar sjelljen e një gjaku të ri në të gjitha trevat shqiptare.

    Keni akuzuar dhe jeni duke e akuzuar Berishën për shumë çështje politike dhe familjare, a keni fakte konkrete?

    Po. Ne kemi punuar dhe po krijojmë dosje, jo vetëm për kryeministrin, por edhe për disa ministra dhe gjatë fushatës elektorale, nëse Berisha nuk tërhiqet nga pozicioni i kryeministrit dhe për herë të parë të lejojë të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të jemi të detyruar të publikojmë fakte që do të jenë tronditëse dhe që ai nuk do t’i përballojë dot në fushatë elektorale. Ato lidhen me afera korruptive, me përfshije në biznese të ndryshme dhe me vënien në shërbim të agjenturave të huaja antishqiptare.

    Kryepeshkopi i kishës Ortodokse në Shqipëri është grek. Nuk ka Shqipëria klerikë të saj? Greqia do ta pranonte që të udhëhiqej kisha nga një shqiptar?

    Natyrisht që Shqipëria duhet të ndiqte të njëjtën model që ka Bullgaria, Serbia dhe Rusia. E kanë shumë vende që kanë komunitet ortodoks, ku në krye të kishës Ortodokse kanë klerikët e tyre. Ne nuk mendojmë se këtu fillon dhe mbaron problematika që lidhet me kishën Ortodokse Autoqefale. Kemi kërkuar që vetë shteti shqiptar të qëndrojë i ndarë nga feja. Së dyti, ne kemi kërkuar që ashtu si shteti ka respektuar Janullatosin me dekoratën e ‘Urdhrit të Skënderbeut’, të respektohen edhe të vlerësohen edhe themeluesit e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli e deri tek Kristo Negovani, duke i dhënë dekoratat që meritojnë. Ata që ishin legjenda dhe krijuesit e kësaj kishe, ata që ishin heronj, sot nuk respektohen nga shteti dhe nga Presidenti, por respektohet Janollatosi, në këtë kontekst ne kemi qenë të ekuilibruar sa i përket Kishës Autoqefale Shqiptare dhe gjithë shqiptarët ortodoks në Shqipëri të vijojnë harmoninë fetare.

    Pse duhet tu votojnë më 23 qershor shqiptarët Aleancën Kuqezi?

    AK është një lëvizje e qendrës, thellësisht patriotike, fitorja e saj duhet të jetë një domosdoshmëri historike për kombin shqiptar, si një mundësi për të krijuar balanca në rajon për sa i përket sektorëve, të diplomacisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut etj. Fitorja e AK-së është kusht për ndryshimin e pushtetit dhe largimin e Berishës, që do të thotë je vetëm rotacion i xhaketave të vjetra. AK-ja nëse do të qeverisë, do të kufizojë mandatin për të gjitha institucionet, nuk do lejojë më shumë se dy mandate për asnjë funksion dhe funksionar, Bashkimi në federatën Shqipëri-Kosove. Votim dhe zgjedhje nga populli për Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjyqtarët e lartë. Një zhvillim ekonomik të bazuar në pasuritë kombëtare duke i dhënë prioritet zgjidhjes së çështjes së pronave. Zgjerimi i tregut mbarëkombëtar që do të garantojë zhvillim të shpejtë ekonomik në vend. AK-ja për herë të parë do të këtë mision diplomatik dinjitoz në çdo cep të botës.

    Federatë me dy parlamente por me një qeveri

    Bashkimi kombëtar si do të bëhet?

    Në radhë të para faza e parë që afron bashkimin kombëtar është ndryshimi i regjimeve politike. Në Berishën në Tiranë dhe Thaçin në Prishtinë nuk mund të ketë bashkim kombëtar. Faza e dytë është referendumi i dy shteteve shqiptare, Shqipërisë së Veriut, që është Republika e Kosovës dhe Shqipërisë së Jugu që është Republika e Shqipërisë. Në modelin e federatës, ku do bashkohen dy njësi me dy parlamente, me dy palë institucione, po me një qeverisje, në të cilat komponentët kryesorë duhet të jenë: politika e jashtme, mbrojtja e siguria dhe çështje të makro ekonomisë, heqja e doganave. Pra, ne ofrojmë një Shqipëri të bashkuar duke hequr kufijtë, por duke mos i ndryshuar ato. Nuk do të ndryshojnë kufij, as me Serbinë, as me Greqinë, as me Maqedoninë, apo me Malin e Zi, si model i federatës së shteteve të bashkuara shteteve shqiptare në Ballkan.

    ‘Dosja’ Presheva, çfarë është, ku qëndron e vërteta?

    Presheva mund të jetë një koncesion politik i Tiranës dhe i Prishtinës për hir të marrëdhënieve në lidhje me veriun e Kosovës. Nuk është e rastit që shkulja e lapidarit në Preshevë përkon me negociatat me Beogradin, nuk është e rastit që Daçiç anashkaloi Kosovën dhe tha jam i gatshëm të bëj pazar me Berishën për shkëmbim territoresh. Këto janë deklarata të qarta zyrtare dhe hedhin dritë mbi masakrën dhe vandalizmit që po zhvillohet në Preshevë. Pra, Daçiç po synon të ratifikojë marrëveshjen me Berishën në kurriz të mijëra shqiptarëve në Luginë e Preshevës, duke tentuar që harta gjeografike e kufijve shqiptarë të ndryshojë në favor të llogarive dhe pazareve të Serbisë. Kjo nuk mund të ndodhë, ne jemi këtu kundër. Ne jemi pro qëndrimit të SHBA-së, që kufijtë nuk mund të ndryshohen në disfavor të shqiptarëve.

    Thirrjet e Nikolas Geixhit për tu bërë grek me detyruan të formoja AK-në

    Si lindi Lëvizja Kuqezi, kush ishte ideatori, përse lindi dhe çfarë misioni kishte në fillimet e saj?

    Një javë pas 21 janarit të vitit 2011, në jug të Shqipërisë u shfaq greko-amerikani Nikolas Geixh, i cili po zhvillonte disa takime me minoritetin dhe me qytetarë të tjerë në disa fshatra shqiptare, duke i bërë thirrje shqiptarëve në shumë zona rurale, që në censusin i cili do të zhvillohej pas dy muajsh të mos kishin frikë për tu deklaruar grekë dhe në mënyrë masive të mos deklaroheshin shqiptarë. Ishte lajm që po e ndiqja me disa miq të mi gazetarë dhe u ndjeva shumë keq, u kërkova atyre ndihmën për të bërë një intervistë publike. Edhe ata po shprehnin skepticizmin e tyre sepse kjo mund të më rrezikonte karrierën time profesionale. Të nesërmen, dhashë një intervistë në ‘Top-channel’ dhe në ‘News-24’ kundër deklaratës së Geixh-it. Jam nisur po atë ditë për të inspektuar disa gjykata në jug të Shqipërisë në Gjirokastër, Korçë dhe Berat. Gjatë inspektimit të vendimeve gjyqësore, konstatova mijëra vendime të cilat qytetarët shqiptarë ndryshonin kombësinë e tyre, nga shqiptare në greke, por pa pasur fakte dhe prova për origjinë e tyre. Kjo bëhej për dy arsye, e para për të siguruar një pension 380 euro në muaj dhe për leje qëndrimi në shtetin grek.

    Cili ka qenë ndikimi i organizatës ‘Tifozët Kuqezi’ në lëvizjen tuaj dhe në themelimin e AK-së?

    Në zyrën time një mëngjes u shfaqën 200-300 tifozë kuqezi, të ardhur nga Tetova dhe Prishtina, më sollën një flamur shqiptar dhe kishin veshur të gjithë institucionin me flamuj kuq e zi. Ky ishte momenti kur na lindi ideja për të krijuar Aleancën Kuqezi, sepse një pjesë e grupit të këtyre tifozëve kërkuan ngritjen e kësaj strukture e këtij lobimi. Një pjesë e tyre ishin bashkimi i një grupi juristësh, por edhe i një grupi patriotësh nga Prishtina, Tetova dhe Shkupi, por edhe nga Jugu i Shqipërisë. Diku nga data 19 mars të vitit 2011 ne vendosëm të krijojmë Aleancën, ditë në të cilën u iniciua edhe nënshkrimi i peticionit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.

    Pse u futët në politikë, cilat kanë qenë arsyet?

    Mendoj që dy janë shkaqet. Gjithmonë kisha ëndërruar të kisha karrierën në profesion dhe jo në politikë. Jam munduar t’i qëndroja as afër as larg politikës. Për një arsye, sepse realiteti shqiptar është shumë i hidhur. Nëse nuk ke njohje në politikë kurrë nuk mundet të kesh edhe një vend pune, jo më të kesh karrierë profesionale, por gjithmonë nuk më kishte pëlqyer fakti të isha tërësisht i përfshirë në politikë. Me marrjen e detyrës së nënkryetarit të KLD-së, kisha shumë dëshira apo ëndrra për të realizuar, por me të marrë detyrën e kuptova se këto ishin iluzione, sepse lufta dhe beteja me Kryeministrin vendit filloi tre muaj pas ‘tragjedisë së Gërdecit’, kur mua mu desh të shkarkoja tre gjyqtarë të cilët kishin favorizuar krijuesin e fabrikës së Gërdecit, Mihal Delijorgjin. Menjëherë pasi kam kryer këtë vendim, jam kërcënuar me jetë nga Kryeministri dhe më është dashur ta denoncoj në Shërbimin Informativ Kombëtar, tek Presidenti dhe në disa misione diplomatike, sepse u ndjeva i rrezikuar unë dhe familja ime. Pas kësaj, dhe kjo është publikuar edhe në programet e ‘Wikiliksit’, e pashë që isha izoluar dhe në detyrën që kisha. Kisha vetëm çelësat e kashtës, pa qenë prezent dhe i fuqishëm në politikë çfarëdo detyre të kishe në profesion nuk mund ta realizoje asnjë ndryshim. Dhe gradualisht, duke përfshirë edhe formimin tim, për shkak të origjinës së prindërve të mi, sepse unë e kam babain me origjinë të lindur dhe rritur në Kosovë, ndërsa mamanë nga Libohova dhe kemi një histori pronash dhe familjare në Çamëri, kjo ndikoi në formimin tim dhe në fillimin e punës për krijimin e strukturës së re politike, që natyrisht mori thellësisht një profil patriotik, ashtu si isha lindur edukuar dhe rritur nga prindërit e mi.

    Ju për faj të politikës ikët në 1996, kur u rikthyet nuk i bëtë pyetje vetes pse po më rikthejnë?

    Është e vërtetë. Unë kam qenë i dyzuar se cila duhet të ishte e ardhmja ime në politikë. Tre herë kam refuzuar PD-në dhe Sali Berishën, për të kandiduar për deputet në disa zona të Shqipërisë, përfshirë këtu edhe Tiranën, Durrësin dhe Shijakun. I kisha refuzuar sepse mendoja se, nuk mund të ishte e ardhmja ime as në PD dhe as në politikë dhe gjithmonë pata refuzuar të merrja një teser partie. Kam qenë gjithnjë profesionist, jepja konsulenca ligjore, po kurrë nuk kam qenë pjesë e militimit të një partie. Ndoshta rrethanat erdhën të tilla, ndoshta edhe mosha solli nevojën për të hapur në politikën shqiptare një dritare të re, për sjelljen e një ndryshimi në Shqipëri.



    “Qeveria shqiptare duhet të tregojë që, ashtu siç grekët guxojnë të kthejnë 15 fëmijë në kufi, qeveria shqiptare duhet të kthejë biznesmenët grek që janë në Shqipëri”

    Bashkimi Kombëtar do të behet pa ndryshuar kufijtë, as me Serbinë, as me Greqinë, as me Maqedoninë dhe as me Malin e Zi, njëlloj si modeli i federatës së shteteve të bashkuara
    /Shekulli Online/

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Fehmikaciu
    Anëtarësuar
    11-01-2013
    Vendndodhja
    Prishtinë
    Postime
    1,006

    Për: Berisha marrëveshje të fshehtë me Samaras

    Bashkimi Kombëtar do të behet pa ndryshuar kufijtë, as me Serbinë, as me Greqinë, as me Maqedoninë dhe as me Malin e Zi, njëlloj si modeli i federatës së shteteve të bashkuara
    /Shekulli Online/
    A din dikush ketu ne forum te me tregoj,qfar bashkimi kombetar eshte ky.....

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •