“Muslimanët dhe e gjithë bota, sot kanë më së tepërmi nevojë që t’u sqarohet feja e Allahut dhe t’u shfaqen mirësitë dhe realiteti i saj. Pasha Allahun, sikur ta kuptonin sot njerëzit dhe sikur ta kuptonte bota, do të hynin në këtë fe grupe-grupe, ashtu siç kanë hyrë pas çlirimit të Mekës.”

Thotë Allahu: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” [Asr 1-3]

Po flasim për një gjë madhështore dhe të kërkuar, që zgjeron gjokset, largon të keqen në tokë, gëzon zemrat, hap shtigje të reja, ndihmon njerëzit, e kjo vepër është këshillimi ndaj të tjerëve. Një këshillim me dije e me mendim të dashur për tjetrin, është argument para Allahut pro vepruesit të saj dhe argument para njerëzve.

Është mirësia që mbajti në këmbë Islamin dikur dhe çdo herë. Është veçoria dalluese e këtij ummeti mysliman ndër popuj tjerë, siç ka thënë Allahu: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” [Ali Imran 110]

Por realisht nganjëherë po humb vlera dhe dëshira për ta vepruar këtë vepër të madhe që e do Allahu dhe i Dërguari i Tij paqja qofte mbi të. Për disa më me rëndësi është vetja sesa të tjerët, duke thënë “Dua të merrem me veten, ta shikoj veten, nuk dua ta shqetësoj askënd, nuk dua t’i flasë askujt këshillime e kritika.” Kjo e thënë sot duket e keqe nëse e dëgjon veshi, e nëse të gjithë do ta vepronin këtë teori, atëherë kush do të thërrasë në tokë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja.

Ambiciet janë shumë të ulëta sot, pos ata që i ka mëshiruar Allahu e që shqetësohen dhe kujdesen për të tjerët. Ndërsa disa heshtin para syve të disave që u duhet këshilla, ka të tjerë që këshillojnë edhe nëse fyhen, nënçmohen, mohohen, kundërshtohen, goditen e madje edhe nëse vdesin, se kështu është rruga e Islamit.

Derisa njerëzi t po presin ndihmën e Allahut dhe ngadhënjimin e Islamit, shumica harruan këshillimin. Zgjodhën të ndalen tek vetja e tyre, duke bërë adhurime e vepra për të mirën e tyre, por ja si krahasoi Ebu Xhafer: “Një dijetar, dija e të cilit u bën dobi njerëzve, është më i mirë sesa shtatëdhjetë mijë adhurues.” Edhe një njeriu të thjeshtë i takon këshillimi që ta bëjë.

Sinqeriteti mes miqve ndalet edhe tek këshillimi ndaj mikut. Është nga miqësia e sinqertë, nga dashuria për Allahun pa pasur interesa të dunjasë. Ka thënë Pejgamberi paqja qofte mbi të: “Vërtetë miqtë e Allahut janë ata që kur shihen, ta kujtojnë Allahun.” [Sahiha 1646]

Askush nuk duhet të ndiej ngushtim në zemër për të këshilluar tjetrin, e as tjetri nuk duhet të ndiej ngushtim që e këshilluan. Umeri (Zoti e meshirofte) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri i cili na udhëzon në përmirësimin e gabimeve tona!” Këta ishin të parët tanë në fe, pas rrugës së të cilëve ne ecim.

Këshilla qenka ura lidhëse mes njerëzve të sinqertë, qenka dashuri e pastër, qenka gjë që afrohen tek Allahu dhe po ashtu i shërben Islamit, është në ngadhënjimin e Islamit, është rruga nga e cila sqarohet Islami, argumentet dhe mirësia e kësaj feje. AbdulAziz bin Bazi [Allahu e mëshiroftë!] ka thënë: “Muslimanët dhe e gjithë bota, sot kanë më së tepërmi nevojë që t’u sqarohet feja e Allahut dhe t’u shfaqen mirësitë dhe realiteti i saj. Pasha Allahun, sikur ta kuptonin sot njerëzit dhe sikur ta kuptonte bota, do të hynin në këtë fe grupe-grupe, ashtu siç kanë hyrë pas çlirimit të Mekës.” [Mexhmul Fetaua, 338/2]

Pergatiti: A/O