
Postuar më parë nga
ilia spiro
Neni 15
Statusi juridik dhe fiskal
1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njeh dhe respekton kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë në fushën financiare, duke ruajtur tërësisht pavarësinë në administrimin e buxhetit të saj financiar, të krijuar qoftë nga burime të brendshme edhe nga ato të jashtme, në formë dhuratash nga kisha dhe organizma ndërkombëtarë simotra.
2. Përjashtohen nga të gjitha llojet e taksave:
a) Subvencionet financiare të çfarëdo lloji dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme, si edhe donacionet materiale të destinuara për të realizuar misionin e vet, kur këto të ardhura apo donacione nuk përdoren për përfitime nga organizatorët.
b) Ndërtimi i objekteve të reja, ndërtesat në pronësi apo në përdorim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ose të personave juridikë të themeluar prej saj të regjistruara pranë organeve kompetente shtetërore, në rastet kur ato përdoren pa qëllim fitimi për ushtrimin e besimit, drejtimin dhe administrimin kishtar, veprimtarinë baritore, humanitare e bamirëse, formimin e klerikëve, mësimin e teologjisë dhe shkencave të tjera kishtare, si dhe të personelit fetar dhe laik në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
c) Taksa e trashëgimisë ose e kalimit të pasurisë në procesin e regjistrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat i dhurohen Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ose kur ato kalojnë mes entiteteve të vetë Kishës.
3. Personat juridikë të themeluar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, por që nuk e kanë zotësinë juridike ose nuk janë regjistruar si organizata jofitimprurëse përpara ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje, gëzojnë të drejtën që të regjistrohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas nenit 8 të kësaj Marrëveshjeje, brenda dy vjetëve nga dita e hyrjes së saj në fuqi.
4. Përjashtohen nga detyrimi i derdhjes së kontributeve për sigurim shoqëror dhe shëndetësor personeli fetar dhe laik në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me kombësi të huaj, me banim të rregullt në Shqipëri, të cilët nuk përfitojnë asnjë të ardhur apo shpërblim për kryerjen e veprimtarisë së tyre dhe që i kanë derdhur këto kontribute në vendet e origjinës.
5. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, për personelin klerik dhe laik të saj, si kategori profesionale krejt të veçanta, ka të drejtë shkallëzimin e diferencuar për nivelin e pagës, për efekt kontributesh të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat e personit.
6. Për veprimtaritë me karakter institucional, si: ushtrimi i kultit, drejtimi dhe administrimi kishtar, veprimtaria baritore, humanitare dhe bamirëse, formimi i klerit, mësimi i teologjisë dhe i shkencave fetare, kisha dhe personat juridikë të themeluar prej saj nuk janë të detyruar të mbajnë regjistër kontabël dhe t'u nënshtrohen standardeve administrative të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për këtë çështje. Si pasojë, për të tilla veprimtari ato nuk e kanë detyrim që të paraqesin bilancin kontabël vjetor tek organet kompetente shtetërore dhe as ta depozitojnë atë pranë organizmave shtetërorë të caktuar nga legjislacioni në fuqi.
Krijoni Kontakt