Qeveria vendos krijimin e Komitetit të Diasporës
TIRANË - Qeveria shqiptare miratoi të premten vendimin për krijimin e Komitetit të Diasporës. Kryeministri Sali Berisha duke komentuar këtë vendim tha se, ky është një detyrim i madh moral ndaj shqiptarëve në të katër anët e botës.
"Fati na bëri që të kemi më shumë diasporë dhe në këtë aspekt i duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë që nuk ka qenë e mundur që të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë. Por, unë i garantoj se realizimi i saj është një përparësi madhore. Komiteti i Diasporës do të bëjë gjithçka për t`u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit. Ky Komitet do të punojë për praktikat dhe skemat më të mira në mënyrë që të gjendemi më pranë tyre dhe më pranë njëri-tjetrit. Diaspora ka një rol historik në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e demokraci", -tha ai.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri i kërkoi ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, që këtë vit të fillojë nga veprimtaria Liga Mbarëkombëtare e Futbollit.
"Së bashku me ministrin e Sporteve të Kosovës duhet të uleni e të bëni projektin që të zhvillohet Liga Mbarëkombëtare. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialin e talenteve në futboll, për të fuqizuar tregun e futbollit dhe për të nxjerrë një numër më të madh yjesh shqiptare të futbollit.
Gjithashtu, bashkëpunimit kulturor me Kosovën do t'i shërbejë dhe krijimi i hapësirës unike të valëve transmetuese. "Hapësira unike shqiptare e valëve, me qëllim që mediat kosovare të kenë licencë për transmetime në Shqipëri. Njëkohësisht RTSH duhet t'u krijojë mundësinë e transmetimit dhe ato të shihen nga Konispoli deri në Vermosh.
Gjithashtu, do të bisedohet dhe me qeverinë e Kosovës që dhe mediat tona të transmetohen në të gjithë territorin kosovar. Kështu do të homogjenizohet hapësira", - theksoi kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë.
(er.nu/ata/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt