INTERVISTA/ Flet Dr. Laurant Bica: Interesimi i vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm

Naim Frashëri kaloi mbi 15 vjet në Çamëri

Albert ZHOLI

Naim Frashëri bashkë me rilindësit e tjerë kur nxori revistën “Drita”, “Dituria” më 1884 në Stamboll në gjuhën shqipe, një nga shkrimet e para të tij do të ishte për Epirin – Çamërinë. Kjo, veç të tjerash, fliste për atë se ai, sikurse vëllezërit e tjerë të tij, i vinte një rëndësi të veçantë Çështjes së Çamërisë. Për këtë problem madhor të kombit tonë, se si ishte ai në optikën e Frashërllinjve të mëdhenj veç e veç dhe të gjithëve bashkë, po ashtu dhe dy rilindësve të tjerë, bijë të saj, si Hasan Tahsini dhe Abedin Dino do të flasim në këtë bisedë. Ndërkohë s’mund të anashkalojmë Ismail Qemalin, rilindas dhe ky, shok e mik i tyre, artizani dhe simboli më pas i Pavarësisë kombëtare. Njëkohësisht do t’i shohim në raportet që kanë me njëri tjetrin. Pra janë pesë shtylla mbi të cilat ngrihet sythi i parë i trajtimit tonë. Frashërllinjtë, Çamëria, Hasan Tahsini, Abedin Dino e Ismail Qemali.

Ju në një kumtesë për vëllezërit Frashëri dhe Çamëria e shtruat këtë lidhje në katër plane. Cilat janë ato?

Plani i parë është ai kronologjik dhe përfshin periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhën e pavarësisë, të pasluftës së parë botërore, të pasluftës së dytë botërore, të pas 1990, duke ardhur deri në ditët tona. Nuk është thjesht problemi i luftës për pavarësi apo i shpalljes së saj, po është dhe problemi akoma më i vështirë i ruajtjes së saj, i mbrojtjes së saj, i ripohimit të saj dhe i konsolidimit dhe forcimit të saj deri në ditët tona. Kjo bile ka qenë shqetësimi i vazhdueshëm i rilindasëve tanë, i pasardhësve të tyre, me breza deri në momentet aktuale. Në këtë 100 vjetësh të rrugëtimit të shtetit shqiptar, Pavarësia e Shqipërisë dhe pavarësimi i trojeve etnike jashtë Shqipërisë, kanë qenë problemet kardinale që kanë preokupuar, kanë dashur apo s’kanë dashur, çdo qeveri të çdo kohe që ka qenë në krye të shtetit të brishtë shqiptar. Një plan tjetër apo këndvështrim në lidhje me temën në fjalë është problemi i paraardhësve dhe pasardhësve të rilindësve që përmendëm më lart, i cili flet në të mirë apo është plotësim i figurës së Frashërllinjve, të Hasan Tahsinit, Abedin Dinos e Ismail Qemalit e të ndonjë rilindësi tjetër që është në themelet e Rilindjes sonë kombëtare. Natyrisht problemi do të ishte i mangët në shqyrtimin e tij në qoftë se nuk do ta shihnim në një plan tjetër në të tre aspektet përkatëse: para krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë ekzistencës së saj dhe pas shtypjes së saj. Dhe së fundi një plan që do ta kompletonte shtjellimin tonë do të ishte ai që do ta shihte në të tre momentet e tij: Para shpalljes së Pavarësisë, gjatë ekzistencës së shkurtër të shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin dhe pas shpalljes së saj, pra ngritjes së flamurit në Vlorë e në dekadat që e pasuan. Në epiqendër të këtij trajtimi mbeten rilindësit tanë të Frashërit dhe bashkëluftëtarët e tyre si: Hoxhë Tahsini, Abedin Dino dhe Ismail Qemali. Natyrisht shtjellimi i detajuar do të kalonte caqet e një bisede si kjo, ndofta mund të shkruhej dhe një libër, sepse interesimi i Vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm, i vazhdueshëm, jetik për ta e çështjen kombëtare. Dhe jo thjesht vetëm për ta, por ai u përcoll si një amanet i patjetërsueshëm dhe i përhershëm tek bijtë e nipërit, stërnipërit e krejt pasardhësit e tyre deri në ditët tona.

Po le t’i marrim gjërat me radhë. Cili ka qenë interesimi dhe ndihmesa e poetit tonë dhe veprimtarit tonë kombëtar Naim Frashëri për Çamërinë?

Naimi kaloi mbi 15 vjet në Çamëri si student në Janinë, si drejtor i doganës në Sarandë, nja dy vjet për klimë në fshatrat e Çamërisë, dhe disa vjet në kryeqendrën e vilajetit tonë të jugut, në Janinë. Çamët dhe Çamëria kishin hyrë thellë në shpirtin e Naimit, ishin pikë e dobët e tij. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë. Tek “Bagëti e Bujqësia” kur i drejtohet dallëndyshës “Eni vjen prej Çamërie” “me milëra fjalë e me gluhë perëndie” ai vetëm sa ngreh siparin. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi. Për llogari të albanologut francez Ogyst Dozon, Naimi do të mbledhë fjalë të urta përfshi dhe proverba çame. Naimi do të punonte sheshit e me dëshirë të zjarrtë nga Janina, kryeqendra e Vilajetit të Jugut në dobi të kauzës shqiptare, të pavarësisë shqiptare, na bëjnë me dije konsujt e huaj të akredituar aty. Naimi do të ketë si mësues në Stamboll bashkë me të vëllanë Samiun, çamin Hoxha Tahsin, rilindësin tonë të njohur. Në Stamboll ai do të ishte në kontakt edhe me mikun tjetër të Frashërllinjve dhe të Hasan Tahsinit e Abedin Dinos, Ismail Qemal vlonjatin.

Po Sami Frashëri?

Sami Frashëri vëllai i Naimit do të kalonte 6-7 vjet në Janinë dhe në kohën kur ndodhi agresioni për marrjen e Çamërisë me zbarkimin e fshatin Lëkurës të Sarandës në fillim të 1978 Samiu u ndodh në krah të Abedin Dinos dhe bashkë me Hoxha Tahsinin e të tjerë i bënë ballë ndërhyrjes greke. Sami Frashëri përreth një vit qe sekretar i Komisionit të rekrutimit pranë Abedin Dinos. Është po ky Sami që në enciklopedinë e vet 6 vëllimshe flet gjerë e gjatë për çamët e Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, për Epirin, për Suljotët, për Vilajetin e Janinës, duke na dhënë një informacion të begatë për vendet e personalitetet e trevës tonë më jugore. Në zërin për Shqiptarët në enciklopedi, ai përmend dy dijetarë, një çam, Hoxha Tahsinin dhe një kosovar, Ali Efendi Jakova si më përfaqësuesit e shqiptarëve. Ta nuhaste tragjedinë që do të ndodhte më vonë…krahinave? Të jetë kjo thjesht një rastësi? Zatën kurbani i krahinave shqiptare kish filluar që në të gjallët e tyre: sanxhaku i Nishit si pjesë e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Thesalisë, bashkë me qytetin e Artës, u morën me dhunë e me diplomaci nga fqinjët grabitqarë të veriut e jugut. Samiu me Naimin qenë nxënës të Hoxha Tahsinit dhe miq të ngushtë me Abedin Dinon dhe Ismail Qemalin. Faktet që i provojnë këto janë të panumërta dhe njeriu s’di ç’do verë më parë në një kumtesë si kjo.

Abdyl Frashëri

Abdyl Frashëri, vëllai i madh mbodhi farën e atdhetarizmit, të lirisë gjithandej në trojet shqiptare. Ai shkoi në kabinetet e Evropës për të mbrojtur çështjen shqiptare, sidomos të Epirit, bashkë me Mehmet Ali Vrionin, e duke pasur mbështetje të fortë birin e Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Evropë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino, shiti 2000 hektarë tokë dhe parët e nxjerra i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rilindësit tanë dikur prishën pasurinë për të bërë Shqipërinë, shtetin shqiptar të pavarur dhe s’pyetën për çifligjet e tyre, kurse sot, me ndonjë që e gjeti Shqipërinë të hazërtë nga gjaku i derdhur e sakrificat e panumërta të bëra, po na ndodh e kundërta, për të mbushur xhepat e tyre. Abdyli ishte ai që me ndihmën e Abedin Dinos firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni prej levendesh, të dalë nga kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë. Nuk ka memorandum, sidomos në Jug, në mbrojtje të Çamërisë, që të mos jetë në krye firma e Abdyl Frashërit. Ishte po ky Abdyl që bashkë me Abedin Dinon ju kundërvunë në Mbledhjen e Prevezës të 1879, bënë të dështojnë grekët me pretendimet e tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë. Në saje të tij, të Abedin Dinos, të Hasan Tahsinit Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera arritën të ishin në duart e shqiptarëve. Meritat e Abdylit për Çështjen Çame janë të pakontestueshme. Abdyli ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Hoxha Tahsinin jo vetëm më 1878 në Komitetin e Stambollit, por edhe në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Diturake të Stambollit. Ndërsa me Ismail Qemalin ka qenë në bashkëpunim në vitet 1876-1877 kur ishte deputet në parlamentin osman, në komitetin e Stambollit e në një varg veprimtarish të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.



Po të flasim për patriotët çamë Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë ?

Ndërsa po të flasim për Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë dhe Ismail Qemalin do të duhej të mbusheshin libra të tërë për çka kanë bërë për Çamërinë. Ata vetë ishin bijë të Çamërisë. Hasan Tahsini i ra kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të Çamërisë e të Shqipërisë. Ai ka qenë mik i peshkopit ortodoks nga Paramithia Anthim Cacos, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përktheu në shqip sikurse Martin Luteri Ungjillin, Biblen. Qëllimi atdhetar pse u bë pikërisht në vitet e stuhishme të Lidhje Shqiptare duket sheshit. Interesant, të dy edhe klerikë të feve të ndryshme por edhe dijetarë e diturakë të mëdhenj. Për ta Shqipëria ishte mbi të gjitha! Kori rilindës në Stamboll kish në krye në këtë kohë një Hasan Tahsin, Frashërllinjtë, një Abedin Dino, një Ismail Qemal, një Pashko Vasë e shumë e shumë të tjerë. Po, këta ishin maja e Rilindjes, por po të përdorim shprehjen e Mit’hat Frashërit, njerëz të mëdhenj, udhëheqës dhe shembull, që lanë gjurmët dhe vazhdën mbi karakterin dhe fatin e vendit, që u bënë mëndja dhe shpirti i kombit.

Po kush ishin këta rilindës të shquar që influencuan dhe frymëzuan kombin drejt pavarësisë kombëtare, drejt shtetit të pavarur shqiptar? Cilët janë paraardhësit dhe pasardhësit e tyre?

Duke i parë në këtë suazë do të kuptojmë më mirë vendin që zënë në Rilindje dhe rolin që luajtën në të. Frashërllinjtë ishin bijtë e Halit Frashërit, i cili së bashku me Iliaz Pashë Dibrën në krye të forcave vullnetare shqiptare, luftuan për mbrojtjen e Çamërisë dhe Thesalisë për t’i bërë ballë invazionit të bandave të andartëve grekë, të armatosur, të organizuar në territorin e Greqisë dhe që u futën fshehurazi në Epir e Thesali nën komandën e gjeneralit grek Grivas në vitin 1854. Hasan Tahsini ishte i biri i Osman Efendi Hoxhës, i cili shërbeu në të dy pashallëqet shqiptare të Bushatllinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës dhe si atdhetar u përpoq për afrimin e tyre. Ai ishte dijetar, mësues, jurist dhe një intelektual nga më të shquarit e kohës me standarde shumë të larta. Abedin Dino ishte djali i Ahmet Dinos, një nga figurat më eminente atdhetare në Çamëri që mori pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, u internua në Anadoll, në Konja, ku edhe vdiq. I ati i Ismail Qemal Vlorës, Mahmud Vlora, siç del edhe nga Kujtimet e tij, ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, jo thjesht në Shqipëri, por më tej, iluminist me pikëpamje liberale për kohën, me miq të shumtë të shquar të familjeve fisnike brenda e jashtë Perandorisë Osmane, në Evropë. Ishte pinjoll i një familjeje fisnike të Vlorës, që i kish rrënjët disa shekullore. Ndonjë burim i nxjerr si vazhdues të Arianitëve të kohës së Skënderbeut. Gjyshi i Ismail Qemalit, me të njëjtin emër, Ismail Bej Vlora, u vra në Janinë dhe ishte një nga atdhetarët më në zë të kohës sikurse dhe i ati. Dardha nën dardhë bie! Le të vazhdojmë më tej. Linja është e njëjtë dhe tepër e kjartë. Patriotizmi nuk vdes kurrë tek këto familje të rrënjës. Po le të ndjekim pasardhësit e tyre, sepse me përjashtim të Ismail Qemalit, të gjithë të tjerët nuk arritën të shohin ditën e bukur të Pavarësisë të Shqipërisë, të cilën e ëndërruan tërë jetën, u përpoqën për të, u bënë terror për të dhe me të në mendje e në zemër mbyllën sytë!

Djali i Abdyl Frashërit, Mit’hati, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë. Dhëndri i Naimit, që kish marrë për grua bijën e tij të adoptuar, Asije Frashëri, Murat Toptani, ishte në Kuvendin e Vlorës në krah të Ismail Qemalit bashkë me kushëririn e vet të parë Abdi Toptanin. I ati i Muratit, Seit Toptani, ishte mik për kokë dhe si vëlla i vëllezërve Frashëri në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mit’hati ishte njëkohësisht dhe djalë i adoptuar i Sami Frashërit. Pra në një mënyrë ose tjetër të tre Frashërllinjtë e Mëdhenj ishin në festën e madhe të Pavarësisë, të përfaqësuar denjësisht në Vlorë 100 vjet përpara. Ç’të flas për Dinejtë, Dinot e Çamërisë, të Prevezës? Rasih Dino, i biri i Abedinit, qe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Londër, në mbrojtje të pavarësisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë. Dy, tre memorandume të shkruara prej tij në mbrojtje të viseve shqiptare janë dëshmia më e mirë e patriotizmit të tij të kulluar dhe e fjalës së zjarrtë dhe penës së tij të mprehtë! Zëri i tij gjëmoi me forcë në Londër në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë etnike. Hasan Tahsini nuk pati fëmijë, por pati nipër të mbarë që ecën në gjurmët e tij dhe lanë gjurmë atdhetarie deri në Pavarësi e pas saj, madje deri në ditët tona. Bilal Hoxha, Usni Hoxha janë dy nipër me emër të madh patriotik. Ky i dyti përmendet edhe si udhëheqës i një kryengritjeje të bërë në Filat të Çamërisë në fillim të viteve 1900. Një nip tjetër i tij, i diplomuar në Stamboll në shkollën Mylkije për jurisprudencë, i përmendur si prokuror i shkëlqyer në Gjirokastër, Ismail Mudea, djali i motrës së Hoxha Tahsinit, mori pjesë si delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e madh të Vlorës më 1912. Burimet e kohës e përmendin si intelektual të rrallë dhe shqiptar të klakët.

Pra tërë rilindësit e sipërpërmendur, përfshi Vëllezërit Frashëri, ishin në pavarësi, shpirtrat e tyre ishin n’atë sallë, ku u firmua akti solemn i shpalljes së Shqipërisë së mosvarme, 100 vjet më parë. Duart e tyre ndonëse dridheshin, ishin të shkrira me dorën e plakut Vlonjat, shokut, mikut, vëllait të tyre, rilindësit Ismail Qemali, ishin aty me duart e bijve dhe nipërve të tyre. Ndonëse s’qenë fizikisht, ata ishin firmëtarët e vërtetë të pavarësisë. Të gjithë ata, me në krye Naimin, u shkrinë si qiriri, për atë pavarësi të bekuar!

3

Por s’ishte e thënë që shqiptarët ta gëzonin pavarësinë e tyre?

Luftërat ballkanike, lufta e parë botërore, lufta greko-turke, lufta e dytë botërore e ngjarje të tjera që erdhën më pas nuk i lanë shqiptarët asnjë minutë rehat. U desh që ajo pavarësi e fituar me lumenj gjaku e me përpjekje mbinjerëzore me pushkë e me penë, të ruhej, të mbrohej e të ripohohej përsëri e përsëri gjatë një shekulli po në të njëjtën mënyrë. Haraç të madh gjaku ka paguar populli ynë për të siguruar pavarësinë e cunguar të Shqipërisë këto 100 vjet. Mbi gjysma e territoreve shqiptare u bë kurban në favor të fqinjëve të pangopur shovinistë. Kosova e Çamëria dhe Kosova Lindore mbetën nën zgjedhën e huaj këto 100 vjet dhe ende një pjesë e tyre e vuajnë këtë robërim.





Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së Pavarësisë?

Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së pavarësisë kjo dihet. Por ajo që dihet dhe nuk dihet mirë, është se Frashërllinjtë, dinastia Dino me dy degët e saj të Prevezës e të Paramithisë, pasardhësit e profesor doktor Hasan Tahsinit dhe të plakut të Vlorës nuk e ulen flamurin e shqiptarizmit dhe ashtu me zjarr siç mbrojtën tërë Shqipërinë, mbrojtën edhe Çamërinë, ngritën zërin në kupë të qiellit për të drejtat e nëpërkëmbura të saj nën robërinë e grekut. Çamëria, krahina më jugore shqiptare, bashkë me kryeqendrën e saj tradicionale, Janinën, ka qenë e lidhur ngushtë me Labërinë. Kanë qenë në shekuj bashkë që nga lashtësia, si ata binjakët siamezë. Kur teshtinte njeri, teshtinte edhe tjetri. I kanë dalë zot bashkërisht në stuhitë e kohërave njëra tjetrës e mbarë vatanit. Kur kish nevojë Çamëria, turrej Labëria në mbrojtje të saj e anasjelltas. Poeti popullor ka kënduar:

Gegë e Toskë, labë e çame
Gjithë djemtë e Shqipërisë!


Ndërsa nga koha e Ali Pashë Tepelenës na vjen si jehonë e thellë kjo strofë:

Dy mijë gegë e tre mijë toskë
Luftuan me Ali Pashanë
Ata vunë kryet poshtë
Me kordhë në dorë u vranë!

Më duhet të sqaroj se ata gegë kanë qenë mirditorët në shërbim me rrogë të pashait tepelenas, kurse tre mijë toskët, kanë qenë lebërit, çamët dhe suljotët që bënë dhe qëndresën e fundit të Luanit të Janinës dhe u vranë si burrat me armë në dorë.

Ç’bëri Ismail Qemali në 1912 për ngritjen e minishtetit shqiptar?

Tërë vëmendja e tij u përqendrua tek Vilajeti i Janinës, te Janina e Çamëria. Rezistencën çame e labe e organizoi për aq sa mundi dora e Plakut të Vlorës. Ai bëri të pamundurën dhe çamët e lebërit luftuan si burrat e ranë në fushën e nderit në betejat e “Pesë puseve” dhe të Bezhanit etj.. Heroizmi e rezistenca e tyre s’kanë të përshkruar. Mjafton të lexosh në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, atë të Antropologjisë dhe do të gjesh thesare në lidhje me luftën e bërë për të mos rënë Janina në duart e grekut. Plaku i Vlorës bëri të pamundurën siç e bëri edhe popullata e Çamërisë, Janinës e Labërisë. Janina ra më së fundi, ndofta me tradhti, por epopeja çamo-labe dhe e plakut të Vlorës hyri e mbeti në histori. E thërriste gjaku i të parëve, gjaku i shqiptarit, geni, instinkti i mbrojtjes së Çamërisë i ngulitur në shekuj në Labëri, aq më tepër tek fisnikët si Ismail Qemali. Përpjekjet e Ismail Qemalit s’pushuan asnjëherë, por as edhe të Dinove. Rasih Dino me familjen u zhvendos në Zvicër, siç u zhvendos dhe Mih’tat Frashëri. Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt s’lanë gur mbi gur edhe në Konferencën e Versajës për të shpëtuar Shqipërinë e Çamërinë. Siç tregon në kujtimet e veta Abedin Dino (i Riu), piktori, “shtabin” e vetë të luftës pasardhësit e rilindësve e ngritën në Zvicër. Familja e Dinove shihte që Rasihu me vajzën e madhe Lejlanë që e kish si sekretare, përkthyese, ndihmëse, ‘zhdukej” me muaj të tërë në Paris, pa ditur se ç’bëhej. Familja s’merrte vesh gjë. Dihej që punohej për Shqipërinë e Çamërinë e vetëm kaq. Më tej asgjë s’pipëtinte. Mitati do të shkruante nga Gjeneva me dhjetëra artikuj studimorë për çështjen e Shqipërisë e të Çamërisë e të Kosovës në frëngjisht, për të sensibilizuar opinionin botëror e ndikuar mbi konferencën e Versajës në Paris. Të nxitur, përkrahur e mbështetur financiarisht nga Partia Politike Kombëtare që e krijuan kryesisht çamët e Amerikës do të gjejmë në Paris delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali e Parashqevi Qirjazi. Një Frashërlli tjetër në krye të Qeverisë së Durrësit, kushëri i parë i rilindësve tanë Abdyl, Naim e Sami, Turhan Pasha Përmeti do të kryesonte dërgatën që vinte nga Shqipëria për të mbrojtur çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë. Në krye të partisë çame ishin figura të tilla si: Beqo Izet Kushi dhe Asaf Ajdonati, pasardhës të Hoxha Tahsinit në mos në gjak, kishte dhe të tillë në role e mendime. Pra të katër Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt dhe pasardhësit e Hoxhë Tahsinit ishin dhe atje ku u shfaq rreziku më i madh për shqiptarët e Çamërinë, në Versajë. Më 1924, pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, si pasojë e të cilit u shkëmbyen popullatat greko – turke, 30 000 çamë dhe 35 000 shqiptarë nga Maqedonia (Kostur Follorinë) u degdisen në stepat e Anadollit. Prapë Frashërllinjtë dhe Dinot do të ngrinin zërin. Mih’tat Frashëri, si ambasador i yni në Greqi dhe Ali Dino, djali i madh i Rasih Dinos, si deputet i Prevezës, Epirit, do të ngrinte zërin në parlamentin grek për Çështjen e Çamëve dhe të Çamërisë.

Në lidhje me Dinot kanë funksionuar në mbrojtje të Çamërisë të dy degët si e Prevezës ashtu dhe ajo e Paramithisë….
Nga dera e Dinove të Prevezës kanë dalë 4 vëllezër, Abedini e Veseli e dy të tjerë që pothuajse s’përmenden. Padër Zef Pëllumbi na bën me dije se ata të katër në vitet e Lidhjes së Prizrenit kanë vepruar në sinkron. Një rinte në Prevezë, një në Stamboll, një ish në lëvizje ku e donte koha, një në një kryeqytet të Evropës Perëndimore si Parisi etj., ku vendosej fati i shqiptarëve. Në Shoqërinë e Stambollit morën pjesë dhe firmuan edhe i vëllai i Abedin Dinos, Vejsel Dino, dega e Prevezës dhe Ibrahim Dino etj., i degës së Paramithisë. Nuk ka studime, por kontributi i tyre është i vazhdueshëm, i pandërprerë. Në luftën e dytë botërore funksionuan të dy degët. Dinot e Paramithisë, Masar e Nuri Dino, vepruan për ruajtjen e popullatës myslimane të Çamërisë e për kthimin e saj si krahinë në gjirin e shtetit tonë. Pavarësisht etiketimeve, në themelet e tyre ishte e mbeti patriotizmi shqiptar, shqiptarizma. Është interesant se në këtë kohë dy familje të mëdha, pasardhësit e Frashërllinjve dhe Dinot e Prevezës që jetonin në Stamboll, do të internoheshin në Anadoll, në Adana. Askush s’e mori vesh arsyen, por nipi i Sami Frashërit, Emin Ereni tregon se, “qysh nga ajo kohë m’u ngjall krenaria për rrënjët e mija shqiptare dhe për gjyshin tim, Sami Frashëri dhe vëllezërit e tij zulm mëdhenj si Abdyli e Naimi që bënë aq shumë për vendin e tyre, Shqipërinë. Dukej sikur një dorë e padukshme ishte në unison në goditjen e familjeve të mëdha fisnike të rrënjës të kombit shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë. Komunistët në Shqipëri, me goditjen që u bënë pjesëtarëve të familjeve të mëdha që bënë aq shumë për Shqipërinë e Çamërinë pas luftës së dytë botërore, indirekt u bënë përkrahës të armiqve të Çamërisë. Kam parasysh edhe Frashërllinjtë në Shqipëri, pasardhësit e Mehmet Frashërit, vëllait më të vogël të Frashërllinjve, që u ndoqën e u persekutuan. Nga Vlorajt, Qamil Vlorën, më të voglin e familjes së Ismail Qemalit, por ndoshta më të zotin midis fëmijëve të tij, intelektual i rrallë kalibri, që zotëronte 12 gjuhë, dhe që ka qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjatë saj e pas saj sa qe gjallë i ati. Më pas ai vazhdoi i paepur në rrugën e tij kombëtare, pa e njollosur kurrë emrin e familjes së tij të madhe. Përfundoi në vetmi, në Strugë të Maqedonisë, ku edhe vdiq. Mitat Frashëri dhe kushëriri i tij, Mehdi Frashëri, në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore bënë sa mundën e si mundën për të ruajtur shtetin shqiptar, që të mos zhdukej nën trysnin e pushtuesve e të kohës noprane. Pas luftës Mitati organizoi Lidhjen Kosovare e Lidhjen Çame në Amerikë. Ideali i tij ishte e mbeti deri sa vdiq – Shqipëria etnike. Pas luftës, nga vitet 60 deri në vitet 80 të shekullit të 20të, një pinjoll, stërnip i Hoxha Tahsinit, Bilal Xhaferin, e shohim të mbrojë çështjen e Çamërisë që nga Amerika e të krijojë një revistë “Krahu i Shqiponjës’. Pra të katër familjet e mëdha me gjithë zigzaget e kohërave, kanë një fill të kuq – mbrojtjen e Çamërisë. Patriotizmi nuk u zbeh kurrë prej tyre. Si në Shqipëri e në emigracion, pavarësisht nga ndjekjet, etiketimet, ata mbeten ashtu siç kishin qenë në shekuj, patriotë të mëdhenj, besnikë ndaj kombit shqiptar në ditë të mira e të këqija. Asnjëherë s’e ulën flamurin e kombit nga duart Frashërllinjtë, të cilët po i nderojmë në këtë tubim atdhetar e që bashkë me Çamërinë përbëjnë një binom të pandarë. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen puna, vepra e veprimtaria e tyre në favor të shqiptarëve etnikë çamë e të Çamërisë. Le të jetë dhe kjo kumtesë një homazh për veprën e tyre të pamort edhe ndaj Çamërisë!