Emri:  Tomë-Mrijaj.jpg

Shikime: 1350

Madhësia:  7.0 KB
Kjo ishte Nëna e vuajtjeve…

Nga: Tomë Mrijaj


Krishtlindja, është festa tradicionale e lindjes së Jezusit fëmijë, i cili, me madhështi përkujtohet nga e gjithë bota.
Po këto ditë të mëdha të ardhjes në jetë të Krishtit, u nda nga jeta nëna e vuajtjes Hëna Sina, që kaloi vuajtje, sikurse Krishti, në kalvarin e diktaturës antifetare e antinjërëzore të shtetit komunist.
Përballë kësaj situate shokuese për mua, menjëherë mu kujtua filmi “Pasioni i Krishtit”, ku, jepen torturat që kaloi Ai.
Ne në Amerikë, kemi dëgjuar dhe lexuar shumë histori nga shqiptarë të arratisur, në lidhje me masakrat komuniste, mbi persekutimin dhe torturat çnjerëzore, që nuk mund t’i imagjinoi mendja e njeriut.
Babai i gazetarit të mirë njohur të komunitetit tonë Beqir Sina, fort i ndëruari e respektuari Rasim Sina (një vit më parë u nda nga jeta), ishte një intelektual i përgatitur dhe njohës shumë i mirë i historisë e traditës shqiptare.
Një ditë ai, me një guxim dhe trimëri shembullore, kishte kaluar perden e herkut me shumë shokë antikomunistë.
Mbas disa kohe, me të ardhur në Amerikë, integrohet si një aktivist i palodhur i çështjes atdhetare, merr pjesë në grupet antikomuniste, që vepronin jashtë Atdheut.
Duke parë zgjuarësinë dhe talentin e tij, sëbashku me bashkëpunëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanin, u zgjodhën nga organzata e tyre antikomuniste si zë dhënës të radios shqiptare “Zani i Atdheut” në New York, ku, si drejtor përgjegjës kishin ushtarakun e karrierës Kolonel Xhemal Laçin.
Për këtë shkak të mirëfilltë politikë, jeta e familjes së tij në vendlindje, si gruaja Hëna Sina dhe tre fëmijët, u vunë në shenjestër, duke kaluar mbi shpinën e tyre kalvarin e pashëmbullt të persekutimit dhe syrgjenimit deri në vitin 1990, kur demokracia trokiti në Shqipëri…
Në jetën time, kam parë dhimbjen e njerëzve, që burojnë nga thellësia e shpirtit, për humbjen e njerëzve të dashur të familjeve.
Por, e veçanta e kalimit në amshim të Nënë Hënës, është se ajo ishte dhe mbeti vetë mishërimi i vuajtjes ose sikurse e kam titulluar recensionin tim: “Vuajtja e vuajtjes tek femrat shqiptare”, mbi librin “Dhimbje” (Tiranë, 2008), ku, përshkruhet jeta mizerje, në kampet e përqëdrimit dhe burgjet e shumta, në të cilën u plandosën padrejtësisht nënat dhe motrat shqiptare, gjatë viteve 1944-1990, tek përshkruhen me shumë nota origjinale dhimbjeje nga ish e persekutuarja shkodrane Fatbardha Saraçi (e bija e Qazim Mulletit).
Kjo gjë më ndodhi edhe mbrëmë, tek lexova në fytyrën e mikut tim të dashur, gazetarit të palodhur të komunitetit tonë z. Beqir Sina, brengën, që e kishte pushtuar nga humbja e nënës së tij të dashur.
Dhimbja e tij, ishte dhimbja e madhe e të gjithë nënave dhe motrave shqiptare, që kanë vuajtur kalvarin e persekutimit në shtetin burg të Shqipërisë komuniste askohe.
Bashkëshortja e Beqirit, një grua fisnike, bëri shumë për nënën e burrit të saj. Ajo u tregua e gatshme si një nënë e mirë, duke lënë punën në një kompani private për t’i shërbyer nënës së bashkëshortit, që e donte shumë.
Miku im i dashur Sina, tregonte shenjat e dhembjes së madhe për humbjen e nënlokes së shtrenjtë, ku, me buzë të thara nga forca e kujtimeve të hidhura të së kaluarës plot vuajtje, përshpëriti këto fjalë: “Kjo ishte Nena e vuajtjeve…”.
U trondita shumë, sepse menjëherë si në një sekuencë filmike mu shfaqen kujtimet e shumta mbi kalvarin e vuatjeve të përgjakshme, persekutimeve, braktisjes, anatemimit në mediat komuniste, shpërfilljes, përbuzjes dhe urretjes së madhe për shtresën antikomuniste, internimeve të përjetshme pambarim, që kisha dëgjuar dhe lexuar shumë dekada më parë, kur jam takuar me njerëz, që ishin arratisur mes sakrificave të mëdha nga kampet e përqendrimit komunist, rrethuar me tela me gjemba dhe bunkere lufte, plot roje me mitralozë të rëndë, ndodheshin në disa burgje të sketerrit komunist, në disa zona të humbura ose të pabanuara të Shqipërisë.
U emocionova shumë, mbasi njihja në detaje historinë plot dhimbje dhe brengë, që ka kaluar familja fisnike dribane Sina.
Në ato momente mu mbyll goja, nuk kisha zë t’i them diçka mikut tim të shtrenjtë, për atë dhëmbje… por i shtrëngova fort dorën me trup të rrënqethur, dhe me mend i thashë: “Qëndro mik i dashtun, se ti po e përcjell Nënën e dhimbjeve të mëdha të familjes tuaj, në këtë Ditë të Madhe të Krishtlindjes, e ajo në parajsë do të lutet për djalin e saj, që e kishte si dritën e syve të ballit. Mos u merzit mik i dashtur Beqir, se nënën tuaj po e percjell si një mbretereshe, me një pjesëmarrje shumë të madhe të miqve dhe dashamirëve tuaj nga gjithë trojet etnike shqiptare… Nënlokja, pushoftë në paqe, e i lehtë i qoftë dheu i kësaj toke të bekuar, dhe ju familjarisht Zoti, ua priftë mbarë në çdo hap të jetës!”