ISSH, procedura për të marrë pension nga Shqipëria

Për të përfituar një pension të plotë pleqërie, kushtet kryesore janë mosha dhe vjetërsia, ku përfshihet periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm, kërkohen 15 vite sigurimi. Aktualisht ka shumë shtetas që kanë nën 15 vite sigurimi

Ditët e fundit është shtuar numri i emigrantëve që kthehen për festat e fundvitit në Shqipëri. Me ardhjen e tyre Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur edhe paketën se si mund të përfitohet pensioni nga Shqipëria.

Përfitimi nga puna në Shqipëri
Pension të pjesshëm, kur kanë jo më pak se 15 vite të siguruara;
Pension të plotë kur kanë jo më pak se 35 vite sigurimi;
Pensione invaliditeti, kur janë tërësisht të paaftë për punë. Këto pensione i përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri, bazuar në formulën: moshë minus 20 pjesëtim për 2, që është vjetërsia kontributive për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi kontributive më të vogël, proporcionalisht me periudhën e siguruar jepet pension invaliditeti i reduktuar. Pra, në këtë kuptim, një invalid që mund të jetë në moshën 50 vjeç, me këtë raport, përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka më pak vite pune merr pension të pjesshëm në raportin vjetërsinë në punë me vjetërsinë që i kërkohet, sipas raportit të mësipërm;
Invalidëve iu jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, në masën 5% të pensionit, kur janë nën moshën 18 vjeç apo 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë.
Kur humb jetën personi, që ka qenë i siguruar në Shqipëri, përfitojnë pension familjar fëmijët nën moshën 18 vjeç ose 25 vjeç kur vazhdojnë arsimin e lartë, sipas formulës së mësipërme.
Për invalidët që kanë nevojë për përkujdesje, jepet dhe një shtesë në masën 15% të pensionit.

Plotësimi i viteve të munguara

Plotësimi i viteve të munguara mund të realizohet nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar, që është pjesë përbërëse e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe shërben për t’iu krijuar mundësi shtetasve shqiptarë për të plotësuar vjetërsinë e nevojshme për punë, në mënyrë që të përfitohet një pension i pjesshëm apo i plotë. Fushat ku mund të shtrihet sigurimi vullnetar për emigrantët janë:

Vazhdim vullnetar i sigurimit – kanë të drejtë ta bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe ndërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi bëjnë sigurim vullnetar.

Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara – kanë të drejtë ta bëjnë personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korent. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal, në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht, duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;
2. Sigurimi bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore.
Aktualisht, për vitin 2012, kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë është 3 952 lekë. Kontributet mund të paguhen:
-tremujore, kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5% nga shuma e kontributeve;

-gjashtëmujore, ku zbritet 3% e kontributeve;
-vjetore, ku zbritet 6% e shumës së kontributeve.

Personat më të interesuar për sigurim vullnetar
Për të përfituar një pension të plotë pleqërie, kushtet kryesore janë mosha dhe vjetërsia, ku përfshihet periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm, aktualisht, kërkohen 15 vite sigurimi. Aktualisht ka shumë shtetas që kanë nën 15 vite sigurimi, p.sh. mund të kenë 12, 13, apo 14 vite. Por këto vite sigurimi nuk vlejnë, pasi nuk përfitohet asnjë lloj përfitimi. Në rast se këto periudha kompensohen me sigurim vullnetar, deri në 15, përfitohet pension i pjesshëm. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, mund të plotësosh me sigurim vullnetar vitet për një pension të plotë. Pra në këtë mënyre nuk “digjen” vitet e punës në Shqipëri, sepse mund të plotësohen vitet e munguara për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm.

Si mund të bëhet sigurimi vullnetar për emigrantët, pa ardhur në Shqipëri?
Emigrantët mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e sigurimeve shoqërore në rrethin ku kanë banuar, sepse në Shqipëri është e arkivuar dhe vjetërsia në punë e tyre. Personi i autorizuar, së bashku me fotokopjen e kartës së identitetit dhe librezën e punës paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku mund të marrë informacionin e duhur për masën e pagesës dhe periudhën që duhet të plotësohet për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm. Mbi këtë bazë emigranti lidh një marrëveshje me sigurimet shoqërore. Bazuar në këtë marrëveshje, hartohet urdhër-veprimi për pagesën në bankë. Mbas kryerjes së pagesës emigranti konsiderohet i siguruar.

Për konfirmimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë
Nëpërmjet patronateve, emigrantët bëjnë kërkesa pranë ISSH-së, nëpërmjet formularëve 2-gjuhësh.
Formulari i parë shërben për sqarimet që kërkohen për legjislacionin e sigurimeve shoqërore, duke e lidhur dhe me problemet qe ata .Patronatet në formë elektronike e dërgojnë kërkesën në ISSH, ku për këto raste përgjigja jepet brenda ditës.
Formulari tjetër shërben për konfirmimin e periudhave kontributive. Ky formular dy gjuhësh, përmban gjeneralitetet e personit kërkues, rubrikat e punës dhe periudhat e institucionet ku ka punuar emigranti. Ai dërgohet në formë elektronike në adresat e publikuara të ISSH-së. ISSH, pasi bën verifikimin në rrugë zyrtare të të gjithë dokumentacionit kthen përgjigje, zyrtarisht me postë në patronatin përkatës, për personin që ka bërë kërkesën. Ky dokument zëvendëson librezën e punës dhe është tërësisht i vlefshëm për rastet e përfitimeve që jepen nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore.

Standard