Vatikani e pret me mirëdashje votën e OKB-së, që i njeh Palestinës Statusin e Shtetit Vëzhgues.

Vatikani priti me mirëdashje vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për njohjen e Palestinës si “Shtet Vëzhgues jo anëtar”. Në një komunikatë të Selisë së Shenjtë, izraelitët dhe palestinezët ftohen të rifillojnë bisedimet, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nxitet ta mbështesë ecjen në udhën e paqes së qëndrueshme.
Vendim i rëndësishëm, që duhet inkuadruar në përpjekjet për rrugëzgjidhjen përfundimtare të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. “Paqja ka nevojë për vendime të guximshme”: kështu, thënë përmbledhtas, nota e Vatikanit përshëndet me mirëdashje vendimin e Asamblesë së OKB-së për njohjen e Palestinës si Shtet Vëzhgues jo anëtar. Ripohohet se votimi tregon edhe qëndrimin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare e njëkohësisht, bindjen se ky rezultat, në vetvete, nuk mund t’i zgjidhë plotësisht problemet, që ekzistojnë në Rajon e se këtyre problemeve mund t’u jepet përgjigjja e duhur vetëm duke u impenjuar faktikisht për sigurimin e paqes. Paqe e stabilitet, saktësohet, bazuar mbi drejtësinë dhe respektimin e aspiratave të ligjshme, si të izraelitëve, ashtu edhe të palestinezëve. I qartë, referimi lidhur me rrugën juridike që nisi, pikërisht në Selinë e OKB-së, në vitin 1947, për të favorizuar si lindjen e Shtetit Izraelit, ashtu edhe të atij Palestinez, ky i fundit akoma i pa krijuar. Në këtë kuadër, thirrja drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare për të thelluar impenjmin e për të mbështetur udhën e paqes. Me rëndësi themelore dhe thirrja, cituar në komunikatë, që Benedikti XVI pati bërë në përfundim të shtegtimit të tij apostolik në Tokën Shenjte. ‘Kurrë më gjakderdhje’, ishte thirrja e Papës. ‘Kurrë më ndeshje!’. ‘Kurrë më terrorizëm!’. ‘Kurrë më luftë!’. E sidomos, nxitja që të njihet universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtën të ekzistojë e të gëzojë paqe e siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Nota saktëson se Selia e Shenjtë i ka ftuar disa herë prijësit e të dy popujve të rifillojnë me dashamirësi bisedimet, duke shmangur kryerjen e veprimeve dhe vënien e kushteve, të cilat u kundërvihen deklaratave vullnetmira si dhe të kërkojnë sinqerisht rrugëzgjidhje, që bëhen themele të sigurta për paqen e qëndrueshme. Rast i përshtatshëm, përfundon nota, për të kujtuar edhe qëndrimin e përbashkët, mbajtur në vitin 2000 nga Selia e Shenjtë dhe OLP për të mbështetur njohjen e një statusi të posaçëm, ndërkombëtarisht të garantuar, për Qytetin e Shenjtë, Jeruzalemin.