RELATIVITETI I KOHËS
Në ditët tona, relativiteti i kohës është një argument shkencor i vërtetuar. Ky argument u zbulua nga Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit në fillimet e shekullit XX. Më parë, njerëzit nuk e dinin se koha është një koncept relativ dhe se ajo mund të ndryshonte me ndryshimin e vendit. Por, shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni, vërtetoi botërisht këtë fakt me Teorinë e Relativitetit. Ai tregoi se koha varet nga pesha dhe shpejtësia. Askush nuk e kishte thënë këtë gjë kaq qartë më parë, me përjashtim të Kuranit, në të cilin gjendet informacion rreth relativitetit të kohës. Lexoni disa nga ajetet që flasin për këtë temë:
"Ata kërkojnë prej teje që t'ua shpejtosh dënimin, por Zoti nuk e thyen premtimin e Vet, sepse një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet që llogaritni ju." (El Haxh 47)
"Ai e rregullon çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështje) ngrihet tek Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa një mijë vjet." (Es-Sexhde 5)
"Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet." (El Me'arixh 4)
Në disa ajete tregohet se njerëzit e perceptojnë kohën në mënyrë të ndryshme. Në këtë mënyrë, disa njerëz mund ta konsiderojnë si shumë të gjatë një periudhë shumë të shkurtër dhe anasjelltas. Dialogu i zhvilluar ndërmjet njerëzve Ditën e Gjykimit është një shembull mjaft i mirë për këtë:
"Zoti do t'u thotë: 'Sa vite keni jetuar në Tokë?' Ata do të thonë: 'Ne kemi ndenjur vetëm një ditë ose një pjesë të saj. Pyet ata që janë në gjendje të numërojnë." (Mu'minun 112-113)
Përmendja e relativitetit të kohës në Kuran, i cili filloi të shpallej rreth vitit 610, është një argument tjetër që vërteton burimin hyjnor të këtij libri të shenjtë.
Krijoni Kontakt