Misioni i dy peshkopëve tanë në Amerikën e Veriut:
Dialog me zotin Sejfi Protopapa
Nga Fatmir Foti Cici
Në një letër dërguar Komitetit Ortodoks të Emigrantëve Shqiptarë në Toronto (4 gusht 2002), forumit pararendës të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Astit të Durrësit, zoti Sejfi Protopapa na shkroi në frymë zgjimi për zhvillimet e fundit në kishën ortodokse shqiptare, dhe konkretisht mbi shugurimin e dy peshkopëve shqiptaro-amerikanë, Nikon Liolin e Ilia Katre. Duke u përqëndruar tek ky i fundit, zoti Protopapa këmbëngul se “Synimi eshte qe ai te marre ne dore te gjitha kishat Ortodokese Shqiptare. Tani, kjo pune varet nga qendrimi i At Liolinit dhe Peshkopit Nikon (Liolini). Natyrisht, ata dote mbajne pozitat e tyre dhe keshtu do te mbrojne kishat Shqiptare qe kane.”(sic).
Zoti Protopapa i jep kësaj ngjarjeje një dimension politik krejt artificial, duke u përpjekur të na bindë se shugurimi i Imzot Ilia Katre kërcënon ekzistencën e Peshkopatës Shqiptare në Amerikë dhe autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Por peshkopata e shqiptaro-amerikanëve nuk varet as nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e as nga Patrikana greke, dhe si rrjedhojë martesa e këtyre dy «rreziqeve» nuk ka asnjë koherencë në realitetin ortodoks shqiptar.
Zoti Protopapa po përpiqet sa andej-këtej të përhapë një frymë alarmimi për një rrezik të paqenë për ortodoksinë shqiptare, dhe duke u futur në «ara të pashkelua» prej tij, mendoj se pa dashje Protopapa po çon ujë edhe një herë në mullirin e të dërguarit të qeverisë greke në Tiranë, kryepeshkopit Anastasios (Janullatos), i cili megjithëse i sëmurë, i plakur e i braktisur nga njerëz që i shërbyen për shumë vjet, po punon ditë e natë për të sendërtuar planet e tij tinzare. Imzot Janullatosi, uzurpatori i kryesisë së KOASH-it, ka qenë gjithmonë më prodhimtar atëherë kur kanë ekzistuar gjullurditë më të mëdha në botën shqiptare.
Zgjedhja e shugurimi i dy peshkopëve shqiptaro-amerikanë Nikon Liolin e Ilia Katre në prill-maj 2002, është pritur me indiferencë nga opinioni shqiptar, gjë që megjithëse shpjegohet me vetë indiferencën e sotme të shqiptarëve ndaj çështjeve fetare, është një përgjigje ndaj dy shugurimeve të priftërinjve vejanë në rangun e peshkopit. Ndërsa imzot Katre ka heshtur, ashtu siç po hesht për vite të tëra në detyrën e Vikarit të Dioqezës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, at Artur Liolin, Kancelari i Peshkopatës Shqiptare në Amerikë, ka shkruar disa njoftime-artikuj në shqip e anglisht me përmbajte panegjerike, por jo shumë shpresëdhënëse, mbi shugurimin e vëllait të tij peshkop.
Të gjithë sa jemi të preokupuar me çështjet e ortodoksisë shqiptare dimë se përpjekjet e zotit Protopapa kanë lënë gjurmë në historinë e re të kishës së pasdiktaturës. Gjithashtu kemi qenë dëshmimtarë të antitezave përsa i përket lidhjeve të paqëndrueshme dhe të dialogut të tij të thartë me at Artur Liolinin, edhe në faqet e kësaj gazete, prandaj dhe një pozicionim i tillë i zotit Protopapa besoj se është vetëm pasojë e një qëndrimi politik, sesa një arsyetim vigjilues i një studjuesi të paanshëm të situatës politike në kishën ortodokse shqiptare në Shqipëri dhe në ShBA. Nuk e fyejmë zotërinë në fjalë po të themi diçka për të cilën ai është krenar: Protopapa është një nga veprimtarët e njohur të Ballit Kombëtar, qysh pa mbushur të njëzetat në vitet 40-të, dhe në zgjedhjet e para të pasdiktaturës ai shkoi në Shqipëri dhe kreu një fushatë elektorale të dendur për partinë e tij, duke u përpjekur njëkohësisht në plan të dytë edhe për çështjet e kishës ortodokse shqiptare.
Unë gjykoj se shugurimi i at Ilia Katre si peshkop i Dioqezës Ortodokse Shqiptare në Amerikë (Albanian Orthodox Diocese in America) ka motivime e arsye të tjera, të cilat do të shtjelloj më poshtë, dhe nuk paraqet asnjë rrezik për Peshkopatën Shqiptare në Amerikë (Albanian Archdiocese in America) e për peshkopin e saj të ardhshëm, imzot Nikon Liolin, dhe sigurisht as për autoqefalinë e kishës ortodokse në Shqipëri.
Hija e Marko Lipes, Ilia Katre dhe Dioqeza e shqiptarëve
Zoti Protopapa përmend të ndjerin peshkop Marko Lipe, pasardhësin e tij Imzot Ilia Katre dhe dy famullitë e tij, si me «me origjinë greke», gjë që po të ishte e vërtetë duhet të pohonim atë që predikojnë qarqet greke se, «korçarët dhe gjithë ortodoksët e Jugut të Shqipërisë janë përbërës të një minoriteti greko-ortodoks të shqiptarizuar me dhunë». Marko Lipe ishte shqiptar si të gjithë ne, vetëm se ai i përkiste asaj lëvizjeje të ortodoksëve shqiptarë, të cilët besonin se duke qenë nën juridiksionin e Patrikanës së Konstandinopojës, mund të ishin shqiptarë dhe ortodoksë më të mirë, pavarësisht se sa i shëndoshë ishte qëndrimi i tyre. Peshkop Noli, kur luftonte për të mbrojtur kishat shqiptare nga Patrikana dhe i dërguari i saj në Amerikë, e cilësonte peshkop Lipen si “shqiptar renegat”, apo «batakçi tridhjetëvjeçar», por ai kurrë nuk e përballi Lipen dhe ithtarët e tij si me kombësi greke.
Nuk besoj se dy kishat shqiptaro-amerikane nën juridiksionin e Patriarkanës greke kanë të njëjtat qëndrime sot, në krahasim me ato që kishte peshkop Lipe në vitet 50-të, por gjithësesi dëshira e këtyre bashkatdhetarëve tanë për të mbetur shqiptarë ortodoksë në një trajtë tjetër po kanonike, në një vend ku diversiteti është term kyç, është preferenca e tyre dhe duhet respektuar. Është një përzgjedhje politike dhe kjo nuk duhet të privojë dikë nga kombësia e besimi i tij. Si rrjedhojë, edhe Dioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë nuk është «e ashtuquajtura Dioqezë», sepse një formë e tillë të shprehuri shpërnjeh ekzistencën kanonike të Dioqezës, e cila është njohur edhe nga qeveria amerikane, madje edhe nga Peshkopata Shqiptare në Amerikë, siç do të shohim më poshtë. Për të komentuar ngjarjet e fundit në ortodoksinë shqiptare është i domosdoshëm argumentimi dhe origjinaliteti i mendimeve sesa huazimi i gjuhës së grekëve, me termat e përdorur kundër Nolit, si «i ashtuquajturi Peshkop Noli».
Por tejet kësaj nuance helenike, nuk ka asgjë të mirë për shqiptarët tek Dioqeza e Ilia Katres? Shqiptarët ortodoksë të këtyre dy kishave do të na përgjigjeshin se Nolin e Lipen i kanë parë vetëm nëpër fotografi, se ata që rrëfenin historitë e tyre kanë vdekur, se ata sot luten e psalin shqip, jo nga librat e Nolit, por nga të tjerë libra kishtarë po në shqip, se ata festojnë Ditën e Flamurit, e të njëjtit flamur kuqezi, dhe se ata ruajnë më mirë traditën bizantine shqiptare, gjë që në famullitë e Peshkopatës Shqiptare në Amerikë është tëhuajtur për t’u njësuar artificialisht me ritualitetin e kishës ruse. Ata do të krenoheshin se dy kishat e tyre nuk gërthasin për Nolin e të kaluarën, por ama përdorin sot më tepër shqip në shërbesa sesa shumica dërrmuese e kishave të Peshkopatës së Nolit. Ka edhe disa prej tyre që mund të shtojnë se peshkopët e tyre, Lipe e Katre, kanë kryer studime të plota teologjike dhe i vetmi profil që kanë pasur në studimet e jetën e tyre ka qenë ai kishtar.
Shqiptarët e Dioqezës mund të thonë me plot gojën atë që ëndërrojnë të gjithë ortodoksët amerikanë: Ata luten që një ditë të bashkohen me kishat e tjera shqiptare dhe me gjithë kishat e tjera amerikane ortodokse në një kishë autoqefale amerikane, për të cilën Noli predikoi dhe punoi aq shumë. Pa ekzagjeruar, unë shoh më shumë tjetërsim të traditës shqiptare ortodokse në kishat e peshkopatës, dhe më shumë helenizim në Shqipërinë e pasdiktaturës, sesa në dy kishat e Dioqezës.
Trinia e Janullatosit, Liolinit dhe Katres
Siç ka dëshmuar vetë at Liolini, ai ishte personi që i kërkoi Ramiz Alisë t’i jepej viza Peshkopit të Andrucës, imzot Anastasios Janullatos, të futej në Shqipëri si eksark i Patrikanës, gjë që shkaktoi pasoja fatkeqësisht afatgjata për kishën dhe kombin shqiptar. Po në vitin 1998, at Arturi ishte ai që i dha dritën jeshile zotit Fatos Nano për të lejuar hyrjen në Shqipëri të një peshkopi arvanitas, imzot Ignatios Triantis (të cilin zoti Protopapa e ka përmendur në shkrimet e tij po “me origjinë greke”), gjë që mundësoi krijimin e një sinodi gjysmëkanonik, dhe për pasojë i fali Janullatosit përhershmërinë e shumëpritur në Shqipëri.
Vërtet që imzot Katre ka qenë kleriku që ka shërbyer si përfaqësues i Patrikanës dhe prezantues i Janullatosit në autoritetet shqiptare qysh në vitin 1991, por kjo ka pasur më tepër karakter përkthimor sesa influencues, sepse askush nuk e njihte në Shqipëri at Katren dhe madje edhe sot ai nuk ka krijuar lidhje reale me shqiptarët atje, përveçse me imzot Janullatosin. Por ama të gjithë shqiptarët e dinin se varri i Nolit ishte në Boston, ku ai shërbeu si peshkop i shqiptarëve. Pra, përsa i përket influencës së Greqisë në Shqipëri, kush i ka sjellë më shumë shërbime Janullatosit, imzot Katre me rolin e tij përkthimor e protokollar, apo at Liolini me ndërhyrjet e tij të vazhdueshme për të bërë sa më pak të përhershëm rolin e tij në Shqipëri? Pa dyshim, Liolini, zoti Protopapa!
Imzot Katre i ka shërbyer dhe i shërben zotit Janullatos, por këtë e kanë bërë edhe shumë shqiptarë, duke përfshirë edhe këshilltarin zyrtar të zotit Janullatos e kryetarin e Akademisë së Shkencave, Profesor Ylli Popa. Ai, siç e ka pohuar vetë, u zgjodh nga ambasada greke në Tiranë për të shkuar në Athinë e takuar me Profesor Janullatosin, pak para se ai të futej në Shqipëri. Por para se të nisej për në Athinë, ish-mjeku i Enver Hoxhës u takua dhe mori bekimin e at Liolinit në hotel “Dajti” (Intervistë me z. Ylli Popa, Klan, 18 korrik 2001).
Për më tepër at Katre ishte i bindur për të luftuar për vendosjen e Janullatosit në Shqipëri kur shikonte mungesën e qëndrimit kishtar, racizmin e ekstremizmin e autoqefalistave, shumica prej tyre jo ortodoksë dhe të angazhuar në çështjet kishtare vetëm me motive politike ose pa motive fare, dhe sidomos qëndrimin ciklothimik të at Liolinit, për sa i përket organizimit dhe braktisjes së një lëvizjeje. Në vëzhgimin dhe angazhimin tim personal këtë dhjetëvjeçar në kishën ortodokse shqiptare, kam konkluduar se autoqefalistat, me qëndrimin e tyre jokishtar dhe politikisht të pozicionuar shumë djathtas, i janë historikisht fajtorë ortodoksisë shqiptare për nguljen e Janullatosit në Shqipëri si e keqe e domosdoshme.
Megjithëse sot autoqefalistat janë shpërbërë, një a dy herë në vit dëgjohet ndonjë thirrje, “si zëri i atij që bërtet në shkretëtirë”, zë që fton hijet e Janullatosit të zhduken nga Shqipëria, në një kohë që imzot Anastasios as i vdekur largohet nga Shqipëria, sepse Greqia duhet të shtrihet emocionalisht deri tek varri i tij i ardhshëm në Tiranë, e cila ndodhet më në veri të vendit ku u martirizua shën Kozmai i Kolkondasit nga Etolia. Njerëzit e Janullatosit kanë filluar së fundi të përdorin për të terma shenjtërizimi, në një gjuhë që nuk përdoret për të gjallët në kishën ortodokse.
Siç e di mirë zoti Protopapa, një shërbim të vyer në këtë drejtim i ka falur vetë at Liolini kryepeshkopit Anastasios. Ju, zoti Protopapa, me të drejtë e humbët gjakftohtësinë kur dëgjuat ligjëratën e padenjë enkomike të at Liolinit drejtuar Janullatosit, në një audience politikisht kompakte greke në New York, vitin e kaluar, gjë që ishte dhe një përpjekje e dështuar për t’a bërë Janullatosin të pranueshëm nga të gjithë shqiptarët. Në këtë tekst të botuar nga vetë at Liolini ka disa pika ku anglishtja tërthore nuk fsheh përpjekjen e autorit për të përdorur një gjuhë sanktifikuese për Janullatosin, gjë që përngjan me gjuhën e sinaksaristëve grekë për bashkëkombasin e tyre dërguar me mision politik në Shqipëri, të cilin, siç dëftojnë bathët grekë, kanë ndërmend ta shpallin shenjtor.
Marrëveshja e pasardhësve të Nolit dhe të Lipes
Kur pata pyetur at Liolinin, në vitin 1997, për të dhënë mendimin e tij gjykues për Dioqezën, ai më tha se “shqiptarë janë dhe ata”. U shkrua në shtyp se gjatë periudhës së bombardimeve në Kosovë të dy liderët e dy peshkopatave shqiptare u takuan dhe kryen bisedime. Pemë e këtij takimi është letra-dokument që ata nënshkruan më 26 mars 1999. Më qartë, Peshkopata Shqiptare në Amerikë nënshkroi një tekst me Dioqezën Shqiptare në Amerikë, dhe me kisha të tjera ortodokse në Amerikë, një letër drejtuar Presidentit Klinton ku i kërkohej ndalimi i bombardimeve të Natos. Po citoj pjesë të kësaj letre në origjinal:
“Dear Mr. President, We write to you today, sad and heavy of heart at the terrible destruction that has been unleashed against the Federal Republic of Yugoslavia. We pray to Almighty God that the military actions of NATO forces will cease immediately, making way for a just, peaceful, negotiated solution to the conflict… we are also mindful of the millions of Orthodox Christians whose lives are now at risk from American and NATO weapons…. We call upon your sense of justice and humanity to end this course of military action immediately for the good of our beloved nation and for the salvation of all innocent lives whose futures rest in the palm of your hand….” (Letër Presidentit Klinton, nga SCOBA (The Standing Conference of Canonical Orthodox Bishops in America), 26 mars 1999.
Konkretisht letrën e nënshkruajnë primati i kishës greke në Amerinë, kryepeshkopi Spiridhon, primati i Kishës Ortodokse në Amerikë e administrator i Peshkopatës Shqiptare në Amerikë, Mitropoliti Theodhos, e të tjerë, dhe në fund nënshkruan “Protopresbyter Ilia Katre, Vicar General, Albanian Orthodox Diocese in America” Unë e respektoj aftësinë e zotit Protopapa për të këtë qëndrim të tij të ri, dëshirën domethënë për të rikrijuar një aleancë politikisht të dështuar me at Liolinin, por habitem se si e ka anashkaluar Protopapa këtë letër-argument për të nxjerrë vlerësime më të sakta për situatën kishtare sot?!
Siç duket në dokument, administratori, domethënë peshkopi, i peshkopatës shqiptare dhe primati i OCA, ka nënshkruar një tekst bashkë me kishën greke e kisha të tjera, duke përfshirë edhe Dioqezën. A ka dëshmi më të madhe për të qartësuar qëndrimin e at Liolinit në lidhje me at Katren, me Janullatosin dhe me shërbimin e tij në Kishë në përgjithësi? Në qoftë se ai nuk ishte dakord me tekstin e firmosur nga administratori i peshkopatës, përse nuk e shprehu mendimin e tij? Përderisa është dakord edhe me atë tekst, përse ngurron t’a pranojë, por sillet si rilindas i vonuar? Siç dihet imzot Theodhosi, i ka dhënë de facto kompetenca dhe privilegje peshkopi priftit Liolin, dhe nuk ka vepruar kurrë në emër të peshkopatës pa këshillimin e kancelarit të saj.
Këto nuk i shkruajmë për të rrëmuar të kaluarën por për të argumentuar një situatë më se të qartë për ortodoksët shqiptarë, dhe sidomos për studjuesit e historisë së kishës ortodokse shqiptare, gjë që zoti Protopapa i ka dhënë ngjyra të rreme me paragjykime politike të caktuara. Fakti se shugurimet e dy priftërinjve kanë precedentë, nuk krijon absurditet dhe as paqartësi për ne. Ishte më se e natyrshme që vdekja e priftëreshës do t’a bënte Vikarin e Përgjithshëm at Katre peshkop, pavarësisht se ai thotë se “nuk ia kishte marrë mendja diçka të tillë, deri ditën që ia njoftuan në Patrikanë, gjatë ceremonisë së shërbesës së Miros së Shenjtë”.
Është folur gjithashtu nga njerëzit e Janullatosit për ngritjen e imzot Katre në rangun e Mitropolitit të Beratit, dhe transferimin e Mitropolitit Ignatios në Mitropolinë e Gjirokastrës, në rast se Janullatosi nuk do të mundë të shugurojë arqimandritin grek Dhimitrios, mitropolitin de facto të zones në fjalë, për të plotësuar vakancën e Mitropolisë së Gjirokastrës, gjë që nuk është arritur gjatë dhjetë vjetëve e fundit. Kjo ka njëfarë baze sepse dy nga tre arqimandritët që prisnin rreth dhjetë vjetë të bëheshin peshkopë, më në fund u larguan pothuaj në të njëjtën kohë nga Shqipëria: zymtari at Justinos, dora e hekurt e Janullatosit, dhe mendjelehti simpatik at Theologos, arkitetekti i kryepeshkopatës, njëkohësisht në shërbim të sinqertë të të rinjve të varfër shqiptarë, i cili vetë nuk e fshehte se ishte i kamur. Kur at Theologu i la lamtumirën Shqipërisë , para largimit të madh të Justinit, duke aluduar me shprehjen që vetëm në greqisht mund të kuptohet plotësisht, tha: “Anastasios nuk është Shenjti i Tiranës por Tirani i Tiranëve!”. (“Den einai o Agios Tiranon, alla o Tiranos ton Tiranon”).
Por ai që e kontrollon ende Mitropolinë e Gjirokastrës me vëshrimin e tij vrastar ndaj atyre që përpiqem të përdorin ndonjë fjalë shqip në qytetin e Sarandës, arqimandriti Dhimitrios, ende është në pritje, dhe kjo është ndoshta një pengesë për shkuarjen në Shqipëri të at Katres. Habitem se si zelltari autoqefalist zoti Protopapa, po i shpërnjeh të dhënat e mësipërme.
Motivimi i Patrikanës dhe indiferenca e Kishës ndaj emigrantëve
Situata e sotme midis kishës greke në Amerikë dhe kishës mëmë në Stamboll është përkeqësuar sepse greko-amerikanët kërkojnë të shkëputen nga Patrikana, gjë që paralajmëron vdekjen e Patrikanës Ekumenike. Dioqeza Shqiptare hyn drejtpërdrejt nën juridiksionin e Patrikanës dhe jo të kishës greke në Amerikë, e cila ka sinodin e saj, në të cilin me llogjikë duhet të hynte edhe Dioqeza. Posedimi i disa peshkopëve të Patrikanës në Amerikë (krahas imzot Katres, janë edhe peshkopët e kishës karpatho-ruse e asaj ukraneze), do të thotë se këta peshkopë janë vota të sigurta të Patrikanës greke, përderisa të gjithë këta janë anëtarë të barabartë të SCOBA-s, një forumi të të gjithë peshkopëve kanonikë në Amerikë që përpiqet për krijimin e një patrikane amerikane. Në këto mbledhje vjetore do të marrin pjesë tashmë dy peshkopë shqiptarë, imzot Nikon e imzot Katre.
Me çfarë syri e sheh zoti Protopapa faktin kur një delegacion përfaqësues i kishave ortodokse në Amerikë pritet nga Presidenti Bush në Shtëpinë e Bardhë, dhe në këtë grup peshkopësh ndodhen që të dy peshkopët tanë të saposhuguruar?
Plus përfitimit politik të Patrikanës Ekumenike për të pasur sa më shumë peshkopë votues në SCOBA, mbështetës të interesave të Patrikanës në Amerikë, ekziston siç thamë edhe një simpati personale ndaj at Katres për shërbimet që i ka bërë Patrikanës në Shqipëri, lidhur me misionin e Janullatosit. Nuk dime nëse dhe vetë kryepeshkopi Anastasios të ketë ndërhyrë në Patrikanë për këtë shugurim, gjë që prapë nuk ka rëndësi politike, sepse komplikon një taktikë shumë të thjeshtë dhe të njohur të Patrikanës: Eshtë teologjia e ofiqeve dhe e titujve me motive sekullare. Por unë nuk shoh asnjë rrezik për kishat shqiptare në ShBA dhe për KOASh-in nga shugurimi i at Katres si peshkop, i cili ka funksione vetëm protokollare në Amerikë. At Ilia nuk ka bërë asgjë për të shfrytëzuar ardhjen e emigrantëve për një ripërtëritje të Dioqezës, e cila në ditët e Lipes kishte shumë më tepër jetë, gjë që dëfton paaftësinë e tij për të bërë diçka të më të madhe nga dy kishat muzé të trashëguara në Boston e Çikago. Imzot Katre është në një moshë të thyer dhe ka vite që shërben në një kishë greke në Las Vegas, përderisa varfëria e Dioqezës nuk e ka lejuar vikarin e saj t’a gëzojë nga afër.
Por në qoftë se imzot Katre ka ndërmend t’a zgjerojë Dioqezën dhe të hapë kisha të reja për emigrantët, kjo për mua është lajm gazmor, aq më tepër kur emigrantët shqiptarë janë braktisur nga kisha e tyre mëmë. Në qoftë se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, atëherë lind pyetja: Kush e pengoi at Liolinin të hapë një kishë tjetër shqiptare në Çikago, kur atje ndodhem me mijëra shqiptarë ortodoksë? Nuk ekziston justifikimi se “nuk kemi priftërinj”. Në ShBA kanë ekzistuar dhe ekzistojnë teologë shqiptarë, klerikë e laikë, të cilët kanë ardhur në Amerikën e Veriut për të kryer punë misionare me emigrantët, por ama nuk janë pranuar të shërbejnë në peshkopatën shqiptare, për motive që kanë pasur lidhje me Janullatosin dhe me vakancën e peshkopit, domethënë me problemet personale të at Liolinit.
Zoti Protopapa më shkroi dikur se ishte gati të paguante dhjetë mijë dollarë për të hapur një kishë të dytë në qytetin e Sarandës, ku në kishën ekzistuese të ndërtuar nga Banka e Greqisë ndalohet gjuha shqipe dhe përdoret vetëm greqishtja, si në shërbesa ashtu dhe në predikime, ende sot e kësaj dite. Përderisa vakanca e mitropolitit të Gjirokastrës e bën të pamundur një aksion të tillë, dhe kur Janullatosi dhe Omonia e kontrollon plotësisht situatën politike në Sarandë, përse kjo ofertë të mos përdoret në Çikago? Atje ekziston mundësia për të hapur një kishë për emigrantët, si edhe në New York, ku është e domosdoshme të hapet një kishë tjetër shqiptare, paçka se kjo mund të zbrazë sërish kishën e Shën Kollit, ku me zor lejohen disa fjalë shqip në shërbesa, pavarësisht se shumica e famullisë janë emigrantë të ardhur vitet e fundit?
Por zoti Protopapa siç duket propozon oferta atje ku nuk do të investohen kurrë, në mënyrë që zotëria e tij të ekzistojë në qitapet e bamirësve, por vetëm sa për bujë, sesa për të ndihmuar me të vërtetë këto zona të brishta të realitetit shqiptar.
Misioni i dy peshkopëve shqiptarë
Si shugurimi i imzot Nikonit, ashtu edhe ai i imzot Ilias, janë në thelb pasoja të krizës që po kalon ortodoksia shqiptare në Shqipëri dhe në Amerikën e Veriut. Por a do të debatonim unë dhe zoti Protopapa në qoftë se priftëreshat e dy vejanëve do të ishin gjallë? Atëherë si ka mundësi që plane të tilla politike të Patrikanës dhe të Greqisë të jenë kaq serioze dhe të varen në të njëjtën kohë nga jetëgjatësia e priftëreshave shqiptare? Nga krahu tjetër, për inerci të këtij arsyetimi, shqiptarët duhet t’i luten Zotit që të marrë sa më shumë priftëresha në qiell, në mënyrë që ne të kemi sa më shumë peshkopë shqiptarë këtu poshtë, e ndoshta së shpejti dhe një kryepeshkop vejan në Shqipëri…
Këto dy shugurime kanë motivime politike e personale, kanë përmbajtje ideologjike dhe nuk janë akte pafajësie nga asnjëra palë, por janë më shumë një shtrirje e ngjarjeve personale të dy klerikëve, të cilat sjellin përkatësisht shenja nepotizmi e bizantinizmi.
Gjithësesi dy peshkopët kanë një rast tashmë për t’u ngritur mbi ngjarjet dhe rrethanat që i sollën në rangun e peshkopit, dhe t’i vërtetojnë botës ortodokse shqiptare, tej preferencave të tyre politike të përzgjedhura a të trashëguara, se ata që të dy janë të domosdoshëm për ortodoksinë shqiptare, përderisa ne, ortodoksët shqiptarë, kemi shumë nevojë për shërbesën e tyre. Nuk ka kishë ortodokse më të varfër nga çdo pikëpamje sesa kisha ortodokse shqiptare. Por në qoftë se dhe këta do të vazhdojnë t’a ngrysin shërbesën e tyre brenda kishave muzé, duke u mjaftuar me rrëfimet e Nolit e të Lipes, duke u mjaftuar në përkthimet e Kristoforidhit e të Nolit, atëherë në muzé do t’i lërë edhe historia jonë.
Do të jetë dhuratë e Perëndisë në qoftë se këta dy burra vënë garë me njeri-tjetrin për të hapur kisha të reja shqiptare, të cilat duhet t’iu shërbejnë ekskluzivisht emigrantëve. Janë emigrantët e shumëvuajtur të pasdiktaturës që janë përdorur e abuzuar për të mbajtur gjallë kishat shqiptaro-amerikane të peshkopatës dhe të dioqezës. Ka disa kisha të Peshkopatës që përsa i përket sasisë së shqipes në meshë përdorin përllogaritje psikotike (për shembull tek web-i i kishës së shën Gjergjit, Trumbull CT: “Të gjitha shërbesat bëhen në anglisht, duke përdorur 3-5 % shqip”), pavarësisht se emigrantët e ardhur rishtas janë shumica e besimtarëve të këtyre famullive. Sigurisht që ky fakt nuk është mbetje e enciklikëve çkishërues të Patrikanës mbi përdorimin e shqipes në shërbesa, por as i kundërt nuk është. Por që të ngrihet dikush mbi vetveten nuk është gjë e lehtë, prandaj dhe kisha ortodokse shqiptare vazhdon të thellohet në një krizë që e ka ushqyer vetë.
Presim nga at Liolini të përdorë mprehtësinë dhe autoritetin e tij për të hapur një faqe të re në historinë e ortodoksisë shqiptare. Në qoftë se ekziston fjala “kthesë” le të marrë përmbajte tani, kur zoti Protopapa u bie kot kambanave të rrezikut. Në qoftë se ekziston rrezik, ai është brenda nesh, i cili edhe në ditë të mira, siç është shugurimi i dy peshkopëve shqiptarë, përpiqet të na mbajë nën pushtetin e veseve tona.
At Arturi nuk ka nevojë të përdorë lloj-lloj metodash për të bërë të pranueshëm faktin e shugurimit të vëllait të tij. Fakti se këto shugurime u bënë në mënyrë sinkrone, për të cilën Patrikana dhe at Arturi punuan me motivime njësoj jo të shëndosha, nuk duhet të na pengojë të kundrojmë të ardhmen. Të gjithë e kanë pritur me shpresë shugurimin e peshkop Nikonit, nga i cili presim sensibilitetin e duhur për të kuptuar situatën kishtare të emigrantëve të braktisur nga kisha mëmë në Amerikën e Veriut. Lutemi që ai të ndihmojë në mënyrë që gabimet që janë bërë gjatë këtyre viteve pa peshkop të mos përsëriten më. Madje ai ka treguar shenja të tilla. Njëra prej tyre është mbështetja e nismës për të hapur një kishë shqiptare në Toronto, Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Astit të Durrrësit; Faleminderit, Hirësi Nikon!
Ruaj Lidhjet