Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Komplotist kundër Enverit?… Kadare: Sot do të ishte mburrje, por s’është e vërtetë

    Hetuesi i Kadaresë: Si u fut shkrimtari në dosjen e Mehmet Shehut dhe Llambi Ziçishtit

    Ferit Sula,ish-hetuesi i diktaturës që u “fshihet” kujtimeve

    Një lojë e vërtetë si macja me miun ishte takimi me hetuesin Ferit Sula. Për ata që nuk e njohin, emri i tij haset jo rrallë në dosjet hetimore të Ministrisë së Brendshme, në hetime të bujshme e më pak të bujshme të kohës së komunizmit. Në arkivin e Ministrisë së Brendshme në kërkim të emrit të tij gjen shumë dosje të tilla. Mes tyre është dhe dosja hetimore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë dhe mjekut të njohur Llambi Ziçishti, i cili u arrestua më 1982 dhe pushkatua në vitit 1983. Së fundmi, dosjes së ish-ministrit që u akuzua si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, i është shtuar edhe një procesverbal ku i pandehuri Llambi Ziçishti deponon kundër shkrimtarit Ismail Kadare, duke e bërë pjesë të grupit komplotist të ish-kryeministrit të vetëvrarë Shehu. Shumë pikëpyetje janë ngritur pas publikimit të këtij procesverbali. Vërtet hetuesia kishte të dhëna se po përgatitej një komplot i madh që udhëhiqej nga ish-kryeministri Mehmet Shehu, apo psikoza e armikut te dera ishte aq e madhe sa të arrinte deri në fabrikimin e një komploti, duke përfshirë edhe emrin e një shkrimtarit të njohur siç ishte Ismail Kadare?! Kush mund të na zbulonte diçka nga e vërteta e këtij procesverbali më mirë sesa vetë hetuesi Ferit Sula. Ai, në fakt, jeton që prej viti 1992 në Gjermani bashkë me familjen. Para se të largohej, u ul dhe shkroi një artikull te Rilindja Demokratike. Artikulli ishte një lloj mea-cupla e një hetuesi që kishte qenë pjesë e sistemit më të egër komunist në Europë. Sula rrallë herë vjen në Shqipëri dhe në këto vizita të pakta vjen dhe ikën pa rënë në sy. Takon ata pak miq që ka në Pogradec, vendi i tij i preferuar për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri. Akomodohet thuajse gjithmonë në të njëjtin hotel dhe shëtitjet e tij në Pogradec janë shumë të limituara. Kontaktet me të thuajse janë të pamundura. Nuk lë kurrë numrin e tij të telefonit, por të siguron se po t’i lësh tëndin ai do të të marrë vetë (gjë që nuk ndodh asnjëherë). Kështu, e vetmja rrugë për të kontaktuar me të mbetet takimi gjoja i rastësishëm përmes një miku të përbashkët. Në këto rrethana ndodhi dhe takimi ynë me hetuesin Ferit Sula. Ai ishte i ftohtë kur tregonte dhe nuk shfaqte shenja nervozizmi as atëherë kur pyetja provokonte akuzë ndaj tij. Ferit Sula gjatë gjithë kohës fshihej pas harresës. “Kanë kaluar 30 vjet dhe është e vështirë të mbahen mend të gjitha”. Madje në fillim as procesverbalin nuk arrinte ta sillte ndërmend. U kujtua pasi e lexoi disa herë dhe vetëm atëherë filloi të rrëfente rrethanat në të cilat ishte marrë ai deponim. Sipas tij, Llambi Ziçishti mund të jetë i vetmi i pandehur në dhomat e hetuesisë që nuk i është prekur as fija e flokut. “As një sharje nuk i thoje dot atij njeriu që të impononte respekt”- thotë hetuesi Sula. Ai i shmanget thuajse në të gjitha rastet implikimit të emrave konkretë në listat që projektoheshin në pyetje-përgjigjet e dhomave të hetuesisë. Me ftohtësi ai u devijonte edhe pyetjeve rreth “komplotistit” Ismail Kadare, që Llambi Ziçishti e përmend disa herë në procesverbalin e hetuesisë. E njëjta harresë kësaj radhe e ndihmonte në “fshirjen” e imazheve, fjalëve të dëmshme nga fjalia, e fjalive të rrezikshme, e rikthimit tek protagonistët e atij procesi. Rrëfimi i hetuesit sigurisht që nuk arrin të zbardhë shumëçka nga dhomat e hetuesisë së regjimit komunist, aq më tepër ku vetë ai është personazh në ngjarje, por gjithsesi Ferit Sula është zëri që vjen nga skutat më të errëta, ku fabrikoheshin komplote, përpiloheshin listat e pushkatimeve, përndjekjeve e burgosjeve për “armiqtë e popullit”.



    Hetuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ferit Sula, zbulon për herë të parë pas 30 vjetësh se çfarë ndodhte brenda dhomave të hetuesisë së diktaturës. Si përgjohej hetimi nga kupola e regjimit dhe si funksiononte mekanizmi i fabrikimit të komploteve, duke përfshirë emra ish-kryeministrash si Mehmet Shehu, ministrash si Llambi Ziçishti, intelektualë si Todi Lubonja e Fadil Paçrami e shkrimtarë të njohur si Ismail Kadare.

    Zoti Sula, në librin e saj “Koha e pamjaftueshme” Helena Kadare ka një pjesë ku publikon për herë të parë një procesverbal nga hetuesia e Llambi Ziçishtit dhe në fund të dokumentit është firma juaj. A e kujtoni këtë procesverbal?

    Duhet të shoh dosjen. Nuk e di a ekziston procesverbali me shkrimin e Llambi Ziçishtit.

    Ekziston në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Si u hetua ai? Çfarë ju kujtohet nga hetimi, në të cilin Llambi Ziçishti, sipas dokumentit, përmend edhe emrin e Ismail Kadaresë si pjesë e grupit komplotist të Mehmet Shehut kundër Enver Hoxhës?

    Kur ne hynim në dhomën e hetimit ishte i pandehuri, siç quhet në gjuhën juridike, dhe hetuesi. Në tavanin e dhomës ishte një kamera që filmonte gjithçka dhe biseda incizohej. Incizimi bëhej në një dhomë tjetër afër me atë ku zhvillohej biseda mes të pandehurit dhe hetuesit. Nëse nga biseda dilte ndonjë fakt apo emër i rëndësishëm, pa na vënë në dijeni në dhomën ngjitur vinte ministri apo zv.ministri ose ndonjë zyrtar tjetër i lartë që ndiqte hetimin në figurë dhe zë. Edhe ne vëzhgoheshim se çfarë pyetjesh bënim, çfarë nuk bënim, biseda që zhvillohej, lëvizjet, pra gjithçka. Edhe ne hetuesit ndodheshim nën vëzhgim…

    Si është trajtuar Ziçishti gjatë procesit hetimor? Është ushtruar presion ndaj tij?

    Llambi Ziçishti është i vetmi njeri, ndoshta, që nuk është cenuar nga hetuesia. As një sharje nuk është lëshuar në drejtim të tij, jo më të përdorej dhunë apo t’i bëhej presion. Ai të impononte respekt.

    Gjithçka që ai ka shkruar në këtë procesverbal, sipas jush, është shkruar dhe firmosur me ndërgjegje të plotë nga ana e tij?

    Absolutisht. Ai ka shkruar gjithçka me ndërgjegje të plotë. Se çfarë ka bërë Fiqiret Shehu në atë kohë, unë nuk e di. Për të sqaruar këtë, duhet parë dosja e Fiqiret Shehut, nëse ajo e ka konfirmuar rrëfimin e Ziçishtit apo jo.

    Emrat që përmend Ziçishti në këtë hetim, si pjesëtarë të grupit të Mehmet Shehut, janë disa, si Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Bashkim Shehu. Të tre këta, ndërkohë, vuanin dënimin me burg. I vetmi emër që del në këtë hetim, që nuk ishte inkriminuar ende nga regjimi, është ai i shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk ju bëri përshtypje kjo gjë?

    Unë nuk e kam fiksuar fare këtë proces hetimor e aq më shumë emrin e Ismail Kadaresë.

    Si ka mundësi kjo? Kadare nuk ishte emër i panjohur…

    Absolutisht nuk i kam kushtuar rëndësi këtij hetimi. Tani që ju ma dhatë ta lexoj më vjen ndërmend ky hetim. Por ky procesverbal mund të jetë lexuar nga shumë njerëz asokohe. E kam fjalën për zyrtarë të lartë që kishin të bënin me proceset hetimore. Mund të jetë lexuar nga zv.ministri Zylyftar Ramizi.

    Si ka qenë bashkëpunimi juaj me Zylyftar Ramizin?

    Jemi zënë me qindra herë bashkë.

    Për çfarë arsyesh?

    Tentonin të arrestonin njerëz për të cilët unë nuk bindesha se ishin fajtorë.

    A ka të drejtë Kadare të mendojë se me këtë hetim ishte vënë dhe ai në shënjestër dhe se shumë shpejt do t’i vinte radha dhe atij?

    Ai të drejtë ka. Por duhet kuptuar se asokohe mekanizmi ishte i tillë; hetimet që bëheshin nga ana jonë kalonin nëpër ingranazhe të tjera, siç ishte Sigurimi me në krye Zylyftar Ramizin. Ata merrnin në shqyrtim dhe verifikonin çfarë thuhej gjatë hetimit nga të pandehurit. Siç thashë, me Ramizin kam patur gjithmonë marrëdhënie jo të mira, aq sa shpesh debati ynë shkonte deri në kërcënime. Në fillimet e demokracisë kam botuar një shkrim te RD-ja ku kam thënë se Lufta e klasave ka qenë shumë e egër dhe se Sigurimi i Shtetit e maste punën e hetuesve me arrestimet që bëheshin.

    Ishte si punë me norme do të thuash? Sa më shumë inkriminonit, aq më shumë vlerësohej puna juaj?

    Po. Nëse një hetues kishte punuar sipas vijës së partisë, matej me dosjet hetimore të tij.

    A ka qenë ky hetim pjesë e ndonjë dosjeje që po përgatitej për Kadarenë?

    Kanë kaluar 30 vjet dhe, siç të thashë, nuk e kisha fiksuar fare këtë procesverbal. Po ta kisha gjetur në rrugë këtë letër, me siguri do mendoja se është e falsifikuar, se nuk më ka mbetur në kujtesë. Nuk më ka lënë asnjë mbresë.

    Llambi Ziçishti duhet t’ju ketë lënë mbresa besoj… Ai u dënua me vdekje?

    Ai po, sepse ishte njeri shumë i kulturuar, i sjellshëm. Me të kisha krijuar disi njohje, sepse në dhomën e hetuesisë ishim vetëm unë dhe ai tek për tek, ndryshe nga Fiqiret Shehu.

    Të kthehemi dhe një herë te pyetja nëse po përgatitej dosja e Kadaresë…

    Ne si hetuesi as që na shkonte mendja të hartonim dosje të tilla. Nëse ka, ato i përgatiste Sigurimi i Shtetit.

    Emri i tij doli vetëm gjatë hetimit të Ziçishtit?

    Po, po, vetëm aty. Por edhe për këtë nuk mund të hapej çështje, sepse Ziçishti e kishte informacionin nga burim tjetër, që ishte Fiqiret Shehu. Por edhe sikur ai të ishte burim direkt, sërish do të merrej me rezerva.

    Përse do të merrej me rezerva? Nuk u ballafaquan thëniet e tij me Fiqiret Shehun?

    Si rregull, duhet të jetë bërë ballafaqimi. Duhet kërkuar në arkiv. Ka gjëra që nuk mund të fshihen, si për shembull gjyqi i Llambi Ziçishtit, një gjyq publik, ku njerëzve u janë shpërndarë ftesa për ta ndjekur. Në libër Helena thotë se ai është dënuar pa gjyq, por kjo nuk është e vërtetë. Ka incizime, filmime dhe dosje që nuk mund të fshihen.

    Ky hetim nga kush është vëzhguar?

    Po, e kanë ndjekur dhe të tjerë. Të gjitha dëgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe ata merrnin nga hetimi çfarë u interesonte.

    Po kanë emra këta persona?

    Ju thashë dhe një herë që kanë kaluar shumë vite dhe, siç jua përmenda, nuk i kam kushtuar rëndësi këtij hetimi. Nuk mbaj mend detaje. Por di të them se Helena në këtë libër mua më ka akuzuar pa të drejtë.



    Procesverbal i pyetjes sË tË pandehurit

    Tiranë, më 24.9.1982



    Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.

    Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh se cilët janë personat e tjerë, që tradhëtari Mehmet Shehu, i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.

    Përgjigje: Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person, unë do të shpjegoj ato gjera që më ka treguar Fiqret Shehu.

    Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar “Skëterrë ‘43”, ku skenarist ishte djali i saj Bashkim Shehu. Fiqreti më tregoi se edhe Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicion armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja, me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin u zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu, duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre. Ky është momenti, më ka thënë fiqret Shehu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës tonë. Pastaj Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime e romane me dykuptime, nganjëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, ta godiste atë.

    Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj e gradualisht t’i përpunonte ata e duke bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëritë ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë. Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjerat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri.

    Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore, që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, për të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i ka thënë Fiqret Shehu.

    Procesverbalin e shkrojta vetë dhe thëniet i vërtetoj me firmën time.



    I pandehuri Hetuesi

    Llambi Ziçishti Ferit Sula

    (firma) (firma)





    Kush është Ferit Sula

    Ferit Limon Sula, lindur më 1 janar 1942 në Batër të Burrelit.

    Në radhët e PPSh-së kishte kushëririn e parë Selim Sulën, Hysen Dedën dhe dajën Sul Domi. Babai kishte qenë partizan.
    Shtresë e varfër, kanë pasur një shtëpi, 3 dynym tokë dhe 20 kokë bagëti.

    Më 1949 – 1945 kryen filloren në Batër.

    Më 1953 – 1956 uniken në Burrel.

    Më 1958 – 1960 të mesmen në Kavajë.

    Më 1960 – 1961 centralist në Shkopet.

    Më 1961 – 1964 ndjek kursin e shkollën së MPB-së të policisë.

    Më 1964 – 1966 shef i policisë në postën e policisë Bulqizë.

    Më 1966 – 1967 i plotfuqishëm i policisë.

    Më 1967 – 1971 hetues në Degën e Punëve të Brendshme Dibër.
    Më 1971 – 1974 kryehetues në Degën e Punëve të Brendshme Dibër.

    Më 1974 – 1978 zv.shef i hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme, Pogradec.

    Më 1978 – 1983 oficer drejtimi i parë i Degës së Parë të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB.

    Më 1983 zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në MPB dhe kryetar i
    Degës së Parë.

    1983 – 1991 hetues civil.

    Më 1982 – 1983 ndjek shkollën e partisë “V.I. Lenin” pa shkëputje nga puna

    Aida Tuci - MAPO
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  2. #2
    Komplotist kundër Enverit?… Kadare: Sot do të ishte mburrje, por s’është e vërtetë

    Sa herë që hapet ndonjë dosje dhe prej saj dalin dokumente e procesverbale hetuesie, diskutimi rreh saj ka gjithmonë një mister. Përse-të në më të shumtën e rasteve nuk marrin përgjigje. Së fundmi, nga skutat e pandriçuara ende të Arkivit së Ministrisë së Brendshme, doli edhe një procesverbal, ku ish-ministri i Shëndetësisë, mjeku i njohur Llambi Ziçishti, përballë hetuesit Ferit Sula implikon emrin e shkrimtari Ismail Kadare si bashkëpunëtor të grupit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Dyshimet, hamendësimet rreth atij deponimi ishin nga më të ndryshmet. Kishte qenë vërtet Ismail Kadare një komplotist apo ky ishte fabrikimi i radhës i një regjimi frikaman?! Përse u përdor një mjek i nderuar si Ziçishti, që kishte dhe njohje të hershme me shkrimtarin, për të implikuar shkrimtarin? Përse hetuesi Ferit Sula përpiqet ta manipulojë të vërtetën, duke u fshehur pas harresës?…

    Ismail Kadare e ka një përgjigje për të gjitha dyshimet dhe hamendësimet rreth shkrimtarit “komplotist”.



    Zoti Kadare, a e keni njohur personalisht Llambi Ziçishtin? Çfarë përshtypje ju ka lënë?

    Po, e kam njohur, shumë kohë më parë. Në fillim të viteve 60-të Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një qendër që grumbullonte intelektualë të shquar të kryeqytetit. Midis tyre kishte mjekë të njohur. Dr.Llambi Ziçishti ishte një ndër ta. Siç ndodhte shpesh me mjekët, ishte një dashamirës i letërsisë. Ishte jashtëzakonisht i sjellshëm dhe vishej me shumë kujdes. Vedat Kokona, gjithashtu i shquar për elegancë, ishte një nga miqtë e tij të ngushtë, me sa dukej, qysh nga vitet e Liceut francez të Korçës.

    E bëra këtë pyetje sepse kam takuar hetuesin e Llambi Ziçishtit, Ferit Sulën, për rrjedhojë edhe tuajin, sepse është hetuesi që ka nënshkruar procesverbalin që Helena Kadare bëri publik për herë të parë në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, ku përmendet emri juaj si pjesë e grupit komplotist të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Edhe pse hetuesi gjatë gjithë kohës fshihej pas harresës, në një nga pyetjet thotë se Ziçishti e ka bërë atë deklaratë me ndërgjegje të plotë dhe që nuk është ushtruar asnjë presion ndaj tij. Ju si mendoni?

    Mendoj se është fare e pabesueshme një gjë e tillë. Po më shumë e pabesueshme është këmbëngulja e sotshme e hetuesit për të mbrojtur atë hetim. Sipas hetuesit, del se ose zoti Ziçishti ka bërë një mashtrim me ndërgjegje kundër shkrimtarit. Ose ky i fundit, domethënë zoti Kadare, ka qenë vërtet një komplotist dhe mjeku ka thënë të vërtetën.

    Për asnjë sekondë në jetën time nuk më ka shkuar mendja se mjeku martir do të ketë dashur të më dëmtonte. Madje, po të ishte se do të isha i detyruar të pranoja njërën nga dy absurditetet, më parë do të besoja se, pa e ditur as vetë, kisha qenë komplotist, sesa të dyshoja për të burgosurin.

    Është kuriozitet të dimë se çfarë ju ka tronditur më shumë kur ju ra në dorë procesverbali?

    T’ju them se nuk kam pasur ndonjë tronditje kushedi çfarë, nuk keni për të më besuar. Në të vërtetë ka qenë ashtu. E kam parë procesverbalin pas rënies së komunizmit dhe më është dukur si diçka e njohur. Një bisedë e hershme me të birin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, në shtator të vitit 1981, pra një vit më parë se të përpilohej ky procesverbal, më ka vënë në dijeni për atë tmerr.

    Nëse i thërrisni kujtesës, a keni pasur frikë apo dyshime në atë periudhë se edhe ju mund të përfshiheshit në listën e atyre që u persekutuan si bashkëpunëtorë të Mehmet Shehut?

    Është pikërisht biseda e përmendur më lart, që shkrimtari Bashkim Shehu e ka riprodhuar në librin e tij “Vjeshta e ankthit”, që ma ka bërë të qartë se ç’mendonin për mua “atje lart”.

    Më lejoni ta përsëris fare shkurt ç’ka ndodhur: Në shtator të vitit 1981, i biri i Kryeministrit, tepër i tronditur, vjen në shtëpinë time për të më thënë lajmin e keq se, nga një grindje me babanë merr vesh se i ati i tij, Kryeministri i Shqipërisë komuniste, mendon se shkrimtari Ismail Kadare është një agjent i Perëndimit.

    Disa orë më pas, ose të nesërmen, s’më kujtohet saktë, vjen përsëri, jo për ta zbutur disi lajmin, por përkundrazi, për ta nxirë më keq. Me fjalë të tjera, më saktëson se ajo që më kishte thënë herën e parë nuk ishte vetëm mendimi i babait të tij, por “edhe i atij tjetrit”. Domethënë i Enver Hoxhës, nga zyra e të cilit Kryeministri sapo kishte dalë.

    Pak kohë më pas, Bashkim Shehu do të arrestohej bashkë me gruan e tij të re njëzetvjeçare. Siç më kanë treguar të dy pas shumë vitesh, janë hetuar në qeli të veçuara, duke u pyetur, ndër të tjera, për “shkrimtarin komplotist I.K.”

    Pse donin medoemos ta lidhnin emrin tuaj me atë të grupit komplotist të ish-kryeministrit Mehmet Shehut?

    Sinqerisht nuk e di, madje e kam vështirë ta marr me mend. E gjithë kjo do të tingëllonte groteske sikur të mos ishte kaq tragjike. Mendimi se Ismail Kadare ishte agjent i Perëndimit, ishte shqiptuar së pari prej Kryeministrit, pas një bisede me liderin e madh. Pas kësaj, topiku agjent, lëviz dhe shkrimtari Ismail Kadare nga agjent i Perëndimit bëhet agjent i vetë dyshuesit për agjent, domethënë i Kryeministrit.

    Siç del nga procesverbali, në dëshminë e Ll. Ziçishtit përmendet disa herë gruaja e ish-kryeministrit, e cila, sipas tij, ishte në dijeni të rrjetit komplotist. Nuk jam në dijeni nëse dikush e ka parë dosjen e saj. Unë vetë nuk kam parë asnjë dosje. Kam dëgjuar se ka një institut apo komision që merret me zbulimin e të vërtetave për atë ç’ka ndodhur në diktaturë midis shkrimtarëve dhe artistëve. Në këtë institut apo komision, kam dëgjuar se bëjnë pjesë edhe disa letrarë. Mirëpo s’kam dëgjuar që ata të merren me dosje të ngjashme. Ndoshta u duken të parëndësishme.

    Po i kthehem dosjes në fjalë. S’besoj se mund të merret për mendjemadhësi po të quhet e rëndësishme, ose së paku serioze. Bëhet fjalë për komplotin më të madh kundër shtetit komunist. Bëhet fjalë për Kryeministrin që e kryeson. Në komplot, midis të tjerash, merr pjesë, sipas dosjes, një shkrimtar tepër i njohur i vendit. Megjithatë, instituti apo komisioni që përmenda, duke përfshirë edhe pjesën letrare të tij, nuk ka dëshirë të merret me gjëra të tilla.

    Besoj se jeni në një mendje me mua, se çështja nuk është e thjeshtë. Madje, duke e parë edhe nga ana letrare e saj. Në shtator të vitit 1981, një shkrimtar shqiptar merr vesh se e konsiderojnë agjent të Perëndimit. Shumë vite pas, hetimi kundër tij vërtetohet, madje gjendet dosja. Pra, ky shkrimtar për gati dhjetë vjet ka jetuar me këtë dijeni. Atëherë do të ishte interesante së paku të hulumtohej sesi ka ndikuar kjo në veprën e tij, në atmosferën, idetë, madje gjer te gjuha dhe stili i të shkruarit. Në biografitë e shkrimtarëve përmenden periudha kur ata kanë qenë të ndikuar nga X ngjarje, ose X rrymë letrare, ose X bukuroshe. Në këtë rast do të kishim, për fat të keq, tjetër gjë dhe faza dhjetëvjeçare e shkrimtarit kishte gjasë të emërohej “faza e agjentit”. Si rrjedhim, mund të kishte studime origjinale, që mund të lidheshin p.sh. me krahasimin e stileve, ta zëmë, të stilit para-agjenturor me atë post-agjenturor etj. etj.

    Po i them këto duke u përpjekur t’i kaloj me humor, por kur e keni lexuar procesverbalin e Ll. Ziçishtit nuk besoj se keni pasur dëshirë të qeshni. Megjithatë, do të thosha se përmasa dramatike e çështjes e kapërcen fatin e shkrimtarit. Ajo lidhet në radhe të parë me kohën e sotme. Dhe e vërteta që dua të përmend këtu është tepër shqetësuese: Shqipëria është i vetmi vend sot në Europë që nuk po hap dosjet e gati gjysmë shekulli errësire dhe brenge.

    Pse i interesonte regjimit një Kadare komplotist?

    E kam vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse ajo lidhet me një univers që për nga absurditeti del nga bota njerëzore. Ne nuk mund të kuptojmë as sjelljen, as logjikën e asaj bote. Zakonisht një diktature nuk i intereson të shpallë komplotist një shkrimtar të njohur. Prandaj pyetja e parë që duhej t’i bëhej këtij hetuesi, dhe nëpërmjet tij krejt regjimit, do të ishte: na thoni, së paku, pse e donit fabrikimin e këtij komplotisti?

    Duke u përpjekur të hyj në logjikën e palogjikës, mendoj se, kur një regjim tiranik bëhet gati të shpallë komplotist, çka do të thotë të dënojë me vdekje, një shkrimtar të njohur, kjo tregon se ai ndodhet në një fazë kriminaliteti të veçantë. Për t’i vënë një emër, le ta quajmë faza kamboxhiane. Në kushte të tilla regjimi duhet të ndihet në një panik të tillë saqë e hedh çdo maskë. Ai lëshon mesazhin se nuk do të ketë asnjë kufizim në përdorimin e dhunës. Megjithëse unë mendoj se në Shqipëri nuk u arrit një fazë e tillë, synime dhe prirje të tilla janë shfaqur disa herë. Shumëkujt duhet t’i kujtohet se nga mesi i viteve 80-të, kur tirania ndihej e trembur, prej zyrave të saj hapeshin fjalë se ishin përpiluar lista njerëzish që do të pushkatoheshin në rast të më të voglës lëvizje kundër regjimit. Shpallej kështu, në mënyrë të hapur, një nga programet më makabër që ka njohur historia e terrorizmit botëror: “faji” i dikujt do t’i binte gjithkujt.

    Pëshpërimat, lajmet e rremë, psikozat janë pjesë e jetës në regjimet e egra. Fakti që një pjesë e tyre krijohej nga kundërshtarët e regjimit, nuk do të thotë se regjimi vetë nuk prodhonte pjesën e vet.

    Projektet mizore, si ai që u përmend më lart, ndonëse nuk u kryen, janë pjesë e historisë, ashtu si mendimi kriminal nuk mund të ndahet nga veprimi kriminal.

    Nëse do t’ju kishin ftuar përnjëmend, a do të merrnin pjesë në një komplot kundër diktatorit? E keni menduar ndonjëherë vetë këtë?

    Jo, s’besoj se e kam menduar. Lidhur me këtë, më kujtohet një bisedë me mikun tim të hershëm Drago Siliqin. Sapo isha kthyer nga Moska, nga i njëjti Institut letrar që kishte mbaruar edhe ai. Merret me mend që flisnim shpesh për kujtimet e këndshme, por edhe për gjendjen e re që ishte krijuar pas dënimit të Stalinit. Një ditë më tha se kishte parë ca oficerë me fytyra të pikëlluara në kafene. I shoqëroi këto fjalë me një shprehje gati ëndërruese, sikur të mos ishte fjala për oficerë, por për diçka të ëmbël. Në atë kohë Tirana ishte mbushur plot studentë, midis tyre qindra oficerë të rinj, që ishin ndarë me të dashurat a të fejuarat ruse, apo “lindore”. Me një fjalë, topiku oficer e pikëllim, s’ishte larg një atmosfere nostalgjike. Mirëpo shpjegimi i Dragos ishte befasues: zymtinë e oficerëve e kishte lidhur me ndonjë komplot të mundshëm.

    Dihet se komploti si përftim në traditën botërore, përveç hijes së rëndë ka pasur diçka tërheqëse. Në gjuhën shqipe p.sh. fjala “përbetim” , me të cilën rilindësit zëvendësuan komplotin, e kishte edhe më të theksuar anën heroiko-romantike. Kurse në Shqipërinë komuniste, ashtu si në vendet e tjera të Lindjes, fabrikimi i komploteve të rremë e zhvlerësoi, ndër të tjera, edhe komplotin.

    Me fjalë të tjera, të quheshe komplotist kishte gjasë të ishe dyfish i humbur. Nga një anë fitoje urrejtjen e partiakëve fanatike, nga ana tjetër mosbesimin e palës tjetër. Kjo s’do të thotë që nuk ka pasur njerëz që seriozisht u përpoqën ta dëmtonin regjimin. Por, vështirë të thuhet se arritën të organizoheshin në një komplot.

    Duhet shtuar këtu se diktatura shqiptare u ngatërrua me këmbët e veta në çështjen e komploteve. Vetë akti i komplotit vinte në kundërshtim me kinse vetëbesimin e saj, optimizmin, unitetin etj. Nga ana tjetër, rreziku i shpikur i ka shërbyer çdo tiranie për të përligjur terrorin. Nga një vizion i ndryshëm, një diktaturë kur e ndien që bëhet qesharake, kërkon t’i japë peshë dhe seriozitet vetes me gjëra të errëta, ndër të cilat hyn gjithmonë vdekja.

    I gjithë ky ndërlikim kundërthënës pasqyrohej në historinë groteske e njëherësh të trishtë të komploteve. Ato shpalleshin, pastaj bëheshin të pabesueshme (thirrjet e “komplotistëve: rroftë Partia etj.), për të përfunduar me breshëritë e pushkatimit.

    Sot është vështirë të shpjegohen plotësisht shumë ngjarje të kohës. Për ta mbyllur përsëri me diçka të viteve kur isha student, do të rikujtoja episodin kur, në një miting për nder të Titos e të Rankoviçit në Moskë, një student i Institutit tonë, i mësuar me sloganet e kohës, brohoriti: “rroftë klika Tito-Rankoviç”.

    Shumë njerëz ia morën për keq, si thirrje të qëllimshme, por të tjerët që ia njihnin naivitetin, mendonin ndryshe. Do të më lejoni të shtoj diçka të ngjashme, këtë herë në Tiranë, kur një anëtar i KQ të partisë, i shquar për besnikëri të rrallë, në një çast lajthitjeje mendore, doli në ballkon të shtëpisë dhe iu drejtua kalimtarëve me fjalët: “Poshtë Komiteti Qendror i Partisë me në krye shokun Enver Hoxha!” Me sa më kujtohet, nuk u dënua, si studenti i Moskës, kaq prekëse kishte qenë besnikëria e mëparshme e tij!

    ( Intervista vijon neser…)

    MAPO
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •