Ndre Mjeda
(1866-1937)


Lindi në Shkodër më 1866. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Që në kohë e studimeve, Mjeda i ri shkroi vjershat e para. Poemthi "Vaji i bylbylit" u botua me 1881. Ndërsa në vitin 1937, Mjeda botoi poemthin "Liria". Ai shkruajti dhe poemthat me tingëllima "Lissus" dhe "Scodra", kjo e fundit e papërfunduar.
Mjeda e kaloi gati gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës, sidomos në fshatin Kukël, ku u vendos më 1906-1907. Aty krijoi dhe poemën "Andrra e jetës". Mjeda dallohet për lirizmin e tij, stilistikën e vargut dhe forcën përçuese të mesazhit. Vdiq në Shkodër më 1 gusht 1937.


GUXO!

Lundërtar, që s´rrezikohet
Kur asht deti shkumë e valë,
Vetë me vedi mos t´ankohet
Se i shkoi dita pa fitim.

Tue u tallë e tue pritue
Kurrgja send nuk qitet n´dritë;
Çfardo sendi me fitue
Trimni lypset e guxim.

Strofa I. Lundërtari, i cili nuk e ven vehten në rrezik kur asht deti i shqetsuem, nuk ka të drejtë t´ankohet se i ka kalue dita pa fitim sepese, për të fitue, njeriu shpesh duhet edhe të rrezikohet.

AGIMI

U kuq qielli prej agimit,
Prej ktij prisi që çoi dita;
E kadalë, tu´ u rritun drita,
Fushë e male po lulzon.

Fryn prej bjeshke era e lehtë,
Rruzullimit i ndrron ftyra,
E prej shendit gjithë natyra
N´dukë e n´petka po gazmon.

KANGA E GJELIT

Katund e mahallë,
Kikiki-riki!
Erdh koha me u njallë, (1)
Vjen drita mbë nji. (2)

Kush n´t´shtrueme mos t´ngelin
Kikiki-riki!
Mos shani, pra gjelin
Se ndihet mezi.

Veç t´smunë e të mbetun (3)
Kukuku-ruku!
Mund t´ngiasin me fjetun,
Gjithë tjerët i çoj u, (4)

Çou bujk e zotni,
Kukuku-ruku!
Se motin që a shkri (5)
S´e gjeni ma ju.

--------------------------------------------
(1) Njallë - ngjallë. Këtu ka kuptimin: me u zgjue nga gjumi, me u përtri.
(2) mbë nji - tash menjiherë.
(3) të mbetun - (njerëz) të ngathët, jo të gjallë.
(4) u - unë (formë e shkurtueme).
(5) se motin që a shkri - se kohën që kalon.