Mark Krasniqi


Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.
Mark Krasniqi ndër të tjera është edhe autor i pėrmbledhjes së poezive pėr fėmijė "Posta e porositur". autori shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu merret me studime shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.


LEJLEKU

Përmbi pullaz,
përmbi pojatë,
shihni lejlekun
me qafë të gjatë.

N'midis livadhit,
n'kodër, në lëmë,
krenar lejleku
qëndron në një këmbë.

E n'jaz t'katundit
përmbi mulli,
përditë lejleku
del n'gjueti.

Me sqep të mprehtë,
zë peshq e mi,
por dhe bretkosa
ha pa mërzi.

Këmb't si kamishi,
sqepin si shpatë,
porsi kavalli
qafën e gjatë.

Për zogj të vet
ka dashuri,
prandaj lejlekun
e do çdo fëmijë.

Pranvera në katund

Ka lulëzuar thana,
me bar u mbush fusha,
n'shpellë nga gjumi i dimrit
është zgjuar harusha.

Bahçet e katundit
duken si tufë t'mëdha,
asnjë pemë e tyre
degë t'thata më s'ka.

Dhe pa lindur dielli
jehon kënga n'arë -
duke e bërë lavrën
këndon një katundar.

Delet edhe qengjat
n'livadh blegërojne, -
nga zëri i fyellit
pyjet po jehojnë.

Me flutura, bilbilë
mbushen llugat plot,
bleta lule m'lule -
s'e çon ditën kot.

As bretkoca e k'netes
duket s'ka më halle:
sa ia thërret n'ujë këngës,
sa del n'breg - heq valle.

Dallëndyshja, lejleku,
diku në Misir
për rrugë bëhen gati -
t'stolisur n'shimshir.

N'kodër, midis pemëve,
shkolla e re krenare
me krahë hapur pret
djem, vajza fshatare.

Shkollarët e vegjël,
si bletë n'vije t'agimit,
zgjohen, marrin librat
dhe ia fillojnë mësimit.

Bukuroshja e fushës

Krahët e fluturës -
pikturë e vërtetë!
Kusht e pikturoi
fluturen krahëlehtë?

Plot pika t'verdha,
t'bardha, të kuqe,
si lule kopshti,
lule burbuqe.

Prej lules n'lule
sillet vërdallë
bukuroshja e fushës -
pikturë e gjallë.

Unë n'bllokun tim
do t'vizatoj
shumë flu'tra t'bukura -
nga secili lloj,
por s'ka piktor
që vizaton më mirë
se ç'vizaton
nëna natyrë.