VIRON KONA


Viron Kona u lind më 1950 në Vlorë. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Gjuhë - Letërsi shqipe. Për shumë vite ka punuar në organe të larta të shtetit si dhe mësues dhe drejtor në disa shkolla 8-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1982. Autor i 18 librave me tregime, novela dhe romane për të rritur dhe fëmijë, midis të cilave përmendim: “Etje që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m'i zbukuroni plagët”, “Pulëbardhat përbindëshe”, “Ujkonja”, “Bubulinoja Çamarrok”, “Dëshira e fshehtë e Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “E fshehta e pyllit”, “Dëgjoma zemrën Budapest”, “Dardi, Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Drithërima e yjeve”, etj. Viron Kona është fitues i 6 çmimeve për gjininë e tregimit në shkallë vendi dhe i vlerësuar nga studiuesit dhe kritika për nivelin e lartë të krijimtarisë së tij letrare dhe artistike.





TRIMERITE E BUBULINOS




Gjatë ditës Bubulinoja tregohej shumë trim. Rrëmbente shpatën prej druri, shtizat e gjata, përdorte si mburojë ombrellën e babait ose të mamit dhe, duke nxjerrë gjoksin përpara, vërtitej nëpër dhoma duke thërritur:
- Jam Hektori, jam Aleksandri, jam Skënderbeu! Dil, or Akil, të ndeshesh me mua në fushën e betejës!?
- Dhe duke vringëlluar shpatën si Don Kishoti, sytë i shkreptinin nga trimëria dhe heroizmi. Mjerë Baronesha dhe Pisika se ç`hiqnin nga shpata dhe shtizat e tij. Por armët e Bubulinos nuk kursenin as karriget, jastëkët, kukullat, gërvishtnin muret. Veç në mbrëmje:
- Bubulino, shko e më merr pakëz pantoflat në dhomën e gjumit, - i thotë babi dhe shton: - Kujdes, mos rrëzohesh, se llampa është e djegur.
Bubulinoja i afrohet dhomës së gjumit dhe befas ndal këmbët. Pastaj hedh një hap dhe ndalon. Në dhomë është errësirë e madhe dhe diçka po lëviz atje poshtë dollapit të rrobave. Ai ka frikë të futet në dhomë. Qëndron një copë herë të gjatë, pa mundur të bëjë dot një hap përpara.
- Bubulino, i gjete pantoflat? - vjen zëri i babit nga kuzhina.
Vogëlushi s`përgjigjet. Ndjen që pranë i afrohet si me magji gjyshja. Zhurma poshtë dollapit të rrobave vazhdon. Gjyshja mban vesh një copë herë dhe buzëqesh. Janë ato shejtankat, Pisika jonë dhe Bianka e komshiut, ajo bukuroshja që s`la zogj pa ngrënë. Ato luajnë me pantoflat se u duken si bishta miu. Gjyshja i merr pantoflat dhe ia jep vogëlushit:
- Shpjerja babit, - i thotë ajo.
Bubulinoja ia shpie pantoflat babit, por sepse i mban sytë përdhe. I vjen turp që u tregua frikacak dhe pyet veten se ku i shkuan gjithë ato trimëri, ato beteja të rrepta me kundërshtarë imagjinarë, ato dyluftime me lavdi! Jo, ai s`duhet të ketë më frikë! Dhe, Bubulinoja pret me padurim mbrëmjen e ditës tjetër, që të shkojë vetëm në dhomën e errët të gjumit dhe t`i sjellë mamit apo babit diçka, që ata do t`ia kërkojnë. Por ditën tjetër, llampa elektrike u rregullua.