Miku: Politikanët s’e vlerësuan sa duhet, e shihnin si plaku i lodhur
FATMIRA NIKOLLI
TETOVE-Ka ndërruar jetë dje pasdite në moshën 64-vjeçare, Arbën Xhaferri. Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Maqedoni u shua pas një qëndrimi 7-ditor në Klinikën Neurokirurgjike në Shkup, si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Mjeku i tij, Sllobodan Damjanoski në një prononcim për mediat ka bërë me dije se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta shëruar, por nuk ka qenë e mundur të mbahej më në jetë. I njohur për idealin e tij mbi bashkimin kombëtar, i ndjeri Xhaferi javën e kaluar është gjetur në shtëpinë e tij në gjendje kome. Më poshtë do të vijnë, kujtimet e mbrame, fjalët e fundme, përmes rrëfimeve të miqve të tij më të afërt, siç është gazetari Xhabir Ahmeti me të cilin njihet që prej kohës së gjimnazit, ish-ministri Vehbi Bexheti me të cilin ka bashkëpunuar gjatë në krye të PDSH-së, si edhe një rrëfim i Muzafer Korkutit, nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që tregon bisedat e kohëve të fundit me të. Ish-kryetari i PDSH-së, disa vite me radhë ka vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore pas 12 vitesh që kishte udhëhequr PDSH-së, në vitin 2007 u largua nga posti i liderit të partisë.
Në kujtimet e miqve
Në kujtimet e miqve, Xhaferri ka mbetur si ai “patrioti” i pandreqshëm, që para së gjithash vë atdheun. Për të, problemi shqiptar, nuk ishte vetëm ai i shqiptarëve të Maqedonisë, por ai i të gjithë shqiptarëve. Nuk i shihte kufijtë si pengesa, për aq kohë sa në të dyja anët e tyre, frymonin shqiptarë. “Gazeta Shqiptare” u është drejtuar dje, disa prej miqve të tij, për të mësuar më shumë, mbi ditët e fundit të jetës, mbi ato që la përgjysmë, mbi gjysmë të thënat, apo mbi të thënat e harruara, për shkak të vorbullës ku shpesh rrëmbehemi.
Një ndër miqtë e tij më të afërt ka qenë gazetari e shkrimtari shqiptar në Maqedoni, Xhabir Ahmeti. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” ai thotë se kohët e fundit Xhaferri, me të cilin është njohur që në kohën e gjimnazit, ka qenë i pakënaqur edhe për shkak të sëmundjes së rëndë. “Bashkëpunëtorët politikë i qenë larguar disi. E shihnin si një plak të lodhur e të sëmurë, por ai në fakt nuk qe i tillë. Ai qe në një moshë që mund të jepte shumë”, - u shpreh Ahmeti. I pyetur për pengun që Xhaferri mund të ketë pasur, miku i tij prej një jete, tha se “shqiptarët e ndarë ishin pengu që ka pasur Arbëni. Megjithatë, ai nuk i ka parë si të ndarë, ai fliste për shqiptarët pa i ndarë nga njëri-tjetri. Ka qenë ithtar i Shqipërisë etnike, të bashkuar e të integruar”. Sipas Ahmetit, humbja e Sabri Godos dhe ajo e Arbën Xhaferrit, kanë lënë boshllëqe të mëdha në mendimin politik shqiptar. Ai shtoi se nuk ka dijeni për ndonjë vepër me të cilën ai po merrej kohët e fundit, përveç përmbledhjes së shkrimeve të shpërndara.
Miku tjetër i tij, ish-ministri Vehbi Bexheti thotë se ndarja nga jeta e Xhaferrit, ka qenë për të një lajm shokues. “Ai ishte një ndër politikanët më të mëdhenj shqiptarë. Dinte se si duhej bërë politika dhe shkenca, diplomacia dhe universiteti”. I pyetur se “ç’do të thotë kjo humbje për shqiptarët e Maqedonisë”, Bexheti u shpreh se, me ikjen e Xhaferrit, do të duhet kohë që të gjendet një tjetër Arbën Xhaferri që të punojë e t’i mbrojë shqiptarët. Por, si kanë qenë marrëdhëniet e këtij mbrojtësi të bashkimit kombëtar shqiptar, me maqedonasit, të cilëve kurrsesi nuk iu intereson një bashkim i shqiptarëve? Për Bexhetin, Xhaferri gëzonte respektin e të gjithëve, edhe të vetë maqedonasve, sepse dinte se si fliste dhe se si i argumentonte idetë e tij. Qe e pamundur që ndokush të replikonte me të, apo t’i dilte kundër. “Atij nuk i kundërviheshin sepse nuk i irritonte. S’iu jepte mundësi që ta kundërshtonin, sepse ofronte argumente të forta. Dje kanë ngushëlluar të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe atë që është në pushtet, VMRO-DPMNE”, tha dje për “Gazeta Shqiptare”, Bexheti.
Një tjetër emër i njohur për publikun shqiptar që ka pasur kontakte së fundmi me Xhaferrin ka qenë edhe Muzafer Korkuti, nënkryetari i Akademisë sonë të Shkencave. Si një prej organizatorëve të konferencës shkencore për 100-vjetorin e Pavarësisë, ai ka pasur me Xhaferrin kontakte të vazhdueshme, sepse ky i fundit qe ftuar të merrte pjesë. “Në dhjetor të 2011-ës, kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë udhëtoi drejt Maqedonisë për të takuar Arbën Xhaferrin. Ne e kishim përzgjedhur si pjesëmarrës në konferencë dhe udhëtimi bëhej për të biseduar me të. Na priti në zyrën e tij dhe e vumë re se qe tejet i kënaqur nga ftesa. Na bëri shumë përshtypje gatishmëria e tij. U vendos që në konferencë, ai do të fliste për rolin e shqiptarëve të Maqedonisë në Pavarësinë e Shqipërisë”, -tregon Korkuti. Sipas tij, Xhaferri e quajti nder pjesëmarrjen në akademi. Më tej, Xhaferri e Korkuti kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme (pa rëndësi për t’u botuar), mbi detajet e aktivitetit të nëntorit, në të cilin fatkeqësisht përkundër dëshirës së madhe, ai nuk do të mund të marrë pjesë. Megjithatë, Korkuti beson se ai do ta ketë mbaruar referatin e tij dhe uron që dikush ta sjellë në konferencë. Nga ana tjetër, akademiku na tregon edhe një tjetër bisedë me Xhaferrin, që i takon pikërisht datës 17 korrik, plot 1 muaj më parë. “Pas intervistës së tij të fundit, ku foli për gjuhën standarde dhe mosftesën e Rexhep Qosjes në aktivitetin tonë, i dërgova një mesazh, ku e urova për qartësinë dhe largpamësinë e mendimit. E kam admiruar gjithnjë, sepse ka qenë i shqetësuar për kulturën e trashëgiminë shqiptare, çka qe e qartë në bisedat me të”,- thotë Korkuti. Por mesazhi i akademikut shqiptar, mori një përgjigje (me mesazh telefonik) të cilën po e botojmë të plotë më poshtë: “Të jem i sinqertë, jam shumë në dilemë të shkruaj për disa tema që nuk më takojnë, por mendoj nga aspekti profesional, kam marrë disa herë guximin që të shkruaj për këto çështje, ngaqë mendoj se gjuha nuk mund të jetë vetëm ‘çështje profesionale’. Ajo për shqiptarët ka rëndësi primordiale. Po të mos kishim arritur deri këtu, druaj se populli shqiptar, do të tretej në valët e kohëve”, - përfundon mesazhi, që është njëherësh edhe porosia e mbrame e ‘avokatit’ të shqiptarëve.
Xhaferi është lindur në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Ka mbaruar Fakultetin e Filozofisë. Deri në vitin 1990 ka punuar në radiostacionet televizive në Prishtinë, Kosovë, si kryeredaktor i programit kulturor. Ka qenë kryetar i PPD-së në Maqedoni nga 18 prilli i vitit 1995, e më pas lider i Partisë Demokratike Shqiptare deri në vitin 2007. Në zgjedhjet e dyta parlamentare në Maqedoni është zgjedhur si deputet i pavarur (1994), e më pas si deputet i PDSH-së dhe gjatë luftës në Maqedoni, ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt