13-vjeçarja shitet nuse për 3 mijë €, torturohet e përdhunohet nga vjehrra e bashkëshorti
ITALI- Një 13-vjeçare nga Maqedonia u shit nga prindërit e saj për 3 mijë euro, në një familje maqedonase që jeton në Itali. Pasi babai i saj mori paratë e kërkuara, vajza u dërgua si një pako në Venezia, ku jetonte 17-vjeçari që ‘e bleu’ si bashkëshorte.
Sapo mbërriti në Itali, vajza u torturua dhe u përdhunua nga 17-vjeçari dhe nëna e tij. Siç raportojnë mediat në Itali, torturat organizoheshin nga nëna e djalit, për tu treguar të afërmve se nusja e shtëpisë ishte e urtë dhe mbi të gjitha e virgjër.
Vjehrra 34-vjeçare Jasar Nermin, organizoi një festë me të afërmit, pak ditë pas mbërritjes së vajzës, për tu treguar atyre çarçafin që vërtetonte se nusja ishte e paprekur. Dhe për këtë ajo e kishte detyruar djalin që të përdhunonte nusen e tij të mitur dhe e kishte rrahur barbarisht vajzën që tu bindej urdhrave të saj.
Babai dhe motrat e djalit nuk ishin në dijeni të torturave që i bëheshin nuses së re, pasi 34-vjeçarja e kishte kërcënuar vajzën që të mos i tregonte askujt për ato që ndodhnin gjatë ditës, kur kryefamiljari nuk ndodhej në shtëpi.
13-vjeçarja kishte tentuar të arratisej disa herë nga shtëpia, dhe për këtë ishte dënuar rëndë nga vjehrra, e cila e detyronte të futej në vaskë me akull apo të qëndronte për orë të tëra në këmbë.
Hetimet e policisë filluan më 2 gusht, kur disa fqinjë kishin lajmëruar për prezencën e një vajze që kërkonte shpesh ndihmë. Pas zbardhjes së ngjarjes, policia italiane bëri të mundur arrestimin e 34-vjeçares maqedonase Jasar Nermin dhe djalit të saj 17-vjeçar, nën akuzën e torturimit dhe dhunimit seksual të së miturës.
Vajza u dërgua në spital, ku mjekët konstatuan shenja dhune dhe plagë djegieje në trupin e saj. Tashmë ajo është nën kujdesin e specialistëve, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
(er.nu/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt