"Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit. "Kotësi e kotësive," thotë Predikuesi; "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit? Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë. Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri. Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime. Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri. Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar" (Predikuesit 1:1-8).

Parathënie

Bibla, edhe pse nuk e përmban faktikisht fjalën "pakënaqësi", na i shfaq, prapëseprapë, pasojat e saj. Fjalori e përshkruan kështu fjalën 'pakënaqësi': "një dëshirë e madhe për diçka më të mirë, sesa situata e tanishme". Ka shumë gjëra, që mund ta bëjnë njeriun të pakënaqur me jetën, si p.sh. mungesa e pasurisë, sëmundja, apo keqtrajtimi prej të tjerëve. Të shumtë janë ata besimtarë, që janë bërë të pakënaqur me kishën, ndaj edhe janë larguar prej saj. Por Perëndia e ka një rrugëzgjidhje për pakënaqësinë.

Pse janë të pakënaqur njerëzit?

Kryesisht, ka dy gjëra, që shkaktojnë shumicën e pakënaqësive në jetë: paraja dhe problemet shëndetsore. Ka njerëz, që kujtojnë se po ta fitojnë llotarinë, apo po të blejnë një shtëpi më të madhe, apo një makinë më të mirë, atëherë do të jenë të lumtur. Ka të tjerë, që dëshirojnë të kenë një jetë pa sëmundje e pa dhimbje, si garanci të paqes dhe lumturisë së tyre personale. Sot, ne kemi një standart jetese shumë më të lartë sesa brezat e mëparshëm, e prapëseprapë, jemi shumë më të pakënaqur se kurrë ndonjëherë. Madje, edhe fëmijët, që zakonisht nuk kanë pse të shqetësohen fare, po vrasin veten, ngaqë e ndjejnë se jeta e tyre është bosh, pa kuptim.

Salomoni, një nga njerëzit më të mençur e më të pasur në botë, e dinte se ç'do të thoshte të jesh i pakënaqur me gjithçka, me gjithkënd, e madje, me vetë jetën. U përpoq për ta gjetur kënaqësinë me mënyra nga më të ndryshmet, por pa rezultat. Ja, disa prej tyre:

a. Arsimi/Edukimi: "Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: "Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri". Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën. Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen" (Predikuesit 1:16-18).

b. Qejfet: "Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi. Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?". Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t’i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre" (Predikuesit 2:1-3).

c. Shtëpi më e madhe: "Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta, bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji; ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët" (Predikuesit 2:4-6).

d. Paraja: "Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji" (Predikuesit 2:8).

Salomoni po kërkonte lart e poshtë, të gjente kuptimin e jetës dhe ilaçin për dhimbjen e zemrës. Por, sado që u përpoq, jo vetëm që nuk arriti të gjente dot kënaqësi, por u bë më keq se më parë: "Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën" (Predikuesit 1:14)..."Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell" (Predikuesit 2:11).

Ku mund të gjendet ilaçi?

Në Bibël, kënaqësia nuk është një sugjerim, por një urdhërim: "Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk pret që ne të mos kemi fare qëllime në jetë. Nuk është gabim të kesh si synim për të qenë i suksesshëm në punën që bën. Por, ëndrrat nuk iu bëhen realitet të gjithëve. Pakënaqësia vjen atëherë, kur kërkojmë ta gjejmë përmbushjen e saj tek gjërat e kësaj bote. Një ditë, jeta do të na rrëzojë të gjithëve përtokë, prandaj nuk ia vlen që të përpiqemi për ta gjetur kënaqësinë këtu në botë: "Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar" (1 Timoteut 6:17).

Ata që janë të pakënaqur, presin shumë nga jeta. Duan të kenë më shumë se të tjerët, e madje, edhe kur kanë më shumë se të tjerët, prapë duan të kenë edhe më shumë. Janë bosh në shpirt, ndaj edhe kërkojnë të kenë shumë e më shumë për ta mbushur boshllëkun. A na duhen, vallë, më shumë llukset, apo gjërat bazë të jetës? "Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje" (1 Timoteut 6:7-10).

Problemi qëndron këtu: pothuajse të gjithë përpiqen të gjejnë kënaqësi, por kënaqësia nuk gjenden dot. Përkundrazi, kënaqësia duhet mësuar: "Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam" (Filipianëve 4:11)... "Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj" (Mateu 11:28-29). Ilaçi kundër pakënaqësisë është të kuptuarit se Perëndia na ka dhënë gjithçka, që na nevojitet, për të jetuar një jetë fitimtare të krishterë: "Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht" (1 Korintasve 15:57)... "Por, falemnderit Perëndisë, që na bën të ngadhnjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet" (2 Korintasve 2:14)... "Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë. Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë?" (1 Gjonit 5:4-5). Kënaqësia duhet mësuar, duke u mbështetur tek Krishti.

Përfundim
Kënaqësia mund të gjendet vetëm në Zotin Jezu Krisht. Në momentin kur ia dorëzojmë jetën Atij, pikërisht në atë moment, e shohim se ato gjëra, që kujtonim se do të na kënaqnin, papritur e humbin shkëlqimin e tyre: "Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin" (Filipianëve 3:7-8)... "Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?" (Mateu 16:25-26). Menjëherë, e shohim se përveç Krishtit, asgjë tjetër nuk mund të na e mbushë dot boshllëkun e zemrës, ndaj edhe biem dakort me apostullin Pal, që tha: "Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka" (1 Timoteut 6:6).

ZOTI JU BEKOFTE!