Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,026
    Postimet në Bllog
    17

    Lefter Çipa: “Polifonia, fosforina e këngës shqiptare”

    INTERVISTA/ Flet “princi” i këngës labe, poeti i mirënjohur popullor, Lefter Çipa

    “Polifonia, fosforina e këngës shqiptare”

    Albert ZHOLI

    S’e heq kurrë cigaren nga goja dhe pse mjekët ia kanë ndaluar. Megjithatë është shumë energjik dhe i saktë. I lidhur pazgjidhshmërisht me këngën polifonike, ai jo vetëm është një nga autorët më kryesorë të teksteve të kësaj kënge magjike, por dhe hulumtues dhe ndjekës i vëmendshëm i të gjitha festivaleve folklorike që realizohen në të katër anët e atdheut me këto këngë. Këtë radhë e takuam në Festivalin e V Ndërkombëtar të Polifonisë të zhvilluar në qytetin antik të Bylisit, ku ai ishte dhe një ndër anëtarët e jurisë. Kur flet për polifoninë ai nuk të fal asnjë gabim. Në dorë mban një orë me kurdisje, ku në qendër të saj është një fotografi e Enver Hoxhës. Kur e pyet për të, ai hesht dhe qesh. Nuk do të bëjë asnjë koment, por flet sërishmi për polifoninë si një thesar që është i vetmi në llojin e vet në gjithë botën dhe që është pagëzuar në Shqipëri.
    Pse e quani polifoninë Fosforinë?
    Fosforinë, sepse kjo këngë magjike ka vetinë e shkëlqimit dhe të ndriçimit si fosfori në errësirë që të ndriçon rrugën edhe në natën pus. Ajo është kaq magjike, sa askush s’e merr mend se sa fosfor mban përbrenda.
    Jeni i kudondodhur kur flitet për polifoninë. Si do ta përkufizonit këtë perlë të kulturës shqiptare?
    Si do ta përkufizoja?! Kënga polifonike, është mbret i këngës së shpirtit. Kjo këngë është shpërthimi më i mirë i shpirtit, që nuk njeh pengesa, që nuk njeh, kufizime, por është i lirë , si zog shtegtar. Polifonia është përjetësi. Një popull që nuk këndon, vdes. Pa mushkëritë e mbushura të polifonisë së veçantë, sidomos asaj labe, shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Sidomos në këto ditë vere, ku nxehtësia po djeg dheun, polifonia po na e zbut këtë vapë me atë gurgullimë të përjetshme që na e bën jetën më të butë dhe më me dritë. Kënga labe, apo polifonia në tërësi është si një thesar i rrallë dhe i pashoq që shkëlqen si një margaritar. Ajo do të mbetet kryevepër e kulturës së popullit shqiptar, të cilën UNESCO, kjo seli e mendjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje.
    Ky vlerësim i UNESCO na jep të drejtën të ndihemi krenarë?
    As që vihet në diskutim. Askush në botën e qytetëruar nuk të vlerëson pa meritë. Kjo gjë të harrohet. E them me gojën plot se ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej mrekullive të kësaj bote. Keni dëgjuat për testamentin e Fan Nolit?
    Diçka kam dëgjuar, por megjithatë dua të ma përsërisësh?
    Fan Noli në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga lebër safi. Sepse e dinte që ajo e bënte të përjetshëm...Dhe kish të drejtë. Kur këndohet polifonia duket se këndojnë hyjnitë që zbresin nga qielli në tokë
    Nuk lodhesh që shkoni në shumë aktivitete?
    Pse ti mendon se të lodh polifonia? Polifonia të shëron. Kur shkoj në aktivitete të tilla, jeta më bëhet më e bukur, më e gjallë, më me vlerë, më me stimul. E ku ka më mirë se të dëgjosh këngën e Zotit.
    Mendimi juaj për Festivalin e Pestë Ndërkombëtar të Bylispolifonisë?
    Është një ndër aktivitetet më të bukura që kam ndjekur. Kam qenë këtu në Festivalin e Parë, jam ndjerë si mbret. Në një lartësi të tillë që sheh deri në Tiranë, mes shkallëve të gurta të amfiteatrit të vjetër, me të vërtetë ndihesh i vlerësuar, por dhe shumë krenar për historinë. Ky qytet antik mbi 2500 vjeçar ka në themele një histori që me të vërtetë duhet parë me lupë. Ja shiko themelet e amfiteatrit të vjetër, shiko stolat e veçantë ku uleshin mbretërit.. Dallohen këta stola të gurtë për vetë ndryshimin, për vetë specifikën e ndryshimit. Një histori e tërë. Një histori që të rrënqeth për bukurinë e rrallë. E ku ka më vend piktoresk. Besoj se në këtë amfiteatër të lashtë ku ne po bëjmë Festivalin e Pestë, ndoshta dikur ka jehuar polifonia po aq bukur dhe pse me mjete jo moderne. S’ka pasur mjete, por ka pasur një kulturë që të mahnit. Në këtë qytet shikon banja që i kanë rezistuar kohës. Shikon punishte vere sikur të jetë ndërtuar sot, shikon puse uji sikur janë bërë para disa ditësh, shikon gurë që peshojnë tonelata, që sot zor se mund t’i transportosh. Pra ky festival ka vlera të shumëfishta, të njeh me historinë tonë, por edhe të sjell afër tingullin e bukur të këngës që të magjeps. Për mua Bylispolifonia është një festival tepër i veçantë.
    Sot flitet shumë për termin Isopolifoni dhe Polifoni. Si duhet përcaktuar?
    Polifoni. Në këtë këngë të vjetër sa dhe kombi në fillim merret kënga, pastaj mbahet isoja. Isoja vjen nga një fjalë po e huaj greke, që në radhën e ndërtimit të këngës nuk zë vendin kryesor. Shumzërëshi shqiptar, apo vënçe apo labçe do të ishte më e saktë. Kur këndohet, thuhet kush ja merr
    dhe jo ai që mban iso të mbajë rolin kryesor.
    Sa tekste këngësh polifonike keni bërë?
    Unë s’mbaj shënime apo ditar. Kënga është burim i jetës sime. Unë shkruaj sa herë më vjen frymëzimi. Dhe frymëzimit nuk i them hajde, por është ai që më fton. Nuk e di kur krijoj, ashtu sikundër kurrë s’e kam marrë mundimin të numëroj se sa krijoj. Vargu është një thirrje e brendshme e shpirtit. Ai të kap nga dora dhe të thotë vetë hajde ulu. E kam lënë të lirë vargun. Unë kënaqem kur poezia ime bëhet këngë apo bëhet pjesë e populli tim, paçka se s’kam mundur t’i numëroj.
    E keni menduar ndonjëherë veten larg Himarës?
    As me Parisin, as me Uashingtonin nuk e ndërroj. E keni parë në mëngjes detin e Himarës, po në mbrëmje!?... Mos ma bëni këtë pyetje, se ndihem keq. Himara është kryeqendra e botës për mua. Pa Himarën unë s’do të isha Lefteri.
    I keni shërbyer ndonjëherë bashkëshortes?
    Vetëm njëherë, dhe dola shumë i fituar. Se di se ç’vit ishte, por di që atë ditë kisha mbetur pa lekë në xhep dhe në paketë kisha vetëm dy cigare. E kupton, vetëm dy cigare! Mund të rri unë pa dy paqeta në xhep?! Bashkëshorten e kisha pa qejf atë ditë. Shkoj në shtëpi dhe ajo me urtësinë e saj më thotë, më bëj një kafe. Ishte hera e parë në jetë që më thoshte. U bëra kamerier. E bëra kafenë dhe mora ca filxhanë të bukur që ajo i mbante për reklamë, sepse nuk i përdorte kurrë. Kur marr të dytin, poshtë tij doli një 5 mijëshe dhrahmi. Sa u gëzova, njëherë gatova dhe fitova. Kur i çova kafenë gruas, ajo u habit. Pse ke marrë këta filxhanë, më tha, unë s’i përdor kurrë. E mori me mend që kisha gjetur dhe dhrahmitë dhe më tha, të paktën më lër gjysmat!...
    Keni qenë ndër iniciuesit e albumit “Vajza e valëve” të Mimoza Kosturit, mendimi juaj për të?
    Ka një zë të veçantë. E kanë në gjak si familje polifoninë. Kur e kam dëgjuar për herë të parë jam mrekulluar. Nga ai moment e kam nxitur për një album të tillë. Isha në promovimin e albumit dhe vërtetë mora si shpërblim atë që mendoja.


    Mimoza Kosturi
    Albumi “Vajzë e valëve” dhe Lefter Çipa

    “Vajzë e valëve” ishte një album që e justifikoi ëndrrën të dytë. Këtë album unë vendosa që ta bëja me repertorin që zotëroja më mirë. Ky album ka 11 këngë. Albumi duhet që të krijonte besimin më shumë tek vetja. Ai i ka të gjithë elementet, se përmbledh folklorin e Himarës, Gjirokastrës dhe të Zagorisë, por ka edhe këngë labe brenda, të bërë nga rapsodët dhe këngët e spikatura të Lefter Çipës. I madhi Lefter Çipa ka qenë ndihmësi dhe nxitësi im më i mirë në këtë album. Ai më ka orientuar në çdo drejtim.
    Para se të realizoja albumin, pashë dokumentarin e Himarës në bashkëpunim me Lefter Çipën dhe jam mahnitur. E kam dëgjuar disa muaj rresht. Pastaj guxova dhe këndova. Unë dua të jem e saktë me çfarë atë afron tabani dhe pastaj aftësitë e mia. Ishte një investim i madh si nga ana shpirtërore dhe nga ana ekonomike. Mbështetja që më dha Eno Koço, që e mori përsipër që këtë album ta realizonte në Londër dhe për t’i bërë një investim sa më profesional ishte një vlerësim maksimal. Albumi u realizua në studiot e Radio-Tiranës, por u shumëfishua në Londër dhe u prezantua në ambientet e teatrit “Metropol”. Pata një mbështetje nga artdashësit, por dua të falënderoj edhe regjisorin Kiço Londo që ka qenë në atë periudhë në teatrin Metropol, i cili na mundësoi sallën. Ka qenë një koncert i veçantë. Polifonia në vetvete i ka të gjitha elementët për t’i dhënë kënaqësi publikut. Deri në atë moment kisha bërë shumë punë dhe mendova ta pasuroj edhe me elementë të tjerë. Bëra një takim me Petrit Rukën, një njohës dhe dashamirës i polifonisë dhe mjaftoi një bisedë me të për të organizuar promovimin.

    Katina Bejleri, këngëtare
    Lefter Çipa mbetet për mua një nga princërit e teksteve të polifonisë shqiptare. Tekstet e tij kanë erë deti, mali, janë të lira, me hapësirë. Sa herë lexoj tekstet e tij,l mbetem e shtangur. S’e di se nga ku burojnë ato vargje. Duken si vargje hyjnore. S’ ta mbush mendjen që ai burrë aq elegant, të bëjë vargje që të mrekullojnë shpirtin. Kur këndoj ato tekste më duket se marr me vete zjarrin e vatrës himarjote për ta përcjellë në çdo vatër shqiptare.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,200

    Për: Lefter Çipa: “Polifonia, fosforina e këngës shqiptare”

    ME ISO - Poetët janë përgjithmonë…

    Poeti mori gjithë qiellin e shpiku fjalët. Ndaj, asnjë vjershëtor nuk shuhet. Shpirti i dlirë, endet sërish mes eterit e vendit ku zbritën në tokë. /Konica.al

    Ditën e sotme, polifonia labe, folklori dhe vargjet e popullit bujar, thurur me mjeshtëri të hollë humbën një shtyllë të vjershërimit të këngës me iso. Lefter Çipa, poeti i dallgëve të mëdha përbrenda zemrës, ikur për në dritën që e ndriçoi ngahera, me bekimin e nurin e njeriut të kohërave. Poeti la këtë botë, por jo vepra e tij.

    O natënë pa gdhirë mirë
    Do takonem me barinë
    Bëj të fle gjumi s’më zë
    Çulja moj bie ëmbëlë
    E dëgjon e gëzon xhani
    I bije djalë çobani

    Duke u tundur zbret nga zalli
    Me shami lidhur tek balli
    Tundu moj bejkë e bardhë tundu
    Natënë me hënë duku
    Bejkë e bardhë borë e malit
    Ti je moj ilaçi i çobanit

    O kur merr ujë tek burimi
    Me dukesh si lule prilli
    Tundu moj bejkë e bardhë tundu
    Natënë me hënë duku
    Bejke e bardhë borë e malit
    Ti je moj ilaçi i çobanit





    Vlerësuar edhe nga kritika, Lefter Çipa ishte përfaqësues i etnofolkloristët më të shquar të trashëgimisë kulturore, ndër poetët më interesantë, dhe poet atipik, me botën dhe profilin e tij, sa rebel si stuhia e malit, aq të dhembshuruar si loti i detit. Studiuesi i mirënjohur, akademik Shaban Sinani, thekson se poezia e Lefter Çipës të kujton më së pari, kangjeljet e Jeronim De Radës, që janë poezi dhe këngë njëherësh.

    Çipa dhe kënga ishin binomi i patjetërsueshëm, assesi pa njëri-tjetrin. Po kaq, poeti ka qenë i lidhur me këngët që edhe në Malësinë e Gjakovës a Dibër, këndohen madhërishëm sa në Labëri e Himarë. Ai u bë burimi i pashtershëm për shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve bashkohorë shqiptarë. Ndërsa vargjet e tij lirike, vinin unike në muzikën popullore shqiptare.

    Vetë artistët, miq të tij dhe admirues janë shprehur me superlativa për poezitë tij të këngëzuara, që ata i kanë cilësuar si me “vendin te flamuri me shtizë”.

    “Virgjërimi i vjershërimit zgjon kompozitorin nga gjumi, për të hedhur notat në pentagram. Këngëtori dashuron atë që kurrë nuk e kishte menduar se do ta dashuronte: autorin e vjerëshërimit të këngës. Ky trekëndësh solid krijon pirustinë qiellore në art”- ligjëron Lefteri në kuvendet me miqtë atje, në brigjet e Jonit, “përkarshi detit të kaltër” te ballkoni i shtëpisë së tij bujare, me flamur kombëtar në Himarë. Lefter Çipa ka çdo darkë miq. Naimin e Çajupin. Ka Dritëroin e poezisë që i dritëron shpirti të kuvendojë me Lefterin e këngës. Të tjerët kanë nevojë ta kenë mik Lefterin … Ai ka botuar shumë libra. Mbi 20 tituj. Ndërkohë, ka shumë e shumë dorëshkrime me vlera të pallogaritshme për folkoristikën, etnologjinë, letërsinë, sociolinguistikën e shkenca të tjera humane. Por … njerëzit janë të ikshëm … Edhe të mëdhenjtë. Vepra u ngelet. Po ku ngelet? Si? Përse? Për çfarë? Ku e ka vlerën? “Ku peshon më shumë guri?!” – shtron pyetjen retorike vetë Lefteri në një nga këngët e tij të hershme e më të bukurat …

    Shpirti poetik i Lefter Çipës shpaloset më së miri në poemën “O shokë vdeksha nga kënga”, përmes të cilës poeti shpjegon lidhjet e forta shpirtërore që ai ka me këngën dhe burimet nga ai frymëzohet. Çipa ka dëshmuar se ka pasur një lidhje të fortë me natyrën, me njerëzit, me historinë dhe shpirtëzimin e natyrës, me zogjtë, lulet, me stinët, me pyjet, me erën. Në poemë ai flet me një pezëm dashurie për prillin dhe majin “O shokë vdeksha nga kënga,/ Në një ditë prilli a maji…”, flet për zogjtë dhe bilbilenjtë “Aty në brigjet thëllëza,/ Ligjëroftë mëngjes e darkë…”, dhe “Zogjtë e bukur krahëlehtë,/ Ia thënçin me gjuhë të ëmbël…”, deri te “Midis lisave të gjatë,/ Kurorë ngritur në qiell.”, “Kur të fryjë erë e beharit,,/ Nga deti, a nga Kalbaqi…”, pra siç shihet është një manual konvencional në gjerësi dhe në natyrë, ku gjendet dhe shtrihet shpirti prej këngëtori, të cilit i blaton dhe ia bën kurban edhe jetën poeti Lefter Çipa.

    “O shokë vdeksha nga kënga”, është ndoshta një nga poezitë dhe rrëfimet më të çiltra të ndonjë poeti, për lidhjen e fortë dhe motivet poetike që e ushqejnë poezinë shqipe./Konica.al

    E mbase kjo, përshëndetja e tij e shpirtit… shkrirë në përjetësi

    https://konica.al/2021/02/poetet-jane-pergjithmone/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 18-02-2021 më 11:56

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,026
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Lefter Çipa: “Polifonia, fosforina e këngës shqiptare”

    'Bejkë e bardhë': Ndahet nga jeta Lefter Çipa, autori i mbi njëmijë këngëve të polifonisë shqiptare

    Emri:  auto_a11613637867.jpg

Shikime: 909

Madhësia:  41.2 KB

    Është ndarë nga jeta Lefter Çipa, poeti i dhe autori i 1250 këngëve të polifonisë shqiptare. Familja Çipa ka njoftuar se ai ka ndërruar jetë në orët e para të së enjtes, 18 shkurt 2021, pas vuajtjes dhe lëngatash fizike. Familja Çipa iu drejtua me një mesazh, qytetarëve shqiptarë që e kanë vlerësuar maksimalisht poetin e shquar:

    Te nderuar miq e dashamires!

    Sot rreth ores 01.15, babai ynë Lefter Çipa pas vuajtjesh dhe lëngatash fizike ndërroi jetë në moshën 79- vjeçare.

    Ceremonia mortore zhvillohet sot në orën 15.00 në vendlindjen e tij Pilur.

    Duke respektuar protokollet e pandemisë japim mirëkuptim për çdo të afërm e miq të babait tonë për mosprezencën në ritin e përcjelljes.

    Pritja për ngushëllime bëhet në shtëpinë tonë në lagjen Stefanel, Himarë. Për të mira e në gëzime u takofshim! Familja Lefter Çipa.


    Lefter Çipa është një ndër poetët më të shquar shqiptarë në vitet 1970-2021. Autor i 18 librave të botuar me poezi dhe një kolane në proces redaktimi për botim. Shumicën e librave të këtij autori tipologjik i ka botuar Shtëpia e njohur botuese "TOENA" në Tiranë.

    Ndër librat më të qarkulluar të këtij autori me poezi janë : "Bejkë e bardhë", "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri moj ballëhapur", " Këngët e Ruzanës", "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën prapë do të ngrihem", "Kënga që tret lotin", "Këngët e Akroqeranit","Princi i Dashurise", " Flet princi i polifonise", " Engjej te polifonise", " Vij nga drita", "Endrra neper duar", " Njerez me drite" etj.

    Emri:  auto_24f13dfd02fd46bd71a7e0abea42e3b3_L1613637420.jpg

Shikime: 970

Madhësia:  42.6 KB

    Konsiderohet "princi i sotëm" i polifonisë shqiptarë. Autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.

    Autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

    Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si "Bejkë e bardhë", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Shqipëri pse të qan syri", "Zoga kaçake në male", "Këngë kurbeti", "Vito Pëllumbesha", "Hënëz e qiellit të gjerë", "Moj unaza gur jeshile", "N sokak të ngushtë", "O shokë vdekça nga kënga", "Lundroj në lundrën e këngës", "Kënga e manushaqes", " Zonjë e bukurisë", etj.

    Ky autor ka qënë pjesmarrës me krijimet e veta në 6 Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qënë i lauruar në çdo Festival Kombëtar.

    Lefter Çipa ka botuar një numër të shumtë artikujsh për autorë dhe përfaqësues të shquar të letërsisë kombëtare shqiptare. Ka një arkiv të pasur me dokumente që flasin për fondin autentik të vlerave polifonike shqiptare në Bregdetin e Himarës dhe zonat e tjera arbërore. Shumica e personaliteteve më të shquara të kulturës, mendimit dhe kërkimit shkencor kulturologjik kanë përcjellë vlerësime dhe publikime të rralla vlerësuese për veprën, kontributin dhe vlerat shumëplanëshe të këtij autori dhe organizatori të shquar të veprimtarive polifonike dhe folklorike shqiptare në gjithë hapësirën.

    Lefter Çipa mbahet mend si bashkëorganizatori dhe autor i teksteve te trios së famshme Vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori.

    Eshte nderuar me çmime dhe dekorata, nder te cilat me me te larten "Nderi i Kombit"

    Syri

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •